Hap dyert e shërbimit Spitali i ri Pediatrik në QSUT

Spitali Pediatrik në QSUT hap dyert e përkujdesit shëndetësor për fëmijët nga e gjithë Shqipëria. Mbi 129 mijë fëmijë në vit pritet të marrin shërbim shëndetësor në ambientet e reja, në përputhje të çdo standardi europian, në Pediatrinë e re e cila është konceptuar si një ambient miqësor për fëmijët.

Kjo godinë e re spitalore akomodon tre shërbime thelbësore pediatrike ku përfshihen shërbimi i urgjencës pediatrike me kapacitet maksimal 30 shtretër, shërbimi i reanimacionit me kapacitetet deri ne 28 postacione, si dhe shërbimi i kirurgjisë për fëmijët, me katër salla operatore dhe 10 shtretër para dhe post-operator.

Ambientet e reja të Pediatrisë sigurojnë kushte optimale jo vetëm për fëmijët që kanë nevojë për mjekim por dhe kushte pune optimale për stafin mjekësor.

Për të parë nga afër ambientet e reja të Pediatrisë në QSUT ishte edhe Kryeministri Rama.

 

***

 

Përshëndetje!

Më kujtohet apo mu kujtua disa vite më parë kur ishim në bashkinë e Tiranës, bëmë një testim me studentët më të mirë të disa fakulteteve që në njëfarë mënyre lidheshin me aktivitetin e bashkisë së Tiranës, për të kuptuar se cilat ishin pengesat, sipas tyre, që të punonin në bashki apo përgjithësisht në sektorin publik.

Në atë kohë, studentët e atyre fakulteteve, ata që ishin më të mirët, sigurisht që ishin shumë të kërkuar nga sektori privat dhe shumë të tërhequr nga sektori privat. Testimi pati një surprizë goxha domethënëse, që pastaj përgjatë gjithë kohës më tutje më ka udhëhequr mua në njëfarë mënyrë, në të kuptuarit e procesit të transformimit edhe të kapitalit njerëzor brenda për brenda strukturave të sektorit publik.

Për surprizën tonë, dy pengesat e para të shprehura nga studentët në atë testim, nuk përfshinin pagën e ulët, e cila në atë kohë ishte shumë më e ulët sesa sot por përfshinin dy çështje krejt të tjera.

Së pari mungesën e kushteve për të punuar në sektorin publik dhe për të dhënë maksimumin profesional, duke u ndjerë në një hapësirë me kushte të favorshme. Pra, e thënë shkurt, kushtet e mira fizike të strukturave publike dhe e dyta, mungesa e plotë  besimit tek mundësia e vlerësimit sipas meritës.

Faktikisht më erdhi ndërmend kjo gjë sot, teksa po dëgjoja ministren që po fliste, duke patur parasysh edhe gjithë përpjekjen e bërë dhe gjithë hapat e hedhur në përmirësimin e kushteve në këtë qendër kaq të rëndësishme për shëndetësinë në vendin tonë, por dhe në sistemin shëndetësor në tërësi.

Sigurisht që plotësimi i kushteve, për tu dhënë mjekëve dhe infermierëve mundësinë që të ndjehen në një hapësirë optimale për të ushtruar profesionin e tyre, është një motiv i fortë për të shërbyer me përkushtim. Rëndomë ata që duan me patjetër të thonë diçka edhe kur nuk ka gjë për të thënë, përsërisin se, “nuk janë godinat, nuk janë fasadat që bëjnë ndryshimin, por janë njerëzit”. Sigurisht që njerëzit janë kyç për të bërë ndryshimin, por është e pamundur të imagjinosh njerëzit që të japin më të mirën e tyre nëse kushtet në të cilat ata punojnë janë të pafavorshme dhe sado që njerëzit të sakrifikojnë, siç ka ndodhur në gjithë historinë e shërbimit tonë shëndetësor, ku sakrifica e mjekëve kryesorë ka qenë baza e mbijetesës së sistemit, është e pamundur të pretendosh që të japësh maksimumin.

