Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedimin me banorët e Lurës për prezantimin e projekteve për zhvillimin e Lurës:

Mirë se ju gjeta të gjithëve!

Shumë respekte për praninë tuaj në këtë takim!

Të them të drejtën, është hera e parë që unë vij këtu. Lurën e kam parë siç e kanë parë shumë shqiptarë, nga kartolinat, nga kalendarët e vitit edhe nga shumë pamje që dikur jepeshin dhe shfaqeshin për të treguar një mrekulli të natyrës. Më pas e kam parë, siç e kanë parë dhe shumë shqiptarë, me ato skenat e tmerrshme të shkatërrimit.

Sot jemi këtu për të hapur një kapitull të ri, duke qenë se qeveria ka një program të posaçëm për Rilindjen Rurale, për rilindjen e fshatit, një program që nis me krijimin e 100 modeleve. 100 modele në 100 fshatra të ndryshëm të Shqipërisë, nga veriu në jug, ku përfshihet, nuk diskutohet, edhe Lura dhe ku synohet që të orientohen burimet natyrore, burimet njerëzore drejt një zhvillimi shumëplanësh.

Ka shumë fshatra Shqipëria që janë të jashtëzakonshëm për nga bukuria e natyrës, që janë të jashtëzakonshëm për nga historia dhe për nga tradita e mikpritjes, por që, siç është këtu, janë shumë larg rrugës së tregut për të mundur të krijojnë një zhvillim intensiv bujqësor apo blegtoral.

Pyetja është çfarë mund të bëhet në këto kushte?

Përgjigja është shumë e thjeshtë. Përgjigja është që, në vend se të synohet e pamundura dhe në vend se njerëzit të stërmundohen duke punuar nga momenti kur del drita, deri në momentin kur bie errësira për të prodhuar në bujqësi, apo në blegtori dhe thjesht për të mbijetuar duke i marrë prodhimet me çantë e duke dalë te rruga për t’i shitur, – të kthejnë sytë nga miniera e jashtëzakonshme e bukurive natyrore dhe e trashëgimisë historike e kulturore dhe t’i drejtohen agroturizmit.

Nëse dikush jeton në një shtëpi siç janë shumë shtëpi këtu që janë vërtet të jashtëzakonshme, sepse kanë një karakteristikë, kanë një histori, pavarësisht se për shkak të varfërisë janë bërë ndërhyrje që i kanë dëmtuar në integritetin e tyre, çfarë mund të bëjë, si mund t’ia dalë që me punën e vet të nxjerrë të ardhura për të jetuar normalisht?

Çfarë mund të bëjmë për bujqësinë, çfarë mund të bëjmë për blegtorinë, duke pasur një rrugë që është një skëterrë e vërtetë për më tepër dhe duke pasur një distancë kaq të gjatë nga tregu më i parë?

Sa i kushton një familjeje që jeton në një situatë të tillë dhe situata të tilla ka plot Shqipëria që të investojë të gjithë mundin dhe djersën e vet për të prodhuar domate, patate, apo qepë dhe pastaj për të dalë deri poshtë në treg?

Kush është ai sipërmarrës, kush është ajo kompani grumbullimi i produkteve që do ndërmerrte aventurën që të organizonte automjete për të ardhur deri këtu dhe për të mbledhur ato pak prodhime që mund të ishin?

Askush. Pra, mundësia për të dalë nga këtu në treg është minimale, për mos thënë nuk ekziston.

Por ka një mundësi tjetër, për ta bërë tregun të vijë këtu dhe jo tregun e domateve e të patateve, por tregun e turizmit. Ka një mundësi tjetër, për t’i bërë njerëzit të vijnë nga Tirana, nga e gjithë Shqipëria dhe nga Europa këtu, ta marrin ata rrugën, t’i bëjnë ata shpenzimet e karburantit dhe këtu të gjejnë pikërisht atë që nuk e gjejnë diku tjetër këtë bukuri përrallore, këtë histori të veçantë, këtë traditë dhe këta njerëz dhe të mund të shijojnë diçka që nuk e gjejnë në një vend tjetër, jo se në vende të tjera nuk ka, – ka patjetër, por ka histori të tjera, ka arsye të tjera, padiskutim, – por historinë e Lurës e gjejnë vetëm këtu, nuk e gjejnë dot diku tjetër.

Unë besoj shumë që agroturizmi është një mundësi e madhe dhe një potencial i jashtëzakonshëm që ne nuk e kemi fare të shfrytëzuar dhe që duke e shfrytëzuar një gjë është e sigurt, dalin nga varfëria të gjitha familjet që e bëjnë. Nuk ka asnjë mundësi që të jetosh me agroturizëm dhe të jesh i varfër. S’flasim për të pasur, – nuk diskutohet që ata që organizohen dhe që krijojnë zinxhirë të ndryshme bujtinash etj. etj. mund të bëhen dhe të pasur, – flasim për një jetë normale. Flasim për një jetë që të jep më shumë të ardhura sesa puna në shtet, apo sesa puna në privat individualisht. Këtë. Jo më shumë. Jo më pak.

