Kantieri i tunelit të Skarficës vijon me ritme të shpejta

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot kantierin e ndërtimit të tunelit të Skarficës, nyje lidhëse e rrugës Kardhiq – Delvinë. Tuneli do të shkurtojë drastikisht kohën e udhëtimit nga Tirana në Sarandë. I shoqëruar nga ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, Kryeministri u njoh nga afër me ecurinë e punimeve në këtë tunel 1.3 kilometra të gjatë.

“Sot jemi në 50% të volumit të punimeve. Për shkak edhe të gjeologjisë së mirë që kemi hasur, punimet kanë ecur shumë mirë dhe përfundimi i kontratës është për 12 muaj, por besoj që për sezonin tjetër, Loti i 7 i rrugës Kardhiq – Delvinë, pra, ky tunel, do jetë i gatshëm për t’u aksesuar nga drejtuesit e automjeteve. E gjithë vepra ka 8 lote. Loti i parë, i dytë dhe i tretë janë përfunduar tashmë”, – tha ministrja Balluku.

Kryeministri Rama e vlerësoi këtë vepër dhe rrjetin të rrugëve në jug si tepër të rëndësishme për lidhjen me infrastrukturë sipas standardeve nga Gjirokastra në Korçë. “E rëndësishme është që jemi në fazën e fundit të mbylljes së gjithë rrjetit të projekteve për Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Ersekë, Korçë. Sezonin e ardhshëm do jetë një platformë komplet tjetër turistike dhe nga pikëpamja ekonomike, gjithë kjo lidhje masive do sjellë investime masive në agroturizëm, në blegtori, në bujqësi. Kjo i krijon një perspektivë të sigurt gjithë zonës, pa llogaritur pjesën e brendshme të qyteteve që vazhdojnë të rilindin e të bëhen të askeskueshem për turistët”, – theksoi Kryeministri Rama.

Tuneli i Skarficës është i pajisur edhe me një tunel emergjent të detyrueshëm rreth 670 metra.