Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

“Prioritetet e përcaktuara qartë nga Qeveria, koincidojnë dhe nuk ka si të jetë ndryshe, me ato prioritete të përcaktuara qartë nga Komisioni, në funksion të çuarjes përpara me procesin e integrimit evropian,”– vlerësoi kështu Kryeministri Rama, në përfundim të sesionit të parë të ”Dialogut të Nivelit të Lartë”, i cili bashkoi në një tryezë mazhorancën dhe opozitën, përmes pjesëmarrjes së ministrave të kabinetit qeveritar, Prokurorit të Përgjithshëm, Nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Kryetares së Komisionit të Integrimit.

Në takimin, e zhvilluar nën drejtimin e Kryeministrit Rama dhe Komisionerit për Zgjerimin Štefan Füle, u paraqitën përpjekjet e Qeverisë në drejtim të reformave për forcimin e rendit ligjor dhe gjithashtu në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përsa i përket rezultateve të arritura deri tani dhe planeve afatmesme e afatgjata.

Komisioneri për Zgjerimin Füle, vlerësoi ishte një fillim i shkëlqyer, me diskutime të shkëlqyera.

Duke iu referuar zgjedhjeve më të fundit, si të lira dhe të ndershme, si dhe zhvillimeve të tjera politike, Füle u shpreh se këto përpjekje janë reflektuar me konkluzione edhe në Progres-Raportin e Komisionit Evropian, si rezultate të Shqipërisë, në drejtim të realizimit të prioriteteve kyçe të integrimit.

Deri në Progres-Raportin e vitit të ardhshëm në kuadër të “Dialogut të Nivelit të Lartë”, është parashikuar të mbahen edhe katër takime të tjera.

 

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Rama dhe Komisionerit për Zgjerimin në Komisionin Evropian Štefan Füle, pas përfundimit të Dialogut të Nivelit të Lartë.

Kryeministri Edi Rama: “Sapo kemi mbyllur Dialogun e parë të Nivelit të Lartë që kam patur kënaqësinë ta bashkëdrejtoj me Komisonerin për Zgjerimin dhe në praninë  e një grupi ministrash, si dhe të Prokurorit të Përgjithshëmnënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Kryetares së Komisionit të Integrimit, zonjës Bregu, që gjej rastin ta falënderoj në mënyrë të posaçme.

Besoj që ky sesion i parë i Dialogut të Nivelit të Lartë ka shënuar një moment shumë të rëndësishëm. Njëkohësisht, ishte për ne një hapësirë e munguar për të adresuar çështjet e rëndësisë së veçantë, më pak sesa për të çuar përpara një proces që tanimë vjen edhe në vazhdim të publikimit të Progres-Raportit dhe të rekomandimit të Komisionit ndaj vendeve anëtare për t’i dhënë Shqipërisë statusin e kandidatit.

Takimi na shërbeu për të kaluar në revistë përpjekjet e Qeverisë në drejtim të reformave për forcimin e rendit ligjor dhe gjithashtu në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në kuptimin e rezultateve të arritura deri tani dhe të planeve për afatin e mesëm dhe më të gjatë.

Do të doja t’ja kaloja fjalën Komisionerit, duke nënvizuar se nga njëra anë nuk ka si të mos jemi të kënaqur për faktin se veprimet e Qeverisë në këtë periudhë të shkurtër shihen dhe vlerësohen dhe nga ana tjetër për faktin se mbi këtë bazë mund të ndërtojmë një veprim të koordinuar, shumë solid, në të ardhmen e afërt, por dhe në afat më të gjatë, në drejtim të atyre prioriteteve të përcaktuara qartë nga Qeveria që koincidojnë, nuk ka si të jetë ndryshe, me prioritete të përcaktuara qartë nga Komisioni, në funksion të shkuarjes përpara me procesin e integrimit evropian.

Komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Evropian Štefan Füle: “Ky ka qenë një vit i mirë për Shqipërinë dhe për përpjekjet e saj për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.

