Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Durrës një takim me kryetarët e bashkive të vendit, ku u diskutuan sfidat kryesore me të cilat do të përballen bashkitë gjatë vitit, përgatitjet për sezonin turistik dhe nevoja për një betejë të përbashkët politike e shoqërore kundër mbetjeve plastike.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Meqë është takimi i parë i vitit dhe shikohemi të gjithë sy më sy, ju uroj të gjithëve të keni një vit sa më të mbarë familjarisht dhe profesionalisht, patjetër politikisht të gjithë bashkë.
Sot, jemi këtu në vijim të takimeve të organizuara për të çelur vitin, duke diskutuar për sfidat dhe patjetër për të vënë së bashku disa piketa të rrugës dhe për të përcaktuar çështjet kryesore me të cilat do të duhet të merremi bashkërisht, sepse pastaj për çështjet që kanë të bëjnë me administrimin e vogël në çdo bashki, ato ju i dini vetë.
Dua ta filloj me faktin që viti nisi me një situatë tejet të vështirë atmosferike, që preku një pjesë jo të vogël të territorit, të komuniteteve dhe që na përballi me sfidën e emergjencës në kushtet që emergjencat po bëhen sistematike dhe po marrin një profil tjetër, si rezultat i ndryshimeve klimatike. Kemi më shumë thatësirë dhe zjarre dhe kemi më shumë befasira në aspektin e atmosferës, ku krijohen vorbulla si ajo e ditëve të para të vitit, të cilat sipas ekspertëve janë vorbulla që mund të trajtohen me gjuhën e përditshme si ngërçe në qarkullimin e flukseve të ajrit dhe krijojnë përqendrime dhe reshje shiu dhe dëbore të një intensiteti shumë, shumë të lartë, derisa pastaj përfundojnë për t’u rishfaqur diku tjetër apo një herë tjetër.
Në këto kushte, sigurisht që nuk ka shumë për të bërë në aspektin e përballimit të intensitetit të lartë të reshjeve, por patjetër që ka elementë të kësaj situate që lidhen me njeriun. Dhe pamë se si kjo situatë u ndërlikua, ndër të tjera, edhe nga papërgjegjshmëria rrëqethëse e shumëkujt ndër ne, që si qytetar i kësaj republike apo si vizitor shqipfolës kryesisht, sepse nuk janë turistët e huaj që hedhin mbetje plastike në konsumin e tyre të përditshëm nëpër rrugë, e konsideron këtë vend si një landfill kudo ku ndodhet dhe hedh shishen e zbrazur të ujit apo të pijeve joalkoolike ose qesen plastike. Dhe e gjithë kjo sasi e madhe që hidhet rrugëve, ku këtu hyjnë edhe mungesa e një menaxhimi, ashtu siç do të duhej të mbetjeve të konsumit familjar në territoret rurale, mblidhet dhe, falë erës si fillim dhe falë ujërave të ngritur nga këto situata reshjesh intensive, bie dhe bllokon pika kyçe të rrjetit të kullimit, siç ndodhi në Shkozet, siç ndodhi në Gjirokastër, siç ndodhi në disa pika të tjera, për të mos i numëruar të gjitha, ku pavarësisht punës së bërë dhe për këtë ne kemi raportin e përditësuar të Ministrisë së Bujqësisë dhe detajet e këtij raporti lidhur me bashkëpunimin me çdo bashki, në nëntor ishin pastruar që të gjitha. Dhe përpara disa ditësh, kryetarja e Bashkisë së Durrësit më çoi një video se si po rimbushej prapë ajo pika kyçe atje në Shkozet, pasi u ripastrua edhe një herë në ato kushte bllokimi.
Tani, kur gjendemi përpara kësaj situate agresioni të plastikës, të mbetjeve plastike, që është drejtpërdrejt ndikimi i njeriut mbi këtë situatë, duhet të vetëdijësohemi dhe duhet të angazhohemi për të ndërmarrë një ofensivë të përbashkët në nivelin qendror dhe në nivelin vendor dhe për të angazhuar sa të mundemi komunitetet, nga një anë, që të rrisim ndjeshmërinë ndaj këtij faktori dhe, nga ana tjetër, që të krijojmë kushte për ta vënë nën kontroll këtë faktor kaq të rrezikshëm dhe kaq të dëmshëm, jo vetëm për këto situata, por edhe për shumëçka tjetër, sepse ajo që ndodh me plastikën shkon pastaj derdhet në det, ka dëme të pariparueshme për jetesën e detit; ka dëme të pariparueshme për cilësinë e ushqimeve tona, etj.
