Durrës, shkolla “Shaqe Mazreku” ringrihet më e madhe e më e bukur

Shkolla “Shaqe Mazreku” në Durrës po ringrihet më e madhe e më e bukur, pas tërmetit të 26 nëntorit, për mësuesit dhe 720 nxënësit e saj. Në 26 nëntor të këtij viti, nxënësit e saj në vend të ngrehinës së vjetër e të amortizuar, ndërtuar qysh prej vitit 1937, do të gjejnë një mjedis shkollor të denjë.

Me 24 klasa, laboratorë, palestër, bibliotekë dhe ambiente të tjera shërbimesh, kjo shkollë do të jetë ndër të parat që do të jetë gati për nxënësit, tha ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.

Kryeministri Rama, teksa inspektoi punimet, i shoqëruar edhe nga kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, tha se “është rasti për të thënë për ata që vazhdojnë ankohen për Durrësin, që jemi në prag të fillimit të punës për disa nga pallatet që janë në qytet, po finalizojmë projektin që kemi për zonën e re. Po finalizojmë procedurat, sepse tani është pjesa që do mbulojnë miqtë tanë të Emirateve, kështu që ata kanë procedurat e tyre. Shumëkush nuk do të kuptojë që kjo është dhe çështje procedurash, është dhe çështje dokumentacioni, është edhe çështje marrëveshjesh. Nga pikëpamja e ritmit, mjafton të shikosh që Bashkimi Europian që do ndërtojë një pjesë tjetër të shkollave, ende është në fazën kur nuk ka vendosur akoma gurin e themelit për shkak të procedurave. Ne e kemi bërë këtë me një shpejtësi të madhe, që do ishte dhe më e shpejtë nëse nuk do kishim pasur atë momentin e ndërprerjes nga COVID-i që krijoi një situatë pengese për procedurat dhe për kompanitë”.

Ndërkohë, pas shkollave dhe shtëpive individuale, shumë shpejt, në Durrës do të fillojnë punimet për rindërtimin e pallateve të dëmtuara nga tërmeti, 4 prej të cilave do të fillojnë brenda datë 15 tetor.