Një tjetër sipërmarrje e suksesshme shqiptare është dëshmi e zhvillimit të një prej sektorëve që po luan një rol kyç në transformimin ekonomik e social të Shqipërisë, atij të ndërtimit.
Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, ishte sot në mjediset e Pajtoni Group që u shndërrua nga një biznes i vogël familjar në një kompani vendase të konsoliduar, që mbulon nevojat e tregut në sektorin e ndërtimit.
Kryeministri Rama zhvilloi një bashkëbisedim, në kuadrin e një cikli takimesh me sipërmarrjet të cilat janë konsoliduar dhe kanë një raport shembullor me shtetin në aspektin e taksave, në aspektin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, duke mbajtur një bilanc rritjeje të qëndrueshme.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve! Ne në fakt jemi së bashku me Ministren e Ekonomisë, edhe pjesë e një cikli takimesh me sipërmarrjet të cilat janë konsoliduar, kanë një raport absolutisht shembullor me shtetin në aspektin e taksave, në aspektin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe sot kanë një bilanc rritjeje të qëndrueshme si ai që u prezantua pak më parë.
Nga ana tjetër erdhëm këtu për pikërisht si është rritur kompania, çfarë ka bërë kompania në vite dhe si sot në këtë kompani si në shumë kompani të tjera ka vende pune të cilat paguhen absolutisht njësoj si në Europë dhe natyrisht kur them në Europë, kam parasysh Europën fqinje, nuk kam parasysh Francën apo Gjermaninë, po patjetër kam parasysh Greqinë, kam parasysh Kroacinë, kam parasysh një sërë vendesh dhe nga ana tjetër duke qenë se së bashku me ministren kemi dëshirë të flasim për se si gjithë ky realitet transformues, edhe në sektorin e ndërtimit mbështet rritjen e vetë tek ekonomia që rritet. E pamë të udhës që t’i kërkojmë themeluesit të kompanisë edhe prezantimin e projektit të ri dhe kështu bëjmë një diskutim dy anësh, nga njëra anë çfarë është bërë deri tani dhe nga ana tjetër një projekt që është një ambicie e të ardhmes edhe që është pasqyrë e një sektori të ndërtimit, i cili në Shqipëri sjell shumë të mira, por nga ana tjetër për fat të keq si çdo gjë në këtë vend që sulmohet kur shfaqet me sukses, që goditet kur shfaqet si ndryshim, që mbulohet me baltë kur shfaqet si një shenjë e të nesërmes është një sektor që merr në mënyrë të vazhdueshme goditje, sulme, baltë dhe që lëndon një numër të madh protagonistësh të tij.
As nuk e vënë diskutim që edhe në sektorin e ndërtimit, si në çdo sektor tjetër, ashtu si kundër në Shqipëri si në çdo vend tjetër përfshirë edhe vende që na bëjnë leksione neve ka probleme dhe problemet këtu në Shqipëri patjetër që janë më të mprehta në disa raste se sa ç’janë në vende të tjera. As nuk e vënë diskutim që jo çdo gjë në sektorin e ndërtimit është e pastër, është e qartë si drita e diellit dhe është e çmuar si djersa e dhjetëra mijëra njerëzve që i japin jetë këtij sektori, por ama që këtë sukses evident të Shqipërisë, që këtë transformim të Shqipërisë që sektori i ndërtimit e bën të dukshëm, të prekshëm menjëherë sapo dikush vjen në Shqipëri ta fusim në kornizën e krimit është diçka e neveritshme dhe e papranueshme.
Ja ku është njëri nga ata që janë pas këtyre projekteve. E kanë të vështirë të tjerë që vijnë na vizitojnë që të besojnë si ka mundësi që Shqipëria mund të bëjë ndërtime të tilla. Po punë e madhe fortë se e kanë të vështirë. Ka shumë arsye pse Shqipëria mund t’i bëjë ndërtime të tilla dhe janë arsye lehtësisht të lexueshme nga të gjithë ata që duan t’i lexojnë ashtu siç janë. Është e pamundur për disa që ta pranojnë suksesin e Shqipërisë, po punë e madhe fort, por ama është e pa mundur për ne që të pranojmë që shumica dërmuese e atyre që investojnë në ndërtim të futen në thesin e baltës për disa që mund të jenë patjetër ashtu siç thuhet, po jo për të gjitha dhe ka disa fakte të rëndësishme për t’u nënvizuar, vetëm ky projekt, ende pa filluar puna.
