Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

U prezantua sot EksportON, platforma më e re kombëtare e dialogut për eksportet shqiptare, e hartuar nga AIDA, (Agjencia shqiptare e Zhvillimit të Investimeve), e cila synon të ndërtojë një hapësirë të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet institucioneve publike, agjencive mbështetëse dhe bizneseve eksportuese, duke e vendosur eksportin në qendër të politikave të zhvillimit ekonomik dhe duke kontribuar në rritjen e vlerës së shtuar “Made in Albania”.

Eventi i sotëm përkoi me 15 vjetorin e AIDA-s, e cila është tashmë një institucion i konsoliduar në mbështetje të biznesit shqiptar, të investimeve shqiptare, qoftë vendase dhe të huaja, në promovimin e eksporteve dhe ne lidhjen e kompanive shqiptare me tregjet eksportuese shqiptare.

Me “EksportON”, AIDA forcon rolin e saj si një nyje lidhëse mes shtetit dhe eksportuesve, duke synuar një model zhvillimi të bazuar në cilësi, inovacion dhe vlerë të shtuar për ekonominë shqiptare.

Kryeministri Edi Rama i cili ishte i pranishëm në event, u shpreh “Made in Albania” është një markë cilësie dhe një pasaportë për në BE dhe për këtë arsye, qeveria  do të mbështesë fuqimisht dhe gjithmonë e me shumë të gjithë ata që do të synojnë t’ia japin vetes këtë pasaportë, duke hequr dorë nga ideja se konkurrenca me çmim të ulët mund t’i çojë larg dhe duke u fokusuar tek konkurrenca me standarde të larta.

 

* * *

Kryeministri Edi Rama:  Përshëndetje të gjithëve! E mora fjalën në fillim ndryshe nga agjenda, për shkak se nuk do të qëndroj gjatë, por nga ana tjetër nuk rrija dot pa ardhur në ketë aktivitet ku për vetë rëndësinë që ka tema e eksporteve, janë të pranishëm dhe ministrja e Ekonomisë, ministri i Bujqësisë, shikoj zëvendësministren e Ekonomisë po ashtu dhe të tjerë. Ndërkohë që, dua të shfrytëzoj këtë moment për të theksuar domosdoshmërinë që të gjitha kompanitë tona, të cilat janë në proces transformimi të vazhdueshëm për vetë ambicien që kanë për t’u rritur, është e domosdoshme që me patjetër të mbajnë sytë edhe nga çfarë i pret në një të ardhme shumë të largët kur Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Europian, pasi Bashkimi Europian është një hapësirë mundësish të jashtëzakonshme, por është edhe një prag sfidash të jashtëzakonshme dhe ata që do të jenë të gatshëm të adaptohen, do të jenë fitues; ata që nuk do të dinë të adaptohen do të jenë humbës.

Sot, ne jemi në nisje të një tjetër viti shumë të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit në BE dhe ndërkohë jemi këtu për të mbështetur të gjithë së bashku një nismë të AIDA-s, të Agjencisë sonë të Investimeve e cila tanimë është kthyer, nga dikur një zyrë informacioni, në një mekanizëm mbështetjeje që monitoron, që asiston dhe që orienton të gjithë ata, të cilët i adresohen dhe një nga gjërat më të rëndësishme për ekonominë tonë patjetër, është domosdoshmëria për të rritur vlerën e krijuar në vend dhe një nga sfidat dhe objektivat më të rëndësishëm të AIDA-s, është pikërisht mbështetja e eksporteve duke mbështetur prodhimet “Made in Albania’’.

E pikërisht për këtë arsye, unë e shoh me shumë simpati, por edhe njëkohësisht qeveria është këtu dhe do të jetë në vijimësi me ju për ta mbështetur përpjekjen për ta vendosur eksportuesin në qendër dhe përpjekjen për ta çuar në një nivel tjetër marrëdhënien mes eksportuesve dhe shtetit shqiptar, duke e shfrytëzuar AIDA-n si një stacion ku eksportuesit dhe institucionet shtetërore duke filluar nga ministritë përkatëse, takohen.

