Situata e emergjencës, mbledhja e jashtëzakonshme e qeverisë

Mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Ministrave për situatën e emergjencës së fatkeqësisë natyrore. Fjala e Kryeministri Edi Rama:

Mirëmëngjes!

Pas një dite të gjatë dhe intensive dje, është bërë një punë shumë voluminoze nga ana e gjithë ekipeve të inspektimit. Grupe të tëra ekspertësh ndërkombëtarë nga shumë vende kanë qëndruar në terren me orë të zgjatura, duke mirëkuptuar nevojën dhe kërkesën tonë për të patur një intensitet të lartë në procesin e kontrollit të godinave. Grupe të tjera vijnë sot dhe në ditët në vijim.

Dje, Kancelarja e Gjermanisë ka kërkuar nga të gjithë shtetet e Republikës Federale, landet, që të përfshihen në këtë operacion dhe të dërgojnë ekipet e tyre të ekspertëve për të verifikuar standardet e sigurisë së godinave.

Lajmi i mirë në këtë proces është se një sërë godinash të larta në zonën e Durrësit, të cilat u bënë edhe burim i një ankthi të madh popullor, edhe me “ndihmën” e lukunisë mediatike, por edhe që krijuan një ndjenjë të lartë pasigurie dhe një turbullirë të madhe emocionale tek banorët përkatës, nuk paraqesin rrezikshmëri, nuk kanë dëme në strukturën e tyre dhe hyjnë në kategorinë e godinave të pabanueshme për momentin, por të riparueshme.

Dje i kam kërkuar ndërtuesve të këtyre godinave, investitorëve që të përfshihen menjëherë në projektet e riparimit. Po ashtu Zotii Shkreli, sëbashku drejtorin dhe stafin e Institutit të Ndërtimit është impenjuar që në një kohë rekord të përgatisë standardet e riparimit godinë për godinë, kriteret teknike dhe të garantojë që të gjitha riparimet do të zhvillohen nën mbikëqyrjen e rreptë të ekspertizës së Institutit të Ndërtimit.

Policia Kriminale duhet të japë së shpejti të gjitha konkluzionet për të gjitha godinat që në Durrës janë dëmtuar rëndë dhe janë bërë të pabanueshme e të pariparueshme dhe të gjitha godinat e dëmtuara jo pak, por të riparueshme. Ndërkohë që  paralelisht, sikundër e kemi diskutuar dje edhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, të thirrur nga Presidenti i Republikës, urojmë që Prokuroria e Përgjithshme dhe prokuroria në tërësi të bëjë të gjithë punën e nevojshme në këtë moment kaq kritik, për të identifikuar përgjegjësitë përkatëse.

Edhe njëherë tjetër, unë dua t’i bëj thirrje të gjithë ndërtuesve të mos i shmangen kësaj përgjegjësie, të mos gënjejnë veten me shpresën se kjo gjë mund të kalojë pa u lagur. Disa prej tyre më kanë çuar mesazh pas takimit që zhvillova në Durrës, duke nxjerrë lloj-lloj bishtash dhe arsyetimesh, por më ka bërë përshtypje arsyetimi që “ne jemi të falimentuar”. Të shesin shtëpitë e tyre, të shesin pasurinë e tyre, të shesin çfarë të duan, të vënë kolateral çfarë kanë, sepse besoj që në fund të ditës, liria është më e shtrenjte se pasuria dhe po qe se nuk do të reagojnë me humanizëm dhe me përgjegjshmëri, mund t’i humbin të dyja.

Ndërkohë dje kemi diskutuar me të plotfuqishmin e perimetrit të emergjencës, ministrin Çuçi dhe me shtabin e tij, për domosdoshmërinë e pastrimit para Krishtlindjeve të të gjithë inerteve, Durrës. Duhet  një operacion 24 orë në 24. Duhen përcaktuar sot, hartat e vendndodhjes së inerteve, të shoqëruara me sasitë dhe po sot, të gjitha kompanitë e ndërtimit që operojnë në Tiranë, në Durrës, apo kudoqoftë, duhet të thirren dhe t’u kërkohet kontribut. Siç pastruam Lanën shumë vite më parë, duhet të pastrojmë tani intertet me kontributin e kompanive, duke iu dhënë kuadratin e veprimit dhe duke iu kërkuar solidaritet, sepse, nëse në rastin e Lanës në Tiranë ishte një solidaritet qytetar, në kushtet e një periudhe ku Tirana hyri në një fazë të re, për të dalë nga llumi dhe tmerri që e karakterizonte në atë kohë, sot është fjala për një solidaritet shumë më të thellë dhe shumë më kompleks, kështu që besoj se nuk do të kemi problem të organizojmë këtë operacion, të vënë të gjitha mjetet e trupat që kanë në dispozicion dhe t’i  spostojmë të gjitha inertet që janë aty si burim shqetësimi dhe mërzie, në fushën e mbetjeve në Porti Romano. Njëkohësisht, ministrja e Infrastrukturës, sëbashku me ministren e Kulturës që është e përfshirë në Komitetin Kombëtar të Rindërtimit për aspektet e planifikimit dhe të sistemimit urban, të përgatisë një akt, sëbashku me Sekretarin e Përgjithshëm këtu, për të filluar paralelisht transformimin e plotë të fushës së mbetjeve në Porto Romano, një kancer, një zonë skandal kombëtar prej vitesh, në një park të madh publik të Durrësit.

