Kryeministri Edi Rama, në takimin me gra dhe vajza me rastin e 8 marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave:
Shumë Faleminderit! Dhe duke ju parë të gjithave këtu, po mendoja çfarë do ndodhte me burrat dhe çfarë do ndodhte me djemtë tuaj, nëse ju për nja një muaj nuk do ktheheshit në shtëpi. Po për një javë, po imagjino për një muaj. Dhe në fakt kjo është në mënyrë të thjeshtë e vërteta e ekuilibrit të çdo shtëpie që pa gruan është faktikisht pa çati dhe e vërteta e ekuilibrit të çdo shoqërie siç është dhe shoqëria jonë që,nëse sot ka shumë më tepër vend për gratë dhe për vajzat në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, por dhe në të gjitha hapësirat e jetës aktive, kjo i detyrohet në radhë të parë një emri të vetëm Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Një grua shqiptare që ju e keni dëgjuar të gjitha Elena Gjika, ose siç njihet ndryshe Dora D’istria thoshte: Çdo shoqëri matet me vendin që i ka rezervuar gruas. Dhe nëse ne përpiqemi ta matim Shqipërinë me vendin që i ka rezervuar gruas, atëherë unë mendoj se i gjithë progresi në zgjerimin e hapësirës për gratë është në fakt pasqyrë kuptimplotë e vet progresit që ka bërë Shqipëria dhe për këtë ne socialistët dhe socialistet shqiptare i kemi të gjitha arsyet të jemi më krenarë se gjithë të tjerët.
Dhe duke vazhduar me Dora D’istria ajo thoshte: të luftosh dhe të fitosh për gratë do të thotë të luftosh dhe të fitosh edhe për burrat. Dhe natyrisht unë e thashë me fjalë të tjera në fillim, por pa asnjë diskutim që sa më të forta të jenë gratë aq më të fortë janë burrat. Dhe sa më të dobëta të jenë gratë, aq më e dobët është fuqia në dukje e burrave. Por midis dy fuqive ka një dallim shumë të madh, se kur gratë janë të forta, burrat janë të forte, por janë dhe të urtë në kuptimin e marrjes së kohës për të thënë fjalën e fundit.
Kur gratë janë të dobëta, burrat janë të dobët, por shumë agresivë. Dhe besoj që duke zgjeruar hapësirën për gratë, duke fuqizuar gratë, duke i dhënë grave më shumë vend në të gjitha nivelet e përfaqësimit faktikisht ne të gjithë së bashku luftojmë për t’i bërë burrat të vetëdijshëm, për t’i bërë burrat më të arsyeshëm dhe për t’i bërë burrat më të urtë në kuptimin e mençurisë, jo thjeshtë në kuptimin e “lepe-peqe-s”
Dhe thënë të gjitha këto, unë dua t’ju them që në vigjilje të një sfide shumë të madhe që Shqipëria ka, – jo PS. PS ka barrën e saj të pashmangshme në këtë sfidë, – por në 11 maj Shqipëria ka një sfidë, ka sfidën për të mos humbur asnjë minutë në një proces ku rrethanat tona të brendshme dhe rrethanat e brendshme të Europës janë bërë një dhe për herë të parë në historinë tonë mundësia për t’u bërë pjesë e familjes europiane është reale dhe është e gjitha në duart tona, në duart e shqiptarëve.
Dhe në këtë sfidë të Shqipërisë ku ne po përgatitemi në fushën e betejës elektorale, unë dua t’ju them se ndryshe nga të tjerët që kanë grumbulluar të gjitha rraqet mashkullore të Shqipërisë, në emër të një madhështie që Zoti e di, se gjëja më madhështore që unë shoh në atë anë janë mustaqet e Kujtim Gjuzit. Po e vetmja gjë madhështore. Shikoni mustaqet e Kujtim Gjuzit dhe aty e keni kartëvizitën e madhështisë së asaj bauleje me rraqe.
Ne do të kemi një qasje krejt tjetër. Ne burrat, ata që kanë marrë nga PS mandate do t’i hedhim në fushë që të meritojnë mandate. Ndërsa gratë do t’i ndajmë në dy pjesë. Gratë që do të jenë nikoqiret e gjithë këtij procesi të 4 viteve të ardhshme dhe që do ta marrin përfaqësimin e PS me mbështetjen e të gjithëve ne në pjesën e mbyllur të listave dhe pastaj vajzat që do të jenë pjesë dhe e listave të hapura. Ndërkohë që, në listat e mbyllura ne do të kemi djem, do të kemi vajza, do të kemi gra që janë forca e së resë, janë forca e gruas, janë forca e një Shqipërie që shikon përtej 2030-ës.