Kështu që, duhet të bëjmë çmos për ta frenuar këtë lemeri papërgjegjshmërie qytetare të kujtdoqoftë ndër ne si popull që jeton në këtë vend dhe ndër ne si komb, që këtë vend e kemi destinacionin kryesor turistik. Kjo është punë shqiptare, ky është krim shqiptar. Nuk është një krim ku mund të vëmë gishtin për të gjetur bashkëfajtorë te turistët gjermanë, apo te turistët polakë, apo te turistët spanjollë, apo te turistët amerikanë, australianë apo japonezë. Dhe për këtë duhet të marrim masa të shpejta. Kjo është arsyeja pse i kam kërkuar Ministrit të Pushtetit Vendor që të ngrejë një task-forcë të përbashkët mes qeverisë dhe pushtetit vendor, e përbërë nga disa përfaqësues kyç të qeverisë dhe disa përfaqësues nga ju, për të konceptuar një plan me tre faza, afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, të përbashkët, 360 gradë, që nga sensibilizimi te veprimi në shumë dimensione.
Një tjetër element që ndikon patjetër në këto situata emergjencash është niveli i rezistencës së infrastrukturës mbrojtëse. Rezistenca e infrastrukturës mbrojtëse, kam parasysh kanalet e kullimit, argjinaturat, hidrovoret, është rritur në mënyrë shumë domethënëse në 10 vitet e fundit, por analiza e bërë edhe nga kjo emergjencë tregon që ka pika ku rezistenca është më e dobët dhe për këtë arsye duhet të vendosim me shumë saktësi piketat për të forcuar më tej infrastrukturën mbrojtëse dhe, nga ana tjetër, për të adresuar të gjitha ato aspekte që kanë të bëjnë me fuqizimin e ndërveprimit mes pushtetit vendor dhe institucioneve vendore.
Një nga gjërat që e ka propozuar ministri Demo dhe që ka gjetur mbështetje, propozimi i ministrit është që, me një fond të siguruar nga miqtë tanë të çmuar të Emirateve të Bashkuara prej 20 milionë eurosh në mbështetje të zhvillimit rural, të blejmë një sasi domethënëse mjetesh që vendosen në shërbim të kullimit, në shërbim të pastrimit të të gjithë kanaleve kulluese kryesore dhe që të funksionojnë sipas nevojave të bashkive. Ne kemi një eksperiencë pozitive të krijuar me projektin pilot të Fondit Shqiptar të Zhvillimit në qarkun e Dibrës, ku është krijuar një shoqëri e përbashkët dhe ku është vënë në funksion një flotë e dedikuar, qoftë për pastrimin e kanaleve kulluese, qoftë për mirëmbajtjen e infrastrukturës rurale të rrugëve, qoftë për shtrimin e rrugëve të bardha. Ka funksionuar më së miri, kështu që tani është koha të rrisim kapacitetin dhe të krijojmë një logjistikë që të jetë në dispozicion të bashkive sipas qarqeve dhe në këtë mënyrë kjo flotë mund të përqendrojë më shumë forca diku ku ka një situatë emergjence dhe në këtë mënyrë bashkitë do të ndihen shumë më të gatshme për ta përballuar emergjencën ose, pastaj, në ditën e punës normale, të jetë një forcë e shtuar për të gjitha bashkitë, sipas sasisë së kanaleve për t’u pastruar dhe mirëmbajtur, sipas nevojës për të adresuar edhe problemin e argjinaturave. Kështu që është ministri që do ta çojë përpara këtë projekt, duke bashkëpunuar ngushtësisht me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe pastaj, sigurisht, duke bërë një shpërndarje racionale të këtyre mjeteve që në kohën formale të jenë të stacionuara në të gjitha qarqet sipas nevojave dhe në kohën e emergjencave të mund të rialokohen aty ku është fronti më i vështirë.
E treta që dua të ndaj me ju është nevoja që këtë vit të bëhet një hap kuptimplotë për bashkinë sipërmarrëse. Kemi folur dhe stwrfolur për këtë dhe jemi akoma shumë larg nga krijimi një force lokale, vendore që të mund të marrë pjesë në jetën ekonomike të territorit dhe që të bëhet forcë ndikuese për zhvillimin ekonomik dhe nga ana tjetër të mund njëkohësisht që në emër të interesit publik dhe të funksionit publik të gjenerojë të ardhura. Kini parasysh vazhdojmë të mbetemi vendi i fundit në çdolloj klasifikimi, në Europë nuk diskutohet por unë besoj duhet të jemi edhe në nivele shumë të ulëta dhe në botë ku pushteti vendor vetëm shfrytëzon taksat për të funksionuar. Shfrytëzon taksat e shqiptarëve që i mbledh pushteti qendror dhe pastaj një pjesë të tyre e shpërndan për pushtetin vendor. Shfrytëzon taksat e tarifat vendore, por nëse pyetet cilido prej jush sa të ardhura i ka sjell bashkia vetes me veprimtari ekonomike shifrat janë qesharake dhe janë kryesisht të lidhura, jo kryesisht, por thuajse totalisht të lidhura me qiratë.