Bashkia e Tiranës ka marrë 14 milionë euro taksë vetëm nga ky projekt. 14 milion euro janë një shumë e konsiderueshme, ndërkohë që në këtë projekt, nga ky projekt kur të bëhet realitet, qyteti do fitojë, komuniteti do fitojë çerdhen, do fitojë kopshtin dhe ndërkohë Bashkia e Tiranës mund të fitojë edhe një shkollë, sepse angazhimi i investitorit në këtë rast është që të ndërtojë dhe shkollën në momentin që do t’i jepet trualli për ta ndërtuar dhe në këto 14 milionë euro janë edhe pjesa që shkon tek 3% për strehimin. Pra kush investon në këto projekte natyrisht investon për një vlerë të shtuar, nuk diskutohet. Pa diskutim që këto apartamente nuk i blen dot asnjë i varfër dhe asnjë njeri që thjesht jeton me një pagë të ulët apo mesatare, por ama nga ndërtimi i këtyre apartamenteve, bashkia e Tiranës dhe bashkitë që ndërtojnë të tilla marrin një taksë që është 3% vetëm për fondin e strehimit, për të ndërtuar dhe për të investuar në skema të strehimit social dhe të strehimit të përballueshëm. Pra, këto ndërtime kontribuojnë edhe për strehimin e përballueshëm.
Pa u futur në të thella, dua të them që në ndërkohë për të gjithë ata që lehnin në çdo gjuhë që lehin nga shqipja deri në anglisht edhe në gjuhë të tjera dhe që menjëherë nxitojnë ta kornizojnë këtë transformim të Shqipërisë dhe të Tiranës si transformimin e krimit. Sot që flasim, ky projekt ka 350 apartamente të porositura nga vetëm diaspora shqiptare dhe që janë të porositura dhe nuk paguhen me kesh, që të jemi shumë të qartë, po paguan me bankë. Paguhen me bankë dhe 350 apartamente janë 1/4 e apartamenteve që do të ketë gjithë ky kompleks i madh dhe sot janë të porositura dhe të kontraktuara. Prandaj është shumë e rëndësishme që në një moment të caktuar herë pas here njerëzit të informohen dhe kjo është dhe arsyeja pse ne po përpiqemi që t’ju tregojmë duke vajtur vetë atyre që duan të informohen se çfarë është realiteti i një zinxhiri gjithnjë e më të gjatë hallkash të një ekonomie që rritet, që rritet dhe rritet në mënyrë të qëndrueshme. Ndryshe nga çfarë thuhet në ato tenxheret mediatike, që nuk guxon njeriu të hapi kapakun se i vjen vlaga e llumit që zien aty brenda. Ndryshe nga çfarë thuhet nga të gjithë ata që nuk duan t’ia falin Shqipërisë suksesin apo nuk duan t’ia falin qeverisë suksesin. Problem i madh shumë, por ama këtu nuk flas për qeverinë, këtu flas për njerëzit që i përkushtohen punës ditë natë që nuk merren me llafe rrugësh, por që ndërtojnë realitete të reja në mënyrë të vazhdueshme. Sa kompani kishte grupi këtu?
Domethënë një grup, një sipërmarrje e nisur si një ndërmarrje e vogël ndërtimi sot është një holding me 20 kompani dhe këto kompani i ka krijuar puna, nuk i ka krijuar krimi. Këto kompani i ka krijuar një histori e tërë përpjekjesh e shumë e shumë njerëzve që janë shtuar rrugës. Dhe këtu sot qenkan ftuar edhe disa të tjerë. Ja ku është aty demokrati i paepur Ram Geci. E ka ngritur atë Interkontinentalin deri në qiell. Tani çfarë lidhje ka Ram Geci me krimin? Ditë e natë duke ndërtuar! Ram Gecin mund ta mund ta kritikosh dhe ta përqeshësh për faktin që nuk i ndahet shpirti nga ajo parti. Pra ajo është kulla atje, kulla më e lartë e Tiranës sot. Çlidhje ka me këto? Dhe është e gjitha hotel. Një investim që do t’i duhet vite të kthehet, por do të jetë fat i fëmijëve të Ram Gecit edhe i familjes dhe i nipave, i mbesave.