Për më tepër, unë jam i bindur që duke hapur rrugën e zhvillimit të agroturizmit, do të ketë me mijëra e me dhjetëra mijëra emigrantë që do kuptojnë se duke investuar paratë, bashkë me familjen, bashkë me ata që kanë mbetur këtu, ose në shtëpinë e gjyshërve dhe të prindërve do fitojnë nga aktivitetet më tepër sesa fitojnë duke punuar atje ku janë si punëtorë në Greqi, apo në Itali, apo qoftë edhe si biznesmenë të vegjël. Nuk diskutohet. Problemi është që, nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë. D.m.th këtë gjë që unë po them ata e kuptojnë më mirë sesa e kupton shumëkush këtu në Shqipëri, se kush jeton jashtë, kush jeton në Itali, p.sh., e ka shumë të qartë këtë që po them unë.

Italia ka bërë një trefishim të të ardhurave të veta në të gjithë sektorin e ekonomisë rurale qysh prej fundit të viteve ’80, kur i dha një shtysë të re agroturizmit. Ata e dinë shumë mirë se për çfarë po flas.

Një familje në një shtëpi si këto, që ka një numër të vogël, 2, 3, 4, 6, 7 dhoma për të pritur njerëz dhe që nuk bën asgjë të jashtëzakonshme përveçse atë që bën përditë vetë, i ka të gjitha shanset që të ketë të ardhura shumë më tepër sesa ç’do kishte po të shkonte dhe të rropatej për të punuar për italianët dhe për grekët në emigracion, por i duhet mbështetja e shtetit për të siguruar, në radhë të parë, një infrastrukturë minimale.

Me rrugën aktualisht sot nuk mund të pretendohet kjo që po them. Patjetër që këtu vijnë turistë edhe sot, se unë i pashë, më zunë sytë disa njerëz që duket që s’janë që këtu dhe që kanë ardhur për turizëm, por janë shumë pak për të pretenduar këtë që po flas, sepse kjo rrugë kërkon vërtet aventurierë për të ardhur deri këtu, ose hallexhinj që s’kanë çfarë të bëjnë, siç jeni ju, që doni, apo nuk doni atë rrugë do përdorni. Pra, duhet që ne të investojmë për rrugën dhe kjo na bëhet kafshata e dytë e madhe për buxhetin, se qenka e thënë që të gjitha kafshatat e mëdha ne t’i gëlltisim këtu në Dibër, se Rruga e Arbrit është e bukur për t’u thënë, është shumë e bukur për t’u bërë, por është një kafshatë shumë e madhe për t’u gëlltitur nga buxheti shteti. Edhe kjo rrugë është e bukur të thuhet dhe e bukur të bëhet, por nuk është kafshatë e lehtë, sepse kërkon një fond të konsiderueshëm dhe sigurisht që ajo që kthen mbrapa është shumë e madhe, po ashtu.

Sidoqoftë, ajo që unë ju them është që ne nuk do ta lëmë rrugën pa bërë. Vetëm mos filloni që sot në “Facebook” të thoni, “pse nuk u bë rruga?” Ju lutem, se nuk mund të bëhen rrugët kaq kollaj sa thuhet fjala, sepse kërkojnë një proces të tërë. Duhet projekti, pastaj duhet gjetur financimi, pastaj duhen të gjithë procedurat për të gjetur se kush e bën, pastaj duhet i gjithë procesi për të nënshkruar kontrata dhe këto janë periudha të gjata, nuk janë të shkurtra, për më tepër që ne patëm një fat jo të mirë, sepse patëm 4 vjet me dy probleme madhore: një, me rrugët e filluara dhe të lëna të gjitha rrugëve dhe dy, me borxhin e madh për t’iu shlyer atyre që kishin filluar rrugët.

Nëse ne nuk do kishim shlyer 700 e ca milionë dollarë borxhe, sigurisht do e kishim bërë dhe rrugën e Lurës. Pra, 4 vjet ishin për të dalë dhe për të nxjerrë kokën mbi ujë. Tani kemi më shumë mundësi. Tani kemi mundësi që jo vetëm Rrugën e Arbrit ta fillojmë dhe ta përfundojmë, por edhe disa rrugë të tjera kombëtare, si dhe një sërë rrugësh me rëndësi të madhe për ekonominë siç është dhe rruga e Lurës.

Ne kemi filluar të mendojmë për këtë, se ndryshe mbase nuk do kishim ardhur sot këtu, ashtu sikundër paralelisht kemi filluar të mendojmë për të bërë një hap për restaurimin e këtyre shtëpive, për të ndihmuar banorët që shtëpitë të mos degradohen për shkak të pamundësisë për të bërë restaurimet, apo për t’i bërë riparimet siç duhen bërë.