Në ndërkohë që hapësira është shumë e madhe për të futur bashkinë si një lojtar aktiv i zhvillimit ekonomik dhe si një përfitues nga ky zhvillim. Ne këtë gjë po e bëjmë në nivelin qendror, edhe në nivelin qendror jemi shumë mbrapa, por janë krijuar kushtet sepse do të kishte qenë tejet e vështirë më parë, janë krijuar kushtet që të fillojmë të krijojmë shtetin sipërmarrës. Të jemi sipërmarrës, duke u bërë partner me sektorin privat dhe duke marrë pjesë në fitimin e sipërmarrjes. Këtë gjë po e bëjmë me industrinë ushtarake, këtë gjë po e bëjmë me korporatën shqiptare të investimeve AIC, këtë gjë po përpiqemi ta bëjmë në çdo sektor duke vënë në dispozicion të iniciativave sipërmarrëse asetet tona ose duke investuar para drejtpërdrejtë.
Siç bëmë për shembull me investimin në start up-in e ri të Mira Muratit që sot ka një vlerë eksponcialisht më të lartë se vlera fillestare, ku ne u bëmë partner shumë të vegjël me vetëm 10 milion euro dhe ku sot vlera e përfituar llogaritet mbi 50 milion euro që është natyrisht një vlerë e aksioneve, nuk është një vlerë që ne e kemi tërhequr sepse tërheqja ndodh sipas rregullash dhe momente të caktuar.
Pra në këtë formë do të ecim dhe do të vazhdojmë ta kushtëzojmë veten në shpenzimin e fondeve me çfarë kthejmë mbrapa si fitim. Ministrja e Ekonomisë që është këtu ka përgatitur edhe një matricë për të gjithë ministritë për të matur sa të ardhura jashtë buxhetit të shtetit këto ministri krijojnë. Është një fazë e re, nuk është diçka që kemi nevojë ta shpikin, vendet e tjera i kanë bërë këto gjëra me kohë dhe ne na duhet vetëm të mësojmë nga praktikat më të mira dhe të shkojmë përpara.
Deri dje kemi dhënë shumë asete falas. Janë dhënë dhe janë lënë rrugëve në të shkuarën asete që nuk numërohen. Janë dhënë dhe janë lënë në duar të pasigurta plot prona shtetërore, të cilat nuk janë përkthyer në investime serioze dhe në të ardhura për ekonominë tonë dhe në rritje të punësimit, etj, etj. Janë dhënë një pafundësi tokash për zhvillim dhe kjo gjë ka ndaluar përfundimisht.
Ne për shembull nuk i japim më asnjë metër katror tokë në rast se një ndërtues gjendet në kushtet kur ka 95 % të pronës, dhe 5 % ose 1 %, ose 0.5% s’ka rëndësi sa është, është pronë shtetërore dhe normalisht në të shkuarën menjëherë ndërtuesi paguante me çmim reference, merrte tokën. Nuk ka më, për çdo metër katror tokë, ku nuk ka pronarë dhe pronarë është shteti, ne kemi kushtëzuar pjesëmarrjen si pronarë për të marrë mbrapsht njësoj si pronarët atë që i takon shtetit
I vetmi motiv për të dhënë tokë me një kontratë simbolike, që është kontrata 1 euro, i vetmi motiv është hoteleria. Pra, në rast se ka dikush një pronë shtet, pronë private dhe një pjesë është shtet, ose në raste se në një zhvillim të caktuar ka një resort turistik dhe aty ka një pjesë shtetërore, nuk bën vaki më që pjesa shtetërore të jepet për vila, e të jepet për pishina, e të jepet për këto historia, po vetëm për hoteleri, asgjë tjetër. Çdo gjë tjetër është merr pjesën që kërkon dhe paguaj, kokërr më kokërr, atë që ia paguan edhe privatit.
Në këtë drejtim bashkitë mund të marrin një rol të rëndësishëm, në bashkëpunim me AIC-në mund të bëjnë projekte dhe mund të bëjnë zhvillime të jashtëzakonshme me përfitim. Përftim që shkon nga ndërtimi i aseteve publike, do të thotë zyra, që do të thotë shkolla, kopshtet, çerdhe e tjera e tjerë, deri tek përfitimi i të ardhurave të drejtpërdrejta, pa harruar dhe përfitimin për qëllim social të atyre familjeve që kanë nevojë për strehim.
Kështu që ne po bëjmë një reformë dhe do të kemi së shpejti një agjenci ku planifikimi, zhvillimi dhe strehimi do të jenë bashkë dhe kjo agjenci do të jetë në dispozicion të pushtetit vendor, së bashku me AIC-në dhe natyrisht nën lidershipin e Ministrisë së Ekonomisë ky proces do të jetë i hapur për të gjithë, por duhet një qasje kreative, proaktive, agresive, vullnet plotë e juaja, duhet iniciativë, duhet parë çdo pjesë e territorit me një qasje sipërmarrëse.
