Komunikim publik i Kryeministrit mbi ecurinë e Fazës II dhe hapjes graduale

Komunikimi i drejtpërdrejtë përmes rrjeteve sociale i Kryeministrit Edi Rama:
Të dashur miq, përshëndetje!
Duke qenë se jemi në prag të fundjavës dhe me të drejtë, shumëkush ndër ju kërkon të dijë përsëri e përsëri, ndonjëherë, gjëra që janë thënë shpesh, por edhe ç’ka të re, e pashë të arsyeshme ta bëjmë këtë komunikim, ndërkohë që jemi në Facebook dhe Instagram. Duhet të flasim shumë qartë dhe shumë drejtpërdrejtë mbi një moment që është siç e kam thënë qysh në krye të herës jashtëzakonisht delikat, kur po hapemi dhe po i ekspozohemi natyrshëm çdo ditë e më shumë rrezikut të infektimit.
Siç e keni parë nga informacionet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe sot edhe ministrja e Shëndetësisë u detyrua të dalë në konferencën e përditshme të autoriteteve të shëndetësisë që informojnë për situatën e COVID, pikërisht për të lëshuar një mesazh të shkurtër e të qartë, që numrat po lëvizim. Jemi të vetëdijshëm që numrat lëvizin sepse rritet ekspozimi, por lëvizja e numrave, nëse do të vazhdojë të jetë kështu, atëherë do të jetë një problem.
Prandaj, edhe një herë tjetër dua ta përsëris që në këtë situatë, në këtë fazë, secili prej nesh, secili prej jush është vendimtar. Sjellja në raport me rregullat është decizive, sepse në kushtet e hapjes nuk është më një çështje ekskluzive e Policisë së Shtetit, task-forcave, kontrolleve dhe inspektorëve, apo thjeshtë e vetëm e kornizës ligjore, por është më shumë sesa të gjitha këto bashkë, çështje e vetëdijes dhe kontributit qytetar, e sjelljes qytetare në një situatë kur është patriotizëm të mbrosh shëndetin tënd dhe të të tjerëve. Sepse, nëse infektohesh, jo vetëm që dëmton shëndetin tend, por edhe të të tjerëve. Ky është patriotizmi sot, që të mos kuturisesh e të shkelësh rregullat me idenë “s’do më kapë”, “kjo nuk ishte gjë” etj..
E dua ta përsëris sepse vazhdoj të dëgjoj sojin e papërgjegjshëm e të pandërgjegjshëm të atyre që i bien fyellit në po atë vrimë që i kanë rënë qysh në fillim; “ky është një grip i rëndomtë”, “kjo është kot”, “këtu nuk ka asgjë”. Dikush sot shkruante këtu se kjo, tani po bëhet për protestat.
Ju lutem shumë, këto broçkulla t’i lëmë dhe të fokusohemi tek shkenca, t’i referohemi burimeve zyrtare të informacionit dhe nëse duam konfirmim për to t’i referohemi burimeve ndërkombëtare të informacionit, autoriteteve që janë me këtë përgjegjësi dhe të mos merremi me fjalë si “janë hapur të gjithë”, “të gjithë janë duke bërë jetën normale, vetëm Shqipëria është kështu”.
Ne, nga e hëna, përveç transportit publik, aktiviteteve sportive, kulturore dhe argëtuese në mjedise të mbyllura, nuk do kemi asgjë tjetër të mbyllur. Transporti publik është problem i madh në këto kushte dhe me të drejtë shumëkush nga ju që është i shqetësuar për mungesën e transportit publik, duhet të jetë i vetëdijshëm se nuk e hapim dot transportin publik ende. Pra, me përjashtim të transportit publik, bareve e restoranteve në mjedise të mbyllura, palestra, qendra sportive, teatro, kinema dhe klubet e natës, si dhe lokale lodrash për fëmijë të mbyllura, gjithçka tjetër do të jetë e hapur. Që do të thotë se ekspozimi do të jetë shumë i madh, sidomos me baret e restorantet. E kemi shpjeguar shpesh dhe jam munduar ta përshkruaj e ta ilustroj me shembuj nga burime ndërkombëtare informacioni, se pse është kaq e rrezikshme që të ulesh në një bar apo restorant duke mos respektuar rregullat dhe të kesh një aktivitet bar apo restorant e të mos respektosh protokollin. Unë e kuptoj që protokolli është një shtrëngese, e kuptoj që ruajtja e distancave të sigurisë mes tavolinave është një shtrëngesë, patjetër, sepse nuk mund të kesh aq tavolina sa do të doje, apo sa ke pasur, por është një domosdoshmëri. Siç është domosdoshmëri higjiena. Pra, hapemi tërësisht.
