Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu

Konferenca është në një format pak të çuditshëm, por ky është formati i kësaj kohe, por, sidoqoftë, rëndësi ka që shikohemi fizikisht. Menduam që edhe për shkak të nevojës për të qenë konform shembujve që kërkojmë të japin të gjithë dhe për të garantuar të gjitha rregullat, por edhe pse kishim sot për të ardhur këtu në këtë strukturë të re në mbështetje të sistemit shëndetësor, për të vazhduar të përballojmë këtë luftë që s’ka mbaruar, ta bëjmë këtë konferencë me ju, të parën pa zoom, në këtë hapësirë ku natyrisht të themi disa gjëra për këtë aspekt dhe për çfarë do të vazhdojmë të bëjmë në këtë aspekt. Patjetër unë do t’i përgjigjem me kënaqësi edhe pyetjeve të tjera, sepse u desh kjo kohë që unë ta kuptoja, por dhe ju e keni ndierë sesa shumë na merr malli për njëri -tjetrin, nuk bëjmë dot pa njëri- tjetrin.

Paraprakisht dua ta ritheksoj edhe një herë, që është shumë e rëndësishme, megjithëse e bezdisshme, që njerëzit të mos e harrojnë që virusi nuk ka ikur sepse po të kishte ikur, do ta kishin deklaruar ata që janë shumë më të zotë, shumë më të zhvilluar, shumë më të ditur, shumë më të pasur se ne, që vazhdojnë të jenë të mbyllur dhe të përjetojnë situata realisht të vështira, traumatike ose post-traumatike, që nga Shtet e Bashkuara deri në Francë dhe në Britaninë e Madhe, ku së fundmi u vu detyrimi për të karantinuar 14 ditë këdo që hyn në Britaninë e Madhe.

Virusi është këtu dhe në kushtet kur ne kemi normalizuar plotësisht lëvizjen dhe jetën nga pikëpamja e lirive, është e qartë që gjithë përgjegjësia tani është nuk vetëm e jona si qeveri, apo e institucioneve që ushtrojnë kontrolle, por është e përbashkët, në çdo qytetar, në çdo individ, në çdo familje. Sepse është e natyrshme që të kuptohet që nuk do të kontrollohet i gjithë populli në jetën e tij të përditshme me policë, ushtarë e inspektorë, në kushtet kur çdo njeri mund të bëjë një gabim dhe duhet parandaluar që ta bëjë gabimin. Prandaj këtë parandalim duhet ta bëjmë secili, duke mos e neglizhuar, përqeshur e duke mos thënë “hajde se s’më zë mua”, sepse nuk e dimë. Këtë po diskutonim edhe me mjekët. Thuhet se do vijë një valë e dytë, thuhet se mund të vijë në vjeshtë me gjithë viruset që shoqërojnë hyrjen e dimrit, mund të vijë, mund të mos vijë. Nuk e dimë se çfarë impakti mund të ketë në këtë pikëpamje fluksi i madh i turistëve, kështu që duhet të jemi gati. Ne vazhdojmë të përgatitemi. Kjo strukturë është një shembull i plotë i kësaj përgatitjeje të përgjithshme. I jam i shumë mirënjohës atyre që e realizuan në kohë rekord. U realizua nga pikëpamja e punimeve brenda një muaj dhe u përdor koha tjetër për të bërë të gjitha pajisjen. Ka disa pajisje të fundit që duhen vendosur dhe praktikisht është gati për të qenë pjesë e frontit të përballjes, në rast se do të na duhet të përballemi me flukse që do të kalojnë kapacitetet e spitaleve që kemi në dispozicion për luftën  kundër Covid.

Më vjen shumë mirë që edhe në këtë situatë shumë të vështirë për të gjithë, përsëri u gjenden njerëz, sipërmarrje që patën zemrën e madhe, që patën dëshirën dhe u angazhuan për një përgjegjshmëri sociale, duke i dhënë këtë kontribut kaq të rëndësishëm shëndetësisë shqiptare në këtë situatë.

E kam thënë dhe e kam shkruar, ua thashë edhe mjekëve që më vjen shumë mirë ndër të tjera që mjekët dhe infermierët morën një “hak” pas 30 viteve të vendosur në shënjestër me sharje, me baltë, deri me goditje fizike në ushtrimin e detyrë së tyre, si një kategori e “zhytur në pisllëk dhe në korrupsion”, që të lë të vdesësh rrugëve, po nuk pagove. Morën një hak të madh dhe shpresoj që të paktën shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk do ta harrojnë çfarë mjekët dhe infermierët kanë bërë në këto kushte, sepse ka qenë vërtetë heroike ajo që kanë bërë dhe profesionalizmi me të cilën e kanë bërë.

Nuk kemi patur asnjë humbje jetë në bluzat e bardha, shpresoj që të mos kemi. Edhe vendet më të zhvilluara kanë humbur me qindra mjekë dhe infermierë. Nuk kemi patur asnjë braktisje të detyrës, siç ka patur thuajse në të gjitha vendet e tjera, ku mjekë dhe infermierë kanë thënë nuk mund të rrimë në këto kushte dhe nuk mund të vazhdojmë të bëjmë këtë betejë. Normale, humane, por braktisje e detyrës. Kemi patur një super skuadër të angazhuar ditë-natë. Ju e keni dëshmuar, ky është fakt, që do të thotë se “pyll pa derra nuk ka”, por në të gjithë kategoritë, derrat nuk bëjnë rregullin, por bëjnë përjashtimin. Edhe mes politikanëve nuk janë të gjithë njësoj, edhe mes mjekëve nuk janë të gjithë njësoj, edhe mes jush nuk janë të gjithë njësoj.

Duke folur për bluzat e bardha, sigurisht që “ku ka zë nuk është pa gjë”, siç thotë populli lidhur me problematikën e ryshfetit dhe të shkeljeve të etikës të profesionit të mjekut dhe të infermierit, por unë e kam thënë gjithmonë dhe e përsëris sot, që askush në këtë vend nuk lihet pa trajtim dhe pa kurim dhe aq më tepër nuk lihet të vdesë për lekë në spital. Kjo është e pavërtetë dhe besoj se ky bilanc i kësaj situate është një bilanc që do të na bëjë krenarë të gjithëve. Unë jam shumë krenar për mënyrën sesi ne e kemi përballur sëbashku, këtë sfidë kaq ekstreme, globale, që gjunjëzoi shtete shumë më të fuqishme, shumë më të ditura, shumë më të zhvilluara sesa ne.

E kemi përballuar me modestinë e vetëdijes që kemi kufizimet tona dhe për këtë duhet të marrim masa më shpejt se të tjerët, duhet të marrim masa ndonjëherë më shumë ekstreme sesa shumë të tjerë, sepse përndryshe do të gjendeshim në situata për të cilat, sot do të ishim duke vajtuar, nuk do të ishim duke u ankuar pse e bëmë këtë, siç shumëkush thotë, “pse për kaq gjë na u desh të mbyllemi”. Ne u mbyllëm, prandaj dolëm deri tani me kaq gjë. Por në të gjitha aspektet, bilanci është pozitiv sa i përket shëndetit.

Sigurisht mbetet sfida e madhe e adresimit të pasojave që kjo luftë ka lënë në ekonominë e familjeve dhe në ekonominë kombëtare. Edhe për këtë, unë e them me bindje që ne jemi gati dhe hap pas hapi do i adresojmë këto pasoja përtej çfarë thuhet, përtej të vërtetës së thjeshtë se asgjë nuk është perfektë, nuk është pa të meta. Ne do të arrijmë të rezistojmë deri në fundin e këtij 4-mujori të dytë të vitit. 4-mujorin e tretë do të fillojmë të shohim rikthimin e parametrave të ekonomisë dhe do të marrim vrull, po themi, për të bërë një kërcim përtej gjithë këtyre pasojave në vitin 2021, ku ne presim rikthimin e plotë të parametrave dhe jo vetëm kaq, por më shumë se kaq.

