Kryeministri Edi Rama u shpreh pas incidentit të ndodhur në rezidencën artistike “Vila 31 x Art Explora” në Tiranë, ku artistë ndërkombëtarë u gjendën nën një sulm me mjete shpërthyese artizanale.
Gjatë një vizitë të zhvilluar në mjediset e ish rezidencës së diktatorit, Kryeministri bisedoi me drejtoren ekzekutive të programit të Fondacionit Art Explora, Bisej Kapo, e cila ndodhej së bashku me artistët, në rezidencë gjatë kohës së sulmit nga protestuesit.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Jam këtu me drejtoren ekzekutive të programit të fondacionit ‘’Art Explora’’. Është një ndër fondacionet më prestigjiozë në botë për programet e artistëve në rezidencë, siç quhen.
Prej disa kohësh kjo rezidencë e diktatorit dikur, është kthyer në një rezidencë artistësh që vijnë nga gjthë bota këtu në Tiranë, në një destinacion që jep vlerë dhe e bën të çmuar Tiranën dhe Shqipërinë edhe në këtë drejtim dhe erdha për t’u takuar me artistët dhe për t’ju shprehur atyre të gjithë ndjenjën time të keqardhjes, për t’ju kërkuar falje për atë çka ndodhi mbrëmë kur u gjendën nën një sulm bombash artizanale, që largqoftë, mund të kishin sjellë edhe tragjedi këtu dhe ata janë të traumatizuar, nuk janë në gjendje të flasin për publikun.
I mirëkuptoj krejtësisht dhe kjo që ka ndodhur është një turp shumë i madh, është një dëm shumë i madh, është një plagë e hapur në atë që është fytyra e Shqipërisë së re dhe të cilën e përfaqëson dhe ko rezidencë, të cilën e mishërojnë dhe këta djem dhe këto vjaza të talentuara që vijnë nga të katër anët e botës, këtu.
Nuk kam fjalë për të thënë për çfarë turpi është ky, por dua t’ju them të gjithë atyre që ende simpatizojnë dhe ende mbështesin barbarët e mbrëmshëm, frymëzuesit e tyre më saktë, se edhe ata që hedhin ato bombat artizanale janë ca totalisht të manipuluar. Pra, atyre që i simpatizojnë, dua t’i them që nga kjo, nga këto humbasin të tërë ata që duan të bëjnë punë, që duan të kenë turistë, që duan të zhvillojnë ekonominë e tyre të vogël, me biznesin e tyre të vogël apo që duan të rrisin qetësisht fëmijët këtu sepse Shqipëria e hapur nuk mund të mbyllet dhe këto kërcitje thjesht dhe vetëm e çojnë ujin totalisht në mullirin e së shkuarës dhe nuk kanë të bëjnë fare me të ardhmen.
Bisej është këtu dhe natyrisht është edhe pjesë e asaj që ndodhi, ka qenë këtu mbrëmë, por duke qenë shqiptare e fortë, e ka pak më të lehtë ta kapërcejë këtë situatë.
Bisej Kapo: Praktikisht dje ishim qetë në rezidencë me program publik ku kemi pasur 100 veta që kanë hyrë në vilë gjatë paradites dhe në darkë vetëm kur dëgjojmë shpërthimet. Ne ishim vetëm sipër, pikërisht tek ai ballkon që e pa gjithë Shqipëria që u duk sikur morëm flakë faktikisht. Dhe në moment artistët u futën në korridorin që është më i mbrojturi, morën fikëset e zjarrit dhe u munduan që të mos na ndodhte ndonjë gjë sepse vila në vetvete është e gjitha prej druri. Zyra është e gjitha dru dhe mund të kishte eskaluar e gjithë situata në një fraksion sekondi.
Për mua fakti që nuk e dinin që është rezidenca e arteve, nuk është fare skuzim, madje më duket e turpshme që ta përdorësh si një element që padija të justifikojë veprimin.
Kryeministri Edi Rama: Nuk është padija, është marrëzia, është ligësia, është verbëria, është një kompleks gjërash dhe mbi të gjitha është urrejtja, një turp i pashoq që nxin Shqipërinë, që na nxin të gjithëve pavarësisht se ata që e bënë janë katran i Shqipërisë dhe janë fatmirisht një grusht njerëzish.