Gjeneral Major Abbas Ibrahim nderohet me Yllin e Madh të Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohje Publike

Fjala e kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e nderimit të Gjeneral Major Abbas Ibrahim me Yllin e Madh të Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohje Publike:

Përshëndetje të gjithëve!

Sot jemi këtu për të nderuar një mik në ditë të vështira, i cili me shumë përkushtim na ka ndihmuar në mënyrë të pakursyer për të shpëtuar fëmijë dhe gra fatkeqe nga kthetrat e ferrit në kampet e luftës në Siri.

Siç thoshte poetja amerikane, Maya Angelou “Hero është ai që ka si qëllim ta bëjë botën një vend më të mirë për të gjithë” dhe nuk ka përshkrim më të saktë për gjeneralin Abbas Ibrahim, i cili është sot këtu me ne dhe unë dua ta falënderoj për ardhjen e tij, – sesa fjalët e poetes.

Në operacionet e zhvilluara në tre vitet e fundit, ku plot fëmijë dhe gra janë nxjerrë nga ferri i Al-Haoul, por jo vetëm, gjeneral Abbas Ibrahim ka qenë pika jonë e referimit, ka qenë krahu ynë i zgjatur drejt atyre fëmijëve dhe grave, ka qenë shqiptari më i mirë, i papërtuar, i pakursyer dhe pa asnjë interes tjetër përveç interesit human për të nxjerrë nga ferri njerëz fatkeqë.

Besoj që i kujtohet të gjithëve operacioni i jashtëzakonshëm për shpëtimin e Alvinit, djali që u bë simbol i solidaritetit dhe i thirrjeve të mijërave e dhjetëra mijëra qytetarëve këtu në Shqipëri për ta shpëtuar. E pra, ai operacion u kurorëzua me sukses falë gjeneral Abbas Ibrahim, të cilin e kemi sot këtu për ta nderuar me mirënjohjen tonë. Po ashtu, shpëtimi i 5 fëmijëve të tjerë më pas dhe më pas edhe i 14 fëmijëve të tjerë dhe 5 nënave. Sot e gjithë ditën përpjekja që vazhdon për të nxjerrë edhe pengun e fundit nga ai ferr lidhen me emrin e gjeneralit Abbas Ibrahim.

Operacione njëri më i vështirë se tjetri, me problematika jashtëzakonisht komplekse që shfaqen në terren nga grupe të rrezikshme që qarkullojnë në ato territore dhe deri edhe me komplikacionet jo të vogla të pandemisë.

E pra, sot, sidoqoftë, përtej këtyre vështirësive, Alvin Berisha, Amari, Emeli dhe Hatixhe Rasha, Endrit Dumani e shumë fëmijë të tjerë marrin frymë lirisht në atdheun e tyre, bëjnë një jetë të sigurtë dhe të shëndetshme pranë familjarëve të tyre, falë dikujt që u bë për ta një prind i panjohur në distancë, por që më shumë sesa një prind, që për fat të keq në rastet e tyre, ishte shkaktari i çuarjes në atë ferr, nuk u  dorëzua deri në fund, deri kur personalisht i përcolli në derën e avionit.

Gjenerali i mishëron të gjithë bujarinë, mirësjelljen dhe kulturën e vendit të tij, dhe përmes punës së tij të përditshme, ndan jo vetëm me bashkësinë atje në Liban, por me të gjithë një mesazh të fortë humanizmi, lirie dhe të drejtash të çdo njeriu, pa dallim feje, pa dallim krahine, pa dallim vendi e pa dallim ideje.

Operacionet e zhvilluara me sukses me mbështetjen e pakursyer të Gjeneralit e kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë të gjithë opinionin tonë publik, të gjithë popullin tonë të kuptojë sesa e verbër është rruga, që për fat të keq ndoqën baballarë të qorruar nga ekstremizmi, që morën në qafë familjen dhe fëmijët e tyre.

Sot më shumë se kurrë njerëzit e kanë shumë të qartë absurditetin, pakuptueshmërinë dhe realisht, aspektin çnjerëzor të futjes në rrugën e ekstremizmit.