Çfarë mund të nxjerr unë nga kjo pjesë e territorit për të ardhurat e bashkisë, me të cilat pastaj të bëjmë punë publike, të bëjmë më shumë shërbime publike. Nuk mundet dot të rrini dhe të prisni vetëm nga buxheti i shtetit dhe të prisni vetëm nga tarifat dhe nga qirat. Nuk mundet dot. Duhet të kaloni në një fazë tjetër, sidomos disa bashki që i kanë të gjitha mundësitë, kërkesat potencialet, por edhe bashkitë më të vogla mund dhe duhet ta bëjnë këtë gjë.
Dhe këtu vij te një pjesë tjetër. Bëmë një takim ekskluziv për Paketën e Maleve, sot që flasim jemi në kushtet kur jo të gjitha bashkitë, e kanë kryer fazën e parë. Për këtë do flasin në mënyrë të detajuar udhëheqësi i Paketës së Maleve, ministri Demo, por është e papranueshme.
Cili duhet të jetë objektivi ynë ju, juve nuk e di a e pat dhe nuk më kujtohet a e kemi ndarë bashkë, por në momentin kur Paketa e Maleve u shpall në ëebsajtin e vet, ditën e parë ishte 700 e kusur interesime nga shqiptarë jashtë atdheut. Është një instrument i sigurt për të tërhequr kursimet e shqiptarëve jashtë atdheut dhe për të tërhequr edhe shqiptarë jashtë atdheut që të vijnë mbrapsht në atdhe dhe të bëjnë një biznes të sigurt të padiskutueshëm të sigurt, që ju sjell atyre shumë më tepër të ardhura sesa çdolloj pune e zakonshme që mund të jenë duke bërë në Angli, apo në Greqi, po e po e tjerë e tjerë.
Tani si ka mundësi që nuk ka mbaruar akoma faza e parë në të gjitha bashkitë. Çfarë është kjo shkencë e madhe për të përcaktuar hartën ku do të bëhet ky zhvillim? Dhe unë jua thashë edhe herës tjetër, e kam folur edhe me ministrin, dikush mund të thotë unë e kam të gjithë bashkinë prioritare, kudo përveç bashkisë së vjetër që ishte brenda vijës së vet të qytetit, unë e kam të gjithën prioritare. Hajt mirupafshim! Çfarë shkence bëni dhe nuk e kuptoj.
Megjithatë i kam kërkuar drejtores së Agjencisë Kombëtare të Planifikimit, nuk e di a është këtu. Po ndjesë se nuk të pashë – që Agjencia Kombëtare e Planifikimit të jetë në dispozicion të secilës bashki për hartat, për çfarëdo qoftë ju keni nevojë në aspektin e asistencës teknike.
Dhe i kam kërkuar ministrit Demo që të vendosi një target për çdo bashki. Ambicia jonë duhet të jetë 1000 investime nga kjo paketë, 1000, që po t’i ndash në territor në 60 bashki, sipas potencialeve nuk janë shumë, 1000 investime dhe i kam kërkuar ministrit që do të përcaktojë se sa investime duhet të jenë futur në proces kur secili prej jush dhe secila prej jush do të pretendojë të rikandidojë.
Nuk do të ketë asnjë rikandidim të mundshëm nëse nuk do të jetë arritur targeti i këtij projekti. Dikush 10, dikush 5, dikush 7, dikush 15, sipas madhësisë, sipas potencialeve etj. Është plotësisht e mundshme por ama 1000 investime nëse marrim një shifër, më modesten të mundshme për secilin nga këto investime, më të ultën të mundshme, prej 50 mijë eurosh që është shumë e ulët, por po marrim që godina është aty, ato janë aty, shumë gjëra, llogariteni vetë ju se çfarë i ndodh ekonomisë, çfarë ndodh me këtë injeksion në tre vjet.
Them në 3 vjet sepse në vitin e fundit të mandatit duhet të hapen dyert e 1000 investimeve, kështu që fokusohuni dhe merreni shumë seriozisht dhe sidomos bashkitë me më pak akses, duhet ta kuptojnë që ky është një çelës për të tërhequr njerëz aty ku duket sikur s’ka arsye që të vijnë njerëzit , sepse fati i madh i këtij vendi është që nuk ka një pjesë të trupit të vet që nuk është e bukur. Nuk e ka. Ah, po , ka pjesë të trupit të vet që janë të shëmtuara aty ku ku futur hundën njeriu, nuk diskutohet. Po unë flas, natyra.