Megjithatë, këto janë të gjitha për t’u diskutuar, për t’u parë në vijim dhe për t’u verifikuar në vijim.

Po ja jap fjalën ministres për të thënë disa gjëra me rëndësi, lidhur me ku jemi dhe çfarë ne po përgatitemi.

Ministrja Manastirliu: Faleminderit Kryeministër!

Më lejoni të bëj një përmbledhje të planit tonë të veprimit, të pikave të tij kryesore në raport me përgjigjen ndaj epidemisë së Covid në vendin tonë, duke theksuar faktin që ne ende përballemi me këtë epidemi, ende Covid është prezent dhe ka dy nivele të riskut, të cilat i masim si risku neto, është risku që praktikisht evidentohet nga vlerësimi i situatës 2-javore nga ekspertët përkatës dhe një risk potencial, i cili vlerësohet në mënyrë dinamike nëpërmjet parashikimeve matematikore dhe parashikimeve epidemiologjike në raport me strategjinë tonë të rihapjes.

Ju e dini që prej datës 1 qershor, të gjitha bizneset janë të rihapura, me shumë pak kufizime nga ato që konsiderohen me risk shumë të lartë. Janë vendosur të gjitha protokollet e sigurisë, qoftë protokollet e sigurisë në Kodin e Kuq dhe ato në Kodin Portokall dhe Jeshil për të gjithë aktivitetet që tashmë janë të lejuara.

Nga ana tjetër, sistemi shëndetësor prej datës 18 maj vijon i përgjigjet të gjithë shërbimeve, qoftë sa i përket atyre urgjente që nuk kanë ndalur asnjëherë së shërbyeri, por gjithashtu edhe atyre të planifikuara, të cilat ishin kufizuar vetëm në spitalet universitare dhe në ato rajonale përsa i përket kirurgjive. Por gjithashtu shtrimet e planifikuara janë rikthyer.

Sigurisht ky është një moment që na përball me sfida akoma më të mëdha, pasi kemi dy momente, jo vetëm përgjigje ndaj epidemisë dhe mbi të gjitha, edhe përgjigjen ndaj gjithë nevojës që ka popullata në raport me shërbimin shëndetësor.

Çfarë jemi duke planifikuar?

Në vijim të planit të veprimit që është një plan i miratuar dhe strategjisë së rihapjes është që jemi duke organizuar punën për rritjen e kapaciteteve tona, e para, përsa i përket kapaciteteve testuese, diagnostikuese dhe gjithashtu gjurmuese dhe izoluese, që në këtë moment është shumë e rëndësishme, pasi rihapja e bën një sfidë të vërtetë gjurmimin dhe një sfidë të vërtetë, gjurmimin e rasteve asimptomatike, të cilat sigurisht nuk identifikohen dot, nëse nuk ke një raport të drejtë për situatën të epidemiologëve në terren dhe gjurmimin e rasteve simptomatike me shenja të lehta, në mënyrë që të kapësh kontaktet e para, të dytë dhe të mundesh të izolosh. Nuk është se ishte e lehtë, por ishte më e thjeshtë për t’u evidentuar në rastet kur gjithë vendi ishte në karantinë. Tani është një sfidë akoma më e madhe, të cilës b po i përgjigjemi me testimet, me rritjen e kapaciteteve të testimeve të laboratorit të Institutit të Shëndetit Publik që është një laborator i certifikuar, siç e kemi thënë në krye të herës dhe sigurisht dhe në vijim, laboratorëve të tjerë që kanë filluar tashmë, që është laboratori mikrobiologjik në QSUT-ë ku ka filluar testimi serologjik i personelit mjekësor. Hap thonjëzat për të thënën që një  nga prioritet e fillimit të punës sonë është mbrojta e personelit mjekësor, duke krijuar mundësinë për të mos munguar asnjë ditë materialet e mbrojtjes personale, që kanë qenë arma në duart e personelit shëndetësor për të luftuar kundër COVID-19, që ne ia kemi siguruar që në ditën e parë dhe vijojmë të rrisim stokun në kuadër të planit tonë të përballimit të situatës.

Strukturat spitalore dhe fuqizimi i  strukturave spitalore është një element shumë i rëndësishëm për të cilin kemi vijuar punën që në ditën e parë, për të përgatitur strukturën COVID3, që është në QSUT-ë, ish-spitali  kirurgjikal dhe tashmë është një strukturë e re spitali karantinë, për  t’u përgjigjur nevojave që mund të dalin nga shtimi i rasteve të prekura dhe që ka nevojë për spitalizim.

Kur do të përdoret ky spital karantinë dhe si është menduar?

Ky është një spital, i cili ka një kapacitet prej 100 shtretërish, ka shërbimin e reaminacionit, është i organizuar me një shërbim bazë imazherie dhe pritet që të fuqizohet pasi aktualisht është një grafi, ndërkohë që pritet skaneri, pritet për mini-laboratorin që i përgjigjet reaminacionit dhe disa pajisje të tjera të imazherisë, për të plotësuar komplet kuadrin. Do t’i përgjigjet konkretisht rasteve të pacienteve që përfundojnë trajtimin e specializuar në spitalin  Infektiv dhe më pas kanë nevoje të vendosen në një strukturë spitalore për të marrë një trajtim adekuat dhe që kanë  nevojë të plotësojnë ato ditët e karantinës, për të mos krijuar mundësinë e përhapjes së infeksionit në vatra familjare. Por është një përgjigje ndaj çfarë ne parashikojmë që mund të dalë gjatë sezonit turistik, pasi sezoni turistik dhe ata që do të vijnë në Shqipëri, por edhe rastet që do të kemi këtu, do të kenë nevojë për spitalizim, apo për të patur një spital karantinë në  dispozicion për çdo  eventualitet  dhe i shtohet kapaciteteve tona, duke e çuar në rreth 500 shtretër  të vendosur në dispozicion të situatës së epidemisë në vend, pra, duke përfshirë këtu spitalin COVID1, spitalin “Shefqet Ndroqi” ku kemi vendosur COVID2, COVID3 në QSUT-ë  dhe ky është COVID4, pa prekur këtu kapacitetet jopublike, që edhe ato i kemi  patur në dispozicion në fazën e parë të kësaj pandemie.

Është e rëndësishme për të theksuar që do të vijojmë në planin tonë me rritjen  e stokut të mbrojtjes personale. Do të  vijojmë në kuadër të fuqizimit të Urgjencës Kombëtare  me rritjen  e  numrin e automjeteve, të flotës së urgjencës mjekësore, për t’iu përgjigjur të gjithë nevojave të sistemit, jo vetëm asaj të epidemisë, por gjithashtu  edhe sistemit tonë shëndetësor në të gjitha zonat e largëta, në mënyrë që të kemi të gjithë sistemin tashmë të pajisur me një flotë të re autoambulancash, që i  shtohet flotës që patëm, që praktikisht e kemi vënë në dispozicion një vit e pak më parë. Do të vijojmë punën me mjekun e familjes për ndjekjen e të gjithë rasteve asimptomatike, duke fuqizuar një element shumë të rëndësishëm, që është sistemi i informacionit, shëndetësia elektronike dhe dixhitalizimi,  që është në fokus të punës tonë për të ndërtuar një sistemi, i cili do të gjurmojë rastet, por edhe në mënyrë të integruar do të mund të ndjekë të gjitha këto elementë të rëndësishëm, për të përballuar situatën e epidemisë.

Plani ynë është i detajuar, ka objektiva specifikë, ka një faturë financiare të bashkëlidhur me të. Qeveria shqiptare ka alokuar në momentin  e parë dhe nuk është shumë larg, por është 90 ditë para, 2.5 miliardë lekë për fuqizimin e sistemit shëndetësor në përballimin e situatës së kësaj epidemie, ku një pjesë e fondeve janë lëvruar dhe një pjesë e madhe e këtyre fondeve ka shkuar në mbështetje të mjekëve dhe infermierëve me bonusin e alokuar nga qeveria për mbështetjen e mjekëve dhe infermierëve në  linjën  e parë të punës, por edhe atyre epidemiologëve, mjekëve, apo personelit mbështetës, të cilët punojnë në përballje me COVID-19.