Ja ku është tjetri këtu. Ç’ lidhje ka një kompani që eksporton në gjithë rajonin dhe që rritet në mënyrë të vazhdueshme me dinjitet siç është kompania Brunes. Çlidhje ka me krimin? Edhe Geronti ndërton, patjetër. Çfarë ka këtu? Ja ku është edhe i paepuri tjetër atje, demokratë tjetër. Se këta demokratët me ne punojnë, me ata protestojnë, i kanë në rregull, i kanë të dyja. Këta janë rehat. Këtyre, këtyre iu del edhe të argëtohen me molotovë edhe të ndërtojnë, edhe të fitojnë. Ja ku është ai tjetri atje. Tirons denbabaden. Ja ku është atje. Me prona në Tiranë denbabaden, gjithë jetën ndërtues. Demokrat tjetër, Avenir Kika. Të gjithë demokratë! Tani pse vijnë këtu? Po vijnë këtu se këtu bëjnë punë. Si të mos vijnë? Çfarë lidhje ka Aveniri që ka ndërtuar gjithë ato apartamente për njerëzit edhe në të gjitha këto apartamente jetojnë njerëz, nuk jetojnë pastrues parash.
E gjithë kjo rrit ekonominë. Si e kemi filluar me 300 – 400 milionë euro investime të huaja dhe sot jemi mbi 1.5 miliard në vit, në vit, mbi 1.5 miliard në vit investime të huaja. Si na erdhi dita që të huajt të vijnë dhe të blejnë këtu në Shqipëri dhe do blejnë edhe më shumë nga këto apartamente edhe nga këto ndërtime që bëhen, sepse këto ndërtime krijojnë energji pozitive, krijojnë besim, krijojnë atraksion, nuk janë thjesht fjetore për të futur kokën. Dhe natyrisht që ne jemi në këtë rrugë të përfshirjes në një botë tjetër, në një botë të integruar. Integrimi nuk është thjesht që ne do ne do bëhemi pjesë e Bashkimit Europian dhe këtu s’do vijë njeri. Integrimi është që këtu si kudo do blejnë shtëpi, do hapin biznese, do jetojnë, do çojnë fëmijët nëpër shkolla edhe ata që vijnë nga vende të tjera. Dhe këto ndërtime janë një provë e ambicies që ka Shqipëria dhe e fuqisë që ka Shqipëria për të realizuar ambiciet e veta. Nuk janë skena krimi këto. Këto janë prova të një transformimi të madh.
26.43 Si u rrit prodhimi i përgjithshëm kombëtar i Shqipërisë? Ishte nën 10 miliard euro kur ne morëm detyrën, sot është 27 miliard dhe në ndërkohë të ardhurat për frymë ishin më pak se 3.000 euro, sot janë mbi 11.000 dhe do vazhdojnë të rriten.
Lloj – lloj teorish, lloj – lloj maskarenjsh që në fund të ditës nuk e kanë me asnjë, por e kanë me mungesën e kapacitetit për t’ia pranuar Shqipërisë suksesin, duke qenë shqiptar vetë.
Mund të thuash për qeverinë çfarë të duash, mund të mos jesh dakord dhe ta kritikosh e ta luftosh sa të duash. Unë s’jam dakord me Ram Gecin për opinionet politike që ka. S’jam dakord. Nuk heq dorë, është i vendosur, por ama si mos të mos t’ia pranoj suksesin? Mos t’i heq kapelën kur shoh punën që bën? Kjo është e pamundur.
Dhe po ja kaloj fjalën ministres natyrisht duke mirëpritur çdo gjë që ju keni për të thënë edhe duke falënderuar edhe mikpritësin tonë për këtë mundësi që na dha, por përpara se sa t’ia kaloj fjalën e ministres dua të them që e gjithë kjo që ndodh edhe në sektorin e ndërtimit ne na jep krah për të shkuar më shpejt përpara në rrugën e anëtarësimit, për t’u bërë më shpejt anëtare të Bashkimit Europian, sepse janë anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk është një certifikatë formale, por është një proces transformimi dhe të gjitha ato hapa që ne Komisioni Europian na i certifikon nuk janë letra, janë transformimi në realitetin këtu. Prandaj ata që flasin sot për një Shqipëri të kapur për fyti nga korrupsioni në fakt janë të kapur në fytin e tyre nga mllefi ndaj suksesit, suksesit të zotërisë këtu, suksesit të të gjithë atyre këtu që bëjnë sukses në atë rrugën e tyre, sepse e kanë të pamundur ta gjejnë fuqinë për t’ia pranuar dhe për t’ia falur tjetrit suksesin.
