Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama me Kryeministrin e Republikës Arabe të Egjiptit, Moustafa Madbouly

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot për një vizitë zyrtare në Egjipt, ku zhvilloi një takim me Kryeministrin e Republikës arabe të Egjiptit, Mostafa Madbouly.

Në përfundim të takimit takimit mes tyre, Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Republikës Arabe të Egjiptit, Moustafa Madbouly zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp:

 

Kryeministri Mostafa Madbouly: Shkëlqesia juaj, kryeministër, zoti Edi Rama, kryeministër i Republikës së Shqipërisë, ka qenë një kënaqësi e madhe dhe nder të takohesha me shkëlqesinë tuaj sot, natyrisht dhe me delegacionin tuaj të shquar.

Kjo vizitë e rëndësishme reflekton marrëdhëniet e shkëlqyera dhe historike me vendet tona gjatë dekadave. Kemi pasur diskutime të rëndësishme sot, gjithashtu kemi parë aspekte të bashkëpunimit dypalësh dhe kemi diskutuar çështje ndërkombëtare me interes të ndërsjelltë.

Patëm nderin të priteshim dhe nga shkëlqesia e tij, presidenti Abdel Fattah el-Sisi ku edhe njëherë u theksuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe kombeve tona.

Duke qenë në qendër të dy rajoneve shumë të rëndësishme, atë të Ballkanit dhe Lindjes së Mesme, dy vendet luajnë një rol shumë të rëndësishëm për të siguruar stabilitetin brenda këtyre rajoneve tona. Diskutuam me shkëlqesinë e tij zonat, fushat e mundshme të bashkëpunimit në vitet në vijim.

Në takimin tonë sot, së bashku me shkëlqesinë e tij kryeministrin, diskutuam për mënyra për të rritur e forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve tona e gjithashtu diskutimet tona u përqendruan tek rritja e bashkëpunimit në fusha të ndryshme përfshirë turizmin, energjinë, tregtinë dhe kulturën.

Gjithashtu, shkëmbyem edhe pikëpamje për çështje ndërkombëtare, diskutuam dhe mbledhjen e seancës së parë të Komitetit për Bashkëpunim teknik, shkencor dhe kulturor që do bëhet në kryeqytetin Tiranë, muajin tjetër.

Jam besimplotë se ky takim do jetë një kuadër mbështetës për marrëdhëniet tona dhe do nxisë bashkëpunimin për ekonominë dhe investimet. Theksova dhe rëndësinë e ngritjes së një komisioni të përbashkët të Këshillit të biznesit të Shqipërisë dhe të Egjiptit me përfaqësues të Federatës të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë. Kjo do inkurajojë që të vijojmë marrëdhëniet më tej.

Në fund të bisedimeve tona, dëshmuan nënshkrimin e tre marrëveshjeve të bashkëpunimit, që përfshijmë një sërë aspektesh të bashkëpunimit kulturor.

Në fund, shpresoj që kjo vizitë do jetë një pikë kthese drejt forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve tona në të gjitha nivelet. Egjipti pret me padurim që të ndërtojë më tej, mbi këtë moment, të forcojë marrëdhëniet tona dhe të rrisë bashkëpunimin dypalësh. Edhe njëherë, shkëlqesia juaj, kryeministër Edi Rama, dua t’ju falenderoj dhe t’iu uroj një tur të këndshëm nesër, duke qenë se do shihni disa nga arritjet më të jashtëzakonshme këtu. Faleminderit shumë!

 

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit Kryeministër! Më lini të shpreh në këtë rast mirënjohjen time për mirëseardhjen mjaft të ngrohtë, për mikpritjen që në fakt përcaktohet, përkufizohet me ndjenjën e fortë të miqësisë këto ditë. Gjithashtu dhe për momentin më të rëndësishëm të ditës, takimin me Presidentin, të cilit dua po kështu t’i shpreh publikisht falenderimet nga zemra.

Më lejoni të them me këtë rast se përpara se Egjipti të bëhej shteti i konsoliduar që është sot, me një ndikim të gjerë në rajon dhe falë edhe mençurisë dhe vizionit të Presidentit dhe qeverisë suaj, nuk duhet harruar që për shumë dekada, sidomos në shekullin e XIX, ai u shfaq si ëndrra amerikane e orientit, me mundësi të panumërta që ofronte kultivimi i pambukut, ndërthurur me vizionin brilant të një strategu të rrallë, një gjeneral, Muhammad Ali.

Prejardhja e vetë këtij njeriu që i hapi dyert e modernitetit këtij vendi ishte një mozaik i vërtetë në vetvete. Lindur në një familje shqiptare, i përfshirë në rangjet e larta të perandorisë otomane, ndjekës i islamit të mirëfilltë që e sheh imobilizmin si diçka të cilin Profeti, paqja qoftë mbi të, e qortonte dhe gjithashtu dhe ndërveprimin mes kulturave dhe vendeve si një detyrim të myslimanëve.

Gjenerali e drejtoi vendit tek ndërgjegjësimi që ndërkohë kohë vendi do të merrte fatet e veta në duart e tij dhe shpesh do të bëhej arbitri i fateve të një mozaiku të tërë rajonesh.

