Kryeministri Rama, i cili po vijon takimet në qytetin e Lushnjës, u ndal sot në kompleksin industrial ku operon kompania koreano-jugore Yura Corporation Albania, e cila sot numëron rreth 2000 punonjës nga 300 që kishte në krijimin e saj dhe synon zgjerimin e mëtejshëm të kapaciteteve deri në 3000 të punësuar.
Kryeministri vlerësoi standardet e larta të prodhimit dhe kushtet e punës, duke theksuar rëndësinë e investimeve të tilla për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit.
Në bisedën me punonjësit, Kryeministri Rama u ndal veçanërisht tek politika e qeverisë për rritjen e pagës minimale, duke theksuar se kjo do të vijojë si një prioritet i rëndësishëm për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për mikpritjen! Mua më kujtohet kur kemi ardhur këtu ditën e parë që janë hapur dyert e kapanonit të parë. Në atë fillim, mos gabohem, ishin 300 punëtorë dhe e kam dëgjuar me shumë vëmendje përshkrimin e përfaqësuesve të kompanisë, të cilët e ndanë me ne ambicien për të përshkallëzuar prodhimin dhe i vetmi shqetësim që kishin ishte nëse do të gjenin krahun e nevojshëm të punës.
Natyrisht që ishte një shqetësim jo i pabazuar, por më vjen jashtëzakonisht mirë që sot këtu janë 2000 punonjës, për të qenë saktë 1996, dhe ambicia është për të shkuar në 3000. Dhe më vjen mirë po ashtu që, nga të gjitha informacionet që ne kemi marrë për kompaninë, opinionet e punonjësve janë pozitive dhe këtë e tregon fakti që punonjësit nuk largohen nga kompania. Nuk është thjesht çështja e opinionit, por e tregon fakti që nuk largohen nga kompania. Dhe në këtë pikë, gjëja që ka më shumë rëndësi, përtej pagës, është fakti që kompania kujdeset për të gjitha garancitë për punonjësit dhe, nga ana tjetër, kujdeset që qoftë të japë ato orët shtesë për turnin e tretë, mos gabohem, qoftë të garantojë të gjithë sistemin e marrëdhënieve mes punonjësve dhe punëdhënësit, bazuar në standarde etike, të cilat janë në fakt standardet që duhet të ketë çdo kompani. Dhe prandaj ne jemi besimplotë që kompania do ta realizojë edhe objektivin për të shkuar në 3000 punonjës.
Në ndërkohë që ne do të vazhdojmë ta rrisim pagën minimale. E kemi marrë këtë angazhim, por kemi marrë po ashtu angazhimin që, duke e rritur pagën minimale, të mbështesim këtë proces rritjeje me faza tranzitore lehtësuese për punëdhënësit, që t’i adoptohen rritjes së re, siç aktualisht po bëjmë, ku nëntëmujori i parë pas rritjes së pagës ka sigurime shoqërore dhe shëndetësore të mbuluara nga fondi i shtetit, fondi i sigurimeve, dhe jo nga punëdhënësi.
Por, përtej realitetit të kësaj kompanie, ne kemi ardhur edhe për të bërë që, nëpërmjet kamerave dhe mediave, njerëzit të shohin se si po ecin punët e Shqipërisë. Në këtë drejtim, askush nuk flet për realitetin e kompanive në Shqipëri. Duket sikur Shqipëria nuk ka kompani, sikur Shqipëria nuk ka prodhim. Po të hapësh pasqyrat e informacionit nëpër ekranet e celularëve apo në ekranet e televizorëve, dëgjon thashetheme, dëgjon sajesa, dëgjon akuza, dëgjon gjithëfarë lloji gjërash që shqetësojnë elitën e bulevardit të Tiranës, por zor se merr vesh dhe dëgjon që ekziston në Fier një kompani me 2000 punonjës, që është pjesë e rrjetit të prodhimit të automjeteve Kia dhe Hyundai dhe që bën këtu jo atë fasonerinë e dikurshme, por bën manifakturë të standardeve më të larta ndërkombëtare. Nuk ka nga e dëgjon, s’ke nga e merr vesh, ashtu sikundër s’ke nga dëgjon dhe merr vesh shumë gjëra të tjera, por është pikërisht ky realiteti i përditshëm i punëve të Shqipërisë që bën që Shqipëria sot të jetë në një pozitë tjetër ekonomike; që Shqipëria sot të mos ketë më pak se 10 miliardë euro prodhim të përgjithshëm, por të ketë 27 miliardë dhe të synojë për të shkuar në 35 miliardë në këtë dekadë; që Shqipëria të mos ketë më 300-400 milionë euro investime të huaja, siç kishte kur ne kemi marrë këtë të përpjetë, por të arrijë në 1.6 miliardë, një shifër domethënëse kjo e vitit të shkuar. Kjo është një shifër e përkthyer në realitetin ekonomik dhe që bën që pagat të rriten edhe në sektorin publik, edhe në sektorin privat; që të ardhurat në buxhet të rriten për të bërë më shumë investime dhe, patjetër, që të rritet edhe vetëdija se njerëzit e punës duhen respektuar, jo thjesht duke u dhënë pagën, por edhe duke u njohur vjetërsinë në punë, gjë që ndodh në këtë kompani, por që tanimë është kthyer në ligj edhe për sektorin publik.
Jo se ne nuk e dinim dhe nuk donim ta respektonim, por s’kishim mundësi.
Sot ekonomia na jep këtë mundësi që ne t’u themi mësuesve, mjekëve, punonjësve të policisë, ushtarakëve, punonjësve të administratës, që kur kalojnë një numër të caktuar vitesh, vjetërsia në punë lexohet tek paga, jo thjesht si nderim dhe respekt për njeriun.
Po kështu, indeksimi i pagës është një gjë tjetër që ne kemi futur si risi në financimin e pagave të punonjësve, gjë që s’e kemi pasur deri dje, sepse s’kishim mundësi ta kishim. Dhe po kështu, rritja e pensioneve e me radhë, e me radhë të tjerat.
Kështu që, duke e kuptuar shumë mirë që jeni zgjedhur një grup i vogël këtu, sepse të tjerët duhet të punojnë, dhe besoj që jeni okej me ne, se ndërkohë jeni ulur, s’po punoni. Po këta koreanët janë shumë pedantë, kështu që kanë zgjedhur një grup të vogël këtu, se kanë menduar tani se si do ta kompensojnë atë orën që ju jeni me ne, por kam besim që nuk do t’ju marrin si orë shtesë kur ne të ikim.
Dua t’ju falënderoj shumë dhe të falënderoj edhe përfaqësuesin e kompanisë për mikpritjen. Do t’ju lutesha shumë që, me mundësitë që keni, t’ua përcillni falënderimet edhe kolegëve koreanë që keni aty në fund të rreshtit, të cilët, me sa kuptoj, nuk e kanë mësuar akoma as shqipen, as dialektin e Myzeqesë. Kështu që, po patët mundësi, kur të ikim ne, thuajuni edhe atyre që i kemi falënderuar.
Shumë, shumë faleminderit dhe faleminderit edhe për përkthyesen.