Shkurtimisht doja t’ju bëja këtë prezantim dhe sigurisht jemi të dispozicion për pyetjet tuaja.

Kryeministri Rama: E di që të gjithë doni të pyesni, por i pari, kush do ta thyejë këtë akull vere?

Zoti Kryeministër, nuk ka shqiptar që nuk lumturohet kur sheh një strukturë të re spitalore, jashtë strukturave ekzistuese. Por si gazetar më lind pyetja, përse  pritët kaq gjatë për të nisur punën, duke qenë se që në fillim të shkurtit u lajmërua se në Itali kishte mbërritur COVID-i dhe se kishte marrë përmasa shumë të mëdha. Të paktën do t’i kursenit mbylljen qindra e mijëra të sëmurëve kronikë në Shqipëri, me sëmundje pulmonare, të  cilët në pamundësi për t’u trajtuar tek Sanatoriumi përfunduan në Spitalin e Elbasanit, ku sikundër  e kemi bërë me  dije, ka vetëm një respirator.

E dyta, në vijim të kësaj, a do t’i kërkonit ju Komitetit Teknik, një bilanc të numrit të shërbimeve të pakryera, që nuk i kanë marrë të sëmurët kronikë, qofshin në QSUT-ë, qofshin në Spitalin e  Sanatoriumit, për periudhën kohore nga 9 marsi derisa këto spitale u hapën, përfshirë këtu sistemin e referimit, operacionet e planifikuara dhe për më tepër, shtrimet në spitalin terciar, duke qenë se vetëm urgjenca ka funksionuar për këtë periudhë dhe për më tepër, a do të ketë një bilanc, sesa të sëmurëve u ka avancuar sëmundja në këto 2 muaj që nuk erdhën në Tiranë për t’u diagnostikuar në kohë tek specialisti terciar, se nuk u operuan në kohë gjatë periudhës së pandemisë? Dhe këtë që them, e themi me fakte, sepse ka persona tani që flasim, të cilëve u ka avancuar sëmundja, përshembull, sëmundja e kancerit dhe nuk mund të operohen dot më dhe do të përfundojnë tek shërbimi terminal. Faleminderit!

Kryeministri Rama: Urime njëherë për bindjen në lidhje me avancimin e kancerit. Është një bindje që kërkon vërtetë një thellim të admirueshëm në fushën e mjekësisë dhe për më tepër kërkon dhe një kurajo mbresëlënëse, pasi e dimë të gjithë që normalisht, diagnozat nuk vihen në distancë sociale, por vihen një për një mbi bazën e analizave të thelluara. Kështu që, urime për këtë.

Me lejen tuaj, unë ju dëgjova pa ju ndërprerë, jo se isha gojëhapur duke admiruar ato që ju i quajtët fakte, por ju respektoj. Nuk jam këtu për të bërë debat me ju. Jam këtu për t’ju dhënë përgjigjen time, që me lejen tuaj dua ta jap i pashqetësuar nga zhurma në distancë. Faleminderit!

Së dyti, pyetja që në thelbin e vet ka një të vërtetë të madhe është një pyetje që kërkon sigurisht dhe do ta keni përgjigjen  e ministres, por është  një e vërtetë e të gjithë planetit, jo e Shqipërisë. Sot që flasim, jo sot në vitin 2020, po sot në datën e sotme që flasim, në  Shtetet e Bashkuara, ky është një diskutim shumë i madh, lidhur pikërisht me spostimin e një sërë aktivitetesh të tjera rutinë të sistemit shëndetësor, për të krijuar hapësirë, për të fokusuar forcat tek lufta me virusin. Ne nuk pritëm dhe kjo strukturë që shikoni pas shpinës sonë nuk ka lidhje fare me këto që thoni ju, se u bë, nuk u bë kjo strukturë, kjo nuk do të ndryshonte në aspektin e shqetësimit që ju ngrini, riplanifikimin e aktiviteteve rutinë. Pra, të mos i ngatërrojmë gjërat.

Së fundi, një sugjerim miqësor, pasi e kam ndjekur me respekt punën tuaj. Gazetari ka të drejtë të kërkojë informacion për gjithçka, por nuk ka të drejtë të hyjë me forcë në një spital COVID. Kjo nuk hyn në të drejtat e gazetarisë. Më vjen mirë që ju ndaluan të hyni në spital dhe kështu mbrojtën jetën tuaj dhe jetën e të tjerëve.

Faleminderit për pyetjen, sinqerisht, për respektin real të shqetësimit dhe edhe një herë do t’ju lutesha të respektoni etikën e profesionit tuaj, sepse këtu nuk keni ardhur të bëni debat, por të bëni të gjitha pyetjet që ju doni të bëni, edhe komentet kur bëni pyetjen dhe nëse përgjigja ime është e vlefshme apo e pavlefshme, ju takon përsëri juve, se ju e keni prapë në dorë ta bëni kronikën e kësaj konference e të shtoni të gjitha ato që doni të shtoni. Kjo është e drejta juaj ekskluzive, nuk jua merr kush, por, realisht, skena në spitalin e Elbasanit ishte jashtë çdo lloj limiti etik lidhur me rregullat që duhen respektuar. Unë isha realisht i shqetësuar për ju, që të mos bëheshit një viktimë shëndetësore e një kërkesë që në atë moment me shumë të drejtë u refuzua.

Ministrja Manastirliu: Përsa i përket pyetjeve tuaja, që janë me shumë vend, sepse të gjitha sistemet shëndetësore në të gjitha vendet janë përballur me këtë problematikë dhe këtë sfidë, për t’i trajtuar të sëmurët Covid dhe për t’i dhënë gjithashtu prioritet të gjitha atyre sëmundjeve të tjera që nuk presin, sidomos atyre malinje. Për këtë arsye, duke ndjekur të gjithë udhëzimet, por dhe strategjinë që ndërtuam me Komitetin e Ekspertëve, vendosëm për asnjë moment të mos pezullonim aktivitetin kirurgjikal për patologjitë malinje. E them këtë, pasi duhet ta kemi këtë informacion që të mos dezinformohet publiku përsa i përket këtyre patologjive, që janë shumë të rëndësishme. Për asnjë moment në sistemin tonë shëndetësor nuk janë ndërprerë kirurgjinë përsa i përket patologjive malinje. Përsa i përket të gjithë shërbimeve të tjera, në kujdesin parësor, ne kemi treguar një vëmendje të veçantë përsa i përket të gjithë të sëmurëve kronikë, duke mundësuar konsultat online, me video, por edhe konsulta nëpërmjet telefonit. Nëse do t’i referohemi shifrave për sistemin e referimit që juve ju referuat, qoftë për marsin, qoftë për prillin, numri i recetave me rimbursim është i njëjti, që do të thotë që qytetarët janë shërbyer me të gjitha barnat e rimbursuera, që do  të thotë që janë trajtuar për nga pikëpamja shëndetësore dhe mjekët i kanë ndjekur. Kjo është hallka e parë e trajtimit në shërbimin parësor. Përsa i përket shërbimit të specializuar, në asnjë moment nuk janë mbyllur qendrat e specializuara, qoftë poliklinikat, qoftë poliklinikat në spitalet rajonale. Është e vërtetë që ne i kemi pezulluar dhe kemi kërkuar që të mos ketë frekuentim të madh, që të vendosen vetëm rastet që janë emergjencë shëndetësore dhe disa algoritme, të cilat lejojnë futjen në sistem të atyre personave me patologji që kanë indikacion të sëmundjeve kardiovaskulare, tumoriale e të tjera, por kemi bërë maksimumin tonë brenda sistemit për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve.

A ka patur problematika dhe a do të ishte mirë që sistemi të ishte i hapur?