Ka qenë një vit i mirë, përsa i përket zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por dhe për sa i përket transferimit konstruktiv të pushtetit.

Gjithashtu, ka qenë një vit i mirë, i cili na ka lejuar ne që në Progres-Raportin, të cilin e publikuam vetëm para pak javësh, rreth 4 javë, ne kemi treguar qartë që Shqipëria ka mundur të japë rezultate, për sa i përket atyre që ne i kemi identifikuar si prioritetet kyçe.

Po ashtu është një vit, i cili na ka ndihmuar ne që t’i japim rekomandime të posaçme shteteve anëtare. Ne shpresojmë që shtetet anëtare do t’i marrin këto rekomandime, por po ashtu edhe informacione të shumta dhe shtesë, të cilat ne i kemi marrë sot dhe të cilat i kemi diskutuar sot që ato t’i marrin këto në mënyrë serioze dhe akoma më e rëndësishme që të marrin në konsideratë dhe rekomandimin e rëndësishëm, duke marrë kështu një vendim të rëndësishëm politik për Shqipërinë.

Ajo çfarë ka qenë reagimi i Komisionit Evropian për përpjekjet e shumta të Shqipërisë, është dhe një angazhim më i madh nga ana jonë.

Unë mendoj se të gjithë publikut shqiptar i duhet dhënë një mesazh, një ide e të gjithë këtij rrugëtimi drejt Bashkimit Evropian dhe duhet të shikojnë këto hapa konkrete.

Kjo është dhe arsyeja që ne sot kemi patur kënaqësinë që të lançojmë Dialogun e Nivelit të Lartë për prioritetet kyçe. Kur flasim për prioritetet kyçe, ne i referohemi atyre 5 prioriteteve, të cilat qëndrojnë tashmë mes Shqipërisë dhe rekomandimit tonë për të hapur negociatat për anëtarësimin.

Në fakt, më duhet të them që unë prisja të kishim diskutime të mira, një fillim të mirë apo të mbarë, por ajo që pashë është se kemi patur një fillim të shkëlqyer, kemi patur diskutime të shkëlqyera, me pjesëmarrjen e të gjithë atyre që ishin të pranishëm.

Në fakt, kemi shpenzuar rreth tre orë për sa i përket thelbit, por edhe formatit të gjërave që kemi diskutuar, por po ashtu kemi nxjerrë edhe disa përfundime të përbashkëta.

Do më lejoni që të them për ju apo të përmend 5 më të rëndësishmet prej tyre.

-Së pari, ne kemi patur mundësinë që të përkufizojmë objektivin kryesor të këtyre bisedimeve që është mbështetja për procesin e integrimit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë.

Synimi është që të strukturohet bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian dhe për të ndihmuar Shqipërinë që të mbajë në fokus dhe konsensusin tek integrimi në Bashkimin Evropian.

-Së dyti, më duhet të them që ne kemi rikonfirmuar sërish që gjithëpërfshirja dhe transparenca do të jenë elementët kyç. Në fakt ishte dhe një gjë, të cilës iu referua edhe Kryeministri i vendit që kishte të bënte me praninë aktive dhe pjesëmarrjen konstruktive të Kryetares së Komisionit Parlamentar për Çështjet e Integrimit, zonjës Majlinda Bregu.

Ne kemi rënë dakord që ta fuqizojmë më tej elementin e gjithëpërfshirjes në Dialogun e Nivelit të Lartë.

-Së treti, dëshiroj të them që ne kemi rënë dakord që jo thjesht të takohemi për të biseduar për gjërat në përgjithësi, por kemi rënë dakord që me anën e një udhërrëfyesi konkret ose të një plani veprimi, të shikojmë se si Shqipëria do të japë rezultate për këto 5 prioritete kyçe, natyrisht me ndihmën dhe asistencën tonë.

