Liga e basketbollit Shqipëri-Kosovë, një ëndërr shumëvjeçare bëhet realitet

Fjala përshëndetëse e Kryeministri Edi Rama në eventin inaugurues për krijimin e Ligës së përbashkët të basketbollit Shqipëri- Kosovë:

 

Shumë faleminderit për këtë mundësi që të jemi pjesëmarrës dhe të ndajmë së bashku një moment që në këndvështrimin tim është jashtëzakonisht i rëndësishëm, jo thjesht për faktin që dy federata të basketbollit kanë vendosur të krijojnë një ligë unike dhe paralelisht me kampionatet kombëtare të bashkërendojnë një aktivitet sistematik, që do të përfshijë skuadra nga të dy anët e kufirit. Por dhe më shumë se kaq, për faktin që kjo nismë hap një rrugë të re, krijon një model dhe me siguri do të bëhet shtysë për të tjerët që ta ndjekin.

Natyrisht, unë nuk mundem veçse ta përforcoj mendimin e dhënë këtu nga të dyja ministret, që ne jemi më shumë se sa thjesht mbështetës. Jemi absolutisht duartrokitës të kësaj nisme e të gjitha nismave që mund të vijnë pas saj, në funksion të krijimit të një bashkërendimi konkret për të organizuar liga unike. E jo vetëm liga unike e jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në të tjera drejtime.

Sigurish, kjo është pak si veza e Kolombit, që kur e sheh të ndodhë, duket sikur është e çuditshme pse nuk ka ndodhur më parë, apo pse ka ndodhur vetëm kjo. Por është dashur një periudhë pjekurie e këtyre ideve, e këtyre dëshirave që kanë ekzistuar prej kohësh.

Unë e mbaj mend prej kohësh këtë dëshirë të miqve të mi që i janë përkushtuar Federatës së Basketbollit, ashtu sikundër nuk kam pikë dyshimi që e njëjta gjë ka qenë dhe në anën tjetër, por idetë kanë nevojë për kohën e tyre dhe fakti që kësaj ideje i erdhi koha, është shumë i gëzueshëm.

Shumëçka që sot duket e vonuar, në fakt deri përpara jo më shumë sesa 10 vitesh dukej fantashkencë. E këtu kam parasysh një fakt shumë të thjeshtë. Jo shumë larg në kohë, fëmijët shqiptarë këtej dhe andej kufirit mësonin shqip me abetare krejt të ndryshme. Jo shumë larg në kohë, sistemet tona arsimore ishin krejtësisht të ndara dhe në rrugë krejt të ndryshme. Sot nuk është më kështu. Sot, jo vetëm që ka një abetare unike, por mësohet në shkollë, në një rrugë që është goxha e përafërt, për të mos thënë 100%  e njëjta, sepse ka ende detaje, ama pa asnjë diskutim, sot, rruga e marrjes së mësimeve të para dhe e edukimit në sistemin arsimor në të dy anët e kufirit është një rrugë e re dhe tanimë krejt e zakonshme.

Ashtu sikundër, jo shumë vite më parë, studentëve këtej dhe andej kufirit i duhej një mal për t’u kapërcyer me burokraci që të mund të studionin lirisht këtu, ose në Prishtinë. Sot nuk është më kështu!

Sot nuk është më kështu as në shumë aspekte të tjera, përfshirë edhe aspektin e ndërveprimit ekonomik, e ndërveprimit tregtar, pavarësisht se ende ka goxha për të përputhur akoma.

Krijimi i ligës unike shkon një hap më tutje, përbën një moment shkuarje në një nivel tjetër në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta. Unë kam shumë shpresë dhe kam dhe besim që kjo do të bëhet shtysë, me siguri, për të tjerët. Aq më tepër që në fushën e sportit, ne nuk jemi të mëdhenj edhe nëse jemi bashkë, jo më të ndarë që jemi shumë të vegjël, gjë që natyrisht e bën më të vështirë krijimin e një hapësire të atillë konkurrencë që të privilegjojë garën e vërtetë e të privilegjojë talentet.

Ka pasur herët jo pak sportistë, madje edhe trajnerë që kanë shkuar në Kosovë e kanë qenë pjesë e aktivitetit në fushën e basketbollit. Sot, krijimi i Ligës e çon edhe këtë shkëmbim, edhe këtë njehsim në një nivel  tjetër, pa asnjë diskutim, por ajo që është e rëndësishme në vetvete për basketbollin është që ngre nivelin e konkurrencës dhe krijon më tepër hapësirë për të pasur më shumë cilësi në ndeshjet në parket, në fushën e basketbollit.

Ndërkohë, jam i bindur po ashtu që kjo është një eksperiencë që do ta bëjë shumë më të shpejtë dhe do ta nxisë shumë më tepër edhe mekanizmin jo fort të lehtë, për t’u vënë në lëvizje, për shkak të një segmentimi të madh të aktiviteteve të përbashkëta sportive në nivel universitar, apo në nivel parauniversitar. Mendoj që ideja aspak e re, tanimë, e organizimit të kampionateve të përbashkëta universitare dhe parauniversitare dhe e përfshirjes edhe të sistemit të klasave sportive në një hapësirë të përbashkët duhet me patjetër të marrë rrugë e me siguri është një ide që do stimulohet nga kjo që po ndodh sot, këtu.

