Kryeministri Edi Rama për votëbesimin e qeverisë së re

Fjala përmbyllëse e Kryeministrit Edi Rama në seancën e votëbesimit të qeverisë së re:

Shumë shkurtimisht dua të them disa fjalë dhe në fakt do dëshiroja t’i thoja këto fjalë për ju që po ikni. Nuk e kuptoj logjikën. Deri dje kërkonit që unë të vija këtu, tani që unë jam këtu për ju, ju po ikni. Dakord!

Dua të ndalem vetëm me disa fakte që kanë të bëjnë ekzaktësisht me atë që është edhe një dallim, – jo në opinione se në opinione nuk diskutohet që jo këtu, por në çdo demokraci, edhe në ato më të zhvilluarat, kontrastet janë shumë të mëdha, – por në shifra. Mbase nuk do ta kisha marrë fjalën, nëse nuk do kisha dëgjuar që njerëzit janë në çadra, sepse na duhen për t’u blerë votën.

Sot në çadra janë afro 400 familje, të cilat kanë zgjedhur që në ditën e parë të qëndrojnë në çadër për shkak të largësisë nga qyteti e për shkak të afërsisë me tokën, me gjënë e gjallë, me aktivitetin e tyre bujqësor. Për të 400 familjet që janë në çadra, njësoj si për 12 000 familje që presin apo në proces kanë pritur të hyjnë në shtëpi, është dhënë që ditën e parë bonusi i qerasë. Njerëzit që janë në çadra marrin bonusin e qerasë. Është zgjedhja e tyre që të qëndrojnë në çadër, por njësoj si të tjerët, me bonusin e qerasë mund të shkojnë në apartament. Ky është fakti i rëndësishëm.

Përtej të gjitha të tjerave, unë në fakt doja ta bëja në formë pyetjeje për kryetarin e grupit parlamentar që bëri përmbledhjen e debatit nga ana e PD-së dhe që foli për një grusht njerëzish e për lënien e të tjerëve pas dore. Pyetja është shumë e thjeshtë.

A është e vërtetë që në 8 vitet e regjimit të ri të taksave, janë 1.2 miliardë dollarë që nga buxheti i shtetit kanë kaluar tek familjet, si rezultat i ndryshimit të sistemit të taksave?

Pra, si rezultat i kalimit nga taksa e sheshtë në taksimin e ndershëm progresiv, 1.2 miliardë që me regjimin e tyre të taksimit do t’i kishte marrë shteti kanë mbetur tek buxhetet familjare.

A është e vërtetë që në ditën që ne kemi marrë detyrën, në Shqipëri kishte në punë 439 mijë njerëz dhe sot ka 683 mijë njerëz, të regjistruar?

A është e vërtetë që në kohën e atyre që flasin për fryrje të administratës, ishin 120 mijë të punësuar në shtet, sot janë 86 mijë?

Këto janë shifra lehtësisht të verifikueshme, nuk janë opinione. Për opinionet, natyrisht, Shqipëria mund të jetë një vend në progres apo një vend në regres, kurse faktet janë fakte.

A është e vërtetë që përpara sesa ne të merrnim detyrën, këta që sot flasin për njerëzit dhe për hallet e tyre, rimbursonin 38 milionë dollarë ilaçe, sot rimbursohen 120 milionë dollarë çdo vit, që është para që buxheti i shtetit i jep për njerëzit që marrin ilaçe.

A është e vërtetë që sot, në fillim të vitit të ri shkollor janë 280 mijë nxënës që marrin librat falas, ndërkohë që, kur ne e nisëm këtë punë, nuk kishte asnjë? Dhe marrin falas prodhime të Oxford, Cambridge dhe Pearson, jo të Fariut, të Balliut dhe të Bari Falliut.

A është e vërtetë që në kohën e tyre ishin 600 mijë njerëz që ishin jashtë çdo skeme trajtimi shëndetësor dhe jashtë çdo skeme rimbursimi shëndetësor për shkak se ishin të pasiguruar?

A është e vërtetë që sot, këta 600 mijë janë të përfshirë?

Përsa i përket programit, normale që opozita vë në pikëpyetje të gjitha, por, meqenëse Zoti Shehi është këtu dhe po respekton fjalën që unë po mbaj e në fakt, edhe prej fjalës së tij mora shtysë, kjo është shumë e thjeshtë. Nëse do bëhen apo nuk do bëhen portet dhe aeroportet, këtë do ta tregojë koha në proces. Në formulimin e programit elektoral, ne kemi pasur parasysh një gjë, që ne nuk jemi një parti që vijmë nga opozita e që për herë të parë do të ulemi të qeverisim nëse fitojmë zgjidhjet, por ne jemi parti që jemi në qeverisje e nuk mund të shkonim përpara zgjedhësve, përveçse me një program që njëkohësisht është një plan pune. E faktikisht, programi elektoral është kthyer në një program qeverisës, sepse programi qeverisës ishte programi ynë elektoral dhe nuk ka asnjë premtim të bërë në fushatë që nuk është në program.

Zoti Shehi thotë se nuk është bërë as çereku, unë mendoj që është bërë shumë më tepër sesa çereku, por jam dakord në sensin që asnjë program elektoral dhe asnjë program qeverisës, pavarësisht dëshirës së mirë dhe vullnetit, në asnjë vend të botës nuk ka rezultuar i përmbushur 100% për shkak të shumë faktorëve objektivë. Nuk mund të përmbushësh 100% programin tënd qeverisës, në rast se je duke punuar për “X” prioritete, të vjen virusi e duhet të ndryshosh prioritetet e duhet të spostosh volume të tëra të ardhurash për një prioritet që ti as nuk e kishe imagjinuar, jo më konsideruar. Apo tërmeti, një përmbytje e me radhë.

