Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projekti madhor i rigjenerimit dhe mobilimit urban të lumit Gjanica në Fier po hyn në fazën përfundimtare me avancimin e punimeve në lotin 3, një ndër veprat më të rëndësishme infrastrukturore për qytetin. Nga një problematikë mjedisore serioze dhe burim përmbytjesh në zemër të Fierit, Gjanica po shndërrohet në një nga shëtitoret më të mëdha dhe më të bukura urbane në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Balinda Balluku dhe nga kryetari i Bashkisë së Fierit Armando Subashi, inspektuan nga afër kantierin.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, vlerësoi progresin e shpejtë të punimeve. “Me përfundimin e këtij segmenti, qyteti i Fierit fiton shëtitoren e plotë përgjatë lumit Gjanica. Punimet po ecin më shpejt se parashikimet. Pas marrjes së lejeve dhe miratimit të hartës mjedisore nga Bashkia e Fierit ka nisur menjëherë punimet me pastrimin e sipërfaqes dhe mobilizimin e plotë të kantierit,” u shpreh ajo.

Inxhinierët në terren theksuan se projekti përfshin një gjatësi prej rreth 5 kilometrash, që e pozicionon këtë shëtitore si më të gjatën në vend, e zhvilluar në të dy anët e lumit.

Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës në kantier, vlerësoi cilësinë dhe ritmin e punimeve ndërkohë, kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, theksoi rëndësinë e këtij transformimi. “Cilësia është e lartë dhe kushtet për punë janë optimale, pasi rrjedha e lumit është spostuar. Projekti parashikon ndërtimin e dy niveleve shëtitore, me trotuare, ndriçim dhe hapësira të gjelbërta të zgjeruara aty ku është e mundur.”, – u shpreh Subashi.

Me përfundimin e këtij projekti, qyteti i Fierit jo vetëm që fiton një hapësirë të re rekreative, por garanton edhe një zgjidhje afatgjatë për problematikat mjedisore dhe përmbytjet që e kanë ndjekur për dekada. Shëtitorja e re pritet të jetë një nga atraksionet kryesore urbane në jug të vendit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.