-Së katërti, ne vlerësojmë shumë qëllimin e Qeverisë për të krijuar një platformë të një dialogu kombëtar për integrimin evropian, në të cilën do të përfshihen, jo vetëm Qeveria dhe opozita, por edhe shoqëria civile. Ne e kemi bërë të qartë që pikërisht kjo lloj platforme do të konsolidonte më tej përpjekjet, madje edhe qasjen konsensuale, për sa i përket integrimit evropian. Do të doja të shtoja që kjo, natyrisht, do të bazohej tek energjitë e shoqërisë shqiptare.

-Së pesti, ne kemi rënë dakord që në fund të dimrit, pra vitin që vjen, do të kemi edhe takimin tjetër të radhës. Por, kemi rëndë dakord dhe kemi arritur në përfundimin që nga dita e sotme deri në momentin kur do të publikohet Progres-Raporti i ardhshëm, të kemi edhe 4 takime të tilla, të Dialogut të Nivelit të Lartë. Pavarësisht se ky numër, numri katër, do të varet shumë nga dëshira dhe axhenda e të dyja palëve të përfshira.

Mund të flas shumë për këtë takim të parë që ne kemi bërë sot, por më lejoni që të bëj një koment tejet të rëndësishëm, për mendimin tim. Unë kam vlerësuar në mënyrë specifike dhe të veçantë informacionin tejet të detajuar që na është dhënë, qoftë ato që na janë dhënë me shkrim apo ato me gojë që janë thënë sot, për sa i përket veprimeve të Qeverisë shqiptare për luftën kundër krimit të organizuar dhe luftën kundër korrupsionit. Këto janë ato dy fusha, të cilat ne i kemi përmendur dhe që janë shumë të rëndësishme. Kemi thënë që Shqipëria dhe Qeveria duhet të vazhdojë përpjekjet e saj, për të siguruar që shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ta mirëpresin plotësisht dhe madje, ta marrin përsipër pikërisht këtë ide, për dhënien e statusit të vendit kandidat.

Më duhet të them që me këtë lloj qasje që ne kemi parë sot, me këto lloj diskutimesh që ne kemi bërë sot, unë jam tërësisht i bindur që Komisioni Evropian do të ketë një informacion shumë të hollësishëm dhe thelbësor për të ndarë me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, përpara se të merret vendimi.”

Kryeministri Edi Rama: “Përpara sesa të marrim pyetjet tuaja, dëshiroj të nënvizoj diçka me rëndësi, që të gjithë duhet ta kenë parasysh:

Komisioni Evropian ka bërë një propozim të pastër për vendet anëtare që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit në dhjetor, duke nënvizuar se merr të mirëqenë që Shqipëria do të vazhdojë të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, çka do të thotë se deri sekondën e fundit Shqipëria duhet të provojë se po lëviz në drejtimin e duhur dhe se rëndesa e gjithë atij imazhi negativ të krijuar në raport me këto dy çështje themelore, krimin e organizuar dhe korrupsionin, në sytë e vendeve anëtare do të jetë diçka që do t’i takojë të shkuarës. Ja pse është me fort rëndësi që të theksohet se çka ne sot i prezantuam në detaje Komisionerit dhe çka ne diskutuam në detaje edhe me Kryetaren e Komisionit të Integrimit, lidhet vetëm me fillimin e një pune që do të shkojë duke u intensifikuar kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pa e marrë të mirëqenë. E askush nuk duhet ta marrë të mirëqenë që të gjithë vendet anëtare do të duan ta shohin këtë gjë dhe që nuk do duan të shohin ende më shumë, kështu që, kjo pikë duhet të jetë shumë e qartë.

Ndërkohë që ana tjetër e medaljes që unë besoj se është shumë e rëndësishme për shqiptarët, është që tek e fundit, të gjitha ato që po bëjmë nuk janë në funksion të statusit të kandidatit, në kuptimin e një provimi drejt të cilit ne shkojmë me një barrë jo të lehtë nga e shkuara, por janë në radhë të parë, për të forcuar këtu rendin ligjor; për të luftuar këtu krimin e organizuar dhe korrupsionin; për ta bërë forcimin e institucioneve një fakt të kryer këtu, jo thjesht në perceptimin apo në vlerësimin e miqve dhe partnerëve tanë.”