Një element tjetër i domosdoshëm është të bëjmë një hap më tutje për të rritur cilësinë e planifikimit dhe të projektimi dhe për këtë, agjencia e re që do të krijohet do të ketë si objektiv, por edhe si mision të vetin, që të jetë një forcë e shtuar dhe të asistojë bashkitë në planifikim dhe të krijohet një kanal më i shpejtë ndërveprimi, qoftë për të planifikuar zonat e zhvillimit, qoftë për të planifikuar projekte për leje zhvillimi, për leje ndërtimi dhe qoftë për të planifikuar pjesën që ka të bëjë me të gjitha godinat me karakter social; shkolla, kopshte, çerdhe, qendra shëndetësore, institucione të tjera, të cilat me shumë gjasë, është e mundur që kjo agjenci t’i bëjë duke shfrytëzuar kapacitetin e jashtëzakonshëm të arkitektëve të huaj dhe të studiove vendase që punojnë me ta dhe që ne kemi krijuar në vend dhe që kemi siguruar edhe falë fondacionit të krijuar me të gjithë këta arkitektë, që projektet fillestare të jenë të gjitha pro-bon, pra nëse doni të ndërtoni një shkollë, projektin fillestar e merrni pro- bono; nëse doni të ndërtoni një qendër shëndetësore , projektin fillestar e merrni pro-bono dhe kështu me radhë, gjë që do të ndodhë në pak kohë sepse praktikisht plani i reformës për të krijuar këtë agjenci të re, është pothuajse drejt përfundimit.
Një tjetër komponent për të cilin unë dëshiroj që të kemi një qasje të re dhe një angazhim të madh të bashkive, është arsimi profesional. Ne na duhet të rrisim kapacitetet e arsimit profesional, por që të rrisim kapacitetet e arsimit profesional, e kemi diskutuar dhe ri diskutuar brenda nesh në qeveri, ne duhet të krijojmë në radhë të parë kushte të shkëlqyeshme, jo të mira. Kushte të shkëlyera. Duhet të kemi shkolla të arsimit profesional me laboratorë kuptimplotë , jo klasa si ato që gjetëm dikur në arsimin profesional ku elektriçistët e rinj, e mësonin zanatin nga një mësues që iu vizatonte poçin në dërrasën e zezë, por duhet të jenë laboratorë të cilësisë më të mirë dhe konviktet e shkollave profesionale, duhet të jenë hotele dinjitoze, me kushte shumë të mira për të gjithë nxënësit që vijnë në këtë rast, edhe nga zona të thella, nga zona rurale, nga familje të ardhura të ulëta në mënyrë që, që në momentin e parë, nga kushtet të kuptohet dhe të ndjehet rëndësia e gjësë dhe respekti shoqëror për formimin profesional. Kemi bërë hapa përpara, por unë do ju ftoja të gjithëve që të mendoni dhe sa më parë, të na sillni propozime për nukle të formimit dhe arsimit profesional në të gjithë territorin që mund të shkojnë nga profesionet që lidhen me natyrën e ekonomisë së territorit ku ju drejtoni dhe deri tek formimi për teknologjinë. Duhet t’u japim mundësinë të gjithë fëmijëve në të gjithë territorin e Shqipërisë, pavarësisht pozicionit gjeografik, që të kenë një akses në formimin profesional me teknologjinë. Kemi bërë laboratorë, do kemi të gjitha shkollat me laboratorë por ata që shkojnë një shkallë më lart, duhet të kemi kudo një klasë, duhet të kemi kudo një shkollë profesionale dhe një klasë e shkollës profesionale dhe sikur shkolla profesionale të jetë vetëm shkollë turizmi, një klasë të jetë për teknologjinë.
Një tjetër aspekt që do të diskutojmë, është patjetër dhe aspekti i legalizimeve për të kuptuar ku jemi, si ka ecur formula e re e përfshirjes së pushtetit vendor dhe cilat janë objektivat e vitit për t’i dhënë fund këtij procesi dhe patjetër, e fundit jo nga rëndësia, por i rreshtova këto të tjerat të parat, që do të jenë pjesë e diskutimit tonë më pas, është tema për të cilën këtu është dhe ministri i Turizmit, që është sezoni dhe sezoni turistik, pavarësisht se intensitetin më të madh e ka në plazhe, gjë për të cilën kemi folur dhe do flasim dhe sot, sepse ka disa të reja që publiku duhet t’i dijë në atë progresin e përvitshëm që ne kemi bërë për të krijuar kushte sa më të denja në plazhe, por edhe për të krijuar kushte të atilla që t’i japin mundësi çdokujt që të ketë plazhin publik, ama sezoni prek çdo bashki. Kjo është një e mirë tjetër e madhe që ne na vjen nga asetet që ka ky vend dhe për këtë arsye, çdo bashki që nga Tropoja deri në Konispol, që nga Shijaku deri në Voskopojë, duhet të ketë planin e vet të sezonit.