Kemi një fond që do ta vëmë në dispozicion. Unë e falënderoj Dod Doçin. Atij në fakt i takon të jetë këtu se dhe kompaninë e ka me ermin “Lura” dhe deri tani për Lurën vetëm emrin e kompanisë së vet ka vënë, s’ka bërë asgjë tjetër, por nuk ka pasur dhe çfarë të bëjë se nuk mund të bëjë dot një kompani atë që po diskutojmë nëse nuk përfshihet shteti, nëse nuk përfshihen dhe të tjerë, etj, etj, kështu që edhe me kompaninë e Dodës ne do komunikojmë për të bërë të mundur si fillim njëherë projektin. Pastaj do shikojmë menjëherë paralelisht të fillojmë një punë, siç kemi bërë për Vunoin, siç kemi bërë për Dhërmiun, që kemi investuar ne për të rimëkëmbur shtëpitë e vjetra, edhe këtu të investojmë pasi të identifikojmë të gjitha shtëpitë karakteristike dhe që janë të vjetra për t’i rindërtuar dhe riparuar siç duhet jo disa me çati të kuqe, disa me çati të verdha, por siç kanë qenë çatitë karakteristike dhe në të njëjtën kohë të shikojmë mundësinë e krijimit të një rrethi njerëzish autoktonë këtu që janë në Tiranë, apo që janë jashtë shtetit që kanë dëshirë të vijnë dhe të investojnë shuma të vogla në shtëpitë e tyre, ose shuma pak më të mëdha për të ndërtuar bujtina, apo hotele.

Ky vend në një 10-vjecar mund të bëhet destinacion europian. Kjo nuk diskutohet, sepse mundësitë e natyrës i ka të jashtëzakonshme. Edhe traditën dhe historinë e ka të jashtëzakonshme, por duhen disa gjëra dhe këto gjëra do bëhen së bashku.

Ne kemi kaluar një masë shumë lehtësuese që, kush merret me agroturizëm ka vetëm 6% TVSH. Pra, nëse ke një restorant, e ke 20% TVSH-në. Nëse ke një biznes çfarëdo, e ke 20% TVSH-në. Nëse ke një agroturizëm, ose një bujtinë në një fermë të vogël, ku ti ofron produktet që i bën vetë ose produktet që bëhen rreth e rrotull në fshat e ke 6% TVSH-në dhe tatim-fitimin e ke vetëm 5%, sado të fitosh ti.

Normalisht, agroturizmi është biznes i madh, nuk diskutohet, edhe me këtë që po bëjmë ne tani, që po rrisim pragun për biznesin e vogël në mënyrë që të mos kalojnë te 15% taksa dhe të mbeten te 5%-shi deri në 140 milionë xhiro, – përsëri unë jam i bindur që shumë agroturizme mund ta kalojnë këtë dhe edhe po e kaluan nuk do e kenë 15% taksën, do e kenë 5%. Këto janë dy masa që janë shumë të favorshme për ata që merren me agroturizëm.

Dhe e fundit, për ta mbyllur, para pak ditësh pashë në “Facebook” një person, Hupi nga Bulqiza, që më çoi aty një ftesë, “hajde te kulla ime”, më tha, kur pashë fotografitë, ishte një gjë fantastike. Ja, si këto këtu. Por ai aty kishte filluar aktivitetin, bënte pritje, përcjellje njerëzish. Nga të gjitha albumet që pashë me kuriozitet, aty ishte plot. Ai kishte dhe “photo of the day”, llogarite! Kështu që është e mundur dhe është jo e vështirë sepse do bësh gjënë që je mësuar brez pas brezi, por duhet një mbështetje e parë dhe është zhvillim ekonomik i sigurtë, i ekonomisë familjare, i ekonomisë lokale dhe nëse kjo shtrihet në të gjithë territorin, siç mendoj unë se do ndodhë, i ekonomisë kombëtare, në mënyrë që zona e fshatit të ketë nga njëra anë bujqësinë intensive, zhvillimin blegtoral intensiv dhe nga ana tjetër jo varfëri ekstreme, apo varfëri për shkak të izolimit, apo për shkak të pamundësisë për të bërë bujqësi intensive, por të ketë agroturizëm.

Nëse për ata që prodhojnë për eksport është një punë intensive, nga mëngjesi deri në darkë dhe është një zinxhir i tërë që duhet ndërtuar, për ata që punojnë në agroturizëm është puna e përditshme e shtëpisë që është bërë brez pas brezi, duke shfrytëzuar natyrën dhe duke vënë në dispozicion mikpritjen tradicionale që ne e kemi njësh, që e thonë të gjithë. Të gjithë të huajt e thonë dhe sot, s’është puna se e themi ne edhe ia themi njëri-tjetrit, bile ne të huajt i presim shumë më mirë seç presim njëri-tjetrin. Mjafton të shikojmë si i presim ambasadorët dhe e kuptoni vetë.

-Unë Selvie Deda, jam e vetmuar. Nuk më kanë dhënë ndihmën ekonomike. As djalë nuk kam në kurbet. Jam në shtëpi të huaj. Ku të jetoj?! Vuaj për copën e bukës. Çfarë mendimi jep ti për mua?