Ndërkohë që, në gjithë pjesën tjetër të skuadrës do përfshijmë të gjithë energjinë, eksperiencat dhe patjetër edhe të gjithë burrat luftëtarë do të jenë aty për të shkuar e për të fituar në territor vota për PSSH.
Sot është 8 Marsi, dje ishte 7 Marsi.
Dhe ju e dëgjuat që në ditën e mësuesit, në ditën e mësueseve jehoi një thirrje për të gjithë fëmijët e Shqipërisë për të mos shkuar në shkollë. Të gjithë fëmijët u ftuan nga Kujtim Gjuzi që të mos shkojnë në shkollë dhe prindërit u ftuan që të mos i lënë fëmijët të shkojnë në shkollë ditën e hënë dhe të shfaqin të gjithë madhështinë e marrëzisë për të protestuar pse do mbyllet tik-tok.
Kjo është një mënyrë që nuk ka nevojë për asnjë koment, nuk ka nevojë për asnjë argumentim, nuk ka nevojë për asnjë fjalë më tepër, por që në vetvete iu thotë në radhë të parë të gjitha nënave pavarësisht socialiste, demokrate, me parti, pa parti, janë në Shqipëri, janë në Greqi, janë në Itali, janë në Australi që nga çfarë duhet të ruhen në 11 maj dhe çfarë duhet të kenë parasysh në 11 maj, sepse ne 11 maj kush voton duhet të ketë parasysh që ka në dorë të bëjë dy gjëra ose t’i japë mbështetje Shqipërisë për të vazhduar pa humbur asnjë ditë negociatat për anëtarësim me Bashkimin Europian në një kalendar super ambicioz që mbyllet në 2027 i dakordësuar bashkë me ta, ku 1000 veta, shumica gra meqë ra fjala dhe procesin e anëtarësimit tonë për negociata e drejtojnë dy vajza Majlinda me Adean që doli këtu, pra 1 mijë veta që janë ulur atje dhe nuk duhet të humbin asnjë minutë me luhatje ose votën ta përdorin për ta hedhur në kënetë. Kjo është shumë e qartë, nuk ka më të qartë se kaq.
Dhe një gjë tjetër. Lajthitja e madhe e thirrjes për të mos shkuar në mësim fëmijët dhe prindërit për t’i mbajtur fëmijët në shtëpi e mos të shkojnë në mësim, sepse do të mbyllet Tik-Toku tregon në fakt se sa rreziqe të tjera mund të presim nga një mendje e ikur për terital. Kështu që, unë besoj shumë në radhë të parë tek qetësia dhe mençuria e grave. Nuk është e rastit dhe unë jam shumë krenar për këtë, nuk është e rastit që Partinë Socialiste e votojnë më shumë gra, sesa burrat. Nëse do të votonin vetëm gratë në Shqipëri ne do të merrnim 90 deputetë dhe këto janë shifrat. Dhe të them të drejtën nëse unë duhet të zgjedh midis votës së një gruaje dhe një burri, do thoni ju po vota, unë them votën e gruas, sepse është më shumë sesa një votë, është më shumë sesa një votë, është një vendim.
Gratë në shumicën dërrmuese, nënat nuk janë tifoze, burrat janë tifozë, janë skandalozë. Gratë nuk janë tifoze, janë nëna, janë motra, janë bija që kanë të lindur brenda vetes, kujdesin për atë që vjen nesër. Keni parë ju gra që shkojnë të luajnë bixhoz, keni parë gra ju që të hedhin zara në bingo, keni parë gra ju që të futen online dhe vajza që futen online dhe luajnë lojëra fati, si shpjegohet kjo. Si ka mundësi që gratë nuk i besojnë fatit në letra dhe në zara, sepse gratë e ndërtojnë fatin.
Kështu që, unë do ta përsëris sot dhe gjatë gjithë rrugëtimit drejt 11 majit thirrjen time për të gjitha gratë që kanë burrat demokrat. Burrat mbajini në shtëpi në 11 maj, jo fëmijët për të shkuar në shkollë. Se me tifozllëkun e tyre ata janë në gjendje të marrin në qafë mirë veten, se po morën në qafë veten nuk na bëjnë ne na i dëm të madh, po marrin në qafë edhe fëmijët, marrin qafë edhe familjen dhe patjetër do merrni në qafë edhe vendin. Po vendit nuk kanë ca i bëjnë sepse shumica dërrmuese më e madhe se asnjëherë tjetër do të votojë për të çuar Shqipërinë në Bashkimin Europian.
Tani nuk ka këtu vend më të mirë për të shpjeguar me dy fjalë se sa e rëndësishme është që ne të hyjmë në Bashkimin Europian dhe të hyjmë tani që na është krijuar kjo mundësi.
