Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Forumin rajonal “Europa Juglindore si një treg i përbashkët”:
Faleminderit për ftesën, për të përshëndetur hapjen e një forumi kaq të gjerë reflektimi mbi integrimin rajonal dhe Europën e Bashkuar.
Besoj se sot jetojmë në një kohë kur reflektime të tilla janë gjithnjë e më të nevojshme. Sepse nga njëra anë kemi sfidën e ecjes drejt Bashkimit Europian si vend dhe si rajon, por nga ana tjetër, e kemi të pamundur të mos konstatojmë se vetë Bashkimi Europian nuk po ecën drejt Europës si projekt me atë vendosmëri strategjike që Bashkimi Europian u bë zanafilla e këtij projekti.
Në periudhën e parë fare të detyrës së Kryeministrit unë pata rastin të flas për integrimin rajonal në një universitet të njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Universitetin e Columbias dhe në atë rast vura theksin te rëndësia e kthimit të procesit të integrimit në një angazhim të gjerë shoqëror, akademik, kulturor, përveçse qeveritar dhe institucional. Shpreha bindjen se është angazhimi i gjerë i gjithë këtyre grupeve që me anë të syrit kritik, analitik dhe përmes eksperiencës së tyre praktike mund ta përmirësojë rrënjësisht, duke e përshpejtuar, procesin e integrimit.
Pas një viti e gjysmë në këtë detyrë e kam edhe më të thellë bindjen se çfarë rëndësie jetike ka një angazhim horizontal i të gjithë shoqërisë për integrimin e vendit, por edhe për të ardhmen e rajonit dhe të vetë Europës, në një periudhë kohe kur shoqëria është e sulmuar nga një lumë informacioni dhe kur në këtë lumë informacioni ka shumë prurje të reja kërcënuese për projektin e përbashkët të Europës.
Unë besoj që angazhimi i shtuar i shoqërisë, përmes segmenteve të saj të dijes dhe të reflektimit mund të rrisë mënyrë drastike shanset për një Europë strategjike, në vend të një Europe gjithmonë e më taktike, si kjo me të cilën bashkëjetojmë në këtë rrugëtim me dy kahje; nga njëra anë, ne që përpiqemi të shpejtojmë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian dhe nga ana tjetër Bashkimi Europian që përpiqet të ngadalësojë sa të mundet rrugën e vetë drejt Europës, si projekt final i bashkimit të të gjithë vendeve dhe shoqërive që e përbëjnë atë.
Në këtë kuptim edhe integrimi rajonal, në të cilin jemi aktivisht të angazhuar si Qeveri, besoj se përbën një instrument për këtë perspektivë të rëndësishme në funksion të një aksioni të përbashkët me të gjitha këto segmente të shoqërisë, në të gjithë rajonin, për të forcuar zërin dhe njëkohësisht për të fuqizuar vetveten në një proces që bëhet përditë e më i vështirë, për shkak të një përplasjeje përditë e më të hapur të axhendave. Axhendave tona si vende në rajon që duam të integrohemi sa më parë në Bashkimin Europian dhe axhendave të vendeve të Bashkimit Europian që, në një mënyrë ose në një tjetër, e ngadalësojnë, ndonjëherë edhe në formë asfiksuese, perspektivën e projektit tërësor të Europës së Bashkuar.
Për integrimin rajonal duhet të pranojmë atë që konstatojnë shumë ekspertë, se Europa Juglindore, Ballkani përkatësisht, nuk po ecën drejt Bashkimit Europian në mënyrë homogjene dhe se vendet e rajonit kanë sot ritme të ndryshme, jo në sensin e vullnetit dhe të aspiratës së shprehur për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, por në sensin e marrëdhënieve mes qeverive dhe sistemeve të brendshme të çdo vendi, që nga drejtësia deri tek liria e medias.