Kryeministri Edi Rama: Unë jap mendimin që do merrem me punën tënde sa të mbarojë takimi. Do ta shikojmë dhe do ta vlerësojmë.

-Të falënderoj dhe të jam shumë mirënjohës, sepse ashtu siç e thanë edhe shumë njerëz, je i pari Kryeministër që keni ardhur në Lurë. Është dhe një më parë, ish-Kryeministri Mehmet Shehu dhe askush tjetër, por sidomos në periudhën e tranzicionit kanë kaluar gjithë ata kryeministra dhe askush nuk e ktheu kokën nga Lura. Për Lurën u fol dhe nuk është tepruar asgjë. Ka shumë probleme. E di se faji kryesor u takon pushtetarëve të hershëm. Nuk janë tuajat. Ju e thatë dhe unë të kuptoj drejt, por është realitet që nuk është kthyer koka nga Lura ashtu si duhet. Është braktisur dhe është katandisur, është masakruar. E ngjashme me këtë, është vetëm një masakër që i është bërë Bagdadit nga pushtuesit mongolë. Ju falënderoj nga zemra dhe uroj që të gjitha këto që thatë të vihen në veprim, të realizohen për interesa të Lurës, por dhe për interesa të Shqipërisë. Falenderoj të gjithë ata që ju kanë shoqëruar dhe solidarizohem me ato projekte që ju përmendët. Ju jam shumë mirënjohës.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit.

-Ju falenderoj për ardhjen tuaj dhe të gjithëve që ndodhen këtu. Unë kam mbaruar shkollën e mesme profesionale në degën ekonomi. Jam diplomuar edhe në universitetin “Aleksandër Mosiu” në degën financë kontabilitet. Kam kërkuar punë pranë bashkisë Dibër dhe këtu tek njësia, vetëm 6 muaj në punë kam qenë dhe më kanë lëvizur. Kam aplikuar edhe tek Drejtoria Arsimore për t’u punësuar si mësues pranë shkollës së mesme të bashkuar “Nikollë Kacorri” në Lurë dhe asnjë përgjigje nuk më është kthyer. Kam shkruar edhe tek portali shqiperiaqeduam.al dhe aty asnjë përgjigje nuk kam marrë nga Ministria e Arsimit. Tani unë nuk e di çfarë të bëj.

Kryeministri Edi Rama: Ti e ke marrë përgjigjen, por nuk të ka pëlqyer përgjigja. Platforma përgjigjen e kthen gjithmonë, por ka raste që nuk të pëlqen përgjigja.Do ta verifikojmë, mos u mërzit. Çfarë do nga unë? Do punë shteti?

-Po, këtu ka me shkollë të mesme dhe janë punësuar. Unë që kam mbaruar shkollën me sakrifica, nuk më ofrohet asnjë gjë.

Kryeministri Edi Rama: Së pari, që të jemi të qartë, për t’u punësuar si mësues, duhet të kalosh nga portali “Mësues për Shqipërinë”. Duhet të kalosh aty, të marrësh pikët dhe jo duke thënë jam unë me shkollë të lartë, ai tjetri është me shkollë të mesme, por duke treguar tek testi sa i zoti je. Futu në portalin “Mësues për Shqipërinë” dhe merr pikët atje. Nuk kanë ndodhur më punësime jashtë portalit, që kur është bërë portali. Ata që kanë qenë përpara të punësuar, është temë tjetër dhe ata zëvendësohen vetëm nëpërmjet atyre që fitojnë në portal. Kështu që, kjo është rruga. Kjo është rruga për mësuesit, kjo është rruga për infermierët. Ndërsa për sa i përket punësimeve në bashki, unë nuk e di rastin konkret, është këtu kryetari i njësisë dhe mund të flasë, por unë di të them këtë që, bashkitë kanë një numër shumë të kufizuar vendesh dhe nuk janë zyra pune. Bashkitë nuk janë aty për të futur në punë të gjithë njerëzit që janë të papunë. Nuk realizohet dot kjo. E treta, nëse e dëgjove fjalën që thashë unë, shihe pak ndryshe këtë punë dhe shih se mos të del më mirë duke e kthyer kokën nga ajo që thashë. Duke e kthyer shtëpinë tënde në një bujtinë dhe duke u bërë zot i punës tënde. Mundësitë financiare janë, ti tregoj unë.

Ne kemi një program financimi për agroturizmin që jep shteti lekë në dorë mbështetje dhe jemi të detyruar ta rihapim prapë thirrjen sepse kemi pasur shumë pak kërkesa.