Programi ynë që votohet sot, bashkë me kabinetin, është një program që synon të jetë 100% i realizuar, të paktën në ato pjesë që kanë të bëjnë me projektet e mëdha, që kanë të bëjnë me luftën deri në fund me pandeminë, që kanë të bëjnë me eliminimin përfundimtar të pasojave të tërmetit.

Dëgjova nga kryetari i Partisë Demokratike që të gjitha ato synime, të cilat janë të parealizueshme pa bashkëpunimin me shumicën, do t’i ndjekim me popullin. Nuk kam asnjë problem që të zbresin në popull dhe të flasin për Reformën Zgjedhore apo për Reformën Territoriale apo për çfarë të tjerash ata synojnë, por në fund të ditës, nëse duan që të kenë një diskutim dhe nëse duan që ta synojnë në terrenin konkret realizimin e këtyre synimeve, duhet të flasin me ne. Nuk duhet të bëjnë gabimin që kanë bërë historikisht, që i kanë lënë gjërat gjithmonë për në fund, ndërkohë që ne u thonim, ejani të ulemi për Reformën Zgjedhore. Ata nuk uleshin dhe ne, në momentin kur ata ikën, shpikëm një karrige ekstra sepse nuk ishin në parlament. Reforma zgjedhore bëhet me opozitën parlamentare, por duke qenë se gjithsesi, ne nuk mund të mohonim që ata ishin opozita e votuar, ju dhamë një karrige ekstra në komisionin ad-hoc dhe atë karrige nuk e përdorën. Pastaj erdhi puna na kërkuan një tjetër strukturë dhe koha iku. Sidoqoftë, kjo është zgjedhja dhe çështja e tyre.

Ne nuk kemi asnjë tabu, jemi të gatshëm të diskutojmë për të gjitha. Sigurisht kemi opinionet tona. Jemi gati ta diskutojmë Reformën Territoriale, por ne kemi një qëndrim krejt të kundërt. Ne mendojmë që duhet të ketë më pak bashki, jo më shumë. E mbani mend shumë mirë që, kur është bërë reforma, i ndjeri Bashkim Fino, me grupin e reformës, në propozimin fillestar ka pasur numër më të vogël dhe u arrit në një kompromis. Fakti është që sot është e qartë që kemi entitete shumë të vogla, me burime njerëzore të kufizuara, me financa të kufizuara për të mbajtur gjithë barrën. Ndërkohë që kalimi në një numër më të vogël bashkish, me një numër më të madh njësish administrative do të ishte për ne rruga e duhur. Ata kanë një qëndrim tjetër e nuk ka asnjë problem.

Ajo që duhet të bëjmë është të ulemi e të ballafaqojmë argumentet. Mbase ne i bindim ata, mbase ata na bindin ne, por kjo bëhet mes dy palëve. Nuk bëhet duke thënë juve nuk ju njohim dhe po ikim në popull. Mund të shkojnë në popull, nuk ka problem.

Ashtu sikundër Reforma Zgjedhore. Duan ndryshim të sistemit kushtetues, nuk ka problem, ta diskutojmë, por çka është e rëndësishme është që kjo kërkon proces dialogu ndërpartiak dhe dialogu parlamentar në të gjitha nivelet. Disponimi ynë është i plotë dhe qoftë kryetari i grupit, qoftë Sekretari i Përgjithshëm që ka ndjekur dhe gjithë proceset e reformave zgjedhorë, janë në çdo moment të gatshëm që sido që ta zgjedhin, në rast se do ta zgjedhi Partia Demokratike një proces dialogu eksplorativ për temat, menjëherë të vihet në komunikim. Nëse duan ta bëjnë këtë në rrugë X apo Y, për ne nuk ka asnjë problem. Problemi i vetëm është se koha është e ngushtë, vitet ikin dhe sigurisht, për të gjithë ata që kanë qenë këtu që në mandatimin e qeverisë së parë e për të cilët, bashkë me mua kanë kaluar 8 vjet, duke sikur ajo ka qenë para 8 muajsh. Na duhet të fokusohemi në punën tonë, të fokusohemi në realizimin e programit, të fokusohemi në një ndërveprim shumë intensiv mes qeverisë dhe komisioneve, për të pasur shpejtësi, përveçse efikasitet dhe të jemi vijimësisht të hapur për opozitën.

Po e mbyll duke i falënderuar sinqerisht, gjithë deputetët këtu në sallë, jo vetëm për ndjekjen e këtij debati deri në këtë orë, se jo është thjeshtë e vetëm detyrë, por dhe për durimin dhe qëndrimin, pavarësisht se ju më shumë se unë, por dhe unë bashkë me ju, për aq kohë sa isha, u detyruam të dëgjojmë gjëra që janë revoltuese për nga pikëpamja etike. Por ne do të vazhdojmë të qëndrojmë kështu. Kur flet opozita, mban përgjegjësi për ato që thotë. Ndërkohë që qetësia dhe vëmendja jonë do të jetë e garantuar, ndërsa dakordësia është diçka tjetër.

Shumë faleminderit dhe paçim sukses në këtë sfidë, që është sfida jonë më e madhe. Tjetër është të vraposh shpejt në fillim dhe tjetër është të vraposh edhe më shpejt, kur sidoqoftë ke arritur një limit të caktuar shpejtësie. Për ta rritur më tej limitin e shpejtësisë na duhet një sforco shumë herë më e madhe. Të gjithë bashkë besoj do të gjejmë energjitë që edhe të shtyjmë njëri-tjetrin që ky mandat të jetë realisht një mandat historik për Partinë Socialiste dhe për vendin tonë dhe mandati i katërt të jetë një rrjedhojë e natyrshme e të tretit. Faleminderit!