Dhe këtu unë po e mbyll këtë hyrje në këtë bashkëbisedim dhe po ia kaloj fjalën ministrit të Turizmit për të filluar me plazhet, pastaj ministres së Ekonomisë për të prekur disa aspekte dhe natyrisht në fund, përpara se të hapim diskutimin, udhëheqësit të këtij procesi transformimi të marrëdhënies, por edhe të qasjes të pushtetit vendor, si një qasje komplementare me qeverinë dhe si një forcë që në rast se bën gjënë e duhur, mund t’i sjellë ekonomisë së vendit, shumë më tepër se ç’i ka sjellë deri më sot.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Do flasim pastaj në seancën e diskutimeve edhe për një komponent të rëndësishëm në këtë proces që është Diaspora.
Diaspora jo vetëm si potencial për investime por Diaspora si pjesë e pandashme e popullit tonë, e komuniteteve tona dhe do të jetë shumë e rëndësishme që të kemi angazhimin tuaj, të të gjithëve, qoftë për organizimin e samitit të diasporës në pranverë ku do të jetë shumë i vyer çdo rekomandim nga ana juaj për njerëzit që ju mendoni se udhët të jenë të ftuar në këtë samit, por edhe për mënyrat sesi do ta qasim dhe do ta mbajmë komunitetin e çdo bashkie jashtë vendit pjesë gjithmonë e më të integruar të jetës së përditshme të komunitetit dhe pjesë të informuar për zhvillimet në komunitetin përkatës dhe patjetër dhe në gjithë vendin.
Po ja kaloj fjalën ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit për të trajtuar nga këndi i ministrisë aspektet që kanë të bëjnë me çfarë unë preka në fjalën time lidhur me zhvillimin ekonomik, por edhe për t’ju dhënë disa informacione lidhur me mekanizmat dhe me instrumentet në dispozicion që mund t’i përdorim dhe duhet t’i përdorim bashkërisht. Janë instrumente që shkojnë që nga ato të njohurat në mbështetje të fermerëve apo në mbështetje të infrastrukturës deri te instrumente të rinj siç është Banka Shqiptare e Zhvillimit e cila tanimë është futur në aktivitet. Është krijuar bordi, është zgjedhur drejtuesi i bankës, një personalitet i njohur për gjithë sektorin bankar i cili për një numër jo të vogël vitesh ka jetuar në Shqipëri dhe ka punuar në Shqipëri si drejtues i bankës Intensa dhe i cili ka pranuar që të marr këtë rol në këtë fazë të parë të zhvillimit të bankës. Ai është qytetar italian, por dhe i shqiptarizuar, por dhe një pikë shumë e rëndësishme pasi banka jonë e zhvillimit është e binjakëzuar me bankën italiane të zhvillimit kështu që “Cassa Depositi e Prestiti” është një institucion financiar më shumë se 100 vjeçar me një eksperiencë të jashtëzakonshme dhe ka qenë qysh në ditën e parë të konceptimit të bankës së zhvillimit bashkudhëtare e qeverisë edhe ka punuar që ditën e parë të konceptimit të bankës ngushtësisht me Delinën që sot mbulon fushën e ekonomisë dhe inovacionit si ministre. Kështu që Delina fjala është për ty.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Mendoj që hyrja në thellësi të çështjeve t’i lihet seancës së diskutimeve, ku patjetër do të kemi një diskutim për rregulloren e plazheve, por do të kemi dhe diskutime për Paketën e Maleve, akademinë e pushtetit vendor, programin e performancës, për bashkinë sipërmarrëse dhe për një komponent tjetër që dua ta prek në fund. E preku Ervini, në mbyllje të fjalës së tij që është informimi, vetëdijesimi dhe angazhimi i bashkive për përgatitjen që nevojitet lidhur me negociatat e anëtarësimit dhe me Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian. Atë që kemi diskutuar edhe në mbledhjen maratonë të qeverisë në nisje të vitit, edhe në mbledhjen maratonë të grupit parlamentar dje, dua ta prek këtu edhe me ju sepse kam shqetësimin se jo të gjithë në nivelin udhëheqës, në të dyja nivelet e qeverisjes e kanë idenë mjaftueshëm të qartë, se çfarë sfidash e presin vendin dhe i presin qytetarët e këtij vendi dhe sipërmarrjen në këtë vend me hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europain.