Unë mendoj që kemi gjetur zgjidhjen e duhur. Centralizimi që ne bëmë për të trajtuar COVID-in në spitalet COVID1, 2 dhe 3 dhe tani në spitalin 4 COVID ishte strategjia e duhur që COVID-i të mos na shpërndahej në të gjithë vendin dhe më besoni sot do ishim duke bërë disa bilance të tjera, sepse shumë vende në botë, duke mos patur këtë mundësi të favorshme që ne në fakt e kishim për arsye të historikut të sistemit që kemi trashëguar dhe këtu i referohem Italisë ku ju e dini shumë mirë debatin mes rajoneve për çështjen e strukturave spitalore, se u kthyen edhe maternitetet në spitale COVID dhe ku u infektuan me radhë pacientë që ishin të shëndoshë, por me patologji të tjera nga trajtimet e COVID-it, ne ndërtuam një strategji që në fakt na dha rezultat.

A ka problematika që duhet të trajtohen dhe a do ketë kosto kjo për situatën shëndetësore në vend?

Patjetër jemi duke e vlerësuar dhe analizën e thelluar, ne e kemi bërë dhe e bëjmë në dinamikë çdo ditë, për të mundësuar që, ashtu siç ju jeni në dijeni, është hapur sistemi që në 18 maj i kirurgjive të planifikuara dhe tashmë është i gjithë sistemi i hapur që na përball me sfida të tjera, por mbi të gjitha është sfida përsa i përket sjelljes individuale të çdo personi, qoftë pacient, qoftë qytetar, por sigurisht edhe personel shëndetësor. Por detyra jonë tani është mirëpajisja e personelit shëndetësor me të gjithë mjetet e mbrojtjes personale, në mënyrë që ne të ruajmë personelin shëndetësor dhe edhe pacientët që vijnë për t’u trajtuar me patologji të tjera të mos ketë infektime nga COVID. Kjo ka qenë arsyeja që jo vetëm te ne, por në të gjithë vendet e botës është bërë ky kufizim. Nuk është nga dëshira kufizimi, është nga nevoja dhe sigurisht përkthehet në një kosto, të cilën ne po e llogarisim dhe do ta përkthejmë në buxhete për shëndetësinë, në mënyrë që të rekuperojmë atë që kemi humbur në raport me shërbimet. Por dua ta them edhe njëherë, në bazë të të dhënave, fakteve dhe statistikave që ne kemi, ne i jemi përgjigjur shumicës dërrmuese të nevojës për sistemin shëndetësor të qytetarëve në lidhje me të sëmurët kronikë, urgjencat, patologjitë malinje, terapive të patologjive malinje që nuk kanë munguar një ditë në shërbimin onkologjik, në njësitë e kimioterapive në spitalet rajonale ku ka vijuar edhe për kirurgjitë, edhe pse me një staf të reduktuar për arsye të situatës dhe për të mbrojtur qytetarët. Kjo është bërë vetëm për të mbrojtur qytetarët, sepse ajo që pret në shëndetësi mund të presë dhe nuk është një qëllim në vetvete kryerja e numrave, është cilësia ajo që duhet të na udhëheqë dhe mbi të gjitha, në një situatë pandemie, të cilës duhet t’i përgjigjemi me shumë përgjegjësi, sepse, nëse ne nuk do të ishim treguar të kujdesshëm dhe kaq largpamës, mund të them dhe sigurisht që nuk është merita e politikëbërësve, por është merita e atyre që e njohin situatën epidemiologjike, e njohin sistemin, e dinë ku janë pikat delikate të sistemit, se duhet të jemi dhe realistë dhe janë përgjigjur me një strategji që ka këto rezultate që ne sot po prezantojmë.

Kryeministri Rama: Besoj që përgjigja ishte shteruese dhe jo vetëm ishte shteruese, por ishte faktuale, që do të thotë që mjafton të bëni një përpjekje me imagjinatën tuaj, çfarë do kishte ndodhur në këtë vend, sikur kjo përballje t’i kishte rënë për taksirat botës dhe Shqipërisë vetëm 5-6 vite më parë, me spitalet që shërbyen në vijën e parë të kësaj lufte në atë gjendje që ishin 5-6 vite më parë, me reanimacionin në atë gjendje që ishte 5-6 vite më parë, me spitalin “Shefqet Ndroqi” në atë gjendje që ishte 5-6 vite më parë, me gjithë pjesën tjetër të sistemit. Sot flasim për receta dhe karta shëndeti elektronike, janë të gjitha që merren nga shtëpia. Parafytyroni barnat me rimbursim me ato copat e letrës nëpër duar, në kushtet kur nuk do dilte dot njeri nga shtëpia dhe radhët e detyruara si në kohën e pazareve të mesjetës që ishin vetëm 5-6 vite me parë. Parafytyrojeni pak këtë, që të mos e detajoj më shumë të gjithë mungesën që kishin spitalet që përballuan këtë situatë, për të arritur në konkluzionin që përtej të gjithave, ky është një rast suksesi, doni apo s’doni ju dhe kur them ju, kam parasysh në këtë rast kolegun që bëri pyetjen, kam parasysh edhe të gjithë ata që i nxjerrin bishta çdo gjëje. Cdo gjë ka bishtat e vet, patjetër. Sigurisht që asgjë nuk është perfekte, por doni, nuk doni ju që insistoni të flisni nga distanca sociale, ndërkohë që unë përgjigjem, ky është një sukses i madh fare i shtetit shqiptar, i shëndetësisë shqiptare dhe i popullit shqiptar, padiskutim.

Shqipëria ka dalë nga kjo fazë dhe mos e dhëntë Zoti që të kemi valë të reja dhe situata të reja, se asnjëherë nuk dihet si shkon me kokën lart. Pastaj ka 1001 gjëra për t’u parë, sepse ne po bëjmë rindërtimin e qendrave shëndetësore të vendit dhe është e paimagjinueshme kur i sheh një nga një, që për dekada të tëra, godina të ndërtuara në vitet ‘70-‘80-të nuk kanë marrë një dorë boje, sot po rindërtohen nga themeli. Sot janë dhjetëra e qindra mijëra shqiptarë që kur ne flasim për shërbim parësor, kanë shërbim parësor jo një barakë ku rri një përfaqësues i sistemit shëndetësor me një bluzë të bardhë, që në të shumtën e javës është e mbyllur. A ka akoma baraka të tilla? Ka sa të duash patjetër. Nuk janë rindërtuar të gjitha, se nuk mundet dot të rindërtohen të gjitha ato që nuk janë prekur me dorë, por janë shkatërruar jo për 30, por për 50 vjet. Ama, ndërkohë që thuhet njëra, nuk duhet harruar dhe tjetra, sepse vetëm kështu mund të jemi të drejtë me njëri-tjetrin. Nuk ka asnjë problem me vënien në pah të dobësive, të të metave, të mungesave. Nuk ka asnjë problem, edhe në rast se jo një, por më shumë pacientë, siç dëgjoj që po thoni, përfaqëson një problem, sigurisht që është një problem e patjetër që duhet adresuar, por kjo nuk është një arsye për të nxjerrë konkluzione të përgjithshme të gabuara dhe për të thënë që qenka ndalur aktiviteti shëndetësor dhe qenkemi marrë vetëm me COVID-in, sepse kjo është thjesht e pavërtetë. Mos harroni asnjëherë, gjysmë të vërtetat janë gënjeshtrat më të mëdha.

Pas hapjes së kufijve tokësorë, a kemi një datë se kur do të hapen kufijtë detarë dhe ata ajrorë dhe a është menduar që do ketë testime te personat që do vijnë përmes këtyre linjave? Ndërkohë, meqë po flitet për një valë të dytë nga ekspertët, a do kemi shtrirje të testimeve serologjike në gjithë popullsinë, për të verifikuar se si do jetë imunizimi i popullsisë shqiptare? 