Ashtu sikundër, edhe vetë Bashkimi Europian nuk po ecën drejt finalizimit të projektit, as në mënyrë homogjene, por edhe as në mënyrë të vendosur. Ndaj unë besoj se është shumë e rëndësishme që ne si vend të bëjmë çmos që të shtyjmë sa më shumë drejt harmonizimit të zhvillimit rajonal, duke forcuar urat e bashkëpunimit në fusha të rëndësishme, me interes të përbashkët, si transporti dhe si tregtia, pa dyshim, si energjia dhe si shërbimet financiare po ashtu, që stimulojnë rritjen e hapësirës së një tregu të integruar, por pa harruar asnjëherë se të gjitha këto së bashku nuk do të arrijnë dot të na japin atë që kërkojmë nëse së bashku ne nuk do arrijmë të formësojmë një politikë rajonale të dakordësuar në funksion të bashkimit tonë me Europën, si Bashkim Europian.
Ne jemi një rajon që ka një sërë veçorish për nga pozicioni gjeografik, për nga pasuritë natyrore dhe për nga pasuritë kulturore, po ashtu të gjitha këto janë njëkohësisht shanse dhe sfida për ne. Për të shpjeguar ndoshta shumë pak më gjatë se çfarë nënkuptoj me sfida, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj faktin se po ta shohim, jo nga këtu, jo nga brenda, por nga jashtë rajonin tonë, do ta gjejmë të ndarë në dy makrorajone të mëdha, që përbëjnë dhe dy makrostrategji rajonale europiane: nga njëra anë Strategjia për Europën Danubiane dhe nga ana tjetër Strategjia për Rajonin Adriatiko-Jonian.
Atëherë, sfida nëse do ta shprehnim me anë të një makrotabloje, do të ishte ajo e harmonizimit të reformave në vendin tonë dhe në vendet tona me bashkëpunimin rajonal dhe me strategjitë makrorajonale, ashtu siç janë të vizatuara, duke e parë rajonin përsëjashtmi, në shërbim të fuqizimit të mundësive dhe të rezultateve që sjell secila nga këto perspektiva.
Nëse i hedhim një vështrim të shpejtë historikut të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, vullneti politik për tregtinë e lirë dhe tregun e përbashkët rajonal është shprehur që në fillimvitet 2000 dhe bashkë me CEFTA-n ka pasur një rritje të fortë të marrëdhënies tregtare, që në fund të dhjetëvjeçarit të parë të viteve 2000 ka shënuar 20% më shumë produkte të reja. Nga ana tjetër, volumi i përgjithshëm tregtar i vetë Shqipërisë me vendet e rajonit është rritur nga 2-3% në mbi 10% të volumit të përgjithshëm tregtar në vitet e fundit.
Gjithsesi, treguesit e përmirësuar në tërësi, për të gjithë rajonin, janë shumë pak. Janë qartësisht shumë pak për një treg të përbashkët dhe një rajon të mirë integruar brenda vetes, si një fuqi propozuese për integrimin e mëtejshëm të Europës me Ballkanin dhe të Ballkanit me Europën, në një moment të historisë sonë të përbashkët, ku ndryshe nga ç’mund të ketë qenë, qoftë edhe 5 vjet më parë. Unë besoj se sot Europa e Bashkuar ka nevojë për Ballkanin po aq sa Ballkani ka nevojë për Europën e Bashkuar.
Pra nuk është më një nevojë me një sens, por është një nevojë, qartësisht, gjithmonë e më simetrike. Në radhë të parë për arsye të sigurisë së përbashkët dhe thënë kjo, për arsye të mos nënvlerësimit të dobësisë, që do të ishte fiziologjike për të dyja palët, duke qëndruar në një pozicion i si ky i sotmi, kur i thonë njëra – tjetrës se ‘ne duam të bashkohemi’, por në fakt, janë larg së qeni në pikën e bashkimit mes tyre. Besoj që, përtej atyre që përmendi në fjalën e vetë çelëse Prof. Angjeli, që janë padyshim një domosdoshmëri në qasjen tonë të përbashkët ndaj të ardhmes, pra krijimi i tregut dhe i hapësirës së integruar rajonale me objektiva të qartë për rritjen e punësimit për shumëfishimin e volumit të tregtisë rajonale, apo për shtimin e forcës së kualifikuar të punës, është e domosdoshme të vëmë gjithmonë e më tepër theksin tek domosdoshmëria për të bashkuar në një front unik sforcot për reformat financiare dhe ekonomike me sforcot për reformat në arsim, në radhë të parë dhe më tej për shtetin e të drejtës dhe të sigurisë ligjore.
