Mesazh i Kryeministrit drejtuar gjithë shqiptarëve për krizën energjetike
Të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare,
Vala goditëse e një tjetër fatkeqësie natyrore, kësaj radhe e kombinuar me faktorë gjeopolitikë dhe manovra tregtare, po vjen drejt Shqipërisë. Nuk është as tërmet, as virus, as përmbytje dhe lavdi Zotit, nuk kërcënon jetë njerëzish, por në aspektin ekonomik e social ka një energji negative që mund të ketë efekte gjithaq tronditëse, mbi jetën e familjeve, bizneseve, shoqërisë. Kjo është kriza e jashtëzakonshme energjetike, e cila vetëm sapo ka nisur të japë shenjat e saj tejet shqetësuese në tregjet e mëdha të botës, duke nisur nga Kina e Koreja e Jugut, në Amerikë, në Britaninë e Madhe dhe në hapësirën e Bashkimit Europian, e deri në vendet fqinje, si Italia e Greqia.
Temperatura e kësaj krize po rritet kudo, tanimë me orë, jo me ditë, ndërkohë që ulja e temperaturave të motit, po afron bashkë me dimrin dhe me rritjen e natyrshme të nevojës për ngrohje.
Tamam kur shpresat për rikthimi në normalitet, pas tragjedisë së shkaktuar nga pandemia, të cilës njerëzimi po i paguan koston e humbjeve njerëzore të një lufte botërore janë rritur ndjeshëm, falë vaksinimit masiv dhe ritmeve të larta të rimëkëmbjes ekonomike, kjo krizë e re, na vendos me detyrim përcaktim përpara një sprove të re, po aq të fortë sa tërmeti e sa pandemia, në aspektin ekonomik e social.
Dukuria e rritjes marramendëse të çmimit të gazit e të karbonit në të gjitha tregjet ndërkombëtare, si edhe trendi i fortë i rritjes së çmimit të naftës, shoqëruar me një rritje të përgjithshme çmimesh të prodhimeve të konsumit të përditshëm, qëndrojnë sot përpara të gjitha vendeve, si siluetat e një ushtrie armike në horizontin e dimrit të vështirë që bota ka përpara.
Rritja eksponenciale e kërkesës konsumatore, pas hapjes së ekonomisë si rezultat i vënies nën kontroll të pandemisë, ka rritur eksponencialisht edhe kërkesën e industrive prodhuese për energji, duke vënë në vështirësi tejet serioze edhe vetë kolosët ekonomikë të planetit, që nga Kina, ku mungesa e kapaciteteve energjetike të nevojshme për përballimin e kësaj kërkese, kërcënon afro gjysmën e kapaciteteve industriale të atij vendi, deri në Europë, ku kërkesa e lartë dhe oferta e pamjaftueshme për gaz, ka detyruar qeveritë të përballen me rritje deri edhe marramendëse çmimesh e të paralajmërojnë, deri edhe politika kufizimesh në furnizimin me energji elektrike.
Ritmet e larta të rimëkëmbjes dhe nevoja e tej rritur për energji, e kanë rritur çmimin e gazit me rreth 250%, çmimin e karbonit me rreth 80%, ndërkohë që çmimi i naftës ka kërcyer lart, nga rreth 60$ për fuçi në Gusht të këtij viti, tek rreth 80$ në momentin që flasim dhe sipas projeksioneve të sotme, çmimi mund të arrijë në $100 për fuçi deri në fund të vitit.
Për Shqipërinë, çmimi mesatar vjetor i blerjes së energjisë nga importi, është thuajse trefishuar në krahasimin me vitin e kaluar.
Në bursën HUPX, energjia elektrike është tregtuar me mesatarisht 39 eur/MWh vitin e shkuar, ndërsa sivjet ky çmim ka arritur shifrën e 110 eur/MWh, duke shënuar një rritje prej 182%.
Për shumë studiues e analistë financiarë, kjo krizë energjie është e ndryshme nga të tjerat. Ajo lidhet kryesisht me ndryshimet klimatike dhe përpjekjet për t’i frenuar ato, por gjithashtu edhe me një kombinim faktorësh të tjerë.
Një seri eventesh të motit ekstrem, me tipare të pazakonta sezonale, kanë impaktuar si kërkesën, ashtu edhe ofertën për gaz. Dimri jashtëzakonisht i ftohtë i fillim-vitit në hemisferën veriore, në Azi, apo edhe ngricat e jashtëzakonshme në SHBA, ndikuan në reduktimin drastik të eksporteve të gazit të lëngshëm gjatë muajit shkurt. Pranvera e ftohtë dhe përmbytjet në Europë, automatikisht rritën kërkesën për ngrohje. Po njësoj valët e të nxehtit ekstrem gjatë verës në Kinë, Europë dhe SHBA, rritën kërkesën për gazin për ftohje. Prodhimi i energjisë nga burimet alternative është zvogëluar. Impiantet e prodhimit të energjisë së erës në Europë kanë prodhuar shumë më pak energji se nivelet e tyre mesatare vjetore. Rrjedhimisht, mungesa e prodhimit të energjisë alternative, ka ndikuar në rritjen e kërkesës dhe çmimeve të gazit dhe të karbonit. Në Gjermani, mbyllja e tre reaktorëve të tjerë bërthamorë, si pjesë e programit të stopimit të prodhimit të energjisë nukleare, ka reflektuar në rritje të kërkesës për energji edhe nga burimet natyrore të parinovueshme.
Rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë, ka qenë e fortë si në Europë dhe në Azi, duke rritur kërkesën për energji nga konsumatorët familjarë, fabrikat dhe sipërmarrjet në përgjithësi. Pavarësisht rritjes së kërkesës dhe çmimeve bazë në tregje me 250%, Rusia nuk e ka shtuar furnizimin drejt Bashkimit Europian, duke u kufizuar vetëm në përmbushjen e detyrimeve kontraktuale afatgjata për gazin.
Së fundi, vetë politika për adresimin e ndryshimeve klimatike, ka ndikuar indirekt në rritjen e çmimeve. Në Britani, 15 milionë familje pritet të afektohen negativisht nga rritja e çmimit të energjisë. Në Itali, qeveria ka njoftuar qytetarët për një rritje prej 40% të faturave të tyre gjatë muajve të ardhshëm. Po kështu në Bullgari, çmimet shënojnë një rritje prej 72% nga fillimi vitit, duke e çuar çmimin mesatar të energjisë në 133 Euro/MWh.
E gjithë kjo panoramë e situatës energjetike, me vetëm disa prej shumë shembujve që mund të merren larg apo krejt afër nesh, vlen për të krijuar një ide të përgjithshme të kësaj krize, ku duam s’duam, edhe Shqipëria si të gjitha vendet e tjera, është e përfshirë dhe e detyruar që të përballet pa u shmangur dot me këtë furtunë globale.
Ekspertët mendojnë se pavarësisht implikimeve të mundshme sistemike, që kriza e jashtëzakonshme energjetike mund të ketë mbi të gjitha vendet, beteja kulmore do të zhvillohet dhe do të vendoset, deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm.
Përgjegjësia e detyra numër një e qeverisë shqiptare është të mbrojë medoemos sido e sado që të jetë e mundur, nga goditja e kësaj fatkeqësie të re, shtresat më në nevojë, konsumatorët familjarë, si edhe biznesin e vogël; fiks në këtë rend prioritetesh.
Tanimë besoj se të gjithë ju të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare, i keni provat, se ne as nuk rrëzohemi as nuk dorëzohemi përballë sfidave të rënda të kësaj natyre. Kini besim të plotë, siç kam edhe unë besim të palëkundur, se siç ia dolëm me tërmetin e me pandeminë, do t’ia dalim edhe kësaj sfide të madhe me energjinë dhe jini të sigurt, se siç nuk na vunë përfund rrënojat e panumërta të tërmetit, e siç nuk na gjeti të papërgatitur sulmi i egër i Armikut të Padukshëm, ashtu nuk na gjen të papërgatitur, e as nuk na vë dot përfund as kjo krizë e jashtëzakonshme energjetike.