E preka pak dje dhe dua ta prek sot edhe me ju sot, pikërisht se pse disa nga sfidat janë jashtëzakonisht komplekse dhe të rënda, Bashkimin Europian ka një mekanizëm që i mundëson vendeve të reja anëtare të përfitojnë periudha tranzitore për të qenë gati për t’iu nënshtruar të njëjtave rregulla, si vendet e tjera anëtare. Dhe sigurisht që sfida më e rëndë me të cilën janë përballur edhe vende të tjera përpara nesh, Kroacia për shembull ka marrë 10 vjet fazë tranzitore dhe më lejoni ta them sinqerisht unë nuk besoj që Kroacia ka pasur kaq probleme sa kemi ne me mjedisin, është fusha e mjedisit. Do të thotë që nëse gjithçka do të shkojë sipas planit të dakordësuar me Komisionin, dhe nëse ne do të jemi të aftë mjaftueshëm që t’i mbyllim negociatat në fund të 2027-ës, do të duhen edhe 2 vjet për të bërë ratifikimet në të gjitha vendet anëtare dhe në 2030 Shqipëria do të ulet në tryezën e Bashkimit Europian, do të ketë 10 vjet plus të tjera për të qenë gati t’i nënshtrohet të gjitha rregullave të Bashkimit Europain lidhur me mjedisin. Pra 15 vjet nga sot! Duken shumë, por po të shohësh se për çfarë bëhet fjalë, janë shumë pak vite.
Ndërkohë që një tjetër sfidë e rëndë që kanë e kaluar vendet e tjera me faza tranzitore, ne po përpiqemi të fitojmë një fazë tranzitore 5 vjeçare që është maksimumi që mund të marrim, të tjetër kanë marrë më pak, është siguria ushqimore. Po e dini çfarë do të thotë të marrësh një fazë tranzitore për sigurinë ushqimore? Do të thotë që gjatë fazës tranzitore mos të jesh në gjendje të eksportosh, por je i lejuar të konsumosh vetë. Pra mos të jesh në gjendje të eksportosh, por të konsumosh vetë. Dhe pastaj pas fazës tranzitore mos të jesh në gjendje të konsumosh as vetë, asgjë nga ato që ti prodhon këtu dhe që nuk janë njësh me standardet e Bashkimit Europian të sigurisë. Pse? Sepse nuk je më treg më vete, je pjesë e një tregu me 450 milion njerëz dhe do t’i nënshtrohesh atij tregu. Pra nuk mundet dikush në Dibër apo në Gjirokastër, të thotë: – “Unë nuk i nënshtrohem rregullave të tregut shqiptar dhe unë do ti ther bagëtitë të trotuari i shtëpisë sime.” Pse? Sepse kjo nuk lejohet në Shqipëri. Dhe njësoj është raporti i gjithë BE-së me Shqipërinë në këtë rast apo me vendin që del nga faza tranzitore që nuk lejohet të bëjë këtu asgjë që nuk është 100% e përputhur me rregullat e sigurisë që ka tregu. Që do të thotë që ne duhet të jemi të vetëdijshëm sot për këtë dhe duhet të punojmë nga sot për këtë që fermerët tanë që sipërmarrjet tona në fshat të jenë të qartë dhe në rast se nuk janë gati nuk kanë asnjë rrugë tjetër, veçse të ulin qepenin.
Patjetër që e thënë kështu duket e pamundur, por po të shohësh realitetin e fshatit sot, fakti që ka sipërmarrje të cilat eksportojnë dhe nuk kanë asnjë kontestim për cilësinë e prodhimit të tyre, do të thotë që kjo është e mundur, por ama nëse sot ky është fakt për sipërmarrjet elitë të bujqësisë, nesër do të jetë fakt për çdo njeri që prodhon domate dhe i shet në tregun e fshatit. Kaq e thellë është nevoja për transformim dhe kaq i thellë duhet të jetë mirëkuptimi për sfidat, si rrjedhojë edhe këmbëngulja që ne çdo ditë ta bëjmë një hap të vogël përpara, çdo ditë do ta bëjmë një hap të vogël përpara. Ne kemi bërë shumë hapa përpara sepse nuk ka nevojë për të pasur një memorie shumë të fortë për tu kthyer pas edhe për tu kujtuar sesi thereshin bagëtitë në rrugë. Të gjithë ata që kanë kaluar nga kthesa e Kamzës me siguri e kujtojnë që aty ishte një kthesë gjaku në mënyrë jo metaforike, literalisht aty rridhte gjaku i bagëtive nën rrotat e makinave dhe bagëtitë thereshin në natyrë, trotuar. Sot kjo pamje është e paimagjinueshme.
Sot është e paimagjinueshme që të mendosh që kur shkon për në Shkodër, kur shkon për në Vlorë apo kur shkon për Gjirokastër rruga të jetë e mbushur me tezga që shesin në anë rrugës kombëtare. Pra transformimi i këtyre viteve është shumë i madh në raport ku ishim, por në raport me atë që na pret është i pamjaftueshëm dhe prandaj duhet të jemi shumë të vetëdijshëm për këtë dhe kjo kërkon angazhim në nivel vendor.