Do të doja të sillja përpara jush, për hir të argumentit konstatimin e gjetur, sipas meje, të zëvendësdrejtorit të FMN, David Lipton, i cili diku prononcohet kështu: “Ne të gjithë e dimë se suksesi do të nënkuptonte anëtarësimin e të gjitha vendeve të Ballkanit në BE dhe integrimin e plotë të rajonit në trajektoret europiane të tregtisë. Në skenarin ideal, rritja ekonomike europiane do të duhej të ishte e mbështetur veçanërisht në dinamizmin që krijohet si pasojë e përputhjes mes vendeve të Europës Qendrore me atë Juglindore drejt niveleve ekonomike më të zhvilluara.”
Besoj që, është një skenar ideal që i ka të gjitha mundësitë të ndodhë. Pra, nuk është një skenar ideal në formën e një utopie, por është një skenar ideal mundësie. Por, po ashtu i ka të gjitha mundësitë që të mos ndodhë, për shkak të asaj se secili nga vendet anëtare të asaj që Lipton e quan Europa Qendrore dhe secili nga vendet pjesëtare të asaj që kuptojmë me Europën Juglindore, pra Ballkani në mënyrë të posaçme, duhet t’i përgjigjen një sfide që duhet ta konsiderojnë të përbashkët.
Kjo sot është e vërtetë pjesërisht për ne. Por, është tërësisht e pavërtetë për pjesën e atyre vendeve që do të kishin një interes të posaçëm nga përputhja e sforcove me Ballkanin, por që janë pjesë e BE dhe nuk shkojnë në këtë drejtim. Nuk shkojnë në këtë drejtim edhe nën, besoj, influencën e pashmangshme të Europës së frikës që i ka zënë vendin Europës së shpresës, të Europës së egoizmave nacionale që ka dominuar projektin e bashkimit të aspiratave kombëtare në një aspiratë të përbashkët europiane dhe të Europës së taktikave elektorale, që ka zëvendësuar Europën e strategjisë së madhe politike, duke dobësuar ndjeshëm këtë të fundit dhe duke fuqizuar ndjeshëm brenda vendeve anëtare, forca, të cilat shumë pak vite më parë do të ishin të paimagjinueshme si kërcënime serioze eketorale, brenda për brenda vendeve anëtare dhe që sot janë gjithmonë e më shumë, jo thjesht kërcënime serioze, por potencialisht në disa vende forca që mund të kenë fuqinë vendimmarrëse për mënyrën se si shkon zgjedhja politike dhe mund të luajë rolin e kingmaker-it në jo pak vende, duke përfituar nga sistemet e caktuara elektorale.
Besoj se ky është momenti kur duhet thënë se megjithë rëndësinë e suksesit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregut të përbashkët, që e ka vërtetuar vetë historia europiane realiteti i sotëm europian tregon se pa bazën e përbashkët kulturore dhe pa vendosjen në një platformë të përbashkët të inovacionit të projektit të përbashkët, bashkimi është në një rrezik gjithmonë e më të madh, të përhershëm dhe mirëqenia e prezumuar si rezultat i projektit është gjithmonë e më e kërcënuar në formën e vet gjithëpërfshirëse të përcaktuar nga ata që e projektuan BE.
Prandaj edhe besoj se këto janë të mjaftueshme për të krijuar bindjen se asnjë reformë ekonomike apo financiare nuk është më ekonomike dhe më financiare se sa vetë reforma në arsim, sesa politikat kulturore dhe politikat e rinisë, në funksion të fuqizimit të një kulture europiane në raport me sfidat e rritjes ekonomike, me sfidat e rritjes së punësimit, me sfidat e rritjes së kohezionit social.