Fatkeqësisht dhe pavarësisht prej dëshirës apo vullnetit tonë, këto vitet e fundit u bënë si ajo fjala, “nga lufta vijmë në luftë shkojmë”, por siç dolëm më të fortë nga tërmeti, e siç po dalim më të fortë edhe nga pandemia, çka e tregojnë kopshtet, shkollat, shtëpitë, lagjet e reja në rindërtim, siç e tregojnë edhe shifrat e ritmeve të rimëkëmbjes ekonomike më të lartat në rajon, pas mbylljes dramatike të ekonomisë, kështu do të dalim edhe nga kjo fatkeqësi e re natyrore e kombinuar me faktorë gjeopolitikë e manovra tregtare që nuk i kemi ne në dorë.
Asnjë frikë, asnjë pasiguri, vetëm vendosmëri, durim e besim, se më e mira do të bëhet dhe Shqipëria do të vazhdojë të synojë majën që i kemi vënë së bashku vetes qëllim, në rrugëtimin sfidues të kësaj dekade të re ku sapo kemi hyrë.
Faleminderit!
Konferenca për median e Kryeministrit Edi Rama pas mbledhjes së qeverisë për deklarimin e emergjencës për furnizimin e energjisë elektrike
Sot kemi pasur një mbledhje jashtë rendit të përjavshëm, për të marrë një vendim për të deklaruar emergjencën për furnizimin e energjisë elektrike. Vendimi i emergjencës është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare dhe i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë qoftë me instrumente financiarë, qoftë edhe me instrumente të natyrës administrative. Kështu sot, me këtë vendim i hapim rrugë edhe ekzekutimit të mëtejshëm të planit të posaçëm për të përballuar këtë situatë dhe planin do ta bëjmë publik nesër.
Në ndërkohë nuk mundet veçse t’ju referohemi analizave të ekspertëve dhe njëkohësisht, analizave që po bëjnë qeveritë e vendeve të ndryshme. Është një situatë shumë e ngjashme nga aspekti i goditjes me situatën e pandemisë, në kuptimin që të gjithë janë të afektuar. Natyrisht që ndryshe nga pandemia, vende të ndryshme kanë disa karakteristika të ndryshme, por të gjithë janë të përfshirë në një arsyetim për se si duhet ta përballim këtë situatë.
Ekspertët mendojnë se kriza do të jetë prezente me pikun, me kulmin e saj deri në mesin e vitit të ardhshëm dhe njëkohësisht mendojnë se sidoqoftë, edhe pas kapërcimit të kulmit, çmimet nuk do të kthehen aty ku ishin përpara shfaqjes së krizës, por kjo është për t’u parë. Ajo që ne na takon, është që të mbrojmë konsumatorët tanë, sigurisht me një rend prioritetesh nga poshtë – lart, duke pasur parasysh ata që janë më në nevojë e pastaj duke shkuar lart, përmes biznesit të vogël e më tutje dhe atyre me të ardhura më të larta. Rendi i prioriteteve është nga më të dobëtit, tek më të fortit, jo e kundërta.
Në ndërkohë ia vlen t’ju sjell në vëmendje që e vetmja rritje çmimi që ka ndodhur në periudhën e qeverisjes sonë i takon vitit 2015, kur hymë në reformën e energjisë. Edhe aty, jo vetëm që çmimi u vendos në një pikë që nuk e mbulon koston, por në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve familjarë dhe të biznesit të vogël. Nga ana tjetër, diferenca, – kjo është shumë e rëndësishme, – mes çmimit të vjetër dhe të riut në atë kohë për rreth 200 mijë individë dhe familje paguhet sot e gjithë ditën nga shteti, që të jemi shumë të qartë. Pra, pensionistë, familje në ndihmë ekonomike marrin nga shteti rreth 30 milionë dollarë çdo vit, si kompensim për atë rritje mes çmimit të vjetër e çmimit të ri, sot që flasim. Bëni llogaritë. Janë disa gjëra që normalisht humbasin nga vëmendja dhe sot është mirë t’i rikujtojmë.
Kryeministri Edi Rama: Së pari, ky nuk është shqetësimi i çdo qytetari, ky është shqetësimi ynë, së bashku me çdo qytetar. Nëse zgjidhja do të ishte, po rrisim çmimin, atëherë nuk do të kishim bërë atë që do të bënte çdo qytetar për veten e tij. Ne jemi këtu për të mishëruar shqetësimin e çdo qytetari dhe duhet ta dini që për shkak të detyrës, unë sot fle më pak se çdo qytetar, pikërisht sepse e ndjej këtë shqetësim të çdo qytetari.
Kjo është situatë e përgjithshme, por unë e kam të pamundur ta mendoj se mund të vrapoj bashkë me vrapin që kanë marrë çmimet e energjisë. Shumë dakord, ama, nga ana tjetër, është mirë që edhe ata që e kanë këtë shqetësim dhe që e thonë me të drejtë, të dëgjojnë kur u themi që broçkullat që Shqipëria ka ujë, Shqipëria nuk varet nga kriza e përgjithshme, që Shqipëria e prodhon energjinë vetë, e prodhon naftën vetë, por kjo situatë vjen ngaqë këtu bëhet e pabëra, duhen lënë mënjanë që të kuptojmë mirë njëri-tjetrin se për çfarë flasim.
E para, Shqipëria nuk e prodhon, – ky është fakt, – të gjithë energjinë që i duhet.
E dyta, natyrisht që Shqipëria shet energji, por pse e shet? Sepse në momentin kur ka reshje me tepri, ka dy rrugë; ose ta shesë, ose ta derdhi prurjen e reshjeve dhe jo ta derdhi, por edhe të përmbysë. Atëherë e shet. Natyrisht, kur është mot i përgjithshëm reshjesh dhe lagështie, çmimi është më i ulët dhe ti e shet në një kohë kur kërkesa rretherrotull teje nuk është e lartë. Shqipëria e blen energjinë kur ka thatësirë, sepse një ekonomi e varur 100% nga Zoti, pra, nga reshjet, ka të mirën e vet sepse ka energji të gjelbër, por ka edhe të keqen e vet sepse nuk ka burime të planifikueshme në mënyrë objektive dhe në momentin kur e shet, e shet më lirë, sepse kërkesa përreth është më e ulët. Në momentin kur e blen, në kulmin e thatësirës e të nxehtit, e blen më shtrenjtë sepse kërkesa është më e lartë dhe çmimet në treg nuk i vendos Shqipëria, por i vendos kërkesa dhe oferta.
Atyre që thonë, çmimi i energjisë është kaq, por rrogat e pensionet janë kaq, ju them që nuk e vendos Shqipëria, tregu nuk të pyet si e ke emrin kur shkon për të marrë energji, a quhesh Gjermani apo quhesh Shqipëri. Në këtë sens, ne sjellim në vëmendje faktin që kjo është një gjë e përgjithshme. Nuk krahasojmë fuqinë blerëse të Gjermanisë me të Shqipërisë, por themi që pikërisht pse është kështu, për ne është ende më sfiduese, është ende më e vështirë dhe nuk është më sfiduese dhe më e vështirë vetëm për qytetarët, por dhe për qeverinë, se në fund të fundit, qeveria ju vjen në ndihmë qytetarëve me mundësitë e veta financiare, që janë mundësi të krijuara nga kontributi i gjithë qytetarëve, nuk janë mundësi të krijuara nga shiu. Këto janë gjëra që duhet t’i kuptojmë në mënyrë që të jemi të qartë se për çfarë po flasim. Natyrisht, thelbi është që qeveria duhet të mbrojë konsumatorët e kjo nuk diskutohet. Nëse do ishim këtu, për të thënë thjesht që çmimet u rritën, kështu që paguani, atëherë ne thjesht do bënim rripin e transmisionit e do jepnim lajme. Ne nuk jemi këtu për të dhënë lajme e për të bërë rripin e transmisionit. Ne jemi këtu për të ngritur një digë midis furtunës që vjen nga tregu ndërkombëtar dhe derës së shtëpisë së çdo shqiptari. Për këtë punë jemi këtu dhe siç nuk i kemi lënë njerëzit në rrugë kur u ra çatia nga tërmeti, siç nuk i kemi lënë në rrugë kur u doli përpara armiku i padukshëm, natyrisht që nuk do t’i lëmë as tani. Kjo nuk diskutohet, por këto gjëra nuk bëhen sa hap e mbyll sytë, nuk bëhen me sustë, nuk bëhen me propozime apo me ide që nuk bazohen fare në fakte e në shifra.