Ata që flasin për korrupsionin që na qenka rritur, duhet në fakt t’ju dëgjojnë juve. Se nuk mundet dot të rritet korrupsioni kur t’i paguan 14 milion euro taksë. Në ndërkohë që kur korrupsioni ishte më i lartë ti paguaje shumë më pak taksë, sepse përqindjen e taksës e kanë në dorë ata që qeverisin, ata që janë edhe promotorë ose janë edhe kundërshtarët e korrupsionit. Por 14 milion euro taksë me korrupsion nuk shkon. Nuk shkojnë të dyja bashkë. Nëse rriten të ardhurat, të ardhurat nuk rriten nga shiu, të ardhurat rriten nga taksat. Dhe nëse arka e shtetit ka më shumë të ardhura dhe ne kemi shumë më shumë të ardhura, atëherë do të thotë që ka më pak korrupsion dhe të gjithë ndërtuesit që kapërcejnë pragun për të marrë këto leje mund ta dëshmojnë që luftën me ne e kanë për cilësinë e projekteve dhe prandaj janë edhe rastet për të cilat flitet, se ndryshe për çfarë do diskutonim dhe si do ta pretendonim që korrupsionin po e ulim nëse nuk do kishte shembuj edhe të kësaj natyre. Pra edhe shembujt pozitiv të ndërtimit të transformimit, të rritjes së ekonomisë, të rritjes së pagave, të rritjes së pensioneve, të rritjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe shembujt negativë që ekspozohen në luftën kundër korrupsionit janë dy anët e të njëjtës medalje, që këtu ka më shumë ekonomi dhe ka më pak korrupsion.
* * *
– Në emër të ndërtuesve të Tiranës si kryetar i radhës që jam ju falënderojmë në radhë të parë për fjalët e mira për industrinë tonë, dhe e dyta dhe për fjalët e mira për Landin që është nga çunat e ri më të mirë që ka shoqata e Tiranës. Ne e kemi filluar karrierën dhe industria e ndërtimit realisht është rritur me juve zoti kryeministër. Unë vetë kam filluar ndërtimin në ditën që ju jeni zgjedhur kryetar bashkie. Keni firmosur leje për neve të gjithë pa na njohur fare dhe unë kam punuar me një leje që ma dhatë gati 150 mijë m² , kam punuar 15 vjet dhe ju keni ardhur vetëm mbasi u bë problemi i rrogave minimale që e keni parë kantierin, por unë jam të them të drejtën i lej vetes time dhe gjithë familjes time një vepër sepse sot në projektin e ri që unë prapë e kam edhe atëherë më dukej absurde dhe pse unë do shkoj te bashkia të marr një firmë të huaj që të punoj edhe unë si shkova te bashkia si njeri që isha i specializuar në Itali zgjodha një firmë italiane. Sot në atë kompleks që quhet kompleksi Kika 2, se janë bërë shumë, në perimetrat e mia kërkesat për strehim dhe për apartamente nuk vijnë më nga shqiptarët. Vijnë vetëm nga gjermanë dhe nga italianë kryesisht, shumë italianë sepse e quajnë një copë Italie në Tiranë. Këto janë merita e atij njeriu që është aty dhe kush ja mohon, ja mohon vetes së vet në radhë të parë.
Përsa i përket industrisë të ndërtimit ajo që tha zonja sot ka kapur 17% që është si industri ndërtimi e para në Europë në prodhimin e përgjithshëm bruto. Punësojmë direkt 50 mijë që dikur para 20 vjetëve kur kemi filluar ndërtimin ne ishim fshatarë sot janë familje të mesme dhe punësojmë indirekt 250, 1 me 5 e kemi raportin e punësimit indirekt 250 mijë familje. Pra sot në Shqipëri nëse ka 33% nga 750 mijë familje shtresë e mesme ajo është nga industria e ndërtimit të cilët ky popull në një farë mënyre duhet t’ia dijë.
E tha bukur kryeministri, Rama, e Aveniri, e Agroni këtu e të gjithë neve na doli shpirti të gjithë e kemi bërë një ose dy operacione gjatë gjithë kësaj periudhe, ama kemi arritur që të lëmë diçka mbrapa. E tha shumë bukur kryeministri që Ramës do ja gëzojnë nipat. Edhe neve nipat do na e gëzojnë se neve kështu do vazhdojmë duke punuar me bukë e me djathë se kjo është jeta jonë. Kështu jemi mësuar dhe në komunizëm. Po s’ka rëndësi. Ju falenderojmë dhe njëherë për gjithçka që keni bërë për ne. Landi suksese.