Për të gjitha këto besoj se diskutimet tona janë të qarta, e kemi folur dhe buxheti i gjithë Programit të Rindërtimit do të përmbajë një zë të veçantë në mënyrë që, siç e kam thënë qysh në fillim, të dalim nga kjo situatë post-katastrofike më mirë seç ishte përpara se të ndodhte katastrofa. Jetët e njerëzve nuk i kthejmë dot më, por njerëzve që kanë humbur banesat t’u sigurojmë një banesë më të mirë se ajo që kishin dhe qytetit të goditur rëndë dhe të plagosur t’i sigurojmë një gjendje më të mirë fizike, se ajo që kishte përpara se të hynte në këtë kalvar.

Tirana dhe Durrësi duhet të ndriçohen për Krishtlindje dhe Vitin e Ri. Njësoj si qytetet e tjera duhet të jenë qytete ku rikthehet jeta plotësisht dhe ku atmosfera e Vitit të Ri duhet të jetë edhe më e bukur seç ka qenë vitet e tjera, mundësisht.

Duhet të përfundojmë planin e fazës së dytë për njerëzit që janë sistemuar në hotele. Në ditët në vijim, mundësisht që nesër, por padiskutim brenda kësaj jave, duhet të alokojmë fondin e pagesës për muajin dhjetor për të gjithë ata që janë sistemuar në hotel, plus një fond të vogël rezervë për ata që mund të vazhdojmë të sistemohet. Për këtë, ministri i Turizmit që po koordinon këtë proces, sëbashku me ministren e Financave dhe Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm në Kryeministri duhet të kenë një dokumentacion shumë preciz dhe mekanizmi duhet të jetë shumë transparent. Që nga momenti që disbursohet kjo shumë, ne duhet ta vendosim në pasqyrën e  transparencës.

Pas mbledhjes së qeverisë, më vonë, unë do të bëj prezantimin sëbashku me gjithë ekipin e platformës së bashkëqeverisjes të kalimit të saj në një instrument në funksion të vetëm kësaj situate. Duke i kërkuar ndjesë gjithë qytetarëve që platforma e bashkëqeverisjes nuk do të  jetë në dispozicion të tyre në këtë fazë, sepse gjithë ekipi do të fokusohet për të mbështetur Komitetin e Emergjencës dhe për të ndihmuar çdokënd që ka nevojë për këshillë, pyetje, sqarime në të gjitha territoret, ashtu sikundër për të koordinuar mes njerëzve që pyesin, që kanë ankesa dhe Shtabit Qendror të Emergjencës të zyrës së të plotfuqishmit.

Kalimi nga hotelet mbas festave të Vitit të Ri në shtëpi me qera për të gjitha ata që janë sistemuar në hotele dhe që do të qëndrojnë në shtëpi me qera gjatë fazës mes katastrofës dhe rindërtimit është i domosdoshëm dhe duhet të bëhët gati me shpejtësi. Bashkia e Tiranës dhe Durrësit duhet të përfshihen sot në këtë proces. Kjo është një temë diskutimi mes të plotfuqishmit, ministres së Financave, ministres së Mirëqenies dhe dy përfaqësuesve të bashkisë, sëbashku me kryetarin e  Komitetit të Rindërtimit. Një plan i qartë, pastaj një punë konkrete në terren për të identifikuar të gjitha banesat ku ne do të paguajmë qeranë për këta njerëz.

