Në përmbyllje të ditës së dytë të Konferencës Ndërkombëtare të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor – “A New Investment Frontier”, që u zhvillua në Tiranë më 25–26 nëntor, Kryeministri Edi Rama iu drejtua të pranishmëve me një fjalë, duke theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe të krijimit të mundësive të reja të investimit në rajon.
Dy ditë dialogu, shkëmbimi eksperiencash dhe bashkëpunimi mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, në funksion të përshpejtimit të integrimit ekonomik të rajonit në tregun e përbashkët europian.
* * *
“E dashur Komisionere Kos,
E dashur Marta,
Shkëlqesi,
Zonja dhe zotërinj, miq!
Ndërsa kjo konferencë i afrohet fundit, më lejoni së pari, të falenderoj Komisonin Evropian, partnerët tanë rajonalë, institucionet ndërkombëtare financiare dhe investuesit e bizneset të cilët i dhanë thelbin këtyre dy ditëve.
Një përmendje e veçantë për të ftuarit tanë të nderit; për Kryeministrin Massimo D’Alema, një mik unik i vendit tonë, një evropian i madh e një burrë me dije të rrallë në politikë, një fushë ku dija është shndërruar në mineral të rrallë.
Presidentit Charles Michel, kryeministri më i ri i Belgjikës në më shumë se një shekull e gjysmë, i cili ka lënë tashmë ‘’timonin’’ e Këshillit Evropian por vazhdon të udhëtojë në ‘’trenin’’ e shpresave më të mira të Evropës.
Lars Hendrik Roller për një dekadë kryekëshilltar ekonomik i kancelares Merkel, që na dha një këndvështrim të një ekonomisti evropian të stazhionuar se ku vendi e rajoni do të jenë në të ardhmen ekonomike të Evropës.:
Keyu Jin, autore e udhëzuesit të Kinës së Re dhe një China PlayBook që studioi ekonomi në Harvard e dha mësim në Londër dhe ndihmon Evropën, Amerikën të lexojnë transformimin e Kinës përtej stereotipeve perëndimore.
E sigurisht, kryeministri Enrico Letta, një tjetër mik i shquar i Shqipërisë, një evropian i lindur i cili lufton për një Evropë më të fortë nga llogoret e botës ekonomike dhe që m’u tha që u bashkua me ne, jo nga zyra e tij si dekan në universitet po nga një stacion treni për shkak se interneti nuk funksiononte shumë mirë. Jo këtu. Atje.
Më lini ta nis duke thënë se sa larg kemi ardhur sepse edhe unë e përshkova të gjithë rrugën nga ‘’epoka e akullit’’ deri tek temperatura e dhomës, e kam të vështirë të besoj ku e nisëm. Vetëm 12 vjet më parë, udhëheqësit e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor u ulën përreth të njëjtës tryezë për herë të parë në histori, në histori. Ndodhi në Berlin me ftesën e Angela Merkelit. Ajo çfarë sot është një rutinë diplomatike, asokohe ishte historia që ndodhte, vetëm 12 vjet më parë.
Ajo e hapi me fjalët që unë i kujtoj pak a shumë se ishin kështu: “mirë se erdhët në Berlin, në një bashkëbisedim mes evropianësh. Ju ende nuk jeni anëtarë të BE por jeni evropianë dhe ka ardhur koha për ta kthyer rajonin tuaj në një vend ku rregullat evropiane nuk zbatohen vend pas vendi, por për të gjithë rajonin si i tërë’’. Kështu nisi Procesi i Berlinit dhe aty një dekadë më vonë, nisi Plani i ri Rritjes. 12 vjet më pas ka ardhur koha që të mos shihemi më vetëm përmes lenteve të zgjerimit si një rajon që gjithnjë përpiqet të kapë ritmin me BE, sepse jemi më shumë se kaq. Jemi një destinacion i ri investimi. Jemi një kënd në rritje i rritjes së Evropës, konkurrueshmërisë e rezistencës. Ballkani Perëndimor si një horizont i ri për investim, novacion e prodhim nuk është slogan, është një propozim dhe propozimi natyrisht duhet të vërtetohet me projekte partneritete e rezultate. Kështu që më lini t’ju jap argumentin për vendin që ndodh se njoh më mirë.
Shihni Shqipërinë.
Një dekadë më parë, kjo ishte një ekonomi 10 miliardëshe euro, sot është një ekonomi 30 miliardë euro. Thuajse e kemi trefishuar dhe ambicia jonë është që deri në 2040, ta dyfishojmë sërish. E me atë çfarë mund t’i shtojë AI, potencialit tonë që është me mjaft këmbë në tokë, kjo është më shumë se e mundur.
Hidhini një sy hartës. Gjendemi në pikëtakimin midis Adriatikut dhe Jonit. Përballë me Italinë, një portë hyrëse me Ballkanin Perëndimor, jemi një aleate e NATO-s dhe jemi drejt rrugës për në BE.
Shihni energjinë. Energjia jonë elektrike thuajse vjen tërësisht nga burime të ripërtëritshme dhe kemi diellin, erën e ujin për të prodhuar shumë më tepër.
Shihni Brukselin. Këtë vit progresi ynë u vlerësua e u pranua në çdo front. Kjo do të thotë institucione më të forta, një horizont solid për këdo që do të vërë bast për të ardhmen e afërt të Shqipërisë. Sapo jam kthyer nga Samiti BE- Ballkani Perëndimor me lajme të mira dhe jam besimplotë që Marta do t’i ndajë me ju. Por më lini që t’ua them pa hyrë në detaje; Shqipëria do të marrë më shumë mbështetje nga Plani i Ri i Rritjes, jo si nder apo si favor, por sepse kemi bërë ‘’detyrat tona të shtëpisë’’ dhe e kemi merituar notën.