Është sigurisht një nder dhe e marr me krenari këtë nder që kam, të gjendem këtu e të flas për këtë rrënjë të miqësisë sonë të gjatë. Nuk dua të flas për të shkuarën apo për gjithë shtigjet që Muhammad Ali hapi për të gjithë egjiptianët me veprimet e veta të vendosura, por do të thoja pak fjalë për pjesën tjetër që për shkak të figurës së tij që ishte kaq imponuese, ndonjëherë apo përherë ka mbetur paksa në hije.

Rrethuar nga shqiptarë, gjeneralë e komandantë, Muhammad Ali nuk u kufizua tek këta shqiptarë, por i kushtoi një rrugë të tërë në Egjipt punonjësve e sipërmarrësve shqiptarë, jo vetëm pra luftëtarëve shqiptarë. Egjipti, vendi juaj, mirëpriti shumë shqiptarë, emigrantë nga Shkodra që është veriperëndimi ynë, pa harruar Korçën, një rajon në juglindje dhe e bëri me të njëjtën mendjehapësi me të cilën priti italianët, francezët, grekët, hebrenjtë e të tjerë.

Më duhet të sjell ndërmend këtu se shqiptarët, qofshin myslimanë apo të krishterë, studentë të Al Azharit ishin zejtarë, tregtarë, administratorë apo dhe doktorë. Më lini të kujtoj këtu shembullin shumë interesant të një shqiptari, i cili ishte personalitet i shquar i pavarësisë shqiptare. Doktor Mihal Turtulli, një i krishter, ishte mjeku personal i familjes Khedivate dhe pas shumë përpjekjeve shpëtoi jetën e Khediv Abbas Hilmi i dyti, pas përpjekjes për ta vrarë në 1900.  Nuk ka dyshim që ky njeri nga Korça do të jepte edhe jetën për këtë khediv të shkëlqyer e duke shkuar më tej e më tej, ka kaq shumë dëshmi të vogla të kësaj lidhjeje. Meqë ra fjala, në 1899 Abbas Hilmi i dyti, pasardhës i Muhammad Ali si sundes i Egjiptit ndihmoi një tjetër personalitet të rëndësishëm shqiptar, Murat Toptanin, të përballej me durim e me dinjitet me syrgjynin e tij. Duke bërë këtë, ai mbarti traditën që u nis nga stërgjyshi i tij, për t’i dhënë një dorë të gjitha nismave në ndihmë të shqiptarëve.

Sigurisht historia vlen, ka rëndësi dhe edhe një herë jam krenar të them që shqiptarët dhanë kontributin e tyre për këtë vend, por po kështu përfituan shumë nga ky vend dhe kjo na bën përulësisht mirënjohës ndaj asaj çka ky vend ka bërë për ta.

Ka shumë shkrime, ka edhe poema që sjellin si dëshmi nga e shkuara ditët e sotme, që janë kaluar nga brezi në brez, përcjellin ndjenjën e dashurisë, të miqësisë dhe të përkatësisë drejt këtij vendi.

Duke ardhur në ditët e sotme, i nderuar Kryeministër, na takon ne të përpiqemi e të ndërtojmë për më mirë e të përpiqemi e të forcojmë marrëdhëniet tona. Dua t’ju falënderoj për hapjen, për disponibilitetin tuaj për të ecur përpara duke bërë bashkë një komision të përbashkët, duke identifikuar fushat tona të bashkëpunimit ku duhet të nxisim për të bërë më shumë sepse siç ju thatë, shifrat e tregtisë janë shumë modeste, ndërkohë që potenciali  është i pranishëm.

Kështu që marr me vete premtimin për të parë personalisht, për t’u kujdesur personalisht, për të vendosur linjën e drejtpërdrejtë të fluturimit midis Kajros dhe Tiranës dhe anasjelltas. Nuk e di nga pala egjiptiane, por nga pala shqiptare ju siguroj që avionët nuk do jenë kurrë bosh dhe kjo linjë ajrore nuk do jetë barrë për kompaninë, krejt e kundërta, do të ndihmojë shumë shqiptarë që dëshirojnë të vijnë, dëshirojnë të vizitojnë, duan të bëjnë pushimet këtu, për të ardhur në këtë tokë e për të kuptuar që njëherë e një kohë, ishte si dera e pasme e atdheut tonë edhe pse asaj kohe largësia ishte shumë më e madhe.

Pa dashur të marr më shumë kohë, dua t’ju falënderoj sërish dhe dua ta përmbyll me dëshirën që ajo çka ndoshta është tipari më i çmuar dallues i Egjiptit, kultura juaj e jashtëzakonshme, do të jetë po kështu bazë për bashkëpunimin tonë në fushën kulturore.

Ne jemi shumë më të vegjël, por jemi krenarë për kulturën tonë dhe besojmë po kështu që kemi çka t’ju tregojmë njerëzve tuaj, por sigurisht ju keni kaq shumë gjëra për t’ju treguar njerëzve tanë ndaj le të punojmë sëbashku, le të shohim nga e ardhmja me bindjen që ka pasur një arsye që historia na ka lidhur kaq fortë dhe le ta bëjmë, të shndërrojmë këtë arsye në besimin se është njëfarësoj amaneti i paraardhësve që midis Shqipërisë dhe Egjiptit,  midis shqiptarëve dhe egjiptianëve do të ketë një rrugë të përbashkët drejt së ardhmes.

Faleminderit!