Kryeministri Edi Rama: Avenir tani kështu erdhi, u rrotullua bota. Jo me bukë me djathë, pasanikë në Selitë. Po përtej kësaj, ajo që unë mendoj që është e rëndësishme është që edhe ju duhet të ndiheni pak më shumë me forcën e fakteve. Ti the disa fakte këtu – se flasin shumë ata që nuk i kanë thënë punës mirëmëngjesi ose ata që kur i është dhënë mundësia për ta bërë një punë e kanë bërë mbrapsht, por harrojnë që ekzaktësisht siç e the është një zinxhir i tërë familjesh që ushqehen nga industria e ndërtimit dhe jo thjesht ata që janë në kantier, por të gjithë ata që janë në zinxhirin e industrisë, që prodhojnë, që shesin, që kontraktohen për gjithë ato lloj mallrash që ka një ngrehinë, se s’është vetëm hekur edhe beton dhe përbaltja e jashtëzakonshme që i bëhet kësaj industrie për të përbaltur Shqipërinë në fakt, disa që bëjnë si investigatorë kur ekspozojnë nëpër ekrane pamjet e Tiranës që është një qytet europian kur e shikon ato pamje i mbulojnë me llumin e fantazive të akuzave, ja ku pastrohen paratë e Europës. U pastrokan në Shqipëri, në Tiranë paratë e Europës.
Ndërkohë që edhe njëherë e përsëris, apartamentet janë qartësisht të lexueshme në gjithë transaksionet e shitjes dhe të blerjes, e para.
E dyta është shumë e rëndësishme që njerëzit ta dëgjojnë edhe atë që the që sa janë të huajt që po blejnë, sa janë shqiptarët jashtë që po blejnë. Natyrisht një pjesë e tyre blejnë për të bërë një investim. Jo se blejnë edhe kthehen menjëherë sa blejnë, po blejnë për të bërë një investim. Dhe shoqata juaj, shoqatat tuaja duhet t’i vëmë përpara përgjegjësisë këto lloj burimesh që vetëm përbaltin, sepse në fund të ditës këto trembin njerëzit, trembin blerësit dhe nga ana tjetër nëse organet e drejtësisë bënë punën e tyre për të për të vënë në sekuestro një ndërtim apo një kantier sepse ju figuron i lidhur me kanale të pastrimit të parasë kjo nuk ka pse tremb gjithë dynjanë edhe shqetëson gjithë industrinë sepse industria nuk është e ndërtuar mbi ato lloj kanalesh dhe ky është fakt dhe është shumë e rëndësishme që faktet të ekspozohen, sepse këtu problemi më i madh është që nga mëngjesi deri në darkë nuk guxon njeriu të hapi një pasqyrë për t’u marrë vesh se çfarë po ndodh, se do bombardohet me gënjeshtra dhe me baltë e me helm dhe prandaj përpjekja për të ekspozuar faktet duhet të jetë më e madhe dhe këto janë fakte. Ky projekt është fakt, nuk është opinion. Edhe zotëria këtu është real, nuk është fantazmë. Dhe gjithë aktiviteti i kësaj kompanie dhe i shumë kompanive të tjera është aktivitet real se nga këto kompani rritet ekonomia, nuk rritet nga shiu.
– Kemi investuar mbi 50 milion euro dhe u them këtyre gazetarëve ekonomikë, i ftoj dhe ata të vijnë të shohin dhe nuk mund të na hedhin baltë në këtë në këtë lloj forme. Ju faleminderit shumë për vlerësimin. Kjo nuk është baltë jo vetëm për ju, për qeverinë, për ne si biznesmen, por kjo është për Shqipërinë.
Kryeministri Edi Rama: Tani se tek keqardhjet shprehen edhe për mua, po nëse ka një adresë ku këto lloj baltërash nuk bëjnë asnjë efekt, është adresa ime. Me mua ta kenë, nuk ka asnjë problem. Unë nuk afektohem fare nga këto, se po të afektohesha nga këto s’do isha akoma këtu duke u marrë me këto, por këtu çështja është tjetër dhe prandaj them, unë nuk pretendoj që ata të cilët i kanë mos dakordësi apo kundërshti apo nuk më shohin dot mua me sy të vlerësojnë çfarëdo qoftë. Jo, mos ta vlerësojnë fare, asgjë! Por kur flasin në gjuhë të huaj dhe bëjnë përgjithësime negative, nuk e kuptojnë ata se çfarë do të thotë të japësh 700 paga në muaj dhe t’i japësh çdo muaj, dhe t’i rrisësh dhe të vazhdosh t’i japësh, se nga vijnë ato. Nuk e kuptojnë! Nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë të ndërtosh një kompani, të rrisësh një kompani e tjerë e tjerë. Dhe prandaj në fund të ditës e gjithë kjo përpjekje është ajo që po na çon më afër një ëndrre shumë të madhe të të gjithëve që është Bashkimi Europian dhe t’i vesh atyre atje. Po për çfarë e bëjnë ata atë? Atyre ju duhet të mbushin dy orë televizor. Çfarë po i duhet atyre se çfarë është e vërtetë e çfarë s’është e vërtetë? Çfarë po i duhet atyre? Atyre ju duhet të mbushin dy orë televizor? Hajde kap dy shqipo atje që ju duket sikur ju rritet vlera kur flasin dhe intervistohen nga gazetarët të huaj edhe fut e bjer Shqipërisë.