Unë po të flas për program financimi për familjet në fshat, ti më thua i marrin investitorët. Investitorët nuk marrin aty. Kanë tjetër program. Unë po të flas për një program që të jep deri në 15 milionë lekë ty në dorë, nëse ti ke një projekt tamam për ta kthyer shtëpinë tënde në një bujtinë, por kjo do punë, nuk do vetëm mikrofon se mikrofonin e kap kollaj dhe fillon jep mend, por kjo do që ti thuash vetes çfarë do bëj unë dhe mbasi të mbarojmë ne mbledhjen, takoje pak këtë që foli, që ka shkuar në Torino, që punon në Torino dhe që vjen këtu, sepse mendon që këtu mund të bëjë diçka që i del më mirë në Torino.

-Përshëndetje zoti Kryeministër. Personi në fjalë, është e vërtetë që ka qenë në punë. Është ndërruar kryetari i bashkisë dhe ka ardhur i riu, jo kryetari që është aktual. Ka bërë lëvizje, ka shkuar në konkurs për në gjendjen civile dhe nuk e ka marrë konkursin.

Kryeministri Edi Rama: Tani, ke edhe një program tjetër, që për çdo lloj aktiviteti në bujqësi të të rinjve, por duhet projekt. Duhet të vrasësh mendjen e jo të thuash unë e kam fituar konkursin.

Bëj një projekt. 5 milion lekë, i jep qeveria në dorë për çdo të ri që bën një projekt dhe që kërkon mbështetje për të bërë diçka në bujqësi, një fillim, në bujqësi, në blegtori, në agroturizëm, në çdo lloj fushe që të shkon mendja këtu në këtë lloj miniere që është, por është një pasuri që duhet me e kuptu, jo vetëm me e pa. Meqë na dole në shteg.

-Përshëndetje! Ju falenderojmë për ardhjen në Lurë. Kemi disa kërkesa për fshatin tonë. Kemi shkollën, që duhet riparuar. Kemi edhe ujin për vaditje që ka dy vite që nuk kemi ujë në fshat. Këto ishin kërkesat tona.

Kryeministri Edi Rama: Të falenderoj!

-Përshëndetje! Sot, jemi mbledhur gjithë Lura, të majtë e të djathtë. Un dua të flas për dy pika të Lurës. Kam jetuar në Lurë, tërë jetën. Lura vuan për rrugë. Lura vuan për drita. E deklaroj që në dimër, natë dhe ditë, pa u fikur 3 herë dritat nuk kanë ndenjur. E dyta, jam demokrat i orëve të para se kam qenë i persekutuar. Kam votuar gjithmonë kundra PS-së. Nëse ti do bësh një gjë për Lurën, ngelesh kryeministri më me shenjë për Lurën.

Kryeministri Rama: Tani, një pyetje kam unë. Atyre që ua ke dhënë votën pa pushim, të kanë dhënë gjë? Pse nuk e ndërrove njëherë?

-Jo, vetëm duke pasur emrin socialist, se asgjë s’më kanë bërë. Vetëm duke pasur emrin socialist, jam larg teje. Se ajo më ka luftuar mua.

Kryeministri Rama: Ty të ka luftuar komunizmi, nuk të ka luftuar socializmi.

Do ta them dhe një gjë. Nuk flas për interesa personale. Unë në atë kohë edhe ditën e dielë punoja. Unë marr 5 mijë e 500 lekë pension dhe faleminderit Zotit për katër fëmijët që kam, se unë do vdisja për bukë. Nuk më ke asnjë faj ti se as partia ime nuk mori asnjë masë. Jam i kënaqur  se në atë kohë isha me pak vetë i persekutuar, tani jam me gjysmën e Shqipërisë i persekutuar. Sa ta marri Saliu pushtetin, të gjithë  ata të tutë i pushon dhe i le pa bukë. Sa ta marrësh ti, të gjithë ne, na ke pushu, na ke lënë pa bukë edhe jam i kënaqur se jam me gjysmën e Shqipërisë i persekutuar.

Kryeministri Rama: Ti thua i ke pushuar të gjithë, ata të mitë thonë “nuk dole gjë as ti se nuk pushove asnjë”. Kështu që varet nga e sheh këtë punë.

-E fundit, të përshëndes se ke ardhur në Lurë, kjo është kryesorja! Ke fituar pikë për Lurën.

Kryeministri Rama: Të falenderoj edhe unë shumë për ndërhyrjen. Ti votën vazhdo çoje aty ku e çon gjithmonë, por që unë për Lurën do ta bëj atë që them, këtë mos e diskuto, por ti votën atje. Mos e ndërro. Votën çoje ku të duash, se me votën tënde apo pa votën tënde, ne fitojmë prapë. Rëndësi ka që nga puna jonë fiton edhe ti, nga puna e tyre nuk fiton asnjë. Ky është ndryshimi.