Përsëri do të mbetemi besnikë të numrave në përcaktimin e zonave të gjelbra apo të kuqe. Komiteti i Ekspertëve dhe ndërkohë, modeli i përcaktimit të një zone të gjelbër apo të kuqe nuk bazohet thjeshtë tek një numër, por bazohet tek një sërë komponentësh. Nuk është aspak çudi që një zonë e gjelbër të rikthehet e kuqe, nëse numrat kërcejnë, ashti sikundër është normale që një zonë e kuqe të kthehet në një zonë të gjelbër, nëse ruhet ky ekuilibër. Por, ju lutem shumë edhe një herë tjetër, lërini broçkullat për kotësinë e gjithë kësaj, për faktin që gjithë kjo punë e ky mundim i madh ishte i tepër, sepse nuk ndodhi gjë. Nuk ndodhi diçka alarmante, pikërisht sepse ne bëmë këtë sakrificë të madhe të gjithë sëbashku dhe pikërisht sepse morëm e ruajtëm këto masa. Shikojeni, pak hapemi, sepse këto numra që dalin tani, janë numra që janë prodhuar nga ndikimet e 10-12 ditëve të fundit, jo nga ndikimet e 5-6 ditëve të fundit kur ka pasur një hapje më të madhe. Gjë që do ta shohim më vonë. Pra, pak hapemi dhe fillojnë numrat të rriten. Largqoftë pastaj, të fillojë të rritet numri i të shtruarve, që pastaj të rritet numri i të intubuarve dhe të rritet numri i humbjeve të jetëve. Kjo është reale, nuk është një lojë, nuk është një farsë, nuk është një shpikje e mendjeve djallëzore, siç thonë disa gjithollogë që nuk kanë diplomë, ose e kanë diplomën të blerë.
Nga ana tjetër dëshiroj ta bëj të qartë që në kushtet e zonës së kuqe do të vazhdojmë të kemi disa kufizime. Më pyesin pse mbahen fashat orare, pasi virusi nuk del në mëngjes e shkon në shtëpi në darkë. Sigurisht që fshat orare kanë rol në dekurajimin e daljeve të tepërta. E quhen të tepërta daljet që nuk janë të domosdoshme, në kushtet kur je zonë e kuqe e duhet të mbrohesh. Zona e kuqe është një zonë ku vazhdojmë në mbrojtje, por me një hapje relative. Ndërkohë që i gjithë aktiviteti tjetër është i hapur. Nëse nuk kemi fashën orare, atëherë i bie që njësoj si në një zonë të gjelbër, edhe në një zonë të kuqe, baret dhe restorantet të rrinë hapur. Koha është e bukur, një freski e ëmbël dhe stimulojmë gjëra që nuk mund të stimulohen në këtë moment. Shumë e thjeshtë, fashat orare duhen pikërisht për këtë. Ashtu sikundër kufizimi i daljeve në fundjavë është dashur e duhet pikërisht për këtë në zonat e kuqe.
Disa thonë pse hapen bizneset, kur nuk hapen konsumatorët? Jemi në kushtet akoma të rezistencës dhe unë mendoj e besoj që ne do duhet të jemi në kushte rezistence dhe do duhet të kemi një hapje të kombinuar me qëndrime individuale mbrojtëse dhe me fleksibilitet masash edhe për një periudhë. Nuk është më Faza I, por është Faza II dhe quhet e tillë në të gjithë botën dhe në të gjithë botën ka kufizimet e veta.
Sot, Kryeministri i Malit të Zi kishte thirrur një forum online dhe kemi diskutuar edhe për turizmin.
Transporti publik dhe turizmi janë dy dilemat më të mëdha dhe janë dhe dy rreziqet më të mëdha potenciale që kemi. Sigurisht nuk mund ta imagjinojmë të kemi një sezon të mbyllur pa turizëm, por patjetër duhet të jemi shumë të qartë, që nuk do jetë një turizëm si gjithë vitet e tjera. Do duhet të respektojmë disa rregulla të thjeshta dhe do duhet të pranojmë disa kufizime, që në kushte normale si të gjitha kufizimet e asaj kohe janë absurd, por në këtë kohë janë të domosdoshme, përndryshe nuk mundet dot që për hir të 15 ditëve në plazh të mbushim spitalet dhe të biem në një gropë të errët, sapo të kalojë vera. Nuk mundemi që me këmbët tona të shkojmë drejt një rimbylljeje totale. Nëse kjo ndodh pasi ne i kemi bërë gjërat siç duhet, kjo është një çështje tjetër, por nuk mund ta bëjmë me duart tona, me sjelljet tona, me qëndrimet tona absurde nganjëherë. Nuk do doja kurrë që ta përzieja këtë, por është e tmerrshme nga pikëpamja e edukatës qytetare, lëre pastaj nga pikëpamja e sfidës ndaj ligjit, ndaj rregullit, por dhe sfidës ndaj shëndetit të të tjerëve, ajo që ndodhi me kryetarin e Partisë Demokratike në Durrës dhe përsëri mbrëmë, në të ashtuquajturin shesh të mbrojtjes së identitetit kulturor. Është përtej çdo lloj perceptimi që kjo të ndodhë dhe sigurisht që ka një ligj në fuqi dhe sigurisht që  të gjitha gjërat që janë të përcaktuara me ligj, që janë njësoj për të gjithë, do funksionojnë edhe për kryetarin e PD-së, edhe për këdo tjetër që thyen rregullat dhe ligjet.