Kjo kërkon që të gjithë bashkitë ta kapërcejnë se tani reforma u bë vite, ta kapërcejnë atë kufirin e mentalitetit që bashkia funksionon në fshat si ndërmarrje e komunale, që bashkia në fshat duhet të sigurojë pastrimin, duhet të sigurojë ndriçimin, duhet të sigurojë infrastrukturën, duhet të sigurojë shkollën, kopshtin, çerdhen, duhet të sigurojë qendrat shëndetësore ose duhet të pastrojë kanalet, po, pastron kanalet, punë është bërë dhe në këtë drejtim nga bashkitë, por nuk ka lidhje me zhvillimin bujqësor, me zhvillimin blegtoral, me zhvillimin rural, me agro përpunimin.
Nuk ka nevojë për të shkuar në Spanjë apo për të shkuar në Poloni, mjafton të shkosh në Greqi dhe të shohësh se çdo bashki ka ortakëri me privatët në struktura agroturizmi, në struktura të agro përpunimit. Është ortake atje bashkia dhe merr të ardhura. Mjafton të shkosh në Itali dhe të shohësh që çdo bashki është pjesë e aktivitetit të sipërmarrjeve në fshat. Nuk ka në Itali asnjë nga qendrat e mëdha të grumbullimit që nuk është bashkia palë apo që nuk është bashkia komplet pronare. Bashkitë e fuqishme të Italisë në veri kanë të ardhura të jashtëzakonshme nga përfshirja në sipërmarrjen rurale, grumbullim, agro përpunim.
Kështu që, për këtë çështjen e anëtarësimit do duhet të diskutojmë dhe do duhet të krijojmë një sistem pune. Këtu është edhe drejtorja e SASPAC që është Agjencia Shtetërore Kombëtare e Koordinimit të Ndihmës, thuhet ndihmës por në fakt e koordinimit të financimeve të huaja dhe për këtë arsye do duhet edhe të ketë përmes akademisë, përmes ministrit të Pushtetit Vendor një iformim më aktiv nga ana juaj lidhur me mundësitë që janë përfituar nga fondet të Bashkimit Europian dhe këtu është dhe ministrja vet, që është dhe krye negociatore, që do të flasë në seancën tjetër për përmasën e ekonomisë dhe të qeverisjes vendore në gjithë procesin e negociatave dhe në procesin e integrimit.
Tani, në mbyllje dua të them që është koha të krijojmë një grup pune të përbashkët midis qeverisë dhe bashkive për të trajtuar të gjitha këto probleme dhe për t’i futur në vijë qoftë në aspektin rregullativ, pra çfarë duhet që të bëjë qeveria, masat, çfarë duhet të bëjë parlamenti, çfarë duhet të bëjmë së bashku me këshillat bashkiak etj, qoftë në aspektin e problematikave të natyrave të ndryshme që ju shikoni të arsyeshme të trajtohen. Dhe unë do propozoja që në këtë grup ta drejtonte ministri i Pushtetit Vendor nga ana qeverisë të ishte ministrja e Ekonomisë, të ishte ministri i Kulturës dhe i Turizmit si dhe ministri i Mjedisit.
Ndërkohë që nga ana juaj të ishte kryetari i bashkisë së Lezhës, kryetari i bashkisë së Maliqit, kryetari i bashkisë së Shkodrës, kryetari i bashkisë së Himarës dhe kryetarja i bashkisë së Durrësit së bashku me një kryetare tjetër që s’kemi ku shkojmë pa e përfshirë këtu, kryetaren e bashkisë së Roskovecit.
Pra Pjerini, Gëzimi, Vangjeli, Beneti, Emirjana dhe Majlinda, gratë i lashë në fund jo për nga rëndësia kuptohet, por s’mund të vija asnjë grua përpara “Policisë së Shtetit” se pastaj na hapeshin probleme, janë përfaqësuesit tuaj në këtë grup dhe ky grup do duhej të trajtojë çështje specifike nën drejtimin e ministrit për Pushtetin Vendor dhe ministri i Pushtetit Vendor pastaj me opinionin e formësuar të grupit për çfarëdo çështje do t’i drejtohet qeverisë për ndryshime në vendimet e qeverisë, për ndryshime në ligje, për nxjerrje urdhëresash të reja dhe për krijimin e sinergjive të reja që lidhen me atë që thashë për shtetin sipërmarrës. Kështu që besoj se mund ta mbyllim këtu këtë seancë dhe pas një pushimi aktiv dhe reaktiv mund ta fillojmë seancën e diskutimeve konkrete për të gjitha këto fusha duke përfituar dhe nga prania e disa drejtuesve kryesor që do të bëjnë referimet e tyre jo të gjata, por të domosdoshme dhe pastaj do t’i hapet rrugë diskutimeve.
Shumë faleminderit!