“Made in Albania” është një markë cilësie dhe një pasaportë për në BE dhe për këtë arsye, ne do të mbështesim fuqimisht dhe gjithmonë e me shumë të gjithë ata që do të synojnë marrjen e kësaj pasaporte, ose më saktë, të gjithë ata që do të synojnë t’ia japin vetes këtë pasaportë, duke hequr dorë nga ideja se konkurrenca me çmim të ulët mund t’i çojë larg dhe duke u fokusuar tek konkurrenca me standarde të larta, me standarde të certifikuara nga Bashkimi Europian, për të krijuar më shumë vlerë dhe për të synuar fitim përmes vlerës së krijuar në cilësi dhe jo sasisë për të kapur një vlerë të caktuar.

Nga ana tjetër, mbështetja direkte që ne do të japim për certifikime ndërkombëtare është diçka që ne e shohim si një investim strategjik të shtetit jo thjesht për t’i kursyer biznesit disa lekë, por për ta ndihmuar biznesin që të futet më shpejt në tregun e përbashkët europian. Kështu që do flasë ministrja me siguri për këtë hap që ne kemi vendosur të hedhim bashkërisht duke shtuar mbështetjen financiare të shtetit për certifikimet ndërkombëtare. Ashtu sikundër për të mbrojtur markën dhe pronësinë intelektuale të çdo prodhimi që futet në tregun europian me identitetin shqiptar.

Pashë këtu disa miq të punës së përbashkët që prej kohësh janë angazhuar në sektorin e manifakturës dhe më vjen shumë mirë që tranzicioni i pashmangshëm nga fasoneria e thjeshtë tek cikli i mbyllur me dizajnët, me tekstilet, me përpunimin e drurit e kështu me radhë na ka dhënë një provë shumë të qartë, që kush nuk pret që vazhdimësia e sipërmarrjes t’i garantohet nga oksigjeni i shtetit, por i beson inovacionit dhe vetëtransformimit fiton. Kush pret që në të kundërt të erës së imponuar nga transformimi të vazhdojë të rrijë aty ku është mësuar dhe aty ku ka qëndruar duke u mbajtur me oksigjen nga shteti është thjesht dhe vetëm duke shtyrë në agoni ditën e fundit.

Dhe besojmë shumë tek manifaktura, besojmë shumë tek të gjithë ata që po ecin në rrugën e transformimit dhe krijimit të vlerës së shtuar dhe për të krijuar më shumë vlerë të shtuar përmes manifakturës do të bëjmë më shumë në mbështetje të sipërmarrjeve që do të përqafojmë sfidën e transformimit.

Po ashtu agropërpunimi është diçka që kemi vendosur në krye të ose më saktë në prioritetet e listës sonë të punëve dhe sa më shumë të tërheqim nga kanali i eksporteve lëndën e parë dhe sa më shumë të fusim në kanalin e exporteve lëndë të parë të përpunuar në vend, aq më shumë do të mbajmë vlerë të shtuar brenda kufijve tanë.

Faza kur baza kryesore e eksporteve ishte nxjerrja jashtë e lëndës së parë është një fazë që duhet ta konsiderojmë për t’u tejkaluar dhe sidomos kur vjen puna te bujqësia, është shumë e qartë që hapi tjetër është agropërpunimi dhe sikundër bëmë në fazën e parë të qeverisjes me grumbullimin, duke siguruar që Shqipëria të ketë tanimë një rrjet të konsoliduar dhe të fuqishëm pikash grumbullimi me standarde të larta, duam të kemi një rrjet të konsoliduar të agropërpunimit.

Sigurisht që një nga çështjet që janë adresuar më përmirësime të ndjeshme, por jo tërësisht nxjerrë jashtë tryezës ku sipërmarrja ka të rreshtuar problemet, është çështja e barrierave dhe logjistikës, është çështja e procedurave eksportuese, lehtësimi i korridoreve logjistike për të ulur sa të jetë e mundur kohën dhe koston e transportit. Dhe ministrja me siguri do t’iu japë më në detaje se ku jemi dhe ku duam të shkojmë pa humbur shumë kohë me zero burokracinë e doganave, natyrisht duke u mbështetur tek digjitalizimi.