Këtu nuk është ky problemi. Këtu problemi është çfarë pasojash mund të kemi në këto grumbullime të papërgjegjshme, nga këto sjellje të papërgjegjshme, nga këto kuturisje të papërgjegjshme. Prandaj mos merrni shembullin e kryetarit të PD-së. Mund të jeni në simpati të plotë me qëndrimet e tij lidhur me temat, por në asnjë mënyrë me sjelljen e tij. E papranueshme në çdo aspekt. Nuk e bën një person që ka përgjegjësi publike, sot në botë, atë.
Përsa i përket biznesit në vijim, vazhdojmë të kemi shqetësime për pagat, por janë shqetësime të lidhura me aspekte teknike që nuk janë përgjegjësi e autoriteteve dhe institucioneve. Një pjesë e vogël, por, sidoqoftë, sado e vogël janë njerëz që kanë nevojë për atë pagë, kanë aplikuar dhe kanë shkruar gabim numrin e llogarisë së tyre. Gjë që ndodh, ama procesi i korrigjimit është një proces që kërkon kohën e vet, sepse janë në mes bankat. Ashtu sikundër ka një pjesë që nuk kanë aplikuar fare dhe nuk e dinë nga e presin pagën e luftës, apo bonusin e paketës së zgjeruar dhe vetë tatimet i janë drejtuar përsëri me një e-mail, që u kërkojnë të aplikojnë. Jo vetëm që ne nuk kemi tendencën, – se kam dëgjuar edhe komente, edhe fjalë boshe nga ato të këtyre ventilatorëve mediatikë, që, medemek, ne i hapkemi bizneset për të mos paguar, – por ne po vazhdojmë dhe do vazhdojmë të paguajmë pagat e luftës për të gjithë ata që tani janë në punë. Faktikisht, të gjithë janë në punë. Kategoria e paketës së pare, që ende tani që flasim nuk është në punë, është bare dhe restorante. Ato bare dhe restorante që janë biznes i vogël do të hapen ditën e hënë de o vazhdojnë të marrin pagën e dytë dhe të tretë, pavarësisht se janë të hapura. Po kështu, edhe gjithë të tjerët. Edhe 400 mijë lekëshi, ne akoma kemi proces për të zhvilluar, por tanimë këto janë ndërveprime me njerëz që kanë bërë një gabim, me njerëz që nuk kanë aplikuar siç duhet, me njerëz që kanë probleme me një kompani apo me një tjetër. Të gjitha këto po i ndjekim përditë, që do të thotë, të gjithë do marrin atë që i takon. Askush nuk do mbetet pa e marrë. Kjo është pak, por e sigurtë. Nuk ka rëndësi fare se u hap, apo se normaliteti kthehet. Ne do t’i qëndrojmë angazhimit tonë deri në fund dhe nuk janë pak, por janë dhjetëra-mijëra. Sot që flasim, janë 7.5 miliardë lekë të reja të paguara, që kanë shkuar në arkën e familjeve dhe do vazhdojmë, pasi paketat kanë ende një pjesë të financës në dispozicion për ta shpërndarë.
“A do fillojë transporti publik me autobus, mikrobus, furgona në qytetet e gjelbra?”
Transporti publik është një problem jo i vogël. Ju e dini shumë mirë se si janë kushtet nëpër furgonë, apo nëpër shumë autobusë. Hapja në këto kushte e transportit publik është të vendosësh autobusë dhe furgonë në dispozicion të virusit që të fillojë dhe të shëtisë trup më trup e shtëpi më shtëpi. Këtë ende ne nuk jemi gati ta bëjmë. Ne po punojmë me një grup ndërinstitucional, me drejtorin e Drejtorisë së Transportit Rrugor Shqiptar, me drejtoren e Tatimeve, me drejtoren e AKSHI-t, për një strategji të transportit publik shqiptar. Kjo është një mundësi për të bërë edhe një reformë të fuqishme të të gjithë sistemit të transportit, duke iu krijuar operatorëve dhe publikut mundësi të reja. Kështu që durim lidhur me transportin public, sepse ende nuk jemi aty. Është problem i madh në këto kushte që flasim.
“Zoti Kryeministër, jam një zonjë që jetoj në Angli dhe dua të kthehem në Shqipëri!”