E mira nuk ka fund dhe e keqja harrohet shpejt. kështu që ne sot, mendoj unë, si shqiptarë jemi më mirë sesa kemi qenë ndonjëherë tjetër në historinë tonë nga aspekti i pozicionit dhe nga aspekti i të drejtave kudo ku jetojmë në rajon. Nëse i referohemi fakteve, krahasimi me jo shumë vite më parë, por dhe me 10 vjet më parë është si dita me natën.

Patjetër që hapësira në të cilën ndodhemi e pozicioni në të cilin ndodhemi kanë shumë potencial për t’u forcuar, për t’u zgjeruar, për t’u mbushur me më shumë energji e për të prodhuar më shumë në të gjitha aspektet, por të mos e harrojmë që nuk ka qenë 100 vjet përpara koha kur lojtarët shqiptarë të basketbollit u arrestuan direkt në parket, vetëm pse ishin shqiptarë në atë ndeshjen famëkeqe midis Trepçes dhe Mitrovicës. Domethënë, një realitet, i cili sot duket si një ëndërr e keqe, por që është një realitet që të gjithë ata që janë këtu të paktën, si përfaqësues të kësaj sfere aq intriguese saç është basketbolli e kanë jetuar personalisht ose si të pranishëm në atë  ndeshje, ndonjëri, ose si dëshmitarë të interesuar.

Ashtu sikundër, gjithë procesi i mbijetesës së basketbollit ka qenë një proces i vështirë, është ende një proces i vështirë për 1001 arsye dhe kjo Ligë i jep procesit një energji të re, duke patur parasysh dhe faktin që është mirë ta themi, në Kosovë ka elementë goxha dinamikë dhe goxha të kolauduar në aspektin menaxherial, në aspektin e organizimit, në aspektin e vlerave të kompeticionit. Pra, nuk po krijohet një Ligë mes një fuqie të madhe dhe një fuqie të vogël, por po krijohet një Ligë mes dy komponentëve që kanë çfarë i japin njëri-tjetrit dhe kanë çfarë mësojnë nga njëri-tjetri, ndërkohë që janë dhe në kompeticion me njeri-tjetrin.

Më vjen shumë mirë që e dëgjova nga presidenti i Federatës së Basketbollit të Kosovës, që aktiviteti i kësaj Lige do të jetë një aktivitet i afërt me publikun përmes ekraneve të TV-ve, edhe në Kosovë dhe në Shqipëri. Kjo do të ndihmojë me siguri.

Ashtu sikundër do të ndihmojë edhe dialogu dhe ndërveprimi mes Ligës dhe të dy qeverive tona, për të kuptuar më mirë se çfarë mund të bëjmë ne më shumë  dhe për të kërkuar nga Liga ndihmë që ky shembull të promovohet përtej vijave të bardha të fushës së basketbollit. Si një shembull që të tjerët nuk duhet të vonojnë që ta konsiderojnë dhe nuk duhet të vonojnë që ta implementojnë në aktivitetin e tyre.

Është një proces i bukur dhe sfidues integrimi jetësor do ta quaja, që është në fakt, aspekti konkret i integrimit mes dy pjesëve të popullit tonë, që jetojnë në Shqipëri dhe në Kosovë dhe në këtë sfidë, mua më vjen shumë mirë që basketbollistët e dikurshëm bënë një kërcim spektakolar, do të thosha, sepse kjo është si ato pikët e bërë më zhytje.

Zëvendësministri i nderuar i Sportit nuk i kapte dot ato lloj kërcimesh, por ka këtu personalitete që i kanë kryer ato kërcime. Ato, – Nine – në kohën kur unë isha thjeshtë një admirues i joti, jo më shumë, ishin më të fortë se tre pikëshat me thënë të drejtën, se ishin më të pakta, nuk para i bënin shumë sportistë, kurse tre pikësha kishte shumë.

E nuk e di pse të ndodhi kaq keq sot, që të tjerët të kenë ty përballë dhe në sfond të kenë Mirzën, që në trepikësha ta ka kaluar në numrin e përgjithshëm. Por nuk diskutohet që Mirza do të ishte e padrejtë po të mos ta pohonte që ka mësuar nga ty, se nga ty kemi mësuar të gjithë. E fati jonë ka qenë që ti ke arritur të na mësosh edhe gjëra që nuk i dije vetë, se kishe atë magnetin që dukej sikur ti i bëje të gjitha. Edhe gjërat që i bënin të tjerët, dukej sikur Ninia i dinte, por nuk i bënte thjeshtë ngaqë nuk donte t’i bënte, p.sh, gjëra që bënte Ilir Trebicka, ose që bënte Gaz Çaçi, Pjerini, ose Korabi, i kishte në arsenalin e vet, por ishin elementë që nuk i konsideronte si pjesë të virtuozitetit.

Përtej shakasë, që është gjysma e të vërtetës, e vërteta e plotë është që është kënaqësi e veçantë që basketbollistët bënë këtë akt kaq domethënës dhe që e ftuan të gjithë shoqërinë shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë që të bëjë një tentativë për të kërcyer një lartësi më tepër, sesa në lartësinë që ndodhet sot, në të gjitha planet.

Shumë faleminderit dhe shumë respekte për Presidentin e FIBËS, një personalitet i madh dhe e them me shume kënaqësi, një mik i afërt dhe besnik i dy federatave shqiptare, që ka kapërcyer edhe barrierën e COVID-it, për të ardhur dhe për të qenë këtu i pranishëm.

Shumë respekte Zoti President!