Marqinet, gati kopshti për 85 fëmijë

Vora është një nga zonat e goditura më forta nga tërmeti i 26 nëntorit, e cila vazhdon të transformohet falë Programit të Rindërtimit. Në fshatin Marqinet, kopshti për gjithë fëmijët e zonës është gati për sezonin e ri.

Kryeministri Edi Rama, bashkë me ministrin e Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj, ishin në ambientet e kopshtit ku në shtator fëmijët do të hyjnë në ndërtesën e re me kushte dhe standarde europiane, shumë herë më të mira, më të bukura e me më shumë hapësira.

Në sezonin e ri, kopshti do të presë 85 fëmijë që janë të regjistruar tashmë.

Në të gjithë zonat e prekura nga tërmeti janë qindra shkolla, kopshte e çerdhe, të cilat po ndërtohen nga e para apo rindërtohen falë Programit të Rindërtimit.