Se ma thonë vazhdimisht ata andej: – Po mirë mo si ka mundësi, çfarë jeni ju? Ore ka pasur gati luftë civile në Maqedoni kur ishte Maqedonia akoma. Ore nuk shkonin kundërshtarët e qeverisë nga Shkupi të shkonin në Bruksel dhe të ulnin e të ngrinin Maqedoninë si një vend për t’u dënuar. More nuk e bënim!
More ka pasur në Mal të Zi gati konflikt civil, se ata janë gjysma këtej e gjysma andej. More nuk shkonin në Bruksel të ulnin e të ngrinin njëri-tjetrin dhe të kërkonin nga Brukseli ose nga kanceleritë e huaja të dënonin Malin e Zi. Nuk e bënin!
More Bullgaria edhe sot e gjithë ditën nuk gjen rehat. Bullgaria sot e gjithë dite nuk gjen rehat. Është në Bashkimin Europian s’di sa vjet u bë tani, nuk gjen rehat nga lufta e brendshme, mezi bëjnë qeveri, pesë palë zgjedhje në vit, nuk shkojnë në Bruksel të thonë dënoni Bullgarinë. Çfarë është ky tmerr? Çfarë është kjo histori? Po pse më atje fitohet beteja politike? Po kanë kaq vite që e bëjnë. Po fitohet beteja politike duke i furnizuar mediat e huaja me baltë? Fitohet beteja politike këtu? Po nuk fitohet! Nuk fitohet këtu, nuk fitohet beteja politike këtu duke paguar gazetarë e duke paguar portale jashtë, për të nxjerrë baltë nga Shqipëria. Nuk e di, domethënë është diçka e pabesueshme dhe kur sot që jemi kaq afër një momenti historik, sot që për herë të parë fati po i buzëqesh shqiptarëve, për herë të parë në histori. Buzëqeshja e fatit për një vend të vogël është që të gjithë të mëdhenjtë ta respektojnë dhe ta vlerësojnë dhe të mëdhenjtë që na duhen ne i kemi sot 100% me vete s’i kemi pas kurrë. Është një moment historik politik i Europës, ku duam të njëjtën gjë, ne dhe ata sot na respektojnë, na vlerësojnë. Kjo është historike, është për gjenerata të tëra. Çfarë rëndësie ka partia këtu? Çfarë rëndësi ka partia? Prandaj faktet janë të rëndësishme gjithsesi. Faktet janë të rëndësishme gjithsesi dhe për faktet e sipërmarrjes ne nuk kemi folur mjaftueshëm, kemi folur shumë pak sipërmarrja vetë ka folur shumë pak për faktet e veta se në fund të ditës, puna juaj nuk është të flisni, është të punoni, por duhet folur më shumë nuk mundet dot të kryqëzohet një industri e tërë edhe të vihen të gjithë në një thes edhe hajde se këta janë të gjithë pastrojnë paratë. Çfarë është kjo pastrojnë paratë? Si u pastrokan paratë kështu me tonelata? Janë dhënë 1.5 milion me katror leje, po shyqyr, shyqyr që janë dhënë. Çfarë domethënë kjo? Po pse budallenj janë njerëzit që vikan, merrkan leje dhe fillokan ndërtim në hava kot? Po do ndërtojnë sepse shesin dhe shesin me bankë dhe investojnë me bankë, marrin kredit nga banka. Si qenka kjo? Nuk e di, domethënë është e pabesueshme kjo pjesë.
S’ke pse shkon fare shtrihesh tek ekonomia, se ekonomia është e të gjithëve dhe mbështet të gjithë. Merru se si mund të bëhet më mirë? Merru! se si pengohet nga një gjë e nga një gjë tjetër. Kujt i tregojnë këto?