Sot, bazuar në të dhënat mbi të cilat ne punojmë, sepse e dimë shumë mirë që të dhënat janë relative, ne kemi nxjerrë prej andej më shumë se gjysmën e personave. Vazhdon përpjekja ashtu sikundër janë rritur dhe vështirësitë pasi situata në kampe është shumë e paqëndrueshme dhe nuk bëhet fjalë për të negociuar me një autoritet të vetëm, por bëhet fjalë për të ndërvepruar me shumë koka, dhe nga shumë faktorë, njëri më misterioz dhe më i rrezikshëm se tjetri.

Unë dua ta falënderoj sot me gjithë zemër Gjeneralin për kurajën që na ka dhënë në marrjen e zotimit për të shpëtuar gjithë ato fëmijë dhe për sigurinë që na kanë dhënë se mund ta mbajmë zotimin. Jo vetëm kaq, por dua ta falënderoj sepse ai ka krijuar kushte optimale për sigurinë fizike të personelit shqiptar të angazhuar qoftë në Liban dhe qoftë me penetrimet brenda territorit të Sirisë. Po ashtu, në ofrimin e të gjitha burimeve logjistike për të asistuar operacionin dhe patjetër, me kapacitetin e tij ndikues mbi aktorët e tjerë politikë, me ndonjë prej të cilëve ne nuk kemi asnjë komunikim dhe asnjë mundësi komunikimi.

Patjetër që e gjitha kjo ka sjellë që dhe marrëdhëniet tona me Libanin të marrin një përmasë miqësore të rëndësishme.

Ne kemi hapur Konsullatën e Përgjithshme të Shqipërisë në Bejrut, e cila është përsëri kontribut që vjen pa asnjë ngarkesë të asnjë natyre për shtetin shqiptar por nga Konsulli ynë i Nderit, zoti Marc Goraeb, i cili ka meritën e jashtëzakonshme pasi ka qenë ai që na ka prezantuar gjeneralin Abbas Ibrahim dhe kështu është krijuar ky zinxhir miqësie, ky zinxhir solidariteti, ky zinxhir bashkëpunimi mes njerëzish që i bashkon në fakt një qëllim që shkon përtej politikës, që shkon përtej kufijve, përtej gjeografisë dhe që është qëllimi i të bërit të botës një vend më të mirë, me atë kredon e Profetit Muhamed, i cili thotë “Kush shpëton një njeri, ka shpëtuar gjithë njerëzimin”.

Gjej rastin të falënderoj dhe Konsullin me shumë respekt dhe me shumë miqësi dhe duke qenë se sa herë jemi takuar me gjeneralin në tokën e tij, i jam lutur që të vijë në Shqipëri për t’ia shprehur mirënjohjen në emër të të gjithë popullit shqiptar dhe në sytë e gjithë popullit shqiptar, ndjehem shumë i nderuar dhe ndjehemi të gjithë të nderuar që ta quajmë mikun tonë këtu në shtëpinë tonë.

Siç thoshte poeti i njohur libanez Kahlil Gibran  “Një mik që është larg ndonjëherë gjendet më afër se miku që ke pranë”. Ky është rasti tipik i fjalëve të poetit të madh.

Gjeneral, fjalët për ju sigurisht që nuk mjaftojnë asnjëherë për të shpërblyer veprën tuaj dhe sado unë të zgjatem, përsëri ato do jenë të pamjaftueshme, ashtu sikundër edhe Medalja e Mirënjohjes publike, çka shpreh edhe formalisht mirënjohjen më të lartë, përsëri mbetet simbolike, por nuk e thotë dot ashtu siç e thotë vepra juaj rëndësinë e saj.

Ju i keni garantuar një të ardhme më të mirë shumë fëmijëve dhe ju i keni dhënë mundësinë që të rriten në vatrën e tyre familjare dhe unë dua t’iu garantoj sot që Shqipëria është shtëpia juaj dhe vatra jonë është dhe e juaja.

Me shumë respekt do iu ftoja për t’iu dorëzuar Medaljen e Mirënjohjes publike.