Laç, kompleks modern banimi me 524 apartamente

Në Laç, një nga qytetet më të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, kanë nisur punimet në kantierin ku do të ndërtohet zona e re për zhvillim, një kompleks modern banimi me 524 apartamente, qendër tregtare, njësi shërbimi e infrastrukturë të standardeve europiane. Në sipërfaqen prej 40 mijë metrash katrorë ku do të ndërtohet kompleksi i ri, ku do të ketë dhe një shkollë, punimet për gërmimin kanë avancuar në nivelin 90%.

Kryeministri Rama, bashkë me ministrin e Shtetit për Rindërtimin dhe kryetaren e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara ishin në këtë kantier ku do të ndërtohen grupi i pallateve moderne, i financuar nga qeveria turke. Puna në kantier vazhdon me ritme të larta, teksa Serveti, inxhinieri turk dhe drejtues i punimeve tha  se “ky projekt është parashikuar që të përballojë një tërmet prej 9 ballë”.

Me përforcimin e tokës që po bëhet falë 2000 pilotave që po hidhen, do të përfitojë e gjithë zona. “Rëndësi ka që me këtë rast bëhet përforcimi i gjithë tokës edhe për shkollën, të cilën  e ndërtojmë ne nga buxheti, por me këtë rast përfitojmë nga përforcimi i përgjithshëm”, – u shpreh Kryeministri Rama.

“Zona 1 do ketë 5 pallate dhe si lot i parë do jetë në muajin mars e përfunduar, sipas kompanisë dhe në lotin e dytë, ku do jenë pjesa tjetër e pallateve, në muajin gusht do jetë e përfunduar”, – tha kryetarja e Bashkisë së Kurbinit.

Ndërkohë procesi i pastrimit të territoreve ku do të ndërtohet vazhdon jo vetëm në Kurbin, por në çdo qytet ku jeta e familjeve të prekura do të rinisë nga gërmadhat që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit. “Për Durrësin, Kurbinin dhe Lezhën, që janë bashki që kanë shumë inerte, kemi akorduar fond specifik vetëm për procesin e pastrimit, që t’i paraprijnë procesit të pallateve që, kur të vijnë kompanitë që do fillojnë themelet e pallateve, gjithë terrenet të jenë bosh”, – tha ministri Ahmetaj.

I gjithë kompleksi do të vërë në dispozicion të familjeve që do të rinisin jetën në banesa më të mirë, edhe 400 vende parkimi.