Sot, ekspertët thonë që kriza do të ketë një kulm që do të zgjasë deri në mesin e vitit të ardhshëm, por thonë edhe që nuk parashikohet që çmimet të kthehen aty ku ishin. Atëherë duhet parë, sa i saktë është parashikimi, sa do të bien çmimet e energjisë.
Për çmimet e tjera, të jemi shumë të qartë. Ne e kemi zgjedhur këtë sistem 30 vjet përpara. Nuk kemi çfarë diskutojmë më se si ndodh me çmimet. Nëse marrim çmimin e bukës nga viti ’90-të e këtej, do shikoni që çmimi i bukës ka ardhur në rritje dhe rritja e çmimet reflekton tregun, kërkesën dhe ofertën. Nuk do prodhohej bukë, nëse do mbetej në magazina apo furra ngaqë nuk e blen njeri. Çmimet i vendos tregu, nuk i vendosin qeveritë. Në komunizëm vendoste shteti dhe këtë e kemi mbyllur ka 30 vjet.
Nga ana tjetër, pyetja ose kërkesa, meqë rriten çmimet, rrisni rrogat, nuk funksionon kështu, sepse rrogat nuk rriten se dua unë. E kam thënë edhe herë të tjera, nuk ekziston një kryeministër që nuk do të donte t’i rriste rrogat dhe pensionet menjëherë apo sa herë që njerëzit do të kërkonin. Por kjo është njësoj si të thuash në shtëpinë e vogël, pse nuk i rrit paratë që u jep fëmijëve. Po ku ti gjej?
Do t’i gjesh nga puna, ose do t’i marrësh borxh. Nëse do të marrësh borxh, para që do t’i japësh për të shpenzuar më shumë shtëpia, jashtë mundësive të tua, do detyrohesh në fund të shesësh shtëpinë.
Këto janë ekuilibra dhe po të ishte se rrogat do të rriteshin sipas dëshirave, atëherë mirë ne, se nuk kuptokemi, po Gjermania, Franca pse nuk i rrisin dhe nuk i bëjnë nga 20.000 euro për person? Pse nuk i bëjnë pensionet nga 10.000 euro për person? Pse rajoni rretherrotull nuk e paska bërë këtë?
Rrogat rritjen sipas rritjes së kapaciteteve ekonomike. Kapacitetet ekonomike të vendit rrisin gjithë zinxhirin e vlerës dhe krijojnë më shumë të ardhura. Të adhuruat shpërndahen në formë rrogash e pensionesh. Që të rrisim kapacitetet ekonomike të vendit, duhet të punojmë më shumë e duhet të ecim me më shumë vendosmëri dhe durim përpara. Por thënë kjo, ne nuk do t’i shmangemi asnjë zotimi që kemi marrë. Kemi thënë që rroga minimale do të rritet vit pas viti dhe në janar të 2022-it do të bëhet 320 mijë lekë. Objektivi është ta çojmë në 380 deri në 400 brenda mandatit. Këtë kemi thënë dhe këtë do bëjmë. Pagat e tjera, patjetër do t’i rrisim siç kemi thënë, vit pas viti, për mësuesit, mjekët, infermierët, administratën, për të gjithë. Natyrisht, edhe sektori privat do të bëjë të njëjtën gjë.
Këto janë të gjitha para, të cilat ikin dhe pastaj me çfarë do t’i bëjë qeveria mbështetjen, nëse heqim të gjitha mundësitë financiare që krijohen nga kontributet. Ne flasim për Gjermaninë, Francën, Italinë, por bëjeni një llogari, sa paguajnë nga rrogat e tyre qytetarët për shtetin atje? Shteti, paratë me të cilat mbështet, i nxjerr nga kontributet. Sa paguajnë sigurime shoqërore atje, për të marrë një pension më të lartë? Sa paguajnë sigurime shëndetësore atje, për të marrë një shërbim shëndetësor më të mirë? Vijnë nga kontributet. Bëni krahasimet.
Në aspektin e instrumenteve të mbrojtjes, ne jemi shumë të qartë se çfarë do bëjmë, kurse kërkesat me “bëje rrafsh arkën e shtetit, se shihemi nesër” janë atavizma të kohës së Sudes e të Vehbiut.
Ne nuk jemi partia e Sudes dhe Vehbiut , nuk jemi qeveria e Sudes dhe Vehbiut.
Arsyeja pse ne kemi punuar ditë-natë dhe jemi ulur duke e parë çështjen nga të gjitha anët dhe pse unë insistoj që kur adresojmë shqetësimin jemi në të drejtën tonë absolute sepse në fund të fundit çdo qytetar në momentin kur sheh që i vjen përballë një rrezik për stabilitetin financiar të familjes do ta nxjerri shqetësimin dhe do t’ia adresojë qeverisë sepse për këtë punë e ka qeverinë, për këtë punë ka votuar, por në të atë moment është shumë e rëndësishme që të jetë i hapur për të dëgjuar argumentet në mënyrë që pastaj të kuptohemi se çfarë mund të bëjmë, si do ta bëjmë dhe për sa kohë do duhet të përballemi me një krizë që na vjen. Kështu që, në këtë aspekt kjo është e rëndësishme, ashtu sikundër qëllimi ynë është që ta mbrojmë konsumatorin në këtë moment, por të mos cenojmë në tërësi planet e rritjes së mëtejshme ekonomike.
Ekonomia nuk rritet me subvencione, ekonomia nuk rritet me indulgjenca. Ekonomia rritet me rritje të prodhimtarisë në tërësi dhe natyrisht ekonomia rritet me rritje të investimeve. Kështu ne nuk duam t’i cenojmë këto të dyja. Bëmë të njëjtën gjë edhe në kohën e tërmetit, edhe në kohën e pandemisë dhe prandaj e kemi sot rritjen 18 % më të lartën në rajon, të tremujorit të dytë. Atyre që nënqeshin apo bëjnë ironi ju them që rritja 18 % nuk është një rritje e ekonomisë 18 % më shumë se c ‘ishte përpara se të rrëzoheshim, por është rritje e ekonomisë që po ringrihet fuqishëm pasi u rrëzua. Se rritjet dyshifrore janë tanimë në shumë vende, nuk është vetëm në Shqipëri, por rritja dyshifrore është e panatyrshme, ama është një rritje që vjen sot si rezultat i reagimit, ndaj goditjes, ndaj rrëzimit.
Ekonomia është ringritur. Sot kemi në punë më shumë njerëz se c’kishim para fillimit të pandemisë, në regjistrat e shtetit flas, jo në opinion. Pra ka njerëz të regjistruar në punë më shumë sesa para se të godiste pandemia. Pra ekonomia është ringritur dhe duhet të vazhdojmë. Nuk duhet ta ndalim rrugën e rritjes ekonomike, – përmes investimeve që kemi planifikuar, përmes edhe rritjes së pagave që kemi planifikuar, – duke u zhytur e duke u mbytur në këtë krizë dhe duke u marrë vetëm me të, se s’është vetëm kjo.
Do të ishte gjëja më e thjeshtë hajde t’i biem të gjithave, hiq tvsh këtu e hiq atje. Le që heqja e TVSh ose ulja e saj nuk ka treguar historikisht, dhe kemi rastin e imputeve bujqësore që është një mësim për të gjithë për ta kuptuar se kjo ul çmimet, se tregon, se çmimet i vendos tregu dhe qeveria në një sistem të ekonomisë kapitaliste të tregut, nuk ka asnjë kapacitet që t’i imponojë privatëve se sa duhet ta shesin produktin e tyre.