-Të falënderoj, se je kryeministri i dytë i shtetit shqiptar që ke ardhur për të parë Lurën dhe hallet e Lurës. Në realitet unë jam një themelues si parë i PD në janarin e ‘90. Kërkesa ime do shkojë tek ministri i bujqësisë. Lura nga natyra e nga Zoti, ka  7 liqene, por Lura vuan edhe për ujë të pijshëm edhe për ujë vaditës. Ka tre vjet që mbjellim dhe nuk korrim se digjet. Ujë ka për ti dhënë edhe Dibrës, por në Lurë nuk ka. Kërkoj që të interesoheni ju kryeministri i dytë shqiptar – pas Mehmet Shehut,  që pas tre dekadash keni ardhur në Lurë. Të falenderojmë shumë që erdhe dhe e patë me sytë tuaj. Ne kërkojmë ndihmë nga shteti. Na duhet një rrugë që nuk e kemi, se po të sëmuremi në dimër, këtu vdes. Kemi doktor, spital nuk ka. Popullin e Lurës, vetëm ta marrin me helikopter. I lutem kryeministrit, për Lurën, ta shohë këtë punë. Këto kam unë.

Kryeministri Edi Rama: Të falënderoj dhe nuk i heq asnjë presje atyre që the, por nga ana tjetër besoj edhe ti e di që nuk mund të bëhen dot të gjithë ato që u shkatërruan për shumë vite, por hap pas hapi, besoj që do bëhen. Ajo që është kryesorja këtu është së pari, t’i japim një mundësi për të dalë nga izolimi dhe një mundësi për të filluar luftën me varfërinë kushdo që sigurisht nuk ka mundësi të tjera, – përmes agroturzimit. Këto të dyja janë gjëra që shkojnë me njëra-tjetrën. Ne do fillojmë, e përsëris, do fillojmë të bëjmë disa ndërhyrje këtu, duke nisur nga ato që tha Adelina, me projektin e përbashkët, identifikimin e shtëpive që janë realisht vlerë dhe pastaj me ndërhyrjet në to. Në një bashkëpunim me gjithë ata që janë nga kjo zonë, siç është Doda dhe plot të tjerë që mund të jenë në Tiranë apo që janë jashtë shtetit, por që kanë dëshirë që të shohin këtij dhe ë bëjnë diçka. E patjetër që paralelisht me këto, janë çështjet e arsimit, çështjet e shëndetësisë që janë kudo, në gjithë Shqipërinë nuk është se janë vetë këtu dhe që po përmirësohen, por duhet bërë shumë më tepër se sa është bërë për të thënë që ja ku janë.

-Zoti Kryeministër, mirë se erdhët në Lurë! Ju falënderoj për ardhjen tuaj. Pa dashur të përsëris ato që u diskutuan, Lura do infrastrukturë. Unë desha të theksoj,  duke qenë specialist i kësaj fushe, jam inxhinier elektro-energjitik prej 46 vitesh, furnizimin me energji. Aktualisht Lura merr energji nga nënstacioni i Fushë Alias me një linjë që ushqen në distancë kilometrike rreth 60-70 kilometra larg, kur ka dy kaskada energjitike pranë. Kryetarit të njësisë administrative kam një vit që i kam dhënë projektin e lidhjes së Lurës me nënstacionin e Armollës. Kjo do të ishte një premisë e jashtëzakonshme për përmirësimin e garancisë së furnizimit me energji të Lurës. Nëse është e mundur, unë jam gati të vihem në dispozicion të kujtdo për t’u bërë. Është pothuajse pa kosto. Nuk shkon më shumë se 3-4 milionë lekë të reja.

Kryeministri Rama: Po të jetë për 3-4 milionë lekë të reja po ta bëjmë javën tjetër, por nuk ma ha mendja.

Unë them po. Po të jepet porosia, un jam gati ta ndjek personalisht.

Kryeministri Rama: Po të jetë për 3-4 milionë lekë të reja ta bën Doda sot.

-Ka lidhje me miratimin në ministritë e linjës. Po u miratua ky ndryshim, ajo është punë që bëhet me kaq.

Kryeministri Rama: Nuk të flas dot me kaq se është një gjë që as nuk e di as nuk e marr dot përsipër, as nuk marr përsipër të jap mendime për këtë se do mendim specialistësh, por do ta ndjekim dhe në rast se është një propozim i arsyeshëm, patjetër.

Përshëndetje! Vijmë nga Ecovolis një organizatë mjedisore që kemi më shumë se dy vjet e gjysmë që kemi ngritur zërin për Lurën dhe kemi mbjellë më shumë se 10 mijë fidanë pishe për këtë zonë. Ne e dimë që Lura ka një potencial shumë të madh për t’u bërë një pikë  shumë e fortë turistike. Nga prilli i vitit 2016 deri më sot kemi organizuar 10 aksione dhe njëri prej tyre ka qenë me 300 vetë. Unë kërkoj që ky projekt të vazhdojë dhe ne të kemi ndihmën që Lura të ripyllëzohet dhe duam konkretisht të dimë se çfarë do të bëhet lidhur me këtë çështje. Në qoftë se ngjitesh më lart është një katastrofë mjedisore. Nëse do të bëhet projekti i rrugës ta kini parasysh që rruga të shkojë deri tek 7 liqenet sepse ato janë perla. Do të thoja se sot më vjen mirë që shoh kaq shumë njerëz dhe po kaq do të doja të ishin edhe kur kemi bërë aksionet për ripyllëzimin, por në fakt nuk kanë qenë. Një pyetje tjetër që kam është se çfarë është  bërë me personat që kanë bërë masakrën mjedisore të Lurës. A ka ndonjë të ndaluar, që po përgjigjet para ligjit?