Nga ana tjetër, unë besoj fort se pikërisht kushtet fizike të çfarëdo infrastrukture të të jetuarit, kanë një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në performancën e atyre që veprojnë brenda këtyre hapësirave, por dhe në marrëdhënien mes vetë njerëzve e në këtë rast, edhe në marrëdhënien mes pacientëve, mjekëve, familjarëve, personelit shëndetësor, që natyrisht është një marrëdhënie që ju jeni dëshmitarë, ka qenë tejet e acaruar në të shkuarën dhe sipas këndvështrimit tim modest, përveç të tjerave, ishin kushtet e punës që e bënin atë marrëdhënie posaçërisht të acaruar. Kushtet në të cilat personeli mjekësor dhe gjithë pjesa tjetër e atyre që shërbeheshin prej tij, e familjarëve dhe pacientëve, ndërvepronin, takoheshin dhe komunikonin. Ishte e paimagjinueshme ajo që ndodhte këtu dhe sot jemi absolutisht në një fazë tjetër por me patjetër, sot na duhet të shkojmë përtej godinave, përtej kushteve fizike, jo vetëm me fuqizimin e mbështetjes për personelin, por edhe me krijimin e një hapësire të re ndërveprimi mes personelit të spitaleve dhe vetë shtetit.

E kemi thënë më shumë se një herë dhe tani jemi në fazën kur po hyjmë në një proces zbatimi të pjesës më të rëndësishme dhe më kritike të reformës dhe transformimit të sistemit shëndetësor, që është autonomia spitalore, për t’i dhënë mundësi trupave mjekësore dhe gjithë personelit që shërben që të vlerësohen sipas meritës dhe meritën ta vënë në pah si rezultat i funksionimit ndryshe të sistemit. Që do të thotë që kush punon më shumë, kush shërben më shumë, jo në baza subjektive por mbi baza objektive, kush kryen më shumë ndërhyrje, kush kryen më shumë vizita e të tjera sipas gjithë setit të kritereve të performancës në një sistem shëndetësor me autonomi, sigurisht paguhet më shumë.

I gjithë procesi i administrimit të të ardhurave që janë në dispozicion të spitaleve të kalojë nëpërmjet pikërisht kësaj strukture të re të funksionimit, që ju jep trupave shëndetësore pushtet vendimmarrës për shumëçka përtej pagës së tyre, për furnizimet, për mënyrën sesi organizohet brenda për brenda të gjitha ndërveprimet dhe patjetër edhe për investimet, gjë që bën që trupa dhe kapitali njerëzor në vetvete të kthehet nga një trupë e cila pret me gojën hapur nga lart, nga qeveria, nga ministria, në një trupë e cila udhëheq procesin dhe e kthen ministrinë dhe qeverinë në një mbështetëse dhe garante të këtij sistemi.

Është shumë e rëndësishme që ne tu japim mjekëve dhe infermierëve mundësinë që të paguhen më shumë jo vetëm duke rritur ne nga ana jonë pagën bazë, por edhe duke i dhënë sistemit mundësinë që të bëjë diferencime. Kjo do të thotë, që të jemi të qartë për të mos krijuar asnjë keqkuptim, që paga bazë nuk bie më poshtë, ndërkohë që më lart ngjiten ata të cilët i japin më shumë sistemit për shkak të aftësisë së tyre dhe këtë e bën automatikisht edhe vlerësimi i vetë opinionit që krijohet nga puna, tek pacientët, tek familjarët dhe në tërësi. Kështu, është një sistem i tërë pikëzimi, sipas performancës, që sjell te mjeku të ardhura më të larta në raport me kolegun tjetër i cili vazhdon paguhet me pagën bazë, por mbase për shkak se ka një performancë mesatare, nuk merr dot atë që merr në fund të muajit kolegu në krah.

Kjo do të sjellë patjetër racionalizimin e burimeve financiare sepse në momentin kur janë mjekët e kësaj strukture së bashku me shefat, drejtuesit që përcaktojnë nevojat se çfarë barnash ka nevojë kjo strukturë, çfarë sasish, në lidhje me çfarë protokollesh, atëherë edhe shpenzimet shkojnë drejt një racionalizimi maksimal. Është bërë një racionalizim shumë i konsiderueshëm, po të kemi parasysh që jo shumë vite më parë ne kishim stoqe ilaçesh që nuk përdoreshin deri në skadim dhe kishim mangësi dramatike ilaçesh që ishin të nevojshme dhe e gjithë kjo lidhej me porosira që bëheshin në mënyrë klienteliste sipas distributorëve që kishin lidhje me Ministrinë e Shëndetësisë dhe për mik, për parti, për ryshfet apo për çfarëdo qoftë, balanca e furnizimit ishte komplet jashtë kontrollit dhe kështu edhe ato para që i jepeshin shëndetësisë për të garantuar furnizimin me ilaçe, faktikisht shpenzoheshin me efiçencë shumë të ulët.