– Ju falënderoj shumë zoti kryeministër për këtë prezantim që bëtë të këtij projekti që do thoja i kalon përmasat e rajonit dhe unë si kompani jam dhe pjesëtar i këtij projekti që ju sapo e prezantuat, jam pjesë e këtij projekti dhe falënderoj njëkohësisht shoqërinë Pajtoni për gjithë udhëtimin e saj që ka bërë dhe deri arritjen e sotme sepse është një me të vërtetë meriton një respekt, si disa të tjerë ndërtues apo një pjesë e ndërtuesve që me këto arritje të mëdhaja. Për sa i përket pastaj doja të thoja që historia jonë si ndërtuesa vërtetë ka kaluar një kalvarësh të stërmundueshëm, të lodhshëm që kemi arritur deri këtu me thënë të vërtetën dhe vështirësitë tona dihen që janë të shumta që te marrja e leje ndërtimit, pagesat e taksat, e të gjitha këto punësimet e më the thashë, pra ky kalvar i gjatë dhe gjithsesi jemi të kënaqur që kemi arritur në periudhën tuaj edhe të lulëzojmë më tepër, të vazhdojmë me këto projekte zhvillimore dhe do të thoja tjetër pastaj që jemi nga bizneset për mos me thënë të vetmit, por nga pjesa e bizneseve që mbulojmë 17% të ekonomisë shqiptare dhe nuk është pak dhe që të gjitha transaksionet, të gjitha lëvizjet i bëjmë nëpërmjet bankave. Absolutisht në Shoqatën e Ndërtimit nuk mund të marrim një rast të veçantë apo të shkëputur që mundet të ketë vend për diskutime apo për hetime, por shumica e biznesit të ndërtimit funksionon korrekt absolutisht dhe çdo gjë lëvizet nëpërmjet sektorit bankar me kredira, me taksa, me paga dhe çdo gjë tjetër nëpërmjet bankave. Pra është një sektor që meriton respekt dhe ju falënderoj dhe domethënë jam mirënjohës që flisni me superlativa për këtë sektor. Ju faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Ne kemi gjithmonë shqetësimin e cilësisë. Ne nuk i imponojmë arkitektëve huaj, por ne sugjerojmë një numër arkitektësh dhe të gjithë ata fatmirësisht që kanë kaluar nga eksperienca e arkitekteve të huaja, e kanë kuptuar vlerën e kësaj pune, sepse këto godina nuk janë piktura, nuk janë lodra në kompjuter se mund ta bësh edhe me inteligjencë artificiale. Këto janë fabrika me gjithë sistemet e brendshme dhe ne besoj që po bëjmë një investim të jashtëzakonshëm për dijen këtu në këtë vend duke sjellë arkitektet e huaj, duke i dhënë mundësi arkitektëve të rinj shqiptarë siç është vajza këtu dhe të tjerë që janë në sallë që të punojnë me ta. Dhe unë po ju them në dekadën e ardhshme falë këtij investimi ne do kemi pa diskutim një, dy, tre emra shqiptarë që do futen në rangun e atyre të mëdhenjve që vijnë këtu dhe që do njihen në botë. Sepse është Tirana sot universiteti më i madh në qiell të hapur i arkitekturës në botë. Të gjithë këto studio lokale, gjithë këta të rinj që dalin nga shkolla, që punojnë me Alejandro Aravenën, që punojnë me Steven Hollin, që punojnë me Toyo Ito e me Kengo Kumën është fat për të shkuar, për t’u futur në studiot e tyre për të bërë një stazh. Aplikojnë 1000 veta marrin njërin, rri atje një muaj, dy muaj, tre muaj, e sheh një herë po e pa atë emrin e madh që është aty edhe ikën. Kurse të jesh partner i një lokali të tij, të rrish në Zoom me të, të vish këtu të ulesh, të hash drekë, të hash darkë me të, është një shkollë që nuk blihet.
Në fund të ditës dy gjëra ka për mua që duhet mbajt parasysh nga industria. E para, cilësia dhe e dyta që duhet mbajt parasysh nga industria përtej cilësisë projektit është kostoja. Se është kollaj të thuash po shkoj lart, po ngjitem, po kalove 20 kate fillon një lojë tjetër nga ana konstruktive, nga ana e kostos. Vajte mbi 30 është tjetër lojë komplet nga pikëpamja financiare. Nuk është ‘dua kullën më të lartë në Europë”. Ok, po atje lart ka komponentë të tjerë që këtu deri te 20 katshi nuk janë dhe këtu jeni ju që e bëni këtë balancë.