Ndërsa tek energjia kapaciteti i qeverisë në Shqipëri vjen nga fakti që ne kemi mundësi të ushtrojmë një kontroll të caktuar mbi çmimin, jo një kontroll të plotë, por një kontroll të caktuar, pasi këtu është edhe shteti në mes si prodhues dhe si shpërndarës sepse po të ishim në kushtet që janë disa vende të tjera, p.sh. Spanja sot e ka problemin se nuk ka mbështetje asnjë gjë në prodhimin e energjisë dhe e ka të gjithën private dhe duhet të flasë me privatin. Britania e madhe e ka problemin se nuk ka mbështetje asnjë gjë, madje në Britaninë e Madhe – ju e dini kush ka qenë atje – që është si karta e telefonit, ti shkon rimbush dhe nuk të pyet njeri fare, jo kam, jo s’kam. Shko merre mbush kartën dhe merr drita, nuk do apo nuk ke lekë, hiç mos merr. Ky është fakti. Ne nuk jemi në këtë egërsi maksimale kapitaliste sepse nuk kemi mundësi të jemi dhe liberalizmin e tregut, që është gjëja e duhur, e kemi bërë me shumë kujdes dhe më vjen shumë mirë që nuk kemi shkuar më tutje siç na sugjeronin të tjerët në momentin që ishim mirë, sepse ja ku vjen dita dhe po të ishim me treg komplet të liberalizuar do të ishin të gjithë në mëshirën e fatit dhe nuk mund të bënim asgjë, ashtu sikundër nuk kemi çfarë i bëjmë asgjë fare si shtet, çmimit të dieselit, benzinës.
Sot, shteti e mban çmimin e furnizimit me energji të furrave të bukës, çmim preferencial të kontrolluar. Deri këtu mund të shkojë shteti. Dhe rritja e përgjithshme e çmimeve është një proces i pandalshëm qysh nga viti ’90 kur kemi hyrë në këtë sistem. Çmimet ngrihen, çmimet ulen sipas kërkesës, sipas ofertës. Janë mallra që prodhohen në tregun e lirë, që shiten dhe blihen dhe pyetja që i duhet bërë vetes është që me sa duket fuqia e konsumatorëve të Shqipërisë është më ë madhe se ajo që komentohet, se përndryshe do të mbeteshim pa shitur.
Ajo që ju nuk doni të kuptoni dhe në këtë rast ju qe jeni midis nesh dhe publikut sepse qytetarët janë në një tjetër pozicion dhe janë në të drejtën e tyre që në kushtet e ankthit që po rritet çmimi edhe të mos jenë shumë të vëmendshëm për të dëgjuar argumentet , – është që energjia shitet lirë sepse shitet kur nevoja në treg është e ulët si rezultat i faktit që ne nuk e mbajmë dot se përndryshe duhet të përmbytim dynjanë. Do ta kuptoni këtë? Për çfarë arsye do ta shisnim? Për çfarë arsye po e ndërtojmë Skavicën sot? Skavica është rezervuari që balancon dhe që na jep mundësinë që prurjet që mund të mos na duhen në atë moment, të mos i derdhim, por t’i mbajmë aty si rezervë.
Në momentin do të kemi Skavicën atëherë ne do të bëjmë një lojë komplet tjetër nga pikëpamja e lojës në treg sepse do të kemi fuqinë që ta diktojmë ne se kur dalin në treg për të shitur, jo ta diktojë pamundësia për ta mbajtur, sepse dy rrugë ka, ose do ta derdhim, ose do ta shesim. Cila është rruga që preferoni? Rrugë të tretë nuk ka. Skavica që ka filluar tani puna dhe që do të ndërtohet brenda këtij mandati, – me ndihmën e Zotit se gjithmonë ndodhin gjëra që ne nuk e dimë se çfarë janë rrugës, – do të na japë mundësinë të ruajmë rezerva, se ujë mund të kesh, por po nuk pate se ku ta rezervosh çfarë do të bësh? Do të rrish në dush gjithë ditën apo do ta lesh të iki. Nga ana tjetër është e vërtetë ajo që kam thënë unë siç është e vërtetë kjo që po them sot. Nuk ka prova që këto ulje sjellin benefit tek konsumatori, jo. Siç ndodhi me imputet bujqësore. Kush përfitoi nga ulja, përfituan ata që i shesin sepse është tregu.
Përsa i përket Francës mos bëni ngatërresa, sepse Franca është në pozicion tjetër sepse Franca ka centralet nukleare. Franca nuk ka problem nga kjo krizë sot siç kanë të tjerët, sepse Franca e ka me sustë, hap centralin rrit prodhimin dhe nuk e ka problem. Dhe nuk po bën asgjë nga këto që thoni ju.
Gjermania problemin e ka se ka mbyllur centralet nukleare dhe ka ulur parashikueshmërinë, duke u varur më shumë nga gazi që vjen nga Rusia dhe të gjithë këto kanë lidhje me ne për një arsye shumë të thjeshtë sepse ne jemi pjesë e së tërës. Për sa kohë dalin në treg jashtë për të blerë energji tregu nuk pyet a quhesh Muhamed Veliu apo quhesh Edi Rama. Do të blesh xhaketë? Xhaketa kushton kaq.
Kuja sot është që çmimi i naftës ka shkuar aty ku s’mban më. Po si nuk mban më çmimi i naftës, kur paska mbajtur më shumë seç është sot, në 2013-ën? Çmimin në benzinatë nuk e vendos shteti. Duhet ta kemi të qartë këtë gjë. Nuk ka lidhje shteti fare, sesa është çmimi në benzinatë. Atë e vendos tregu. E kemi zgjedhur këtë sistem ku sapo ju kishit lindur, ose ishit në lindje e sipër, sepse disa nga ju jeni me të vegjël se demokracia këtu. Nuk e vendos shteti sesa shitet nafta, sa shitet molla apo pjeshka. Këtu, ankesa vjen si rezultat i një rritjeje që qenka e paparë? Jo, ka qenë më e lartë nafta sesa është sot. Pikë. E ka blerë yt atë, nëse ti s’kishe patentën në atë kohë, më shumë sesa e blen sot. Shumë e thjeshtë. Po flas për çmimin e naftës. Iu ftova të bëni verifikimin e kësaj që po them. Mesa shikoj e keni bërë verifikimin që dje dhe ju rezulton se po them një të vërtetë. Dieseli dhe benzina në 2013-ën kanë qenë më të shtrenjta. Pastaj ishte bursa, nuk ishte bursa është muhabet tjetër. Megjithëse ne, brenda çmimit të naftës kemi dy komponentë plus, komponentin e taksës së qarkullimit që ka qenë më parë dhe një taksë karboni, çmimi i naftës është më i ulët seç ishte. Fakt.
Taksa e karbonit është aty dhe do rrijë aty, sepse pensionistët, të cilëve ju qani hallin, nuk janë ndotës të mjedisit dhe konsumatorë të ajrit që ata thithin për vete, por nuk ndotin për të tjerët. Kur flasim për ata pensionistë, kur flasim për të tjerët, kur flasim për të pamundurit që kanë nevojë për më shumë mbështetje, nga vjen kjo mbështetje, nga shiu? Nga shiu vjen energjia. Mbështetjet e tjera vijnë nga kontributet. Kështu që kush ndot më shumë do të kontribuojë më shumë, nuk diskutohet. Këtë nuk po e mohoj, por po them që çmimi është sot, më pak seç ishte. Nuk kemi të bëjmë me një çmim të paparë, por kemi të bëjmë me një çmim më të lirë sesa ishte. Duhet të kujtohemi dhe duhet të bëjmë krahasime faktuale që kanë lidhje me realitetin.
Ndërsa ishte në bursë aq e ishte kaq, këto janë çështje që nuk kanë lidhje me temën. Këtu flasim për një sektor totalisht privat. Thoni se Shqipëria prodhon mjaftueshmërisht naftë, saqë të mos ketë nevojë.
Nuk e kuptoj ku jetojmë. E para, Shqipëria nuk prodhon mjaftueshmërisht naftë. E dyta, nafta që Shqipëria prodhon është naftë e rëndë me një përmbajtje të lartë squfuri, e cila shitet jashtë sepse prodhuesit e saj janë privatë si gjithë bota. Shitet kryesisht për nënprodukte industriale, bitum në radhë të parë. Nuk shkon jashtë për të ushqyer mercedesa dhe alfa romeot, shkon për nënprodukte. Shqipëria importon 600 mijë tonë në tregun ndërkombëtar. E kur them Shqipëria, e importojnë subjektet private, siç ndodh në gjithë botën demokratike. Nuk ka vend demokratik, në dijeninë time, ku naftën e prodhon shteti, e shet shteti e shpërndan shteti nëpër benzinata. E kemi zgjedhur këtë sistem. Unë nuk mendoj që duhet të diskutojmë sistemin. Mendoj që duhet të diskutojmë që përgjegjësitë janë të ndara dhe qeveria ka detyrimin të bëhet digë midis atyre që nuk e përballojnë dot këtë furtunë dhe furtunës.