Sigurisht që mund të kthehesh në Shqipëri. Problemi është që linjat ajrore janë të mbyllura. Kemi një korridor fluturimesh me Air Albania, që, siç e thonë të gjithë me të drejtë, sapo hapet portali, menjëherë ezaurohen rezervimet, sepse ka shumë kërkesa, aq më tepër, tani që vjen edhe vera. Kjo gjë do vazhdojë edhe pak, sepse Europa ka thënë që do të hapen vendet Shengen në datën 15 për të shkuar. Disa vende kanë thënë që do t’i hapin më shpejt fluturimet, kështu që do të shohim. Sigurisht, ne duhet t’i qëndrojmë objektivit që brenda majit të mund të hapim të gjitha rrugët për shqiptarët dhe kur them shqiptarët, kam parasysh shqiptarët e Shqipërisë e Kosovës dhe kudo ku jetojnë, edhe në funksion të turizmit. Turizmi i këtij viti do jetë i fokusuar tek shqiptarët, do jetë një turizëm i shqiptarëve, me shpresën që shqiptarët nuk do kujtohen për Suedinë vetëm kur bëjnë këtu komente cinike dhe flasin se si Suedia nuk u mbyll, por do kujtohen për Suedinë dhe do sillen pak, jo shumë, si suedezë, kur në kushtet e hapjes duhet të zbatojnë ato rregulla që tanimë të gjithë i dini përmendësh.
“Institucionet arsimore jetojnë në vështirësi në kushte normale për shkak të informalitetit. Kjo periudhë e ka fundosur fare.”
Ne jemi në kushtet kur duhet të jemi të kujdesshëm. Maturantët do kthehen në shkolla në datën 18. Domosdoshmëri për të pasur një 3-javësh në klasa, por janë shumë shkolla që do vihen në dispozicion të tyre dhe klasat do jenë me një numër shumë të kufizuar, sepse duhet të kemi shumë hapësira për maturantët. Dhe nuk shkojmë më tutje sesa këtu. Duam të hapim kopshtet dhe çerdhet në 1 Qershor, në ditën e fëmijëve. Gjithmonë e kemi thënë dhe unë e përsëris, të gjitha këto “duam” lidhen edhe me çfarë do të marrim si rezultat nga numrat.
“Beratin fute me të kuqe…”
Është me siguri [personi që shkruan] nga Berati. Nuk e di, nuk e bëj unë përcaktimin kush hyn me të kuqe, kush del me jeshile, por sigurisht që numrat në Berat nuk janë inkurajues për momentin. Megjithatë nuk mjaftojnë numrat e 1-2 ditëve. Duhet parë pak më shumë dhe ne do shohim numrat që do dalin përsëri sot, nesër dhe pastaj do vendosim sepse nuk duam në asnjë mënyrë që të prishim ritmin e krijuar nga hapja graduale dhe të bëjmë kthime mbrapa. Por do bëjmë dhe kthime mbrapa. Në këto kushte besoj që të gjithë duhet ta kuptojnë që vërtetë unë jam një individ dhe mund të shkoj me idenë që nuk jam unë, ky që do ta bëjë këtë gjë, por, nëse të gjithë do të mendojnë s’jam unë, ky që do ta bëjë këtë gjë, pra, gjëja, kthimi mbrapsht do të ndodhë dhe je ti, jam unë si individ që do paguajmë pastaj për këtë kthim mbrapsht.
“Mos përsërit të njëjtat gjëra gjithmonë, po merru me hallet e njerëzve…”
Unë po merrem ekzaktësisht me hallet e njerëzve dhe të gjitha gjërat duhen thënë, edhe të vjetrat, edhe të rejat dhe në  këtë kohë duhen përsëritur pa pushim të gjitha, sepse ti që je lodhur nga përsëritjet, ti i ke mësuar, por fatkeqësisht, sado që janë përsëritur, ka disa që nuk i mësojnë dhe jo vetëm nuk i mësojnë, por shkruajnë këtu “o mashtrusa”, “o gënjeshtarë, pse na mashtroni, ju numrat i rrisni vetë, se doni të na mbani brenda, se ju erdhi dita”. Për çfarë duam t’ju mbajmë brenda? Mendoni që është një kënaqësi, apo një lehtësi për punët tona që t’ju mbajmë brenda?!
“Liqeni pse u mbyll përsëri? Nëse dal vetëm për vrap, rrezikoj të infektohem?”
