Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm sot në promovimin e librit “Betonizimi i demokracisë” të shkruar nga arkitekti, piktori e publicisti, Maks Velo. Libri përmbledh artikuj, intervista e studime të 20 viteve të fundit të arkitektit Velo, ku trajtohen çështje të mprehta dhe problematika të arkitekturës urbane dhe planifikimit të territorit. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama u shpreh se, nëpërmjet këtij libri Maksi jep një kontribut të çmuar për të gjithë ata që kanë nevojë për dritë në një tunel pa dritë, ku vazhdon të zhvillohet prej shumë vitesh kuturisja e shoqërisë sonë, në raport me territorin. Për kreun e Qeverisë, ka ardhur koha që Shqipëria të merret në mbrojtje nga trysnia e papërmbajtshme e barbarisë së mishëruar, përmes ndërtimtarisë kuturu në të gjithë territorin e vendit.
Fjala e Kryeministrit Edi Rama:
“Unë po e ndiqja dhe me sy fjalën që kishte shkruar Maksi në një grusht letrash, me një makinë të vjetër shkrimi dhe e la pa thënë fjalinë e fundit që unë nuk e lexova deri në fund, por fillonte me; “le të shërbejë ky libër për të ndërgjegjësuar…”, dhe nuk e pashë vazhdimin, por mesa duket e këputi aty, sepse nuk ia thoshte goja, se nuk gjente aq shumë shpresë brenda vetes, se libri mund të ndërgjegjësojë të pandërgjegjësueshmit. Ndërkohë që unë besoj se kontributi i Maksit edhe përmes këtij libri është një kontribut gjithsesi i çmuar. Ashtu sikundër besoj se me gjithë vështirësitë e mëdha që kam që të gjej ndonjë pikë, ku bie dakord me Henri Çilin, përsëri kontributi i Henri Çilit në këtë fushë të promovimit të fjalës shqipe në të gjitha format e veta është një kontribut shumë i çmuar për shoqërinë dhe për komunitetin tonë. Unë dua t’i përgëzoj, sinqerisht, që të dy, Maksin në radhë të parë, por edhe Henrin po ashtu. Sepse nga bashkëpunimi mes të dyve ka lindur një libër i rëndësishëm, për të gjithë ata që kanë nevojë për dritë në një tunel pa dritë, ku vazhdon të zhvillohet prej shumë vitesh kuturisja e shoqërisë sonë, në raport me territorin. Dua shumë të shpresoj që edhe kjo përpjekje është shprehje e një momenti vetëdijësimi që është më shumë sesa vetëdijësimi i Maksit, i cili ka qenë i vetëdijshëm qysh kur unë e kam takuar për herë të parë dhe kam pasur fatin ta njoh dhe në të gjithë ecurinë e zhvillimeve të vendit, ku ka qenë gjithnjë i kthjellët, por besoj që sot ka një vetëdije më të gjerë sesa kaq, për faktin se Shqipëria duhet me patjetër të merret në mbrojtje nga trysnia e papërmbajtshme e barbarisë së mishëruar, përmes ndërtimtarisë kuturu në të gjithë territorin e vet.
Kam shumë dëshirë të shpresoj dhe besoj shumë që kjo është e mundur. Nuk është një mision i pamundur. Sigurisht, çka është bërë keq, është vështirë që të kthehet mbrapsht dhe të bëhet mirë nga e para, por çka është bërë keq është një burim i jashtëzakonshëm mësimesh, për të mos vazhduar në inercinë e të keqes dhe për të filluar një proces, ku e keqja të relativizohet përmes zgjerimit të rrënjëve të një kulture të re raportesh me territorin, raportesh me natyrën, raportesh me pronën, raportesh me interesin publik dhe me interesin privat.
E për të gjitha këto unë, sinqerisht, e falënderoj Maksin, e falënderoj Henrin. Nuk ishte, të them të drejtën, dëshira ime të dilja këtu dhe të flisja. Erdha këtu për të nderuar një njeri që besoj se është një pasuri kombëtare, është një dritë e ndezur nga ëndrra dhe shpresa që rëndom në kohën tonë ngjajnë me një utopi, por në të gjitha rastet është një fat që ta njohësh dhe ta kesh pjesë të jetës tënde, qoftë personale, qoftë edhe të jetës tënde në komunitet.
Më kërkuan që të dal dhe t’i them këto fjalë. Ju kërkoj ndjesë atyre që nuk e prisnin këtë gjë; që erdhën këtu dhe për të dëgjuar vetëm Maksin dhe Henrin; dhe me shumë shpresë që përsëri do të mblidhemi për të kremtuar të tjera punë të mendjeve të ndritura, falë zhdërvjelltësisë së mendjes së Henrit që ka gjetur rrugën për të na bashkuar të gjithëve hera-herës edhe pse përgjithësisht rrimë të ndarë, për shkak se mendojmë krejt ndryshe. Edhe njëherë jetë të gjatë Maks! Sukses në rezistencën tënde të paepur ndaj gjithë këtij mjedisi që edhe pse të bën shumë presion nuk arriti të të thyejë asnjëherë!”