 

Kryeministri Rama: Përsa i përket kufijve ajrorë duhet ta dini që kjo nuk lidhet thjesht me ne, lidhet dhe me palë të tjera. Ne kemi hapur kufijtë tokësorë, nga ana jonë. Ne lejojmë çdokënd të hyjë në Shqipëri nga kufijtë tokësorë, por jo të gjitha vendet me të cilët ne kemi kufij tokësorë i kanë hapur kufijtë tokësorë, apo që ata që do t’i hapin, do i hapin njësoj si ne. Ky është fakt. Është e lehtë të vësh kujën nëpër rrjetet sociale, “o Ramazan, hap kufijtë se i ka hap gjithë bota”, por ja ku jemi sot. Ne i hapëm kufijtë dhe ju e shikoni që kemi vetëm 1 kufi që është fluid komplet, që është kufiri me Malin e Zi, sot që flasim dhe kufiri me Kosovën, besoj pas një momenti të çuditshëm dje. Me kufijtë ajrorë është e ndryshme. Ne mund t’i hapim, por a i hapin të tjerët? Për më tepër mos harroni diçka që të gjitha bëhen mbi bazë marrëveshjesh, sepse, nëse t’i e hap me një vend që vende të tjera nuk janë hapur, atëherë edhe ti mbyllesh me ato vende. Përshmbull, sot, debati është brenda BE-së me Italinë dhe me Spanjën, është debat i madh. Kjo do të thotë që nëse vendoset, – bëjmë një spekullim tani, – që Gjermania apo Franca të hapen me Italinë, nëse ti hapesh me Italinë, atëherë ti mbyllesh me Gjermaninë dhe me Francën se konsiderohet një kanal transmetimi. Shpresoj që këto do të mbarojnë, që do të zgjidhen. Kanë një afat në 15 qershor për Shengenin dhe ne do të shohim si do të vijohet.

Kështu që për sa na takon nuk ka asnjë problem. Ne i kemi hapur kufijtë. Ne nuk do bëjmë as tampona, as detyrime për vetëkarantinim të atyre që hyjnë. Është e kotë. Dhe do t’u besojmë njerëzve tanë. Edhe me Greqinë kemi ndjekur në vijimësi atë që po bën dhe kemi parë të gjithë metodologjinë, kemi parë se si Greqia ka relaksuar të gjithë planin paraprak, që ne e kemi ndarë bashkërisht, sepse është e pamundur, ti hapesh në kushtet kur do turizëm, hap kufijtë dhe pastaj çfarë do bësh, do i mbash njerëzit nëpër aeroporte, nëpër prita për të tamponuar gjithë dynjanë?! E kemi thënë një milionë herë, mund ta bësh tamponin sot, nuk të del, ti e ke akoma të inkubuar, nesër shfaqet. Të bësh tampona radhiko është diçka që nuk e këshillon askush dhe nuk e bën askush. E gjitha bazohet mbi gjurmimin. Ka vende që shkojnë edhe në këtë drejtim, por ne nuk kemi zgjedhur këtë. Me falni të përsëris këtë, për sa kohë rezultati flet në favorin tonë, atëherë mos vini në dyshim idetë tona. Po të ishte rezultati që do fliste ndryshe, atëherë gjitha fjalët tona, edhe po të ishin të drejta do t’i merrte era, do rrëzoheshin. Por përderisa rezultati flet në favorin tonë dhe flet qartë dhe fort, kini besim që dimë për çfarë flasim, sepse nuk janë as shpikje dhe as, siç e tha ministrja, produkte bio të politikëbërjes. Është një politikë e ndërtuar mbi dëgjimin me vëmendje si nxënës, jo si profesor dhe mbi leximin, si nxënës që duhet të japin provimin e jetës, të ekspertëve dhe të gjithçkaje tjetër që flitet rreth kësaj gjëje, që jam i bindur që po ta kishte bërë kolegu juaj, njësoj siç e bëjmë ne punën e nxënësit, do e kishte bërë edhe më mirë seç e bën punën, që më duhet ta them, e bën mirë. Nuk kam asnjë vërejtje, por do ta kishte bërë edhe më mirë. Nuk do thonte gjëra që janë gjysmë të vërteta.

Ministrja Manastirliu: Për të thënë diçka në raport me të gjitha rekomandimet që kanë bërë shtetet dhe që patjetër edhe ne kemi bërë për të gjithë popullatën, për të gjithë vendet është një rekomandim unik, që të shmangim udhëtimet jo te domosdoshme dhe kjo është për të gjithë. Pra, epidemia nuk ka ikur, virusi është këtu. Udhëtimet që nuk janë të nevojshme mund të shmangen. Por pavarësisht kësaj, kufijtë do të hapen. Testimet, ne kemi vendosur që nuk do të jenë. Nga ana tjetër kemi filluar prej një farë kohe testimet serologjike. Ashtu siç kemi premtuar, kemi realizuar më shumë se 1400 testime serologjike në personelin shëndetësor, ku kemi 9% të personelit që ka demonstruar krijimin e antitrupave. Në përqindje është një përqindje e ulët, ashtu siç referojnë mjekët në raport me përballjen me infeksionin, pra, personeli ynë mjekësor nuk ka patur një përballje të lartë me COVID-19, që do të thotë, duhet të vijojmë ruajtjen e personelit mjekësor. Nga ana tjetër jemi duke vlerësuar realizimin e serologjisë në një kampion të popullatës. Është duke u përgatitur një skemë e këtij kampioni. Do të jetë i targetuar në grupmoshë e në disa qytete të Shqipërisë dhe jemi duke pritur skemën që do të na propozojnë ekspertët dhe targetin apo kampionin që do i referohet këtij testimi serologjik, por është e nevojshme të kemi një periudhë kohore, që është e domosdoshme, për të pritur që kampioni që do testojmë të na japë të dhëna që t’i përdorim për përmirësimin e strategjisë dhe politikat në MSH.

Pyetja e parë për ministren, Kryeministri e tha që ishin disa sipërmarrës dashamirës që ndihmuan që kjo strukturë të kthehet në spital. A ka emra në kuadër dhe të transparencës që opozita këto kohë ju ka akuzuar ka munguar. Pyetja për kryeministrin, pyetje politike, opozita po kërkon garanci më të mëdha për një proces zgjedhor të pakontestueshëm. A do i plotësoni kërkesat e opozitës për të arritur një reformë zgjedhore të miratuar me konsensus, apo do shkojmë drejt një reforme zgjedhore të miratuar në mënyrë të njëanshme që Presidenti thotë se do ishte dhe goditja më e madhe dhe zero shanse për hapjen e negociatave të anëtarësimit. 

Kryeministri Rama: Së pari, lidhur me sipërmarrësit, sigurisht që ka emra. Janë të gjitha të dokumentuara, por për të dhënë emrat në publik sot, ne nuk e bëmë sepse na duhet edhe miratimi i tyre, që do të thotë që ka raste që ata që dhurojnë, nuk e bëjnë për të sponsorizuar emrin e tyre dhe në këto kushte thjesht na duhet miratimi. Por sigurisht që gjithçka është e dokumentuar. Pra, thjesht për etikë nuk përmenda emra, se do kisha shumë dëshira t’i përmendja, se do bëja dhe komente kur t’i përmendja, por shmanga edhe dëshirën time për të bërë komente, për të respektuar vullnetin. Nuk kemi marrë një autorizim për këtë. Kur ta marrim, do ta themi dhe patjetër që mungesa e transparencës është një akuzë, patjetër që nuk ka limit në mekanizmat për të bërë sa më shumë transparencë. E gjithë bota, edhe vendet më transparente përsëri synojnë të përmirësohen, por unë dua t;i siguroj të gjithë se nga pikëpamja e proceseve të kryera në këtë fazë, për vetë situatën shumë dinamike, për vetë presionin shumë të madh për të arritur për t’i siguruar gjërat e domosdoshme, si gjithë bota edhe ne, kemi bërë maksimumin, nuk kemi pasur asnjëherë një tendencë për të fshehur gjëra sepse gjërat janë të shkruara, të dokumentuara, nuk fshihen, problemi është që duhet të presim lexues të paanshëm të dokumenteve që të lehtësojnë komunikimin me publikun sepse dikush thotë një gjë, dikush thotë të kundërtën e asaj, por duhet dhe një dikush i tretë që të thotë faktet si i paanshëm.