Përpara sesa të bëj një rezyme mbi ku jemi me kornizën e financimit, kemi qëndruar dje gjatë me ministren, me kryetarin e Komitetit të Rindërtimit, për të përgatitur ndërhyrjet e nevojshme në buxhetin e shtetit, të cilat do t’i bëjmë drejtpërdrejtë përmes Parlamentit, Komisionit të Ekonomisë dhe Financave dhe pastaj me gjithë deputetët në seancë.

Dua të jap disa indikacione për punën e mëtejshme të ditës së sotme dhe të nesërme, sepse më duhet që sëbashku me ministren e Mbrojtje dhe ministrin në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme na duhet që sot të shkojmë në Londër, bashkë me delegacionet, sepse jemi në samitin e NATO-s, ku kemi edhe një detyrë plus, përveç Samitit, që të kontaktojmë, të bisedojmë me të gjithë homologët. Unë me liderët e shteteve anëtare, ministri me ministrat e tjerë, ministrja me ministret e tjerë, për të sensibilizuar maksimalisht dhe për të asistuar në nevojën për solidaritet konkret të drejtpërdrejtë, financiar dhe teknik.

Ministrja e Arsimit shpresoj që sot të jetë gati me të gjitha letrat e nevojshme për homologët mbi dëmet e shkaktuara nga tërmeti në infrastrukturën arsimore. Ministrja e shëndetësisë po ashtu.

Tani, sistemi i shpërndarjes dhe koordinimit të ndihmave është plotësisht nën kontroll, megjithatë asnjëherë nuk është  sa duhet. Kështu që gjithçka që mund të bëhet për ta përmirësuar më tutje është domosdoshmëri. Zëvendësministri i Infrastrukturës, Zoti Shkreli do të bëjë gati konferencën publike informuese, në bashkëpunim me të gjithë grupet e inspektimit ndërkombëtare, por me përgjegjësinë e shtetit shqiptar për të paraqitur në ditët në vijim për publikun, një ekspoze të natyrës, problematikes dhe të rezultateve, në mënyrë  që të ketë sa më shumë informacion, që ata,  të cilët janë drejtpërdrejtë të shqetësuar, por edhe të tjerët që janë të terrorizuar nga mediat, po mbase edhe mediat vetë ta shohim me një sy më të kthjellët situatën e godinave  e larta që janë të dëmtuara, për të kuptuar që shkalla e rrezikut është shumë më e ulët në tërësinë e vet, sesa ajo që duket dhe se shumica e godinave  nuk përbëjnë rrezik. Ato që përbëjnë rrezik do të shemben natyrisht.

Ministri i Brendshëm duhet të ndjekë paralelisht me punën që po bën në gjithë zonën e Lezhës, edhe procesin e identifikimit dhe të vënies para përgjegjësisë të përgjegjësve me Policinë Kriminale dhe me të gjithë strukturat e tjera që përfshihen, duke filluar nga Instituti i Ndërtimit që do të duhet të japë indikacionet e nevojshme teknike në këtë proces dhe me prokurorinë në bashkëpunim, aq sa të jetë e mundur.

Duhet përgatitur me shpejtësi me bashkinë përkatëse, raporti për katet që janë mbi lejet e ndërtimit. Flasim këtu jo vetëm për godinat e dëmtuara, por edhe për  ato të padëmtuara, çdo kat që është mbi lejen e ndërtimit në të gjithë territorin, brenda perimetrit të emergjencës.

Është me shumë rëndësi të kemi një listë shumë  të saktë të personave që do të hyjnë në Programin e Rindërtimit. E kemi diskutuar disa herë me të plotfuqishmin edhe me ministrin  e Turizmit që  duhet tani të fillojmë të kthejmë në shtëpi nga hotelet ata që nuk e kanë banesën të dëmtuar, ata që janë aty nga frika. Kujdes me të moshuari. Nëse shikoni shenja që janë akoma nën një situatë psikologjikisht jo të mirë, mos insistoni. Prandaj duhet që edhe psikologët që janë vënë në  dispozicion të japin opinionin e tyre. Ashtu sikundër edhe ata që janë të pastrehë më parë. Ky nuk është  program strehimi për të pastrehët e mëparshëm, ky është një program për ata që humbën strehën nga tërmeti.

Duhet të jemi shumë bujarë dhe të gatshëm të fusim në hotel këdo që e meriton  si rezultat i goditjes dhe duhet jemi shumë striktë ndaj kujtdo që nuk ka marrë goditje, por kur them strikt, me një punë komunikuese të durueshme dhe me dashamirësi maksimale, sidoqoftë edhe ata janë traumatizuar nga ajo që ka ndodhur.