Për të mos e zgjatur, se ministrja ishte shteruese në ato që tha, puna këtu vazhdon, mua më vjen mirë që sipas parashikimeve tona, tani u mësuam që çdo parashikim ta bëjmë rezervë sepse të vjen brenda papritur e pa kujtuar në ekuacion një tërmet, largqoftë, a të vjen një pandemi, a të vjen një përmbytje apo dreqi vetë, por sipas parashikimeve le të themi realiste, brenda këtij mandate ne përmbyllim çdo pjesë të QSUT-së që ka nevojë të hyjë në këtë standard dhe QSUT-ja kthehet në kompleksin më të madh dhe më modern spitalor të rajonit, jo të Shqipërisë!

Dikush këtu nga profesorët e nderuar përpara se të vinim poshtë, kur po shikonim sallat tha: “këtë strukturë nuk e kemi parë kështu as jashtë shtetit kur kemi shkuar”. Dhe ka një arsye. Kjo është mundësia që të jep të qënit më mbrapa, se jashtë shtetit, ata i kanë bërë me kohë dhe sigurisht që, përveç rasteve kur i bëjnë të reja nga e para, në të gjitha rastet e tjera janë të kufizuar nga çfarë kanë prej kohësh dhe kur gjërat bëhen nga e para në këto kushte, mund ta bësh edhe më mirë se sa është jashtë shtetit, flasim për strukturat që janë atje prej kohësh. Dhe kështu po bëhet çdo ndërhyrje këtu, ju jeni vetë dëshmitarë. Nuk ka krahasim kjo tani me Pediatrinë që ishte. Me plotësimin e fazës tjetër, gjithë spitali i fëmijëve, besoj brenda një kohe të arsyeshme do të jetë në këtë standard dhe po kështu me gjithë ndërhyrjet e tjera me Infektivin, me Kardiokirurgjinë dhe me Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme që po shkon drejt përfundimit dhe Djegiet Plastike e të tjera e të tjera, kompleksi do të jetë perfekt.

Sigurisht që sfida është që paralelisht me perfeksionin në infrastrukturë, jo të arrijmë perfeksionin, por të përmirësojmë pikërisht kapacitetet e shërbimit, të rrisim transparencën, të rrisim maksimalisht vlerën e meritës, tu japim atyre që janë lidera në shërbim për shkak të aftësive të tyre profesionale mundësinë që të paguhen në mënyrë optimale dhe patjetër paralelisht të rrisim dhe bazën.

Këtë vit do të bëjmë një tjetër rritje të pagave dhe çdo vit do të bëjmë rritje page. Ambicia është që të shkojmë në 40+ brenda mandatit, gjithmonë duke u lutur që ato të tepërtat që na i sjell koha në formën e fatkeqësive natyrore, mundësisht të na i kursejë kush i vendos këto gjëra dhe që nuk e njohim. Prezumojmë se mase dhe na dëgjon, në mënyrë që në këto katër vite të kemi, t’i bëjmë ato që kemi planifikuar.

Është fantastike koincidenca që ky vit të cilin ne duam t’jua kushtojmë fëmijëve në mënyrë horizontale në të gjithë sektorët, hapet pikërisht me këtë spital, që është spitali i fëmijëve edhe shpresoj që të jetë një simbolikë ogurmirë e në ndërkohë më vjen shumë mirë që arritëm edhe këtë ditë që të mendojmë pak më shumë sesa një herë, të mendojmë dhe dy dhe tre herë edhe për aspektin estetik duke patur jo më ato micky mouse-t që duket sikur kanë dalë nga makthet e  fëmijëve të shtrembëruar nga duart e amatorëve që gjenden aty pranë për të shkarravitur muret, por realisht një punë të mirë menduar në këtë aspekt, në aspektin e dekorit dhe një program i ri i qeverisë është dhe ky që të stimulojmë më shumë praninë e artit urban, artit dekorativ në hapësirën publike dhe në hapësirën e institucioneve. Kështu që edhe në këtë aspekt, QSUT-ja do të ndryshojë sepse ka hapësira publike shumë të favorshme që të bëhen një mjedis ku realisht të ndihesh vërtet mirë, ku të sjell halli natyrisht, po ku drita, atmosfera, kushtet, shërbimi ta lehtësojnë atë pjesë të hallit që mund të lehtësojë pa ndërhyrjen e bisturisë.

Shumë faleminderit! Me shumë respekt të gjithave ju dhe të gjithëve. Të gjithë këtu janë në pakicë. Kjo është shenjë e mirë që tregon që gjërat të shkojnë më mirë përderisa të gjitha janë me shumicë!

Faleminderit!