Miku im, nëse del vetëm për vrap, ti nuk rrezikon të infektohesh, por nuk je vetëm atje ku del. E dyta; parmbrëmë parku i Liqenit kishte shëtitje në numra shqetësues, jo masive, por shqetësues. Në orën 19.00. Tirana është zonë e kuqe dhe ka një fashë orare. Tani, u shkarkua shefi i Komisariatit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe të gjithë drejtuesve të policisë, unë përfitoj edhe nga  ky rast t’ju bëj thirrje, shefa komisariatesh apo punonjës policie që janë në terren, nuk duhet bërë asnjë tolerancë e lëre më pastaj, indiferencë dhe mbyllje sysh, sepse është shumë e rëndësishme që qytetarët t’i kenë të gjitha të drejtat, t’i kenë të gjitha mundësitë në hapësirat që u është dhënë, por aty ku është zonë e kuqe nuk ka toleranca, se përndryshe nuk është çështje pikture, çështje ngjyrash kjo. Punë e madhe se është e kuqe, apo nuk ka problem se është jeshile, po i fusim edhe një blu dhe e bëjmë si të duam. Prandaj u mbyll e me të drejtë. Gjithkush duhet ta dijë se merr pjesë, ose në mbajtjen  e hapësirës së përbashkët hapur, duke kontribuuar, ose kontribuon në të kundërtën, nga sjellja e tij. Sjellja është shembulli i kësaj faze. E nuk e them unë këtë, dëgjoni çfarë thonë në vendet e tjera. Të gjithë e nënvizojnë këtë, që në këtë Fazë,  vetëdija e qytetarëve dhe kontributi i qytetarëve do të vendosin çfarë do të ndodhi me hapjen apo mbylljen, por mbi të gjitha me fatin e kësaj lufte.
“Mos na fol më për luftën, se e pamë që ishte lojë…”
Ҫfarë loje ishte?! I shikoni disa vende që po kthehen mbrapsht e po mbyllen? Po bëjnë lojëra? Nuk ka një qeveri sot në planet, as në vendet më të fuqishme të botës që kanë rezerva të mëdha, që jeton pa stresin e jashtëzakonshëm të kësaj situate që vjen nga mbyllja. Të gjithë duan të hapen. Unë i pari dua të hapemi një orë e më parë, por ama është një përgjegjësi e jashtëzakonshme, për të balancuar hapjen graduale me mbrojtjen e me rritjen e kapacitetit mbrojtës individual të secilit, psikologjikishit.
“Mos na le mo mren, sa na u mor fryma. Hape Durrësin.”
Ore djalë, ca të të them unë ty! Rri brenda, lexo libra, ushqe mendjen, që mos të të nxjerrë goja fraza të tilla pa lidhje, të lutem shumë.
“Mirë e ke menaxhuar deri tani Zoti Kryeministër, por me kufirin me Greqinë ca do bëhet? Jep një zgjidhje se u ndamë për së gjalli me fëmijët.”
Miku im, edhe një herë, brenda muajit maj, dhëntë Zoti që shifrat të na japin të drejtë dhe dhëntë populli që shifrat mos kërcejnë jashtë të arsyeshmes, ne do t’i hapim më në fund, kufijtë për shqiptarët që do duan të udhëtojnë lirisht drejt Shqipërisë, ndërkohë që më vjen shumë mirë që është realizuar zotimi që kam marrë para jush, e para; nuk do të gjobiten ata, të cilët kishin 90 ditëshin në Greqi e nuk janë gjobitur. Mund të ketë ndonjë rast komplet sporadik, por masivisht nuk janë gjobitur. Ishte fjala e dhënë dhe e mbajtur nga miku im, Kryeministri i Greqisë. E dyta; siç ju thashë që folëm me të, tanimë, autobusët e punonjësve sezonalë në Greqi kanë filluar të shkojnë. Puna e tyre nuk është goditur dhe të ardhurat e tyre nuk janë prekur nga kjo pjesë e kohës, kur ata punojnë në Greqi.
“Çfarë do bëhet me dasmat? Punojnë 27 mijë e 500 vetë në industrinë e dasmave.”
Nëse ke një propozim alternativ, na e thuaj. Asnjë aktivitet në mjedise të mbyllur, me më shumë  sesa njerëzit e familjes, nuk lejohet. Nuk udhëzohet, por këshillohet e kundërta, që të mos ketë as vizita nga familja në familje, edhe dreka e darka me 15 veta nëpër shtëpitë e të tjerëve, jo më të kërcasin dasmat. Për çfarë do martohen njerëzit nëpër dasma masive në këtë fazë, për të kaluar muajin e mjaltit me ventilator, me respirator, bashkë?
“Zoti Kryeministër, pse nuk po na hapni zyrat e ALEAT? Ju lutem, kam bërë aplikim dhe po presim të hapen zyrat.”