Përsa i përket çështjes së rindërtimit, së pari, ne nuk do të prekim parametrat kryesorë të buxhetit, sepse sfida nuk është dhe nuk mund të kthehet në një sfidë që të rindërtojmë këtë që u detyrohemi këtyre njerëzve të goditur nga fatkeqësia dhe të godasim pjesën tjetër të popullsisë, duke goditur ekonominë. Këtu sfida është që t’i bëjmë të dyja, të sistemojmë njerëzit dhe të mos prekim parametrat kryesore të buxhetit dhe të mos tërhiqemi nga objektivi për rritjen ekonomike. Programi i Rindërtimit do të jetë një instrument më shumë, një mekanizëm  më shumë për të rritur ekonominë dhe jo një program që do të disbalaconte dhe do të  godiste ekonominë.

Vlerësimi i saktë  i nevojave për ndërtesat e reja, meremetime e kështu me radhë, sa më shpejt të bëhet, aq më shumë do na ndihmojë Ne e kemi nisur punën, sëbashkë me ministren e Kulturës, si përfaqësuese e Komitetit të Rindërtimit për pjesën e planifikimit, edhe me zëvendësministrin e Infrastrukturës, edhe me bashkitë për disa skenarë. Skenari im i preferuar është ndërtimi i disa qytezave të reja dhe objektivi im është që të arrijmë në një program rindërtimi që rezultati i të cilit të jetë krenari kombëtare. Jo banesa   sociale të tipit që kemi njohur deri tani, banesa që bëhen për të varfrit dhe që e kanë të shkruar në ballë gjithë jetën që janë  shtëpitë e të varfërve.

Do të  ndërtojmë në Durrës, një lagje komplet të re që të jetë  lagjia më e bukur e Durrësit pas 90’-s. Ky është objektivi, një lagje të re nga e para, me infrastrukture, kanalizime, me ujësjellës me të gjithë parametrat, me kopsht, çerdhe, shkollë, me mjedise banimi dhe mjedise publike.

Në Tiranë kemi në diskutim një skenar për të ndërtuar një lagje komplet të re, të madhe dhe një skenar për të ndërtuar dy më të vogla. Do ta shtrojmë këtë çështje në një konsultë që po përgatit ministrja e Kulturës me arkitektë dhe urbanistë të huaj. Arkitektë të famshëm që janë vënë në dispozicion dhe kanë shprehur gatishmërinë që vullnetarisht të vijnë për të na dhënë konsulentë dhe shumë shpejt do të dalim me rezultate.

Po ashtu në zonë e Kurbinit, gjithë pallatet  që kemi vizituar dje do t’i shembin dhe do të ndërtojmë një lagje të re. Një lagje të vogël, por nëj lagje tëre me parametra komplet të tjerë, totalisht.

Për momentin jemi duke bërë gjithë kalkulimet e nevojshme. Ambicia ime është që të kemi një objektiv afatmesëm prej 10 mijë apartamentesh në tërësi dhe një objektiv afatshkurtër prej 5 mijë apartamentesh. Pra, në dy faza.

10 mijë apartamente, sepse kështu mund të përfshijmë jo vetëm ata që janë drejtpërdrejt të prekur, por edhe të tjerë që janë me probleme sociale e me radhë, por edhe për nevojën e një skeme që të mos bëjmë gabimin e bërë edhe në vende tjera. Gabimin e bërë në periferitë e kryeqyteteve apo qyteteve europiane, ku ndërtimi i lagjeve të reja krijoi vatra njerëzish të margjinalizuar, të ndarë nga pjesa tjetër dhe krijoi edhe tensione të vazhdueshme.

Kujtoni Francën, sa herë është dashur të përballet me vandalizma, me djegie, me pothuajse revolucione nga lagjet e ndërtuara për qëllime sociale. Dhe rezultati i mirënjohur i gjithë analizave dhe studimeve dhe i një konference të madhe që u organizua në kohën e vandalizmit të madh, ishte shumë i thjeshtë dhe është shumë konsensual; Këto lagje duhet të jenë mikse, pra, duhet të jenë lagje ku të përfshihen shtresat e shoqërisë, jo thjesht lagje ku strehohen vetëm të varfrit dhe mbeten gjithmonë me damkën që ne jemi këtu se jemi të varfër, kemi qenë të varfër dhe fëmijët  lindin dhe rriten aty si fëmijët e një shtrese të shoqërisë që nuk futet dot si e barabartë në jetën e përditshme.