Sepse hyrja në Bashkimin Europian nuk varet vetëm nga ne dhe ju e keni parë e keni ndjekur. Ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë edhe më përpara, po dilte njëri e dilte tjetri e na pengonin, jo po kjo, jo po ajo. Sot janë përputhur gjërat dhe sa duam ne të hyjmë aq duan edhe ata që të na fusin brenda. Por kjo nuk mund, nuk është e thënë që do të jetë aty përgjithmonë. Kjo është koha që ne ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe duke hyrë në Bashkimin Europian në radhe të parë të gjitha ju, të gjitha nënat e këtij vendi do të garantojnë për djemtë e tyre, për vajzat e tyre, diçka që garantohet vetëm duke u bërë pjesë e Bashkimit Europian, që liritë individuale në këtë vend nuk do t’i cenojë dot më askush dhe nuk do të ketë më asnjë lloj bufi kënetë që mund të rizgjohet e mund të ringjallet që të preki liritë individuale të djemve dhe vajzave të këtij vendi.
Kur ne të hyjmë në Bashkimin Europian nuk do të ketë më aq rëndësi se kush qeveris këtu, por sa kohë ne nuk kemi hyrë akoma atje, se kush qeveris këtu është themelore.
E dyta, ne sot jemi në një situatë ku në Shqipëri po ndodh diçka që nuk ka ndodhur kurrë më përpara dhe për këtë arsye krijohet edhe një zhurmë shumë e madhe dhe ndërkohë këneta shpërthen, këneta politike, këneta mediatike shpërthen çdo natë sa herë që lufta kundër korrupsionit drejtohet ndaj dikujt që është i lidhur me pushtetin politik të Partisë Socialiste. Por ama, duhet vetëm shumë pak distancë, duhet vetëm shumë pak qetësi, duhet vetëm shumë pak arsyetim për të kuptuar që e gjithë kjo që po ndodh është vepër e Partisë Socialiste. Nuk ka ndodhur ndonjëherë më përpara që nga 1912 që cilido qoftë i lidhur me pushtetin politik të shkojë përpara një prokurori të pavarur dhe përpara një gjykatësi të pavarura të hetohet dhe deri të dënohet. Pse po ndodh sot kjo? Sepse Partia Socialiste, ne të gjithë së bashku me vendosmëri bëmë një reformë në drejtësi që nuk e ka bërë ende asnjë vend në rajonin tonë.
Kur ne morëm detyrën ishim të fundit fare në trenin anëtarësimit të Bashkimit Europian dhe na thoshin – “Janë pararojë ata, janë pararojë këta” ku janë tani ata të pararojës, jemi ne lokomotiva tani në të gjithë rajonin dhe jemi në më afër të gjithëve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Dhe një nga gjërat që ne bëmë ishte pikërisht kjo. Vendosëm të dorëzojmë te drejtësia shpatën e ndëshkimit që gjithmonë e kishte mbajtur qeveria.
Kush ka hyrë përpara në procese hetimi dhe në procese ndëshkimore që nga 1912 ka hyrë më urdhër nga lart. Janë burgosur në Shqipëri, janë pushkatuar, janë varur ministra po ka ndodhur sepse ka ardhur urdhrin nga lart. Sot nuk ndodh lufta kundër pandëshkueshmerisë historike me urdhër nga lart, sot ndodh sepse ne shpatën e ndëshkimit ia dorëzuam drejtësisë. Që do të thotë duke hyrë në Bashkimin Europian, kjo është e dyta gjë që garantohet njëherë e përgjithmonë dhe nuk varet se del një buf kënete dhe thotë “do shkri SPAKU-n”, apo se del një specie tjetër dhe përbetohet se “do të shkri drejtuesin e SPAK-ut”, apo se dalin të gjitha speciet bashkë dhe premtojnë se me votën që do të marrin do ta kthejnë mbrapsht reformën në drejtësi, domethënë do kthejnë mbrapsht Shqipërinë. Nuk ndodh më kur të jemi në Bashkimin Europian. Nuk varet më fati i askujt këtu në këtë vend dhe fati i vendit, nga ç’i teket njërit, e ç’i teket tjetrit që synojnë kreun e vendit, kjo është e dyta.