Aplikimet për pasaportë bëhen tanimë pa shkuar në zyra, por bëhen online tek e-albania. Kush do të aplikojë për pasaportë aplikon online dhe pas aplikimit të vjen përgjigja po online në email, ku të thuhet data për t’u paraqitur, ora për të bërë procesin fizik e do marrësh pasaportën. Nuk ka më zyra që do hapen për të shkuar e futur populli, por ka një proces shumë më të thjeshtë, që shkurton drastikisht kohën e pritjes, shkurton drastikisht edhe energjitë e tepërta. Ashtu sikundër ju kam thënë dje, ka ndodhur një përmbysje historike në fushën e luftës kundër korrupsionit e të ndarjes nga e shkuara me hipotekat. Sot nuk ka nevojë më të shkosh në hipotekë. Edhe po të kesh nevojë se të ka marrë malli, nuk do shkosh dot më në hipotekë për të kërkuar dokumentin e pronësisë nëpër radha, për të gjetur sekserin e për të paguar, për të pritur e për të marrë pastaj një dokument që e ka dhe një tjetër e pastaj bëheni dy pronarë që nuk njihni njëri-tjetrin, por do të jetë një proces pak minuta në kompjuter apo në smartphone, sepse e gjitha do të bëhet online. Në pak minuta do të vijë e paimagjinueshmja, dokumenti i pronësisë, do të vijë në telefon, do të vijë në kompjuter, me vule elektronike dhe nuk ke nevojë më as të shohësh njeri në hipotekë e as ta dish se ku bie hipoteka si institucion. Ndërkohë që mund të bësh edhe pagesën e shërbimit në kompjuter direkt nga banka. Nëse nuk ke llogari bankare, e bën pagesën në bankën përkatëse dhe aty, pasi bën pagesën, të hapet dokumenti në telefon dhe në kompjuter.
“Përshëndetje Zoti Kryeministër. Ilir Preka, jam një taksist që me rregulla quhem taksi 6+1, po nuk dalim në punë se na kapi neni i transportit publik, që nuk kanë të drejtë të dalin në punë. Pse mos dalim dhe ne si taksitë 4+1 në punë, edhe ne me dy persona?”
Miku im, nuk janë njësoj, 6+1 dhe 4+1 janë dy gjëra të ndryshme. Edhe 4+1 ka kufizimet e veta. Të themi tani që të hapim frugonat me dy veta, ndërkohë që taksitë, edhe për një person, apo për dy persona ankohen me të drejtë, i bie që ne të bëjmë rolin e budallait e ti të marrësh furgonin e të bësh ti rolin e të mençurit, jo sepse je djalë i keq, por i nxitur nga nevoja për të nxjerrë të ardhura dhe nga ajo shqiptaria e përbashkët që “hë se nuk do na gjejë gjë”, të na mbushen furgonat me njerëz, pastaj të luftojmë me furgonat e furgonat me ne. Kjo nuk do të ndodhë. Ne brenda muajit maj do të kemi gati një strategji të re për transportin. Do ta prezantojmë e pastaj do themi çfarë do bëhet për këtë e për atë.
“Zoti Rama, si do bëhet me plazhet sivjet, pasi vitet e kaluara kemi përjetuar situata të sikletshme, ku nuk lejonin termosin ku kishim ushqimin e fëmijës 1 vjeç. Kërkonin të porositje dreke në restorant, pastaj të kalonim në shezlong…”
Plazhet këtë vit do të jenë shumë më tepër publike sesa private. Do të jemi shumë striktë në këtë dhe kjo e keqe që na ka zënë të gjithëve do vijë me të mirën që do ketë shumë më tepër hapësirë për shqiptarët që të bëjnë plazh, – pa ju dalë përpara një njeri me një hu në dorë, që ju thotë kjo është tokë e xanun, kjo është rëra ime e në këtë rërë, stërgjyshi im mbillte qepë e domate, por erdhi komunizmi e bëri shkretëtirë e ti do më japësh lekët, – por duke zgjedhur hapësirën në plazhin publik. Do të kemi edhe hapësira private aty ku janë hotelet. Aty ku ka plazhe shumë të populluara do duhet të gjejmë një zgjidhje relativisht të balancuar, por gjithmonë do të favorizojmë plazhet publike dhe bërjen e plazhit si dikur, – pa salltanete të mëdha, pa ato shelzlonet që nuk të lënë më të shohësh as rërë e duhet të kalosh si në fije të perit midis trupave ngjitur e ngjitur, – me diell, me rërë, me det e me çadër.
“Pse nuk e publikoni listën e personave që kanë përfituar pagën?”