 

Në përfundim të deklaratave, Kryeministri Edi Rama dhe Komisioneri Štefan Füle, iu përgjigjën interesit të medias:

–   Pyetje për Komisionerin Füle. Besoj se jeni njohur që fillimi i vizitës tuaj dje përkoi me një protestë të opozitës, e cila pretendon se në zgjedhjet e pjesshme lokale në qytetin e Korçës pati blerje të votës dhe sipas saj, këto zgjedhje reflektojnë zgjedhjet e 23 qershorit. Sa mund të merren parasysh këto pretendime të opozitës, në vendimin që do të merret në dhjetor për statusin e vendit kandidat?

Komisioneri Füle: “Së pari, dëshiroj të them që opozita është një aktore shumë e rëndësishme në këtë proces. Unë, si dje ashtu edhe sot, jam siguruar për mbështetjen e opozitës për aspiratën e Shqipërisë për t’u bërë shtet anëtar në Bashkimin Evropian. Jam shumë i sigurt që kjo do të merret parasysh nga shtetet anëtare në takimin e tyre të dhjetorit për vendimin.

Në të njëjtën kohë, në rast se mund t’i referohem demonstratës së djeshme, dëshiroj të them 2-3 gjëra të shkurtra.

Së pari, besoj vërtetë që ato gjëra që nuk duheshin bërë, në rast se janë bërë, do të hetohen në mënyrë të plotë.

Së dyti, respektoj plotësisht të drejtën e opozitës për të shprehur mendimet e veta dhe të drejtën e opozitës për të demonstruar.

Së treti, shpresoj, gjithsesi, që do të gjenden mënyra të tjera për të komunikuar mes opozitës dhe Qeverisë, për të trajtuar çështje të rëndësishme.

Takimi i sotëm, mund të them që ishte një hap i rëndësishëm, në drejtimin e duhur.

–    Pyetje për Komisionerin Füle dhe Kryeministrin Rama. Në këndvështrimin e Komisionit Evropian, a janë të mjaftueshme përpjekjet e deritanishme për sa i përket luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, për të shuar çdo lloj skepticizmi të mundshëm të vendeve anëtare që mund të përkthehet në një votë kundër në mbledhjen e dhjetorit të Këshillit të Ministrave,  për sa i përket propozimit tuaj për marrjen e statusit të vendit?

Komisioneri Füle: “Dëshiroj që të them një gjë fare të qartë; që Komisioni Evropian nuk është këtu që të shpjegojë, apo të japë komente mbi pozicionet e shteteve anëtare. Mund të themi që ne kemi bërë një propozim, e kemi bërë këtë propozim të qartë dhe madje qëndrojmë pikërisht për këtë propozim që kemi bërë. Pas takimit të sotëm mund të them se jemi akoma më të vendosur për propozimin që kemi bërë. Varet nga shtetet anëtare, duke u bazuar tek ky informacion apo ndonjë informacion tjetër që ata mund të kenë, për të marrë një vendim politik për këtë çështje. Kam besim dhe në fakt e  thashë këtë edhe në fillimin të fjalës sime që përpara se të merret ai vendim ne do të kemi mundësinë që të ndajmë me shtetet anëtare informacione shtesë, pra substancën, thelbin e gjërave që ne kemi diskutuar edhe sot në këtë takim, por për të marrë këtë vendim, kjo është përgjegjësia e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Kryeministri Rama: “E fillova duke mos harruar të falënderoj Kryetaren e Komisionit të Integrimit, dua ta mbaroj pa harruar të falenderoj Ministren e Integrimit, e cila ka bërë një punë të shkëlqyer, për të na përgatitur të gjithë bazën e këtij Dialogu të Nivelit të Lartë, ku unë shoh një instrument të ri dhe shumë të rëndësishëm strategjik, qoftë për të çuar përpara procesin e integrimit, qoftë për të rritur kapacitetin gjithëpërfshirës në këtë proces të politikës shqiptare.”

Komisioneri Füle: “Jam tërësisht dakord!”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.