E treta, pse duhet ne të hyjmë tani në Bashkimin Europian. Është që standardet e bashkëjetesën në të gjitha nivelet janë të garantuara, nuk loz dot kush me to dhe nga ana tjetër, kini parasysh se ju jeni ato që e mbani shtëpinë, nuk e mbajnë burrat shtëpinë. Burrat japin kontributin e tyre, patjetër, se tani largqoftë tani, juve burrat ju duhet se nuk po thotë njeri që .. por juve mbani ekuilibrin, juve i dini llogaritë. Kur hyjmë në BE, ne jemi vend përfitues. BE është një familje e madhe që ka dy kategori, kategorinë e kontribuesve që janë më të mëdhenjtë, më të pasurit, më të fuqishmit që japin nga xhepi i tyre për BE dhe kategorinë e përfituesve, që janë më të vegjëlit, më pak të zhvilluarit, ata që kanë më shumë nevojë si puna jonë, që marin nga këto kontribute.
Pra, momenti që ne hyjmë në BE, përveç buxhetit nga të ardhurat, nga taksat dhe nga ato pak ndihma, ne do kemi një buxhet tjetër që do të jetë buxheti i vendit përfitues dhe këtë do ta keni sapo të bëhemi anëtarë të BE, prandaj na duhet tani
Tani parafytyroni që të gjitha këto t’i vësh në diskutim për mustaqet e Kujtim Gjuzit. E kuptoni tani se ça është kjo? Se nuk po numëroj të tjerët, se thashë, Kujtim Gjuzi është fytyra më domethënëse dhe mustaqet e tij janë e vetmja gjë madhështore në atë ‘’shportë karavidhesh’’,mbeturinash të historisë dhe produktesh të një kënete që nuk i është ndarë Shqipërisë që nga 1912.
E fundit që kam është fjala e një gruaje shumë të madhe që thoshte: “nëse do të bësh muhabet, bëje me burra; nëse do të mbarosh punë, shko me gra’’. Dhe ajo ishte nje grua e madhe dhe i vuri të gjithë burrat në rresht me thënë të drejtën, Margaret Thatcher, nuk mori asnjë grua ajo në qeveri, po se në fakt kur je këtu dhe ju sheh juve të gjithave, kur juve s’keni ndonjë burrë që t’ju bashkojë, pastaj filloni ndaheni, por ajo që ka rëndësi përtej shakasë, është që unë kam shumë besim dhe pres shumë nga ju që në 11 maj ne të arrijmë fitoren e 10-të rradhazi, por jo thjeshtë fitoren e 10 se ajo nuk diskutohet, por fitoren e 10 me notën 10 dhe jini krenare, jini krenare për çfarë kemi bërë dhe kini besim për çfarë duhet të bëjmë akoma. Jini krenare për sa shumë kemi arritur. Kemi pasur një Prodhim të Përgjithshëm Kombëtar më pak se 10 miliardë euro, sot e kemi 25 miliardë euro, dy herë e gjysmë më shumë.
Kemi pasur të ardhura për frymë më pak se 4 mijë euro, sot i kemi mbi 10 mijë euro.
Nuk janë mjaft akoma, por janë shumë më shumë se ç’ishin dhe do t’i bëjmë më shumë akoma.
Dhe sot, e kemi një pagë mesatare në sektorin publik që s’mund ta imagjinonte kush se do të ishte paga mesatare e vitit 2024,mbi 900 euro. Do ta bëjmë edhe më shumë.
Ne duam që në Shqipërinë 2030, paga mesatare të jetë një pagë ku e ku mbi 1000 euro dhe do ta arrijmë këtë gjë edhe në sektorin publik, edhe në sektorin privat.
Dhe jeni krenare edhe për atë që po ndodh në luftën kundër korrupsionit e mos i dëgjoni fare ato që thonë ‘’jo, po ja u morën të gjithë; jo po u kapën të gjithë’’. Ne jemi pa emigrantët, jemi afro 800 mijë, bashkë me emigrantët ne do t’i afrohemi 1 milionëve.
Kështu që, njësoj si ju, që kujdeseni për pastrimin e shtëpisë, edhe ne në mënyrë të vazhdueshme do ta pastrojmë shtëpinë tonë; në mënyrë të vazhdueshme do ta bëjmë shtëpinë tonë vendin ku çdokush të ketë atë që meriton dhe kushdo që do ‘’të hajë’’ të tjerët pas shpine, të mund të largohet nga shtëpia dhe të shkojë aty ku e meriton. Kjo ëshë rruga jonë, nuk kemi asnjë rrugë tjetër. Nuk kemi asnjë rrugë tjetër!
Krenare për Partinë Socialiste, krenare për Shqipërinë dhe krenarë për ju, për të gjitha ju, për të gjitha gratë shqiptare, për të gjitha nënat shqiptare, për të gjitha vajzat shqiptare,nuk ka rëndësi socialiste apo demokrate, ju uroj të gjithave gëzuar 8 Marsin!
Gëzuar 8 Marsin dhe të luftojmë të gjithë së bashku që gratë të bëhen më të frorta, që burrat të bëhen më të mençur.
Faleminderit!