Qeveria nuk është këtu për të lehtësuar streset e atyre që i kanë të gjitha mundësitë që ta përballojnë këtë situatë apo situata edhe më të rënda, apo për të lehtësuar streset e atyre që janë me nga dy makina dhe që janë ata që bërtasin më shumë. Jo, qeveria është këtu për ata që janë më të prekshëm nga kjo. Ata janë konsumatorët familjarë e bizneset e vogla, në radhë të parë.
Biznesi i vogël – është fjalë e madhe biznes, por ato pjesa më e madhe janë familje dhe për ata jemi ne këtu, në radhë të parë. Këto diskutime “si ta bëjmë Shqipërinë, ku çmimet të jenë përtokë dhe rrogat të jenë përpjetë” janë diskutime që lidhen me një realitet që nuk është dot fizik, është imagjinar.
Rruga është kjo. Ne jemi në rrugë të drejtë dhe do vazhdojmë në këtë rrugë me të gjitha dhimbjet, me të gjitha sakrificat që kjo ka. Po t’i kishin bërë këto gjëra që po bën kjo qeveri dhe që po bëjmë ne prej tetë vitesh, qysh në ’91-in, sot do diskutonim gjera të tjera. Por nuk u bënë. Përkundrazi, sektori energjetik ishte në humnerë. E nxorëm nga humnera, por nuk e kemi sot ende në kushtet që duhet të jetë sovran, varet nga faktorë të tjerë. Duhet ta bëjmë sovran që lëvizjet, shitjet – blerjet t’i diktojë Shqipëria. Kjo bëhet duke investuar te Skavica, duke investuar tek një burim i planifikueshëm. Ne nuk kemi një burim të planifikueshëm, ne kemi një burim të gjithin të lidhur me motin, në kushtet kur ndryshimet klimatike po e bëjnë gjithmonë e më problem.
Burim i planifikueshëm është gazi i lëngshëm që do ta sjellim me mbështetjen e qeverisë amerikane. Kemi filluar punën duke investuar në energjinë diellore ku po bëjmë investimet e para. Po ashtu me energjinë e erës. Po të ishin bërë këto me kohë, sot do të diskutonim gjëra të tjera. Por nuk i diskutojmë dot gjërat e tjera.
Në qoftë se do ishte dimër pa drita, do t’i kishim rënë shkurt, do ju thonim “bëhuni gati, lajmet vetëm në orën 3, në orën 7 errësirë”. Ne po diskutojmë të mbrojmë konsumatorët nga furtuna. Mbyllja e dritave do ishte kollaj fare. Nuk jemi këtu për t’u rënë kollaj fare gjërave. Nuk jemi këtu as që askush të më qajë hallin mua se nuk jam këtu për këtë unë, por po kërkoj që të gjithë të vendosen në pozicionin e shtëpisë së madhe, shtëpisë së përbashkët. Sot, Britania e Madhe po paralajmëron një plan kufizimesh, ndërprerjeje të energjisë elektrike. Foli dikush këtu për Italinë, gaboi. 40% e ka rritur Italia çmimin në fature. Mario Draghi tha ky nuk është çmimi real, sepse nuk është. E subvencionon shteti një pjesë tjetër. Keni njerëz në Itali, pyetini sa të lumtur janë me rrogat, pensionet e situatën dhe goditja është shumë e rëndë. Nuk ka ndodhur në Shqipëri, nuk ka ndodhur në Tiranë që të hapen pika për të marrë bukë falas. Ka ndodhur në Milano, gjatë kohës së pandemisë. E keni dhënë ju në televizor. Ka ndodhur në Milano, radhë të tëra për të marrë bukë fals.
Të jemi realistë dhe të mos harrojmë që një pjesë e madhe dhe kryesisht, ata që qahen më shumë janë ata që kanë më shumë të ardhura sesa tregojnë. Mos e harrojmë edhe këtë, sepse përndryshe, nëse i besojmë vetëm të ardhurave të deklaruara, atëherë shumëçka nuk do të shkojë siç shkon në të vërtetë. Verifikojeni këtë. Shqipëria ka sasinë më të lartë të kursimeve të depozitave të vogla, nuk po flas për depozitat e të pasurve. Ka sasinë më të lartë të depozitave të vogla nëpër banka dhe kjo tregon që gjendja është alarmante apo që gjendja është e qëndrueshme? Nuk po them e bukur.
Sot, Shqipëria është në nivelin më të lartë të eksporteve. Kush i krijon këto eksporte, i krijojmë ne? Ne eksportojmë fjalë, ju importoni deklarata dhe i shisni në ekran. Eksportet i krijojnë njerëzit që punojnë.
Të gjitha këto duhet të na vendosin në kushte që të kuptojmë se ku jemi, ku duam të shkojmë, të mos e humbasim toruan. Ta dinë të gjithë, përsa kohë unë jam këtu, nuk ka asgjë të mundshme që mund të bëhet për ata që janë në nevojë dhe që ne do ta lëmë pa e bërë. Nuk ekziston. Por ajo që nuk bëhet, nuk bëhet se përndryshe, e bëjmë sot, por nesër gjendemi siç u gjendëm pas rendjes mbrapa politikave të Vehbiut dhe Sudes.
Plani i qeverisë për mbrojtjen e familjes shqiptare nga furtuna e krizës energjetike
Fjala e Kryeministrit Edi Rama:
Të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare,
pak ditë më parë ju drejtova një mesazh të drejtpërdrejtë, mbi shfaqjen e një krize energjetike të egër, në trajtën e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare.
Sot jam këtu për t’ju thënë çfarë do të bëjmë ne, qeveria juaj, për ta përballuar këtë krizë, e cila kërcënon seriozisht buxhetet familjare, buxhetin e kompanisë sonë të shpërndarjes së energjisë elektrike por edhe stabilitetin e sistemit elektro-energjetik shqiptar.
Ju kam dëgjuar me shumë vëmendje dhe mendoj se është shumë e nevojshme të dëgjojmë njëri – tjetrin por kur ballafaqojmë opinionet tona, të biem dakord të marrim për bazë faktet reale. Sepse përndryshe nuk merremi dot vesh, e kur i thonë fjalës, njëri i bie gozhdës, tjetri patkoit.
Duhet ta keni të gjithë mirë parasysh se nuk ekziston asnjë kryeministër, edhe më i keqi në botë dhe asnjë qeveri, edhe më e keqja në botë, që dëshirën e vetë më të parë nuk ka të rrisë pagat e pensionet aq sa do të dëshironin qytetarët. Por vetëm qeveritë e këqija dhe kryeministrat e padenjë për besimin e popullit të tyre, rrisin paga e pensione, pa i marrë parasysh pasojat e rënda që sjell një rritje e tillë që nuk bazohet në faktet e realitetit ekonomik e financiar të vendit por vetëm në dëshirë dhe në politikë.
Të rrisësh paga e pensione apo të ulësh kontribute, përtej aftësive paguese të qëndrueshme të arkës së shtetit, do të thotë të qeverisësh me logjikën e Sudes, jo me ndërgjegjen e atdheut, do të thotë të vrasësh të nesërmen duke ecur symbyllur në të sotmen.
Dikush po thotë, se tetë vjet më parë ne i paskemi pasur pagat më të larta në rajon dhe sot qenkemi të fundit, sepse nuk i kemi rritur pagat në këto tetë vite. Por faktet nuk janë opinione dhe tabela e pagave në rajon flet ndryshe.
Ja pozicioni ynë tetë vjet më parë: Të fundit dhe me një diferencë dramatike.
Ja edhe rritja e pagave në rajon përgjatë kësaj periudhe, kur diferenca është ngushtuar ndjeshëm me të tjerët, por ku disa të tjerë natyrisht nuk kanë qëndruar në vend, duke pritur që ne të dalim të parët.
Të tjerë thonë se ne i paskemi braktisur njerëzit në nevojë, duke filluar nga pensionistët, ndërkohë që e paskemi rritur energjinë elektrike më shumë se sa në çdo vend të Europës. Po përsëri, faktet nuk janë opinione dhe le ta nisim nga kjo e fundit.
Ja çmimi i energjisë për konsumatorin familjar në Shqipëri në raport me shumë vende europiane.