Ka një çështje që do të duhet një kohë më e gjatë dhe mbase në vijim ju do ta diskutoni për të kuptuar edhe ne se ku është pika e dobët, pasi kemi vendosur instrumente të rinj financiar posaçërisht për ndërmarrjet eksportuese, duke ulur riskun e tyre përballë bankave tregtare dhe gjithsesi absorbimi, thithja e këtyre fondeve është shumë e ulët krahasimisht me çfarë ne do donim të ishte.

Kështu që qoftë për linjën e kreditimit të Bankës së Shqipërisë, qoftë për çfarë do të fillojë të bëjë Banka e re Zhvillimit, është shumë e rëndësishme që të kuptojmë ekzaktësisht prej jush se ku është pika e dobët dhe si ta adresojmë në mënyrë që këto instrumenta të jenë sa më të arritshëm nga ju dhe që ne të mund të fusim në dispozicionin tuaj sa më shumë fonde.

Linja e kreditit e Bankës së Shqipërisë është në thonjëza pa limit, po në fakt është konkretisht pa limit, po të kemi parasysh se sa larg jemi ne nga thithja edhe këtu e pjesës së parë të fondeve që është vënë në dispozicion.

Dhe në fund fare, dua të ta mbyll duke ju thënë diçka që gjithmonë e më shumë për hir të vërtetës kompanisë shqiptare po e kuptojnë vetë dhe po përpiqen të adresojnë vetë, por që përsëri unë besoj që mund ta adresojnë shumë më shpejtë, mund ta adresojnë shumë më mirë dhe me shumë më tepër përfitim, që është investimi në burimet njerëzore.

Përpara disa vitesh, mbase ndonjëherë prej jush e ka dëgjuar se e kam thënë edhe herë të tjera, u publikua një listë e kompanive më të mëdha globale dhe ecja e tyre në 10 vite. Ishte diçka e jashtëzakonshme ajo pasqyrë për të parë lidhjen e drejtpërdrejte mes investimit në burime njerëzore, trajnimeve, kualifikimeve të mbështetura financiarisht nga kompanitë dhe fitimit. Të gjitha ato kompani që në fillim të 10 viteve kishin investuar më pak në burimet e tyre njerëzore, kishin ardhur me rënie, në raport me kompanitë që kishin investuar në burimet njerëzore dhe habia më e madhe ishte që çka ishte investuar në anën e burimeve njerëzore reflektohej si plus në çfarë ishte fituar. Ne fillim duket sikur jep, por në fakt ai burim njerëzor ku ti investon, të kthen atë që ti jep disa fish. Kjo është shumë e rëndësishme edhe në kuadër të sfidës që thashë për sa i përket procesit të anëtarësimit në BE.

Kështu që “ExportON” është një platformë e cila prezantohet para jush sot, por që njëkohësisht do të merret me matjen e indikatorëve që do të vijnë nga realiteti i punës suaj të përditshme dhe që çdo vit do të nxjerrë edhe raportin e vetë për mënyrën se si kanë lëvizur volumet eksportuese. Një raport që do t’i vlejë qeverisë për të adresuar nga ana e vet nevojat, do t’ju vlejë dhe juve për të kuptuar se ku dhe si lëviz eksporti.

Shumë faleminderit për durimin, ndjesë që, megjithëse nuk e bëra këtu premtimin, por asnjëherë kur unë premtoj të flas shkurt, nuk e mbaj dot premtimin, kështu që shpresoj të mos ishte e mërzitshme dhe jam i bindur që ministrat që do të flasin më pas, së bashku me drejtoren e AIDA-s, do të plotësojnë të gjitha dhe ato boshllëqe që unë lash në fjalën time ndërkohë që dëshiroj të falënderoj përpara jush, drejtoren e AIDA-s për punën e jashtëzakonshme dhe me rezultat që ka bërë dhe po bën dhe uroj që të vazhdojë kështu dhe ta çojë më përpara këtë transformim të AIDA-s duke e bërë gjithmonë e më shumë AIDA-n një instrument në duart tuaja.

Shumë faleminderit!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.