Kamëz, puna në kantieret e shkollave, kopshteve dhe çerdheve vijon

Puna në kantieret e shkollave, kopshteve dhe çerdheve vijon pa pushim, për t’i ringritur nga goditja që pësuan nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019. Kryeministri Edi Rama ishte sot në Kamzë, i shoqëruar nga Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, në sajtet ku po ndërtohen objektet e reja arsimore më të mëdha e më të forta se ato para tërmetit.

Shkolla “Kamza e Re” po bëhet gati për të pritur 1000 nxënësit e saj në shtator. “2900 metra katrorë është objekti. Palestra është shtesë, pasi nuk ka pasur palestër para tërmetit. Gjithsej janë 26 klasa. Në total, vetëm Bashkia e Kamzës përfiton 28 objekte arsimore, ndërtim nga e para dhe rikonstruksion”, – tha kryebashkiaku Suli.

Ministri Ahmetaj informoi se janë 11 kantiere në infrastrukturën arsimore në Kamzë. Pas rindërtimit, nxënësit, tha Ahmetaj, përfitojnë ambiente shtesë dhe terrene  sportive që ju kanë munguar më parë.

Edhe gjimnazi “Ibrahim Rugova” do të jetë gati për 1400 nxënës në fillim të vitit të ri shkollor dhe pas rindërtimit do të ketë 28 klasa, të gjitha të pajisura me mjetet e nevojshme për zhvillimin e procesit mësimor. Kamza është një nga zonat e goditura nga tërmeti, ku përveç institucioneve arsimore po ndërtohen edhe shtëpi individuale dhe komplekse banimi për familjet që humbën banesat e tyre.