Po, thotë pastaj dikush tjetër, po ata i kanë rrogat e pensionet shumë më të larta se sa ne. Kjo është e vërtetë, kjo është shumë e vërtetë! Prandaj edhe e para, çmimi ynë i energjisë elektrike në faturën që na vjen, nuk është çmimi real i energjisë që blejmë, po është një çmim i kontrolluar nga shteti për mbrojtjen e konsumatorit dhe e dyta, qeveria ka vendosur edhe një mburojë më vete për shtresat më në nevojë dhe për pensionistët.
Cila është kjo mburojë?
Përsëri faktet e jo llafet, na ndihmojnë të shpjegojmë se ç’është kjo mburojë, por më parë le të shohim pak, se çfarë thotë tabela e llogarive të shtetit, lidhur me atë që thuhet papushim, jo sot po prej disa vitesh, se ne e paskemi rritur çmimin e energjisë. Kjo është tabela.
Në kohën kur gjysma vidhte gjysmën tjetër dhe gropa e borxhit në sistemin tonë energjetik kthehej në një humnerë, që kërcënonte të merrte me vete shtetin si në 1997-ën, konsumatorët shqiptarë ishin ndarë në dy fasha.
Fasha e sipërme, pra familjet me të ardhura mesatare dhe të larta, kishin një çmim 13.5 lek për KËH, ndërsa fasha e poshtme, ku hynin njerëzit me të ardhura shumë të ulëta, që teorikisht konsumonin nën 300 KËH, kilovati ishte 7.7 lekë.
Me reformën tonë çmimi i energjisë u ul, jo u ngrit, u ul për të gjithë familjarët, pa asnjë përjashtim në 9.5 lek qysh në vitin 2015 dhe nuk është prekur më që atëherë. Ky është një çmim, nën koston e prodhimit që është mbajtur i palëvizur, pikërisht për të mos lënduar asnjë familje.
Nga ana tjetër, fasha u hoq, sepse ishte një kënetë korrupsioni e abuzimesh të padëgjuara, ku deri edhe fabrika apo 7 kurora me shtatë vila dykatëshe, paguan si të ishin një familje e varfër me ndihmë ekonomike.
Por ama, nuk i futëm të tërë në një thes, kur i thonë fjalës pasi hoqëm fashën dhe me vendim qeverie të vitit 2015, krijuam një mburojë, për ata që realisht ishin familje në nevojë dhe qysh prej vitit 2015, financojmë çdo vit nga buxheti i shtetit diferencën mes 7.7-ës e 9.5-ës; që do të thotë se ata e marrin qysh prej vitit 2015 nga qeveria këtë shumë, në fondin e tyre të pensionit apo ndihmës ekonomike.
Ja edhe tabelat e financimit, nxjerrë nga libri i llogarive të thesarit të shtetit.
Më pas ju mund të shikoni edhe shumë totale të paguar drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit për kompensimin e diferencës në faturën e energjisë elektrike, pas ndryshimit të çmimit në vitin 2015. Kjo është totalja.
Por, kjo qeveri nuk është mjaftuar me kaq dhe përsëri me shifra, jo me llafe, në mburojën sociale të pensionistëve të vetmuar, apo të atyre që nuk jetojnë në një familje me të ardhura të tjera, ka shtuar përgjatë këtyre viteve edhe një shumë tjetër që i bashkohet një shume tërësore për të gjithë pensionistët mbi fondin e pensionit të tyre dhe këtu jemi tek tabela për kompensimin e këtyre pensionistëve për energjinë.
Ndërkohë që shuma vjetore e subvencionimit për këtë qëllim, prej së cilës përfitojnë një numër i konsiderueshëm familjesh dhe shuma totale e shpenzuar drejtpërdrejtë për ta, 187 669 familje, për një shumë totale e cila është 126 milionë USD në vit ose në total që nga fillimi, rreth 1 miliardë USD subvencion mbi të ardhurat korente, të të gjitha familjeve me të ardhura minimale. 1 miliard në gjithë këto vite.
Nuk është pak apo jo po të kemi parasysh se ky është shteti shqiptar, i dalë nga rrënimi financiar i vitit 2013 në sistemin energjetik e jo vetëm.
Dikush mund të thotë e mirë, këtu s’ka ndonjë gjë, për sa kohë nuk rriten pensionet në mënyrë domethënëse. Disa madje thonë, bëjeni pensionin minimal 300 euro dhe pagën minimale 500 euro, pastaj mund të keni fytyrë e të na dilni përpara.
Unë ju them, nëse ne e rrisim pensionin minimal sot jo në 300 euro, po në 300 mijë lekë, në fund të vitit të ardhshëm ne duhet të mos bëjmë më investime dhe brenda 2 vjetësh, do të përjetonim falimentimin më tragjik të shtetit, ku jo vetëm s’do kishte më pensione, po për herë të parë në historinë e Shqipërisë, qysh nga koha e Skënderbeut, do të shikonim çfarë do të thotë në të vërtetë të vdesësh për bukë.
Ndërsa nëse e rrisim edhe pagën minimale jo në 500 euro, po në 500 mijë lekë sa hap e mbyll sytë, na duhet më pas se një vit që të hyjmë në krizën e parë të urisë në 500 vjet histori.
E thënë ndryshe, që të jemi të qartë, pagat e pensionet në një vend rriten njësoj si të ardhurat në një shtëpi dhe nuk ka prind në botë, që nuk do t’i japë më shumë fëmijës së tij, por po ashtu nuk ka prind të përgjegjshëm në botë, që i jep fëmijës sot edhe atë që duhet për nesër dhe nesër e le fëmijën të vdesë për bukë.
Pensionet financohen nga sigurimet shoqërore, domethënë kontributet në vite të atyre që punojnë.
Po pa hyrë në historinë e abuzimeve e të gropës së madhe historike të fondit të sigurimeve shoqërore, që po e mbyllim dalëngadalë vit pas viti, se nuk ka Zot që ta mbyllë shpejt e shpejt, le të shohim sa sigurime shoqërore paguajmë ne, në Shqipëri, krahasimisht me të tjerët, vendet e të cilëve i sjellim shpesh si shembuj, për pensionet më të larta.
Me këtë nivel sigurimesh shoqërore e shëndetësore, ne sot nuk do të paguanim dot as gjysmën e pensioneve që paguajmë.
Kjo do të thotë që pjesën e munguar nuk e kemi kërkuar nga njerëzit, po e kemi mbuluar nga buxheti i shtetit, me afro 450 milionë USD çdo vit. Kjo nuk është asgjë tjetër, përveçse shuma e të ardhurave nga taksat e aktiviteteve ekonomike dhe të ardhurat personale të atyre që punojnë. Tabela tregon fare mirë raportin mes nesh dhe plot të tjerëve, qoftë në rajon, qoftë përtej rajonit, në raport me detyrimet për pensionet.
Nga ana tjetër, edhe pse afro gjysmë miliardi çdo vit ne i marrim nga taksat për të mbushur deficitin e pensioneve qysh në vitin 2014 ne i kemi ulur taksat e tatimet mbi të ardhurat personale të 97% të shqiptarëve. Qysh prej vitit 2014, të gjithë shqiptarët që fitojnë më pak se sa 150 mijë lekë të reja në muaj, paguajnë më pak se sa paguanin nga rroga e tyre deri në vitin 2014. Kjo do të thotë që falë kësaj uljeje, ne u kemi lënë për familjet, të gjithë atyre që punojnë, 1.2 miliardë USD në 8 vite, të cilat përndryshe do të ishin në arkën e shtetit, siç shkonin në arkën e shtetit deri në vitin 2013 me sistemin e vjetër të taksimit.
Po ashtu biznesi i vogël paguan zero Taksë deri në 140 mijë USD xhiro në vit dhe zero TVSH deri në 100 mijë USD në vit, ndërkohë që deri në 2013 paguante 10% taksë nga 20 mijë USD xhiro në vit e lart.
