Postuar më: 6. Tetor 2018

Mbështetje dhe incentiva lehtësuese për biznesin fason

“Ambra” është një prej fabrikave më të mëdha të veshjeve në Shqipëri, me cikël të mbyllur, e specializuar në prodhim dhe eksport të veshje për emra ndër më të njohurit në tregun europian, si italiane dhe gjermane. Falë incentivave të qeverisë në vitet e fundit në mbështetje të biznesit, sipërmarrja ka zgjeruar kapacitetet prodhuese, ka rritur numrin e punonjësve e po ashtu ka njohur dhe një rritje domethënëse të pagave.  Kryeministri Edi Rama vizitoi sot sipërmarrjen “Ambra”, në Durrës, e cila aktualisht ka 430 punonjës, paga e të cilëve varion sipas profileve nga 30 mijë në 120 mijë lekë.

Drejtuesi i “Ambra”-s shpjegoi se si është rritur aktiviteti i tij në vite, duke kulmuar në vitet e fundit, me kalimin në sipërmarrje me cikël të mbyllur, dhe me një investim të shtuar në teknologji, prej 320 mijë eurosh. “Aktiviteti ka nisur në prill të 1995. Ka qenë ma pak punëtore, me rreth 25-30 veta. Sot jemi 430 veta. Progres të madh kemi pasur tre vitet e fundit. Kërkesat e tregut janë rritur shumë këto vite sepse kemi shkuar drejt cilësisë dhe jemi cikël i mbyllur. Fillojmë nga prerja e deri tek hekurosja dhe ambalazhi e jemi gati për dyqane. Ky repart është investim i vitit 2015. Janë rreth 320 mijë euro investime me makineri ndër më modernet.”

Ai pohoi se masat lehtësuese të qeverisë në ndihmë të biznesit, kanë ndryshuar krejtësisht klimën në favor të tij, duke reflektuar drejtpërsëdrejti në suksesin e sipërmarrjes. “Gjithçka na ka ndihmuar. E para dhe mbi të gjitha, klima që është krijuar këto vite për biznesin, nuk ka qenë kurrë më parë. Kështu është e vërteta. Në kuptimin e bashkëpunimit, e para, korrektësia duhet të vijë nga biznesi. Nëse korrektësia vjen nga biznesi, ne na ka ardhur pastaj dhe bashkëpunimi me institucionet shtetërore, tatim – taksat, bashkia e gjithçka.”

Punonjësit dëshmojnë ndryshimin, që kanë përjetuar këto vitet e fundit në kushtet e punës dhe teknologjinë me të cilën punojnë. “Në këtë fabrikë kam që në 1997. Kam qenë gjithmonë teknike prodhimi. Në 2013  paga shkoi në 650 mijë lekë. Tani e kam 1 milionë e 100. Është e kuptueshme që jam shumë e kënaqur me punën.” -tregon një prej tyre.

“Si fillim, kur kam ardhur paga ka qenë 230 mijë pastaj gjatë viteve gradualisht ka ardhur duke u rritur. Sot e kam 320 mijë bashkë me siguracionet. Edhe kushtet e punës janë të mira.” – shprehet një tjetër.

Ndërsa një punonjës, i cili ka nisur punën në këtë sipërmarrje që pas daljes nga bankat e shkollës, tregon se këtë vit e ka gjashtëfishuar pagën e tij. “Kam filluar punë në vitin 2002, sa mbarova shkollën. E kam nisur me 220 mijë lekë të vjetra pagë. Në vitin 2013 shkoi tek 500 mijë lekë, ndërsa tani e kam pagën 1 milionë e 200 mijë.”

Lidhur me këtë fakt, drejtuesi i firmës shpjegon se në tre vitet e fundit, rrogat janë rritur në mënyrë të ndjeshme. “Rrogat janë variabël. Unë po të them vetëm në 3 vitet e fundit ka një rritje të lartë. Po të them vetëm punëtorë  fillestarë, nga 1 deri në 3 muaj fillojnë me 240 mijë, para që marrin në dorë. Më herët, punëtorët fillestarë e kanë pasur pagën 190 mijë, ndërsa punëtorët e mesëm varionin nga 280-300 mijë në dorë. Kurse punëtorët, këto që janë më të besuarit, përgjegjësit e reparteve etj, variojnë nga 550 mijë deri në 650 mijë. Kurse, pastaj tek shkallët më të larta shkojnë mbi 1 milionë.” – u shpreh ai.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se kalimi në sipërmarrje me cikël të mbyllur, është një arritje e rëndësishme dhe se sfida e radhës janë më shumë produkte “Made in Albania”.

“Ky është kalimi në një nivel tjetër i gjithë sistemit, pasi fasoni klasik ishte material porositës, merre dhe vetëm qep. Tani kalimi në ciklin e mbyllur është hapi që kemi dëshiruar ne të ndodhi dhe tani hapi tjetër i treti është që të fillojnë modelet këtu. Të fillojë të kalohen në “Made in Albania” me shumë më tepër produkte. Se ka disa që kanë filluar, sidomos tek këpucët por kjo do tani një angazhim të një lloji tjetër, sepse kjo do rrisw shumë dhe të ardhurat, do rrisë shumë dhe rrogat.”