Lista e personave që kanë përfituar pagën është në Drejtorinë e Tatimeve, por, nëse ne do publikonim listën e personave që kanë përfituar pagën, do duhej të prodhonim një listë të pambarimtë njerëzish, gjë që nuk ia shikoj sensin, as se ku do ta publikonim, as se kush do të ishte i interesuar ta lexonte. Por është e qartë që lista e personave është në Drejtorinë e Tatimeve, është në regjistrat e financave të shtetit, një për një, është në banka, është kudo dhe është krejtësisht e kontrollueshme. Mjafton që personi i interesuar të kërkojë hesap dhe i jepet hesapi. Ajo që unë dua të them është se kur shkruani për këtë shqetësim, kur shkruani për pagën e luftës që është miratuar, po s’më ka ardhur, mos flisni në përgjithësi, pasi e humbni kot rastin e nuk ju japim dot përgjigje. Flisni konkretisht. Unë jam ky e kam këtë çështje me këtë biznes dhe kam këtë NIPT, nuk kam marrë pagën. Në mënyrë që të bëjmë verifikime konkrete. Se me emra p.sh, Ge Elda, si mund ta verifikojmë ne, kur Ge Elda shkruan “statusi online, pas aplikimit të banesave DS4 në Durrës, vazhdon njëlloj. Çfarë do bëhet me rindërtimin?” Domethënë, flet një gjë të përgjithshme, që çfarë përgjigje t’i japim.
Më tutje ka një shqetësim që më ka ardhur disa herë për mësuesit dhe stafet mbështetëse të shkollave, kopshteve dhe çerdheve private, që janë në të drejtën e tyre të kenë edhe ata shqetësimet e tyre. Ne jemi duke bërë të gjitha verifikimet me Ministrinë e Arsimit, sepse vërtetë shkollat kanë qenë të mbyllura, por mësimi ka vazhduar. Normalisht puna e mësuesve ka vazhduar online dhe mësuesit janë paguar të gjithë. Në sektorin publik kjo pa asnjë cent më pak, ndryshe nga çfarë doli nga varrezat digjitale në FB, nga ku dalin çdo ditë, kërmat e imagjinatës më të shfrenuar të botës së përtejme. E njëjta gjë duhet të jetë edhe për sektorin privat, por nuk është e njëjta gjë, sepse ka ndodhur dhe ka raste plot shqetësimesh. Ne po bëjmë të gjitha verifikimet, që të kemi shumë shpejt një përgjigje direkte për mësuesit, për edukatorët në shkolla, kopshte, çerdhe private.
“A do të hapen kufijtë ajrorë me BE-në?”
Kufijtë ajrorë me BE-në i hap Bashkimi Europian, nuk i hapim ne. Sot nuk shkon dot në BE, askush dhe BE-ja ka thënë që deri në datën 15 qershor, Zona Shengen do të jetë e mbyllur.  Kjo është ajo çka ka thënë deri tani. Këto të thëna janë të thëna që ndryshojnë në mënyrë të vazhdueshme, herë për mirë, më shumë për keq, si rezultat i situatës.
“Lideret nuk i bëjnë deklarata në rrjete sociale, por në media, por në Shqipëri i ke bërë inekzistente, o toksik…”
Po ty kush të ka futur me zor këtu, të më dëgjosh mua! Ti ke hyrë me dëshirë vetë, mund të dalësh vetë. Unë bëj punën time këtu. Lider ose jo lider, bëj atë që mundem dhe mundohem ta bëj sa më mirë, në mënyrë që t’u gjendem sa më shumë dhe të bëjmë punë sa më të mira për vendin. Pastaj, a dal në rrjetet sociale, apo dal në rrjete televizive, kjo nuk është punë jote, është puna ime. Më fal për këtë qartësi, që mund të të krijojë edhe ty një lloj shqetësimi toksik, meqë e përdor këtë fjalë.
“Nga e hëna në të shtunë, në punë në 17.30. Si t’ia bëj për pazare?”
Këto pyetje janë bërë dhe janë ribërë dhe zgjidhjet janë dhënë dhe janë ridhënë sepse jemi tani përtej mundësisë fizike të njeriut për të jetuar pa ngrënë. Njeriu mund të shkojë, thonë, deri në 20 ditë, jo më shumë. Tani kanë kaluar shumë më tepër se 20 ditë. Ti je shyqyr Zotit e aftë të shkosh në punë, të bësh pyetjet, që do të thotë që e ke gjetur mënyrën për të bërë pazarin, që do të thotë të vazhdosh ta bësh pazarin siç e ke bërë deri tani, siç e bëjnë të gjithë, deri kur të kalojmë në zonë të gjelbër. Unë uroj dhe shpresoj një orë e më parë, mbase në fund të javës tjetër, por mbase dhe jo dot, në Tiranë apo në Durrës, apo në ato që janë zona të kuqe. Sidoqoftë, të kuqe apo të gjelbra vendosen nga Komiteti i Ekspertëve dhe pastaj, unë me këto mrokllat e mia ndihmoj për të shpërndarë sa më shumë dhe sa më shpejt informacionin në momentin e duhur, që i bie, në këtë rast do të presim deri të dielën, sepse duhet të shikojmë numrat edhe për sot, edhe nesër, për të nxjerrë konkluzionet e duhura.
Edhe njëherë pyetje për shkollat private.