Për sa i përket reformës, unë i kam thënë ato që kam pasur për të thënë. Është shumë e thjeshtë, ka një sugjerim të kthyer në një kërkesë, që nga Bundestagu është përfshirë pastaj në dokumentin e Këshillit, për një reformë zgjedhore mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR që do të votohet në parlament. Kjo është korniza dhe mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR gjithçka që nuk është ndonjë shkencë sepse janë gjëra të shkruara dhe të rishkruara shpesh, ku më e përsëritura në të gjitha vitet ku ka pasur zgjedhje, raportet e ODIHR është depolitizimi i administratës zgjedhore, ne jemi të hapur deri në fund dhe kemi qenë e jemi të hapur deri në fund për çdo gjë. Por duke qenë se në këtë proces, për të ndihmuar janë përfshirë dhe partnerë, miq të Shqipërisë, unë nuk dëshiroj që të bëj komente përpara se sa të flasin dëshmitarët. Nuk dëshiroj! Sigurisht që unë kam diturinë e plotë dhe këndvështrimin tim mbi ecurinë e procesit e të ngjarjeve, por besoj që ajo që na duhet është të bëjmë sa më pak polemika “e lagu, nuk e lagu” dhe të përpiqemi për produktin më të mirë. Nga ana jonë, besojmë që produkti është aty, i plotëson të gjitha kushtet, mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODHIR, sigurisht në një proces reforma zgjedhore të gjitha palët kërkojnë gjithçka, ka palë që mendojnë se me ligjin e reformës fitohen zgjedhjet. Nuk është e vërtetë. Zgjedhjet fitohen me votën e popullit. Apo që mendojnë se ky sistem apo ai sistem, mund të bëjnë ato që ata i imagjinojnë si mrekulli, nuk është e vërtetë! Është thjesht çështje respektimi standardesh dhe garantimi standardesh, ne kjo na intereson, për këtë kemi punuar, për këtë e kemi dhënë kontributin tonë dhe besoj që e kemi bërë detyrën tonë, por nuk duam të merremi me fjalë sepse e thashë, ka dëshmitarë.

Më vjen keq që në Shqipërinë e vitit 2020 duhet akoma të ketë ambasadorë që hyjnë e dalin nëpër seli partish për të bërë një marrëveshje apo një negociatë apo një diskutim në interes të përbashkët, siç është diskutimi mbi rregullat e lojës, unë mendoj që do duhet prej kohësh ta kishim bërë vetë këtë, por duke qenë se palët e tjera kanë nevojë për këtë element dhe për të pasur garanci, edhe për të pasur nuk e di se çfarë, nuk ka problem. Unë i jam mirënjohës miqve që janë përpjekur të ndihmojnë, të bëjnë më të mirën, duke lehtësuar procesin e komunikimit, por nuk kam koment, nuk dua të bëj koment sot për këtë, pasi mendoj që ka akoma të tjerë që duhet të flasin.

Zoti Kryeministër, Kosova po bllokon kalimin në kufi të shqiptarëve duke kërkuar një test COVID në 4 ditët e fundit. A do mundet një qytetar të bëjë vullnetarisht tamponin? Ku mund ta bëjë dhe a do të pajiset me një certifikatë që fakton që ka rezultuar negativ, ashtu siç e kërkojnë autoritetet Kosovare? E dyta, duke marrë parasysh situatën aktuale të pandemisë, a ka qeveria një skenar për shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore? Dhe së fundmi, as me presionin e ndërkombëtarëve, me afatin tashmë të djegur të 31 majit nuk u arrit dakordësia për reformën zgjedhore. A jeni ju gati të takoheni me krye demokratin Basha? Faleminderit!

Kryeministri Rama: Nga tamponi tek Basha është një rrugë e gjatë, le ta fillojmë me tamponin. Ne nuk kemi në Shqipëri një shërbim tamponimi privat. Ne nuk mendojmë dhe kur them ne, jemi ne që e kemi marrë përsipër këtë vendim, por janë ekspertët që e kanë sugjeruar që çështja e tamponit është si analizat e gjakut. Tamponimi bëhet mbi bazën e strategjisë së gjurmimit dhe e përsëris, vlera e tij është shumë, shumë relative kur bëhet kot ose kur bëhet si analizë gjaku sepse mund ta bësh sot dhe ende nuk ke shenja të kapshme sepse virusi është në inkubim, mund të hysh në kufirin tjetër dhe nesër të shfaqen shenjat kështu që është diçka që nuk e kemi si shërbim dhe nuk e dija këtë detaj që ju thatë, por mendoj që autoritetet e Kosovës i kanë të gjitha mundësitë që ta lehtësojnë këtë proces për qytetarët shqiptarë që shkojnë në Kosovë, siç është pa asnjë kusht e pa asnjë  kërkesë të tepërt, përveç ardhjes me targa të rregullta, hyrja në Shqipëri nga qytetarët shqiptarë të Kosovës.

Për sa i përket gjendjes, sigurisht që nuk ka arsye për të bërë një shtyrje të përgjithshme, por po ekzaminojmë idenë e një zone të kufizuar vetëm në vijën bregdetare, për çfarë arsye?

Për të pasur gjatë sezonit të verës mundësinë që të ushtrojmë fuqinë legjislative të situatës së kësaj përballje për të ndihmuar në mbrojtjen nga përhapja. Pra, nëse nuk do të kemi një shtyrje të përgjithshme, nëse do të kemi një zonim, pra vetëm në vijën bregdetare, pa përfshirë zonat urbane, pra jo në Durrës, por në plazhin e Durrësit, jo në Vlorë, por në plazhin e Vlorës, jo në Shkodër apo në Velipojë, por në plazhin e Velipojës, kjo është diçka që po e studiojmë sepse mendojmë që do të ishte ndihmëse për njerëzit dhe për shtetin. Ndërkohë që sot ka përfunduar edhe gjithë procesi i ndërtimit të platformës për të aplikuar online për administrimin e plazheve nga subjektet private. Do të jetë një proces i qendërzuar nga një autoritet i përkohshëm për këtë fazë, do të bëjmë absolutisht atë që duhet për të mos lejuar pushtimin e plazheve publike masivisht dhe mbylljen e hapësirave për njerëzit për të shkuar në plazh pa qenë të detyruar të përballen me çmime, tarifa, gjoba dhe personazhe lloj–lloj. Sigurisht do të jemi racional sepse nuk është se do ta fshimë fare administrimin privat të hapësirave publike dhe sigurisht kjo do të bëhet dhe me kushtet e përcaktuara, pra në momentin kur do të kërkohet autorizimi do të jetë shumë e shpejtë, por ama do kërkohet për një sipërfaqe të caktuar siç bëhet më parë, por dhe për një numër të caktuar shezlongesh, çadrash e kështu me radhë, për të cilat kërkuesi do të përgjigjet para ligjit në rast se i dyfishon për shembull për qëllim fitimi. Kjo vetëm për të mbrojtur njerëzit sa të mundemi, përndryshe jo, nuk besojmë që ka arsye për të shtyrë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në gjithë vendin apo në zonat e banuara po themi të vendit, përveç plazhit, por akoma nuk e kemi marrë këtë vendim.

Për sa i përket asaj që ju thatë, ne kemi mbaruar punën tonë dhe besojmë që produkti është aty. Sigurisht që, mos më bëni të komentoj sot ju lutem, nuk dua sot të bëj asnjë koment sepse mendoj që nuk më ka ardhur radha për të komentuar unë, përderisa janë të përfshirë dhe të tjerë në këtë proces e për t’i respektuar ata deri në fund. Mendoj që do të ma falni një shtyrje me disa orë, ose  me 24 orë të zotimit për të folur sot. Për sa i takon takimit, unë mendoj që, e thash më parë, në Shqipërinë e vitit 2020, nuk është e hijshme për ne, që për çështje të brendshme dhe që lidhen me vendosjen e rregullave të lojës, siç është reforma zgjedhore ku palët janë dy skuadra apo më shumë që do zhvillojnë një ndeshje apo një finale, ulen dhe bien dakord, sa është fusha, sa është porta, çfarë quhet faull, çfarë quhet penallti, e kështu me radhë, të bëhet me ambasadorë që hyjnë e dalin nëpër dyer.

