Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë pune në Kosovë, ku u takua me drejtues të Komunës së Gjakovës dhe të Komunës së Pejës, si edhe vizitoi disa sipërmarrje të suksesshme në këto qytete.
Kryeministri u takua sot në mesditë me kryetaren e Komunës së Gjakovës znj. Mimoza Kusari – Lila.
Ndërsa shprehu kënaqësinë për këtë takim, Kryeministri Rama e uroi znj. Kusari-Lila për detyrën e re dhe vlerësoi vizionin e saj në drejtimin e Komunës së Gjakovës. Në takim u bisedua për një seri çështjesh dhe projektesh bashkëpunimi, por me fokus në bashkëpunimin ekonomik dhe regjimin e taksave.
Shpalljen e Gjakovës në zonë e lirë ekonomike, Kryeministri Rama e vlerësoi si tepër pozitive, një risi e jetësuar nga kryetarja e Komunës znj. Kusari – Lila dhe që ndikon drejtpërdrejtë në thithjen e investimeve vendase dhe të huaja.
Në vijim të takimit, u bisedua edhe për bashkëpunimin në sektorin e turizmit. Në këtë kuadër, u diskutua edhe rreth projektit të “Alpeve”, një projekt që synohet të shtrihet në të dy anët e kufirit, pjesë e ofertës së përbashkët turistike.
Më pas, Kryeministri Rama vizitoi qytetin e Pjesë, ku u prit nga Kryetari i Komunës z. Gazmend Muhaxheri. Në takimin e zhvilluar në Komunën e Pejës, zoti Muhaxheri i uroi mirëseardhjen Ramës dhe shprehu kënaqësi për pjesëmarrjen e Kryeministrit të Shqipërisë në Forumin e Biznesit për bashkëpunimin ekonomik Shqipëri – Kosovë.
Në takimin u bisedua mbi mundësitë e mëdha të bashkëpunimit që ekzistojnë në fushën ekonomike dhe atë të turizmit, ndërmjet dy vendeve.
***
Në vijim të qëndrimit në Kosovë, Kryeministri Edi Rama vizitoi sot pasdite “ELKOS Group”, një qendër e grumbullimit të prodhimeve bujqësore, në Pejë.
Kryeministri i përgëzoi sipërmarrësit për investimin e kryer, ndërsa u njoh prej tyre se një sasi e konsiderueshme e prodhimeve bujqësore importohet nga Shqipëria. Gjithashtu, zoti Ramiz Kelmendi u shpreh se tashmë kanë arritur një marrëveshje dhe shumë shpejt do të hapin një pikë të tillë edhe në Tiranë.
Ndërsa vlerësoi këtë bashkëpunim, Kryeministri theksoi se “qëllimi është jo vetëm të rrisim prodhimin edhe të forcojmë shpërndarjen në Shqipëri, po të dalim përtej Shqipërisë dhe Kosovës, në Bashkimin Evropian”.
***
Në rajonin e Pejës, Kryeministri Edi Rama vizitoi një tjetër sipërmarrje të rëndësishme në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së produkteve të kafesë, “Devolli Corporation”, e cila operon prej vitesh në tregun e Kosovës dhe më parë ka qenë prezent edhe në Shqipëri.
Shkëlqim Devolli e njohu Kryeministrin me kapacitetet e këtij biznesi, si dhe me objektivat që synon të realizojë në një të ardhme të afërt. Ai foli për planifikimet e tij për investime Shqipëri dhe bashkëpunimin Shqipëri – Kosovë.
Kryeministri Rama e falënderoi atë për mikpritje dhe e përgëzoi për sipërmarrjen. “Devolli Corporation” është një kompani ndaj të cilës kemi dhe një detyrim më shumë sesa normalisht, pasi kanë qenë pionier të ardhjes së investimeve të kësaj ane të kufirit në anën tjetër të kufirit. Unë shpresoj shumë që të rikthehen me fuqi të shtuara dhe sigurisht, edhe me eksperiencë të shtuar, për të çelur një epokë të re në rrugëtimin tonë të përbashkët, për rritjen ekonomike dhe për mirëqenien e shqiptarëve në të gjithë hapësirën, pavarësisht kufirit. Dua ta përsëris, kombëtaren e futbollit e kemi problem se duhet të bindim FIFA-n dhe UEFA-n, ndërsa “kombëtaren e biznesit” s’na pengon kush ta bëjmë dhe po s’e bëmë, e kemi vetëm ne fajin” u shpreh Rama.
Në këtë vizitë, Kryeministri Rama shoqërohej nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.