Pa shihni buxhetin tonë, Parlamenti po e finalizon sot dhe për herë të parë, arrin në 10 miliardë euro. Një dekadë më parë, 10 miliardë euro ishte e tërë ekonomia jonë. Sot është buxheti që kemi. Ai vjen më një mesazh të fortë social dhe me mbështetje të vazhdueshme për bizneset e vogla, në të vetmin vend në rajon e sigurisht dhe në Evropë, që ka tatim zero mbi fitimin e bizneseve të vogla. Dhe pa shihni Tiranën. Mund të vëreni se si ka ndryshuar e ndryshon dita- ditës. Keni dëgjuar për arkitektët e mëdhenj që po ndërtojnë këtu. Ajo çfarë ndoshta mund të mos ta keni dëgjuar, është ligji ynë krejt i ri për strehimin e përballueshëm sepse një qytet që ndërton për investuesit, duhet të ndërtojë edhe për ata që jetojnë aty.
Në vitin 2000 kur u bëra kryetar i bashkisë së Tiranës, kishim një bulevard rrethuar nga një qytet i humbur në mes të Evropës. Sot kemi një kryeqytet evropian, në një vend me të njëjtat probleme që ka Evropa kudo dhe më besoni, ky është përparim.
Kështu nuk po kërkojmë më një akt besimi. Ne po tregojmë bilanc dhe Evropa është në një moment vendimtar transformimi i ekonomisë së saj në AI, në infrastrukturën digjitale , energjinë, kapacitetin industrial e furnizimi do të kërkojë horizonte, kapacitete e partnerë të rinj për ta bërë.
Natyrisht, që rajoni ynë nuk është e gjithë përgjigjja por është pjesë e përgjigjes. Integrimi i ekonomive tona në zinxhirët vlerorë të Evropës, është një mundësi për ne dhe një investim strategjik që Evropa duhet ta bëjë për sigurinë e vet ekonomike dhe konkurrueshmërinë.
Nuk mund ta zgjidhësh ekuacionin e konkurrueshmërisë së Evropës, duke lënë jashtë Ballkanin Perëndimor dhe kjo është diçka që të gjithë sot e dinë.
Kjo konferencë, po kështu ka kaluar nga dialogu në zotime. Për të dytin vit me radhë instrumenti 40 milionë eurosh i ndarjes së rrezikut bujqësor e po kështu edhe vlera shtesë, 58.7 milionë euro në kuadër të programit ‘’rritje për të gjithë’’ i BERZH-it; 40 mln euro nga Fin Fund, garanci pra e Fin Fund Global Conenctet edhe investimet në energji të ripërtëritshme në kuadër të programit ‘Hi-Bar” të BERZH-it me ambicien e mobilizimit të rreth 1 miliardë eurove në mbarë rajonin.
Megjithatë nuk duhet ta masim suksesin vetëm duke shpallur numra. Ta masim me projekte që ndërtohen, me biznese që rriten, me fermerë e sipërmarrës që financohen e vende pune që zgjasin.
Ka tre gjera që do të vendosin industritë e së nesërmes. Teknologjia e thellë, inteligjenca artificiale, zgjidhjet bio teknologjike e digjitale e këto duhet të vijnë në qendër të modelit tonë ekonomik.
Energjia dhe infrastruktura digjitale nuk janë thjesht sektorë ku duhet investuar, janë themelet e konkurrueshmërisë dhe sigurisë. Ndërlidhshmëria, depozitimi i baterive, qendrat e të dhënave, duhet t’i ndërtojmë këto si rajon, sepse sistemet e ndërlidhura vlejnë më shumë e shumë për të gjithë ne.
Njerëzit, njerëzit mbi të gjitha. Aftësitë e produktiviteti janë ato që tërheqin investime me vlerë të lartë. Shkollat, universitetet tona e trajnimi profesional duhet t’i përgjigjen shumë më drejtpërdrejt asaj çka kërkon biznesi dhe teknologjia. Jam i sigurt që keni dëgjuar së fundmi për një projekt që përfshin një ishull e një zog shumë të bukur. Por ajo çfarë mund të mos keni dëgjuar është që pjesa më e madhe e atij projekti ka të bëjë me të rinjtë dhe aftësitë dhe ne synojmë t’i kërkojmë të njëjtën gjë çdo investuesi të një shkalle të caktuar. Investoni në vendin tonë, por investoni edhe tek njerëzit tanë. Këto duhet të shkojnë krah për krah.
Integrimi evropian duhet të jetë diçka që qytetarët e bizneset tona të mund ta ndjejnë qasjen në tregje, mundësitë për të investuar, hapësirë për t’u rritur, një vend më i mirë pune. Kështu perspektiva europiane bëhet më reale në jetën e përditshme.
Më lini ta përmbyll duke ju folur drejtpërdrejt investuesve tanë europian e ndërkombëtar dhe thirrja ime është të shihet përtej perceptimeve të vjetruara. Të gjykohet ky rajon sipas potencialit, vendndodhjes që ka dhe integrimit gjithmonë e më të madh në tregun evropian. Ballkani Perëndimor nuk është mundësia e Europës dikur në të ardhmen, është mundësia e Europës sot.
Diçka e fundit për të gjithë të ftuarit që vijnë nga larg, i kërkoj ndjesë për shiun, por në Shqipëri ne themi “shiu është bereqet”. Dhe kësaj konference s’mund t’i ndodhte asgjë më e mirë se shiu, kështu që merremi këtë shi të sotëm si një premtim.
Uroj të sjellin vitet që vijnë bereqet për të gjithë ju dhe kthehuni së shpejti për diellin shqiptar sepse kemi shumë. Faleminderit shumë.