Megjithatë është për të thënë faleminderit sepse përderisa ka palë që nuk e bëjnë dot hapin për ta bërë vetë, atëherë duhet ndihmë. Unë kam qenë në opozitë e ju e dini shumë mirë e nëse nuk e dini mund t’i referoheni dokumenteve të kohës, disa herë i kam kërkuar Kryeministrit të kohës që të uleshim për gjërat që duheshin diskutuar dhe tani kanë ndërruar pozicionet. Kështu që, kur isha në opozitë unë kërkoja të uleshim, tani unë jam kryeministër, kërkoj të ulemi, por ju e dini historinë kështu që nuk dua të bëj më shumë komente. Gjynah sepse humbasim kohë, humbasim energji, lodhim njerëzit, i lëmë hapësirë gjithë gënjeshtrave dhe sajesave dhe fantazive të pushtojnë mediat, përmes informacionesh të dhëna qëllimisht për të dezinformuar dhe duket sikur ç’po ndodh. Në fakt, është shumë më e thjeshtë se kaq e do ishte normale që të uleshim. Merreshim vesh apo nuk merreshim vesh kjo është një temë tjetër, por këto gjëra bëhen bashkë, megjithatë, nuk jemi ende aty kështu që po vazhdoj.

Duke marrë parasysh faktin se në më pak se dy javë, 44 mjekë, infermierë dhe pacientë të tyre rezultuan pozitiv me COVID-19, dua t’ju pyes se ku ka çaluar hapja graduale e sistemit shëndetësor, por dhe hapja graduale e Shqipërisë? Nëse vazhdojmë me këto ritme a do ketë një mbyllje përsëri?

Kryeministri Rama: Tani, unë nuk e ha këtë, që të jemi të qartë tani ne të dy bashkë, po e them miqësisht, që unë të filloj të argumentoj çfarëdo qoftë lidhur me mbylljen e pastaj të shoh titullin, “Rama: Do mbyllemi përsëri”. Jo, këtë unë nuk e ha. Unë thjesht po them që ne e kemi parashikuar, është normale, nuk diskutohet që në kushtet hapjes rritet ekspozimi e kemi parashikuar që do ketë një rritje. Për fat të mirë, kemi pasur një pozicion jashtëzakonisht të favorshëm sepse kemi vendosur bazën shumë poshtë, falë mbylljes së fortë e falë faktit që shqiptarët e respektuan rregullin. Pra, ne dolëm, por nuk dolëm si në një vend tjetër që del nga një bazë shumë e lartë. Ne dolëm nga një bazë shumë e ulët. Me një numër humbjesh jete që është ndër më të ulëtit në planet për 100 mijë apo 1 milionë banorë, numërojini si të doni. Me një numër shtretërish, numër mesatar shtretërish të zënë në terapinë intensive që është ndër më të ulëtit e natyrisht mbyllja luajti rolin e vet shumë të madh e natyrisht që duke u hapur, numrat do të lëvizin, nuk mund të rrinë, sepse nuk ka ikur virusi, pra nuk është se do shkojnë zero, por do rriten. Por, frika e madhe, meraku i madh që kemi e që kam unë personalisht është që të mund të shkojnë përtej parashikimeve. Mund të rriten pra më shumë se sa janë bërë disa parashikime që janë, kuptohet, parashikime optimale, parashikime mesatare, parashikime negative dhe nëse ndodh kjo, situata do të jetë shumë, shumë problematike, por nuk dua të flas për mbyllje sepse sapo jemi hapur. Unë dua të flas për nevojën që të vazhdojmë punën të gjithë, secili duke bërë punën e vetë edhe secili të bëjë kujdes sepse nuk kemi tani të flasim për fjalën mbyllje nuk do ta dëgjoni nga unë sepse e di pastaj se si përfundon në ato me dy pika.

Nëse nuk mund të kemi emrat e sipërmarrësve që kanë kontribuuar në transformimin e godinës ish universitare në godinën spitalore, a mund të dimë sa është vlera e investimit për këtë godinë? E gjatë fjalës suaj zoti Kryeministër thatë që vlerësimi ekonomik për situatën do të bëhet në 4 mujorin e fundit të vitit…

Kryeministri Rama: Jo, nuk e thashë këtë, më fal se po bëj dhe unë atë gabimin që bëri ai djali e po ndërpres.

Kur do ta kemi një rivlerësim të situatës ekonomike?

Kryeministri Rama: Nuk thashë që do kemi një vlerësim në fund të këtij katër mujori, thashë që do rezistojmë.

Në 4 mujorin e fundit të këtij viti, thatë, që do kemi një rivlerësim të situatës ekonomike..

Kryeministri Rama: Nuk e thashë këtë, do rezistojmë deri në fund të këtij 4 mujori dhe pastaj në 4 mujorin e fundit do të kemi një rikthim në parametrat e normalizimit. Pastaj, vitin e ardhshëm, ne po punojmë për një plan kombëtar të rimëkëmbjes, që do të jetë një plan që shumë shpejt do ta bëjmë publik, po punohet intensivisht, kemi filluar punën që kur u mbyllëm. Janë të përfshirë të gjithë ministrat, janë grupe pune në çdo ministri, ka një grup koordinues që drejtohet nga Ministri i Rindërtimit dhe është një plan reformash që synon sigurisht të prekë çdo sektor, por që ka në gjithë shtyllën e vet, ekonominë dhe punësimin dhe shumë shpejt do ta bëjmë publik këtë plan dhe besojmë që do të jetë një bazë shumë e mirë, një udhërrëfyes shumë i mirë për të arritur që në 2021, siç e thashë, ne të tejkalojmë jo krizën, por të tejkalojmë parametrat e planifikuar pa COVID-in. Është ambicioze, e di shumë mirë, por ne për këtë punë jemi këtu, për të bërë gjëra ambicioze dhe shpesh herë për të bërë gjëra aq ambicioze sa krijohet pastaj dhe një debat i madh dhe kundërshti. Edhe një herë, nuk e kuptoj, çfarë ka të vështirë për t’u kuptuar. Nuk kemi autorizim sot për të thënë emra. Është thjesht çështje etike, dakord? Tani, sigurisht që ka emra, sigurisht që ka dokumentacion, sigurisht që kjo është e aksesueshme, por, nëse emrat duhen thënë, kjo është një gjë që duhet marrë autorizimi nga ata që kanë sponsorizuar sepse jo të gjithë, për fat të mirë ka dhe në Shqipëri njerëz që sponsorizojnë dhe thonë unë e bëj këtë për bujari dhe për solidaritet, nuk e bëj që të bëj propagandë dhe të bëj reklamë”. Kështu që do t’i marrim autorizimin dhe sigurisht do t’ia themi, që mos e ktheni këtë tani në një mister që Rama fsheh burimin e parave të ndërtimit  të spitalit se nuk besoj që të dyshohet për ndonjë pastrim parash me spitale publike apo me teatro publike, edhe pse këtu kuptohet që jo vetëm kjo mund të dyshohet, mund të dyshohet edhe shumë më tepër se kaq. Nuk thonë kot dhe nuk ka dalë kot në Shqipëri, – nuk e ka asnjë vend tjetër shprehjen “bënë priftin me barrë”, e ka shqipja.

Pandemia nxori në pah një përplasje të mundshme ekonomike mes SHBA-ve, BE dhe Kinës. Sa e gatshme është Shqipëria të përfitoje nga kjo situatë, nëse do të bëhet e mundur një tërheqje të këtyre investimeve ndërkombëtare nga Kina. A ka Shqipëria infrastrukturën e nevojshme, por dhe krahun e kualifikuar të punës të përthithë  një pjesë të këtyre investimeve nëse ato do të largohen nga Kina ose nga Azia?