Kryeministri Edi Rama: Po më kërkoni llogari mua për ndalimet që duhet të ishin bërë në vitet ’90?

Ajo që dua të them është që së pari duhet të ndërgjegjësohemi dhe së dyti dua të them se masakra mjedisore ende vazhdon. Motosharra ende është nëpër pyje. Këtë e kemi të faktuar.

Kryeministri Edi Rama: Së pari, nëse ju e keni parë motosharrën dhe merrni përsipër ti jepni këtyre leksione, – që mirë do ishte mos ta kishit bërë sepse bravo ju qoftë për atë që bëni, por këta për leksione nuk kanë nevojë, kanë nevojë për ndihmë, -do ishte mirë që ju ta kishit denoncuar direkt sapo ju e keni parë motosharrën. Nëse motosharrën e keni me të dëgjuar dhe jo me të parë, do të ishte mirë të thelloheshit për të kuptuar nëse keni dëgjuar vërtetë motosharrrë apo keni dëgjuar ndonjë zhurmë tjetër. Që do  të thotë që secili duhet të bëjë të vetën, siç e the, me aq sa ka mundësi. Juve nuk është se keni mundësi të pakufizuara, por juve bëni shumë me thënë të drejtën dhe për këtë meritoni respekt.

Ndërsa për sa i përket atyre që duhen bërë këtu, unë e di shumë mirë që janë shumë gjëra që duhen bërë, jo vetëm këtu, por në të gjithë Shqipërinë. Por ajo që ka rëndësi është që të bëhen me radhë, duke e ditur ekzaktësisht kush e ka radhën në fillim, kush e ka radhën më pas, se të gjitha përnjëherë nuk bëhen dot dhe e dyta që duke bërë gjënë e duhur sipas radhës të krijohen energji si rezultat i gjërave që bëhen dhe pastaj të shkojmë më tutje.

Më the që ta çojmë rrugën deri në majë të malit. Unë jam me një mendim tjetër. Unë jam që në majë të malit të bëjmë dhe një pistë helikopterësh që të shkojmë dhe në qiell, por t’i bëjmë me radhë. Se fillimisht bëjmë rrugën për të ardhur këtu, pastaj patjetër që ta çojmë në majë të malit. Pastaj në majë të malit bëjmë dhe ndonjë teleferik, siç tha Adelina për të zbritur poshtë, duke rrëshqitur dhe duke parë bukuritë. Çështja është të jemi realist dhe të kuptojmë mundësitë tona. Sepse është njësoj sikur të pyes unë dikë këtu: “Pse  tek shtëpia atje një çati është e kuqe, një gri, një e bardhë? Pse nuk merr ti rregullojë menjëherë tani? Çfarë do thotë ai, nuk do ta bëjë? S’di ta bëjë? Jo! Ai do ta bëjë dhe di ta bëjë, por nuk ka mundësi ta bëjë. Ose duhet që ai të ketë një plan dhe sipas mundësive të shkojë drejt asaj që duhet, ose të marrë borxh. Por po të marrë borxh dhe nuk ka mundësi të lajë borxhet, mund t’i marrin dhe shtëpinë. Kështu është dhe shtëpia e përbashkët që është shteti, që nuk mund t’i bëjë të gjitha gjërat menjëherë. Do t’i bëjë me radhë dhe sipas mundësive që ka. Dhe beteja është për t’i rritur mundësitë. Mundësitë rriten duke fuqizuar ekonominë, duke fuqizuar sektorët. E dëgjova atë historinë e dritave. Po ajo që nuk tha zotëria dhe nuk ka pse e thotë se e them unë, është se që nga koha e elektrifikimit nuk ishin bërë investime në mirëmbajtjen e rrjetit. Në shumë pjesë të Shqipërisë janë akoma shtyllat nga koha e atij kryeministrit tjetër që ka ardhur këtu, që mezi rrinë në këmbë dhe menjëherë këputen fijet. Të gjithë investimet në rrjet janë investime kolosale, nuk bëhen të gjitha menjëherë. Nëse do ishin bërë që në fillim gjërat si duhet, nëse nuk do të kishin ndenjur 25 vjet, duke vjedhur njëri- tjetrin, njëri paguante, tjetri nuk paguante, njëri paguante dyfish, tjetri e merrte në kurriz të tij dhe nëse nuk do të kishim akumuluar një miliardë e ca dollar borxhe me këtë historinë e  vjedhjes së njëri-tjetrit, nuk do kishim ne sot problem me dritat fare. Nuk do kishim asnjë problem në asnjë vend të Shqipërisë. Ndërkohë që çfarë po bëhet është shumë. Por nuk mjafton, duhet shumë më tepër. Jam shumë dakord që ta mbjellim dhe njëherë këtë pyllin nga e para, por si? Nuk e diskutoj se të gjithë i kanë idetë kur shohin pjesën e vet. Halli im është që unë duhet t’i shoh të gjitha idetë bashkë në të gjithën. Se pastaj që të bësh këtë duhet të lësh diçka tjetër. Por çfarë duhet të lësh pa bërë, që të bësh këtë? Do të lësh shumë gjera të tjera. D.m.th. kjo është e gjitha harmonizim i interesave dhe i mundësive, në funksion të të bërit sa më shumë gjëra me aq sa kemi. E pastaj të të shtuarit të atyre që kemi për të bërë sa më shumë gjëra. Kjo është logjika.