Pa dashur të zgjatem më shumë do të doja thjesht të përmendja edhe këtë që thashë si bazën e arsyes pse ne kemi vënë një theks shumë të fort tek reforma arsimore, të cilën e kemi bazuar në parimësinë e konkurrencës dhe të meritës dhe mbi bazën e kësaj parimësie jemi gati që të çelim një kapitull të ri për arsimin e lartë, duke vendosur që financimi i universiteteve të bazohet tek performanca e tyre, që autonomia e universiteteve të zgjerohet dhe që mekanizmat që sigurojnë cilësinë e arsimit të lartë të bazohen tek objektivi i të mirës publike, pavarësisht se kush e ofron këtë të mirë publike, sektori publik i financuar nga shteti apo sektori jopublik i financuar nga privati.
Nëpërmjet këtij aksioni në arsim, ne duam që të fillojmë të jetësojmë një traditë europiane të zhvillimit nga dija dhe jo detyrimisht nga pasuria, sepse bindja jonë është që vendet sot nuk dallohen nga njëri-tjetri sepse kanë ose nuk kanë, por dallohen nga njëri-tjetri sepse dinë ose nuk dinë. E në këtë aspekt sfida jonë si Shqipëri është e jashtëzakonshme sepse jemi një vend që po të nisemi nga ato që kemi, duhet të ishim shumë më të zhvilluar, por arsyeja pse nuk jemi aq të zhvilluar është sepse nuk jemi nisur drejt zhvillimit, duke u bazuar tek ajo që dimë, dhe atë që dimë nuk kemi arritur ta zhvillojmë në funksion të zhvillimit që duam.
Së fundi, më lejoni të marr shkas nga kjo ftesë dhe nga kjo konferencë për ta shprehur qartë angazhimin tonë për dialog sa më intensiv dhe bashkëpunim sa më të madh me të gjithë aktorët joqeveritarë, që konsiderojmë të domosdoshëm në jetësimin e një ëndrre për të cilën ia vlen të jetohet siç është ëndrra e një Europe të Bashkuar dhe strategjike, që sot për fat të keq dhe jo për fajin tonë në këtë rast, jo se do të ishim fajtorë po të kishim diçka në dorë, por ngaqë nuk kemi gjë në dorë, nuk kemi faj, – është një ëndërr shumë më e largët dhe shumë më e zbehtë se ç’ishte një dekadë më parë. Por jo për këtë arsye është një ëndërr të cilës i ka humbur aktualiteti apo të cilën duhet të rreshtim së ndjekuri, sepse përtej të gjithave atyre që mund të thuhen sot për Europën, në këndvështrimin tim një gjë është shumë e qartë; Nëse Europa sot si BE, nuk është në gjendje t’i japë përgjigje shumë pyetjeve që kanë lindur brenda vendeve anëtare lidhur me ekzistencën dhe formën që ajo ka dhe nëse Europa sot nuk është në gjendje të ketë një fuqi nxitëse dhe inspiruese të atillë që të zmbrapsë prurjet e barbarisë populiste dhe nacionaliste, për këtë nuk e ka fajin projekti, por fakti që projekti është i paplotë.
Duke qenë gjysmak projekti nuk është në gjendje si i tillë të nxisë drejt finalizimit të tij forcat progresive që duan finalizimin e projektit, dhe pikërisht me gjysmën bosh të tij është kthyer në një hapësirë për rritjen e një barbarie që sot e kërcënon jo thjesht projektin nga brenda të BE, por kërcënon vetë ekzistencën e BE.
Në këtë aspekt ne mund të bëjmë pak, por aty ku mund të bëjmë shumë, është që të fuqizojmë sa më shumë aspiratën europiane që sot e gjithë ditën, nuk ngjan ende e dobësuar ndër shqiptarët dhe në përgjithësi në rajon, duke i dhënë kësaj aspirate arsye të forta dhe të bazuara tek rezultatet konkrete, për të vazhduar të jetë ushqimi kryesor që e mban gjallë ëndrrën për një jetë më të mirë të shqiptarëve dhe të gjithë fqinjëve tanë në rajonin ku më në fund jetojmë në paqe.
Faleminderit!