Kryeministri Rama: Unë jam kryeministri më i gjatë i vendit më të vogël, në këtë histori, kështu që nuk e ngatërroj gjatësinë time me përmasën e vendit, dhe mendoj që këto janë tema shumë globale dhe shumë madhështore për dimensionin modest që ka vendi ynë. Ne nuk jemi lojtarë globalë. Ne jemi thjeshtë dhe vetëm një vend që duhet të bëjë më të mirën për të pasur për njerëzit, atë, që ata meritojnë dhe kushtet dhe mundësitë i kemi. Më e mira bëhet mendoj, duke u përpjekur maksimalisht, duke qenë nxënës të mirë në mësimin e të rejave dhe e eksperiencave dhe e praktikave më të mira nga bota, por pa menduar kurrë që jemi qendra e botës, – edhe pse kërthiza është shumë e vogël, – pa menduar që jemi kërthiza e botës.

Pak ditë më parë, Zoti Kryeministër, drejtuesi i policisë së shtetit Ardi Veliu po përpiqej të argumentonte ose të justifikonte dhunën e ushtruar ndaj një minoreni, duke publikuar foton e mamasë së tij, duke marrë të dhënat personale të saj dhe më pas edhe duke na gënjyer që e ëma mbante armë dhe kjo ishte arsyeja pse ishte dënuar djali i saj edhe pse bëheshe fjalë për një skenë filmi. A kemi këtu një rast zoti kryeministër për të shkarkuar drejtorin e policisë, kur gënjen publikisht dhe ndërhyn në të dhënat personale të një individi?

Kryeministri Rama: Së pari, më lejoni që ta sqaroj se sigurisht Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, për të cilin  kam konsideratën më të lartë për integritetin, për profesionalizmin dhe  për rezultatet e arritura, – në këtë rast ka gabuar, pa diskutim.  E them pa asnjë rezervë ka gabuar, por jam më i prirur t’i besoj ndjesës së tij publike dhe sqarimit që ai dha sesa të gjithë moralistëve të mexhlisit të këtij vendi. Është fare e qartë që nuk ishte një përpjekje për të justifikuar dhunën sepse punonjësi i policisë për të cilin flitej, është pezulluar menjëherë, jo atë dite, ose pas asaj dite, por më parë dhe është çuar në hetim penal, pra masa është marrë, por ishte një përpjekje e keqshpjeguar për të thënë që “dakord të gjitha, por edhe familja ka përgjegjësinë dhe rolin e vet në mirë edukimin dhe mirërritjen e brezit të ri. Sigurisht e thënë ashtu ishte gabim, por preferoj – e thashë – ndjesën publike të tij dhe shpjegimet e dhëna prej tij dhe duke e njohur për shkak të punës dhe duke e vlerësuar për integritetin moral, të pavënë në diskutim deri më sot, nga askush, kur është vënë në diskutim integriteti edhe i kujtdoqoftë dhe për profesionalizmin, – çështja për mua është e mbyllur. Ata që predikojnë më shumë moral dhe që predikojnë më shumë ligjësi morale në këtë vend, kam fatin t’i njoh, ashtu siç kam fatin të njoh dhe drejtorin, dhe midis tyre unë zgjedh drejtorin, nuk zgjedh ata, më vjen keq. Nëse do ta transmetoni këtë mos e nxirrni nga konteksti edhe pjesën time, ju lutem  se është problem i madh kjo punë. Duhen thënë gjërat nga fillimi deri në fund, jo në gjysmë të fjalisë.

Fillimisht, duke ju referuar asaj që ju thatë ndërhyrjeve që do të bëni në ekonomi, pritet që duke ju referuar pjesës së viti 2021 , prisni një balancim të ekonomisë, ndërkohë mos harrojmë që viti i ardhshëm është dhe një vit zgjedhor. Pyetja ime lidhet me faktin  a ka një personalitet në PS që ju do t’i besonit drejtimin e reformave ekonomike edhe të qeverisë të paktën për 100 ditë, ndërkohë që ju do të jeni duke kërkuar një mandat të tretë para shqiptarëve. Pyetja e dytë lidhet me çështjen e pandemisë. Ne jemi aktualisht në gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Ndërkohë që kemi parë skena të grumbullimeve siç ishte ajo e qytetarëve në parkun Rinia dje në Tiranë , apo të protestave para teatrit dhe përkundër këtyre si duhet të përgjigjet një pronar i një bari, i cili përballë inspektorit i kërkohet që në një tryezë të ketë vetëm dy klientë dhe jo më shumë.

Kryeministri Rama: Nëse dikush shkel ligjin dhe nëse dikush sillet në mënyrë të papërshtatshme, kjo nuk është arsye për ata që nuk e shkelin ligjin dhe sillen në mënyrë të përshtatshme që të marrin shembull rastin e atij që sillet në mënyrë të papërshtatshme. Kjo më kujton momentin kur ne deklaruam faljen e gjobave, gjatë karantinës për ata të cilët kishin shkelur rregullat dhe shumëkush në atë faqen time të vorbullimit të sharjeve dhe mallkimeve, por edhe të opinioneve të ndryshme, thoshte “Po pse budallenj paskemi qënë ne që respektonim ligjin?”. Jo, mua personalisht nuk më duket vetja budalla që respektoj ligjin. Zgjedhja për të prostituuar është zgjedhja e një personi, por kjo nuk duhet t’i bëjë ata që nuk prostituojnë që të ndihen keq nëse ai person me prostitucion fiton para. Apo jo? Zgjedhja për të shkuar dhe për të vjedhur një bankë ose për të përfituar në mënyrë të padrejtë dhe pastaj për të jetuar me një standard mbi shumë të tjerë për shkak të kësaj rruge, është një zgjedhje që nuk duhet të bëjë as xheloz dhe as të ndihet budalla, ata që ndjekin këtë rrugë. Që do të thotë që ai pronari këtë e bën sepse është gjëja e duhur dhe do ta bëjë sepse është gjëja e duhur. Natyrisht, unë e kuptoj shumë mirë pyetjen tuaj dhe patjetër që në pyetjen tuaj ka një pikë me rëndësi, por situatat nuk janë njësoj. Amerika është e mbyllur. Shikoni çfarë ndodh. Franca është mbyllur. E patë çfarë ndodhi?

Këtu ka gjithmonë  një ekuilibër që duhet gjetur midis gjërave, por gjëja që vlen kryesisht dhe thelbësisht është kjo: Kush sillet siç e kanë edukuar prindërit dhe sipas rregullave të përbashkëta të vendosura në ligj nuk është budalla, në raport me atë që nuk i respekton këto rregulla dhe nuk sillet në mënyrë të përshtatshme. E nuk do të bëja simetri midis parkut Rinia dje dhe një grumbullimi, miting politik. Janë dy gjëra të ndryshme. Ne jemi hapur dhe ju kemi thënë qytetarëve, mund të shkoni në parqe, mund të shkoni ku të doni, ndaj them nuk do rrimë me policë dhe me ushtarë t’u themi, “shiko parku është i hapur, por ti nuk do të futesh sepse janë futur boll njerëz”. Kjo është një çështje vetërregullimi dhe vetëorganizimi i njerëzve. Kurse të thërrash njerëz, t’i mbledhësh, t’i ngucësh aty për të luajtur një pllakë gramafoni është  skandal, megjithatë ju i dini më mirë se unë këto gjëra.

Pyetjen e parë nuk e kuptova. Nuk e di çfarë domethënë “a ka një personalitet për 100 ditë”. Ne kemi personalitete për më shumë se 100 ditë, që kanë secili rolet e tyre, bëjnë punët e tyre  dhe unë i ndihmoj duke i koordinuar, meqë nuk jam personalitet.

Shumë faleminderit!