Këto janë fakte dhe çdo infermiere, çdo mësues, çdo punonjës policie, ashtu sikundër çdo kamarier, çdo kuzhinier, çdo punonjës në sektorin privat, që ka paguar taksë nga paga para 2013-ës, këtë që po them, e verifikon shumë lehtë dhe normalisht e di shumë mirë. Siç i di edhe çdo sipërmarrës i vogël apo sikundër çdokush e di, që ne jemi i vetmi vend në Europë, që nuk e takson bujqësinë, po vetëm e subvencionon, siç jemi vendi me përjashtimet më të mëdha nga TVSH-ja standarde 20%, gjë që në fakt, nuk i ka sjellë efektet e dëshiruara, pavarësisht se masat janë marrë me qëllimin shumë të mirë, për të stimuluar, dhe qoftë në raport me çmimet e qoftë në raport me produktivitetin e vendit, kemi marrë në këmbim të këtyre lehtësimeve shumë më pak se sa kemi dhënë, por kjo është një temë tjetër.
Atëherë pyetja e thjeshtë që ngrihet sot është:
Me çfarë tjetër përveçse me më shumë punë, me më shumë mund, me më shumë durim, e mbi të gjitha me më shumë produktivitet dhe me më pak shpenzime joproduktive nga buxheti për përjashtime TVSH-je e për arnime të vjetra ideologjike, ne mund t’i rrisim më tej të ardhurat dhe të kemi mundësi të rishpërndajmë më shumë për paga e pensione?
Me asgjë tjetër miqtë e mi, me asgjë tjetër.
Nëse duam t’u ngjajmë atyre që kanë më shumë se sa ne dhe prandaj edhe rishpërndajnë më shumë se sa ne, ne duhet të mos e harrojmë kurrë të vërtetën e thjeshtë, se për të arritur aty ku janë sot, ata kanë punuar shumë, janë munduar shumë, kanë duruar shumë, e kanë rritur shumë produktivitetin e shoqërive të tyre, duke paguar shumë edhe për arkën e shtetit të tyre.
30 vjet më parë mes atyre, të gjithë atyre dhe nesh, ishte në mes një oqean e sot është në mes një det.
Të mos e harrojmë kurrë këtë, nëse nuk duam të mbytemi në detin që na ndan me ta, po ta kapërcejmë edhe këtë det, siç kapërcyem oqeanin, duke e nisur tamam asokohe nga anës sofrës të pangrënë, edhe pse buka kushtonte 100 herë më pak se sa sot, e pranë dijes të panxënë, edhe pse një orë larg ishim fizikisht prej tyre edhe atëherë.
30 vjet më parë ne zgjodhëm një sistem ku shteti nuk është Zoti mbi tokë dhe individi duhet t’i dalë zot vetes. Ishte hera e parë në historinë tonë që zgjodhëm vetë, e nuk zgjodhën të tjerët për ne, siç kishte ndodhur 500 vjet me radhë. Dhe bëmë gjënë e duhur, prandaj edhe sot kemi shumë më shumë se 30 vjet më parë, po natyrisht kemi shumë më pak se ç’duhet të kemi dhe sipas meje, edhe shumë më pak se ç’mund të kishim sot, nëse shumë gjëra që kemi nisur t’i bëjmë për së mbari, vetëm pak vite më parë, do t’i kishim bërë më shumë vite më parë. Por kjo është përsëri një histori tjetër.
Historia sot është si do të ngjitemi në majën ku e meriton ky vend dhe ku meritojnë të jenë nesër fëmijët tanë, ndërkohë që duhet të përballemi, jo vetëm me sfidat që kemi zgjedhur, po edhe me sfida që na zgjedhin pa na pyetur, si tërmeti, pandemia apo kjo e fundit fare, furtuna e çmimit të shumëfishtë të energjisë.
Do të përballemi duke e harruar se çfarë zgjedhje kemi bërë 30 vjet më parë dhe duke kërkuar që shteti të na japë rroga e pensione jashtë mundësive? Të vendosë çmimet në treg? Të heqë çdo taksë e të shërbejë falas për çdo nevojë?
Do të përballemi duke i kërkuar qeverisë e kryeministrit të mendojnë vetëm sot për sot? Siç më thoshte për shembull mbrëmë një djalë i mirë, sepse do ketë shumë shi këtë dimër e do kemi energji sa të duam me kosto të ulët, prandaj nuk duhet as ta themi jo më ta mendojmë se çfarë po ndodh me çmimin e energjisë në tregjet ndërkombëtare?
Do të përballemi duke folur pa dëgjuar, pa lexuar, pa ballafaquar opinionet me faktet, duke i mbushur mendjen vetes se ne kemi aq shumë ujë dhe kemi aq shumë naftë, sa duhet të kemi çmimet më të lira në botë të dritave e të dizelit, po janë hajdutët e qeverisë që nuk na lënë ta shijojmë parajsën energjetike ku na ka hedhur zoti?
Do të përballemi duke i bërë hesapet pa hanxhinë dhe duke thënë mjafton të mos rriten rrogat e qeveritarëve, e të rriten taksat për të pasurit dhe dolën lekët për t’i rritur rrogën minimale 500 euro e pensionet 300 euro, apo do të bëjmë atë që kanë bërë dje ata të cilët i kemi zili sot, kur janë përballur me të kaluarën e me plagët e prapambetjeve të tyre?
Meqë ra fjala, qyshse ju më keni zgjedhur mua të hyj në këtë godinë, pagat e ministrave e të deputetëve nuk janë rritur asnjëherë, ndërsa taksa mbi pagën e tyre po, është rritur!
Sepse kur unë ngjita shkallët poshtë dhe hyra në zyrën e kryeministrit, paga ime taksohej më pak se sa paga e sanitareve të kësaj godine.
Po ashtu, siç në vitin 2014 ne ulëm taksat për biznesin e vogël, rritëm edhe taksat për biznesin e madh, sepse deri atëherë, furra e bukës paguante më shumë se sa 15-katëshi.
Por edhe taksimi i të pasurve duhet arsyetuar mirë, sepse e para, ata janë motori më i fuqishëm i ekonomisë dhe punëdhënësit më të mëdhenj të këtij vendi, e nëse taksat për ta bëhen pengesë, për rritjen e mëtejshme të aktivitetit të tyre ekonomik, nuk ka si rriten pastaj, as të ardhurat për buxhetin e shtetit nga ato taksa, as pagat e punonjësve të tyre, as vetë punësimi në këtë vend, e produktiviteti jo e jo. Po edhe kjo është një histori tjetër, kështu që po ndalem këtu, për t’u kthyer tek çmimi i energjisë.
Bashkëqytetarë të dashur,
ne duhet ta dëgjojmë më shumë njëri – tjetrin dhe ju duhet ta dini e ta kuptoni, se unë nuk jam këtu, as për t’jua bërë jetën më të vështirë, as për t’ju thënë që s’kemi ç’i bëjmë tërmetit, se na doli jashtë planit financiar, s’kemi ç’i bëjmë pasojave të virusit, se nuk jemi as Amerika as Gjermania, s’kemi ç’i bëjmë shumëfishimit të çmimit të energjisë në bursë, jo. Unë nuk jam këtu as për t’ju thënë se 30 vjet më parë zgjodhëm kapitalizmin, kështu që kush ka le të paguajë, kush s’ka le të rrijë në errësirë. Në asnjë mënyrë këtë s’kam për ta bërë kurrë!
Por ama unë s’jam këtu as për t’i rënë me top arkës së shtetit, që askujt të mos i dhembi koka sot, pa punë e madhe se rrëzohemi të gjithë nesër, siç jemi rrëzuar në fakt pasi ata përpara, na thanë që kapitalizmi është fushë me lule, hidhini lekët për të ndërtuar te Lana, hidhini kursimet për t’u pasuruar te Vebiu, hidhini fëmijët për t’i diplomuar te Vitrinat, lidhini fijet për t’u furnizuar tek shtylla e neonit, hidhini faturat pa paguar, bëjini hesapet pa menduar se është kapitalaizmi që i zgjidh për ju.
Unë s’jam këtu as për të heshtur, kur më thoni që Shqipëria e prodhon vetë të tërë energjinë që i duhet, po ne e shiskemi lirë jashtë, që pastaj ta blejmë shtrenjtë për të vjedhur; sepse në fakt jo, Shqipëria nuk e prodhon vetë të tërë energjinë që i duhet.
Dhe ne e shesim lirë, kur tërë rajoni rrotull nesh, nuk ka asnjë nevojë alarmante për energji, që të mos e hedhim ujin e hidrocentraleve në lumë apo më keq akoma, që të mos përmbysim fushat e mbjella duke e mbajtur kapicë. Ndërsa nga ana tjetër e blejmë shtrenjtë; sepse dalim në treg kur nevoja për energji bëhet alarmante për shkak të thatësirës.