Por kini parasysh dhe gjë tjetër që emrat nëse arkitektët dhe kur arkitektët si këta, i vënë emrin gjësë, godinës i rritet vlera për shumë vite, sepse do vijë dikush më pas dhe do bëjë një llogari për të blerë diçka dhe është ajo që tha Aveniri. Aveniri atë kompleksin Kika e ka ndërtuar para vitesh të tëra dhe vazhdon sot ka kërkesa sepse është ndërtuar si duhet. Dhe të gjithë studiot që punojnë sot me këta arkitektë që janë këtu, janë në një studim pas universitar që do t’i çojë komplet në një nivel tjetër dhe do dinë gjëra që s’kishin nga i mësonin ndryshe. Kështu që kjo e arkitektëve është diçka që vetëm mirë sjell.
– Përshëndetje të gjithëve. Përshëndetje zoti kryeministër. Besnik Bami nga Bami Holding. Unë kam jam më i riu këtu për sa i përket fushës së ndërtimeve, jam pothuajse në hapat e para. Aktualisht që flasim kam një kompleks banimi në rrugën Jordan Misja. Lejen e kam marrë me bashkinë e Tiranës para dy vitesh. Sot jam në katin 1 dhe aktualisht që flasim me të thënë të drejtën kam edhe 20 hyrje nga 180. Të gjitha janë të pronotuara.
Dy gjëra kam për të theksuar dhe për Landin. Të them të drejtën shkaktari kryesor që kam hyrë në këtë në këtë linjë është Landi. Pasi vij me një përfaqësues të familjes Bogdani, them që të kam sjellë një njeri për të zhvilluar një pronë edhe u bë sebep, më nxiti që unë ta vazhdoj këtë punë mbas 25 vitesh që jam në infrastrukturë. Dhe Landi u bë sebep. Sot që flasim domethënë jam me dy – tre leje të aplikuara që presin të zbardhen nga AZHT-ja dhe ndërkohë them që këto ditë në bashkëpunim me kompaninë e madhe Çalik vazhdojmë edhe Barcelona Toëer. Pothuajse jemi në përfundim të të gjithë detajeve dhe do vazhdojmë punën.
E dyta që kam nga fusha e ndërtimeve është që hyrjen e parë çuditërisht me thënë të drejtën e kam shitur te një i huaj, një shqiptar amerikan dhe sot ta shoh në rrugë nuk e njoh. Kam bërë kontratën dhe me të thënë të drejtën mu duk pak si gjë e parealizueshme por mi ka nisur lekët nga Amerika mbas 10 ditësh 223 mijë. E kam mandatin e parë 223 mijë euro dhe unë s’kisha nisur gropën, se kisha filluar akoma. Isha vetëm në rrethim. Kështu që ne kompanitë kemi ardhur duke u rritur edhe vetë sot na duket vetja sikur jemi në ëndërr sepse unë të paktën flas me gjithë mend, me veten them nganjëherë si kemi arritur këtu me një xhiro 50 milion euro dhe me goxha kapacitete sidomos në fushën e infrastrukturës. Dhe lajmi tjetër, falë mbështetjes edhe të bankave se kemi edhe dy përfaqësuesve të bankave të mëdha këtu, falë mbështetjes së bankave dhe falë punës tonë 16 orë, 18 orë në ditë. Ndërkohë që ta mbyll, po ta them me plot bindjen sot aktualisht që flasim ne kemi, unë si kompani, në krahun tjetër të rrugës po aplikoj formulën e asfaltit të modifikuar që është hera e parë që aplikohet në Shqipëri, e përfitova nga aeroporti, që bëmë aeroportin pra dhe sot autostrada po bëhet me një asfalt të modifikuar dhe së shpejti, besoj brenda fundit të muajit ne autostradën e kemi të lirë që mos na shani më për trafikun. Faleminderit të gjithëve.
Kryeministri Edi Rama: Jo unë për vete nuk ju shaj për trafikun, megjithëse unë i respektoj, rri në radhë atje po nuk shaj. Se e di që për t’u bërë, duhet të durosh. Por dy gjëra do shtoja në mbyllje. E para, ajo që ndodh me shitjet pa hapur gropën është që kur mbaron ndërtimi, ky shqiptaro – amerikani që e ka blerë pa hapur gropën, e shet dyfish. Edhe po ja jap fjalën përsëri zërit të ëmbël mikpritës që ta mbylli se e shoh që ka përgatitur një fjalim tjetër.