Për shkollat, kopshtet, çerdhet private po bëjmë verifikimet e duhura. Do të kthejmë përgjigje shumë shpejt. Kopshte dhe çerdhet duam t’i hapim më 1 Qershor, Ditën e Fëmijëve.
“Ҫfarë të bësh se kështu janë popull dele…”
Dele je vetë në fakt, se popullit i merr të keqen. Ty që të duket vetja ujk, s’ke mend as sa një dele, se edhe delja nuk e ngatërron barin me tallashin, siç e ngatërron ti. Se nuk i duroj në fakt, ata që flasin për popullin dhe i thonë dele, sepse janë pjesa më e padenjë e këtij populli.
Po flisja ndërkohë për kopshtet e çerdhet. Ato do të hapen në datën 1 Qershor. Kjo është ajo që kemi në plan, gjithmonë. Mos harroni numrat, pavarësisht se do t’ua përsëris dhe e kuptoj që mund t’u ketë ardhur në majë të hundës, edhe kjo edhe të tjera, mbase edhe vetë fytyra ime kur e shikoni që po ju përsëris të njëjtat gjëra, por nuk kam rrugë tjetër. Ndërkohë që për stafin mësues, edukatorë në të gjitha kopshtet dhe çerdhet po bëjmë të gjitha verifikimet. Shkollat, pavarësisht se të mbyllura godinat, kanë vazhduar online. Mësuesit janë paguar të gjithë në sektorin publik. Na rezulton se nuk ka ndodhur e njëjta gjë në sektorin privat, ndaj po bëjmë verifikimet dhe do t’u gjendemi mësuesve, do t’u gjendemi edukatorëve, edhe në shkollat, edhe në kopshtet private.
“Baret do të jenë hapur në fundjavë, pas të hënës?”
Të shikojmë njëherë këtë fundjavë. Të shikojmë se çfarë do të ndodhi nga e hëna deri të premten dhe pastaj do të bëjmë llogaritë dhe do të marrim vendimet e duhura.
“Seriozisht, ne budallenj jemi, ne që japim votën.”
Kjo nuk është çështje votash. Kjo është çështje jete dhe shëndeti, duan apo s’duan ata që njësoj si ti, sytë i kanë, por nuk duan të shikojnë, veshët i kanë, por nuk duan të dëgjojnë dhe kështu, mendja pushim dhe gjuha në lëvizje. Unë jam njeriu i fundit në botë, që do të doja të isha në këtë pozicion që jam sot dhe të thosha shumë gjëra, të cilat sigurisht nuk janë muzikë për veshët e njeriut, por janë siklet. Por ja që vetëm kështu, ne mund t’ia dalim dhe vetëm kështu ia kemi dalë deri tani.
Do të presim të dielën për ngjyrën e zonave. Ndërkohë që nga e hëna, veç transportit publik dhe aktiviteteve kulturore, sportive, argëtuese të çdo lloji në mjedise të mbyllura, gjithçka është e hapur. Asnjë aktivitet tjetër nuk është i mbyllur. Në gjithë territorin ku janë zona të gjelbra, qarkullimi është i lire, me makinë, në këmbë, ose me kalë. Ndërsa në zonat e kuqe, rregullat ndryshojnë dhe do të mbeten kështu në varësi të numrave. Ashtu sikundër ndonjë zonë e gjelbër, nëse numrat do të na japin përmes Komitetit të Ekspertëve opinionin që duhet të kalojë në të kuqe, do të kalojë në të kuqe.
Shumë faleminderit që të gjithëve dhe durim! Është fjala më e përsëritur nga unë. Është malli më i rrallë në tregun e botës psikologjike shqiptare, por falë durimit që e kemi gjetur deri këtu, ja kemi arritur deri këtu. Me durim do t’ia dalim deri në fund dhe kur t’ia dalim, le të bëhet më e mira dhe do të shkojmë përpara. Rezistencë deri në kalimin, uroj me sukses, të sezonit turistik dhe pastaj, nga shtatori deri në dhjetor, nëse nuk do të kemi një valë tjetër, nuk do të paguajmë koston e ndonjë shthurje gjatë kësaj periudhës së verës, do të mbledhim të gjitha forcat, do të marrim vrullin e nevojshëm ekonomik dhe financiar. Po ju them që në fund të vitit, ne do të kemi rezultat ekonomik dhe financiar, sipas parashikimit, më mirë sesa në fund të vitit të kaluar dhe në vitin e ardhshëm do të bëjmë një histori të madhe suksesi. Kini besim në këtë! Por duhet të rezistojmë tani dhe duhet të garantojmë që kjo mortje nuk na kthehet si një boomerang i sjelljeve tona të gabuara.
Faleminderit dhe tani vazhdojmë secili punën e vet! Unë në shërbimin tuaj. Ju një pjesë në punët tuaja, pjesa tjetër me komentet dhe të sharat përkatëse.