Prandaj po e ndërtojmë Skavicën, që prej 50 vjetësh rrinte në sirtar, që të kemi një rezervuar ujëmbledhës në kaskadën e Drinit, ku ujin e tepërt sot që kemi shi, ta mbajmë rezervë për nesër kur të kemi thatësirë.
Unë s’jam këtu për të bërë sikur nuk dëgjoj, as kur më thoni që ne e prodhojmë vetë naftën që na duhet, prandaj duhet ta kishim më të lirën në botë, jo më të shtrenjtën në rajon; sepse ne fakt jo, ne nuk e prodhojmë në vend naftën që konsumojmë për automjetet tona, pasi nafta jonë është naftë e rëndë, e cila shitet jashtë për nënprodukte, kryesisht për bitum, ndërkohë që Shqipëria importon 600 mijë ton naftë në vit për diesel e benzinë.
E meqë ra fjala, dieseli dhe benzina po, sot janë më të shtrenjtat në rajon, sepse sa herë duhet ta përsërisim akoma, në çmimin e naftës që ju bleni në benzinatë, është brenda edhe taksa e qarkullimit, të cilën në rajon e paguajnë veçmas, siç është brenda edhe një taksë karboni, sepse po, mjedisin nuk e ndotin as pensionistët, as invalidët, as ata me ndihmë ekonomike e as fëmijët, po automjetet dhe për ti kthyer edhe një herë fjalët, tek mbështetja për të gjithë këta, të cilëve bëjmë shumë mirë, bëni shumë mirë, bëjnë të gjithë shumë mirë që ua qajnë hallin por hallin nuk mund tua qajmë duke i thënë shteti tua zgjidhi se ne nuk duam të paguajmë asgjë më shumë, si dreqin mund ta mbështesë qeveria që atë shtresë nga arka e shtetit, nëse kush ka më shumë nuk paguan më shumë, kush ndot më shumë nuk paguan më shumë, kush do edhe më shumë nga kjo shtëpi e përbashkët, pretendon të japë më pak për buxhetin e saj.
Megjithatë, sot që flasim, një tabelë është këtu, shumëkush ankohet se çmimi i naftës është rritur përtej çdo imagjinate, por po të kthehemi përsëri tek faktet, dieseli dhe benzina janë më lirë se sa në vitin 2013.
Kjo tabelë nuk tregon se qeveria dje ishte e keqe dhe kjo sot është e mirë, se kjo të them të drejtën dihet, po në këtë rast kjo tregon se tregu është treg, çmimet në treg janë çmime në treg, e kush ankohet është patjetër në të drejtën e vet, por nëse nuk harron faktet e djeshme, atëherë i gjykon më mirë faktet e sotme.
Gjithsesi, thënë të gjitha këto, mua tani nuk më shkon mendja t’ju them tani, që meqë 30 vjet më parë zgjodhëm ekonominë kapitaliste të tregut, në vend të ekonomisë komuniste të planit të shtetit, dilini zot vetë edhe çmimit të shumëfishtë energjisë.
Sepse siç e kuptoj unë të paktën, detyrën e shtetit në këtë sistem, ku vërtetë shteti nuk është Zoti në tokë dhe ku çdo individ duhet t’i dalë zot vetes, detyra jonë si qeveri e këtij shteti është ndër të tjera, të jemi shoku i mirë në ditë të vështira, për të gjithë ata që jo për fajin e tyre, nuk janë në gjendje t’i përballojnë vetë sfidat e jetës, e as pasojat e krizave të kësaj natyre, as bëhet fjalë që jo e jo.
Por duke e refuzuar kategorikisht çdo pretendim e çdo ide, se kjo krizë e rëndë nuk ekziston, nuk ka lidhje me Shqipërinë, e duke ju thënë se kjo është për ne një krizë që në aspektin financiar, mund të jetë për këtë shtet deri edhe po aq sfiduese sa pandemia, me pasoja monetare ku e ku më të rënda për vendin, nëse nuk reagojmë me të gjitha forcat, jo vetëm si qeveri po si bashkësi qytetarësh të vetëdijshëm, unë ju them që plani ynë i kundërveprimit, nuk parashikon rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë e për biznesin e vogël, as parashikon ndonjë operacion kufizimesh të furnizimit me energji elektrike në shkallë vendi.
Stuhia e kësaj krize dhe është e rëndësishme përsëri të dëgjojmë njëri tjetrin, sipas ekspertëve ndërkombëtarë, po edhe në gjykimin e disa qeverive mike, me të cilat jemi konsultuar, për si e shohin e qysh duan ta adresojnë krizën, parashikohet ta ketë fazën e saj agresive deri në fillimverën e ardhshme. Natyrisht këtu janë parashikime, mund të ndodhë më parë por mos qoftë e thënë, mund të zgjasë edhe më pas.
Megjithatë plani ynë mbulon pikërisht këtë periudhë, ndërkohë që qeveria po përgatitet edhe për një konsultim kombëtar brenda këtij viti, me të gjithë ju, ku do t’ju kërkojmë të na jepni opinionin tuaj mbi këtë çështje, dhe jo vetëm mbi këtë çështje në fakt.
Ne kemi nevojë ta dëgjojmë shumë njëri-tjetrin dhe le ta bëjmë këtë me të gjitha mënyrat, sepse në fund të fundit, ne jemi këtu për njëri-tjetrin, ndajmë të njëjtat qëllime të përbashkëta për këtë vend, edhe pse mund të kemi opinione shumë të ndryshme për sesi arrihet drejt atyre qëllimeve.
Por unë besoj se është koha, që dallimin shumë të madh mes përplasjes së opinioneve mes politikanëve dhe të pasjes së opinioneve të kundërta mes njerëzve të zakonshëm, ta kthejmë në një avantazh, në një mirësi kombëtare, duke e kthyer ballafaqimin e opinioneve të kundërta mes qytetarëve, në një burim të ri, të çmuar, energjie kombëtare për vendimmarrjet e vështira të qeverisë. Qeveria vërtetë del nga zgjedhjet si përfaqësi e palës fituese mes palëve në garë, por është në detyrë katër vjet, për të qenë palë me Shqipërinë e me interesat e kombëtare e qytetare të të gjithë popullit shqiptar, pavarësisht dallimeve politike e aq më pak partiake mes shqiptarëve.
Plani ynë i kundërveprimit ndaj krizës energjetike ka tre pika:
E para, garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë – vijon një numër masash të detajuara.
E dyta, mbrojtjen e familjeve dhe biznesi i vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike – vijon një numër masash të detajuara
E treta, garantimin e fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun e energjisë elektrike – vijon detajimi i instrumenteve të garancisë sovrane shtetërore, që do të jenë të ripërtëritshëm, në vlerën 100 milionë euro për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike në fund të këtij viti dhe 100 milionë euro në fillim të vitit tjetër, për të siguruar pikën një dhe pikën dy.
Të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare,
kur e pyetën dikur një kryeministër britanik se nga çfarë trembej, ai u përgjigj, trembem vetëm nga ngjarjet, duke pasur parasysh pikërisht faktin, se jeta është ajo që ndodh ndërkohë që mund të jesh duke bërë plane të tjera.
Këto vitet e fundit jeta për ne të gjithë, për pasojë edhe për qeverinë e për mua, ka qenë e përcaktuar shumë më tepër nga ngjarjet se sa nga planet tona; tërmeti, pandemia, e tani edhe kjo furtunë e rritjes së çmimit më delikat të jetesës së përditshme. E di mirë që të tëra këto lënë gjurmë në mendje e në shpirt, por dy gjëra dua t’ju them në mbyllje:
E para, ndjehuni mirë që ia kemi dalë dhe kini besim që do t’ia dalim gjithnjë e më mirë. Dhe e dyta, mundohuni të mos e harroni se çfarë mbjellim sot, me qëndrimet e me vendimet tona, do të korrin fëmijët tanë nesër. E që nesër fëmijët e sotëm, të mos kenë aq pak fat sa ç’patën fëmijët e viteve 90, që kur u rritën korrën atë që u mboll mbrapsht në ato vite, duhet që ne të mos kërkojmë asnjëherë rrugë të shkurtra që nxjerrin gjithmonë gjatë.
Shumë faleminderit.