U ngrit vajza dhe tha “është shkolla copë-copë”. Por kur të gjitha shkollat mbeten copë-copë, nga do të fillosh? Do fillosh nga gjimnazet dhe shkollat që janë në zona ku ka shumë më tepër njerëz apo do fillosh nga zona ku ka shumë më pak  njerëz, megjithëse njerëzit të gjithë kanë të njëjtën vlerë.

Zoti kryeministër folët për rehabilitimin e kullave. Ne nuk kemi nevojë për rehabilitimin e kullave sepse atë gjë mund ta bëjmë vetë. E vetmja gjë që kërkon komuniteti i Lurës është rruga. Dhe jo të mbetet vetëm një premtim sa je ti këtu dhe pastaj pasi të ikësh mbetet vetëm një projekt në letra. Ne kërkojmë që rruga të bëhet nga Rrësheni, jo nga Dibra sepse kjo na lidh ne me Tiranën më afër. Ti ke thënë se do ti bëj të gjitha, por nuk i bën. Para 4 vitesh ka ardhë një ministër i juaji Lefter Koka dhe premtoi se do të kishte një projekt për rehabilitimin e rrugës, nga këtu tek liqeni që ishte një vlerë prej 4 milionë euro. Ai hodhi 20 kamionë me inerte dhe pastaj iku.

Kryeministri Edi Rama: E para e punës këto milionat e eurove i keni bërë si kokrra fasulesh. Nuk ekziston një projekt i tillë për vetëm një zonë, sepse unë e di sa buxhet ka Shqipëria. E dyta, unë nuk thashë asgjë nga këto që the ti. Unë nuk thashë “do ti bëjmë të gjitha”, nuk i premtova të gjitha, bile edhe rrugën thashë “nuk do ta lemë pa bërë”. Sa për premtimet e  mia zotëri, unë i mbaj. Ndryshimi mes teje dhe teje është se ti kujton se “e the dhe u bë”, se nuk ke punuar asnjë ditë në jetën tënde dhe nuk e di çfarë është puna. Prandaj nuk e kupton që nga e thëna në të bërë është në mes deti. Se kështu më thoshin edhe për rrugën e Arbërit, por rruga e Arbërit do bëhet. Kështu thoshin si ty. Fole në numrin shumës, the që “nuk kemi nevojë”. Ti je një individ që përfaqëson veten tënde, ti nuk flet në emër të tyre, flet në emrin tënd. Ti je një individ që mund të thuash “unë mendoj se nuk kemi nevojë të na i rregulloni kullat, i kemi bukur shumë”. Ndërkohë që unë thashë diçka krejt tjetër, thashë që paralelisht duhen bërë disa gjëra. Nuk thashë unë që të bëjmë kullat dhe të mos bëjmë rrugën. Nuk e thashë këtë fare. “Ta nisim nga gjërat që kemi mundësi”, këtë thashë. Patjetër që ka rëndësi ajo që po them unë, se ti i di të gjitha, unë di më pak se ty. Por ndryshimi midis meje dhe teje është që, ato që i di të gjitha, asnjërën nuk di të saktë. Unë ato që di, i di të sakta sepse ma do detyra, jo se jam më i zoti se ty.

Fillimi i projektit dhe fillimi i punës me kullat është shumë i mundur dhe shumë i duhur sepse në ndërkohë, këtu vijnë njerëz, këtu jetojnë njerëz se nuk është shkretëtirë dhe do ndërtomë qytet nga e para. Do vijnë më shumë se kaq. Edhe me këtë rrugë do vijnë më shumë se kaq nëqoftëse këtu do ketë më shumë mundësi. Nuk do vijnë më shumë sesa mund të vijnë me rrugën, por do vinë më shumë. Pastaj rruga nuk diskutohet që do sjelli shumë më tepër.

Kështu që unë të falenderoj për ndërhyrjen, por një këshillë miqësore kam, mëso më shumë që kur të flasësh, t’i thuash gjërat me më shumë kuptim.

Shumë faleminderit të gjithëve se duhet të vazhdojmë me punë të tjera. Unë erdha sot, por do të vij prapë.

Kështu që do më llogarisni prapë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.