Kjo është sot që flasim puna që po bëjmë në tryezën përkatëse. I kam kërkuar dje, pasi kam dëgjuar me shumë vëmendje ministren e Financave dhe kryetarin e Komisionit të Ekonomisë që është edhe kryetari i Komitetit të Rindërtimit, që të bëhet një rishikim tërësor i bllokut të projekteve të investimeve të ministrisë lidhur me buxhetin e 2020-s, për t’i orientuar drejt përfundimit të projekteve në vazhdim. Të mos lëmë projekte në vazhdim varur, rrugë, rrugëve, pavarësisht se kjo do të ishte receta e qeverive të shkuara. Kjo nuk është receta jonë. Ne në asnjë rrugë s’do ta lëmë rrugëve. Përveç projekteve që kanë të bëjnë me ujitje, kullimin, asnjë projekt tjetër i ri nuk do bëhet. Mos të kemi diskutime fare. Do të dëshiroja që asnjë prej ministrave të mos diskutojë për këtë çështje. Duhet ta shohim këtë si një domosdoshmëri, në mënyrë që në fund të vitit 2020, në vitin e ri 2021, ne të kemi jo më projekte, por këto lagje të reja që të flasin vetë për shpresën, që të flasin vetë për të ardhmen, që të flasin vetë për rilindjen. Këto do jenë lagjet e rilindjes në kuptimin më konkret të fjalës. E rilindjes pas një situate vdekjeje dhe traume kombëtare.

Për financimin, sigurisht që duhet të kemi kritere shumë strikte për sigurimin prioritar të strehimit. Do të bëjmë ndërtime të reja që do të jenë shembullore në çdo aspekt. Do të vendosim një standard se si qeveria mund të ndërtojë në të njëjtin nivel dhe me shumë më pak shpenzime që ndërtojnë ata që janë avangardë e industrisë së ndërtimit.

Ne do e shohim atë program si një program që duhet të impaktojë drejtpërdrejtë ekonominë e vendit, që duhet të rrisë punësimin, që duhet të rrisë konsumin. Nga ky program, ne duhet të sjellim në ekonomi dhe jo t’i marrim ekonomisë, siç do bënin të tjerët dhe siç sugjerojnë disa që s’dinë asnjë muhabet tjetër, përveçse avazit të vjetër që na ka sjellë në shumë drejtime aty ku ne sot jemi, pavarësisht gjithë punës që kemi bërë në këto 6 vite.

Nuk bëhet fjalë thjeshtë për një efekt transferimi të ardhurash, si në rastin e financimit të blerjes së apartamenteve ekzistuese, por edhe një opsion për ata që sigurojnë vetë një banesë dhe ndihma e përcaktuar nga shteti shkon për ta, është pjesë e skemës duke u studiuar.

Përsa i përket fondit, ne do të kalojmë si fazë të parë, nga buxheti i vitit 2020, 0,4% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, duke garantuar, duke u siguruar që deficiti primar pozitiv të mbetet pozitiv. Asnjë ndryshim parametrash që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e gjithë sistemit makroekonomik dhe pasi deficiti primar pozitiv do të na mundësojë atë që është domosdoshmëri, një likuiditet të domosdoshëm për operimin në vitin 2020.

Njëkohësit po studiohet cilat fonde mund të transferohen për vitin e ardhshëm, nga viti 2019. Ka një zë në projektbuxhet që lidhen me gjithë shpenzimet. Në vitin e ardhshëm nuk do blihet asnjë makinë, nuk do pajiset asnjë zyrë, nuk do bëhet asgjë nga ato që kanë qenë rutina  e përditshme. Do të bllokohen të gjitha blerjet e makinave, dollapëve, kolltukëve, tavolinave, televizorëve e të gjitha me radhë, në të gjitha bashkitë e vendit. Asnjë shpenzim për këtë punë. Kush do të jetë keq për makinë, të gjejë një kalë dhe nuk ka problem. Kryetar bashkish me kuaj do të ishin një inovacion ekologjik dhe sidomos kryetar njësish administrative me kuaj do të ishin të mirëseardhur në komunitet, që të shkonin shtëpi më shtëpi me kalë dhe mos të vinin vërdallë me vetura në qendrën e qytetit. Përtej metaforës, kjo është në fakt e vërteta.

Donacionet në llogaritë e posaçme janë pjesë e fondit, ndihmat dhe financimet specifike për programin nga institucionet ndërkombëtare dhe ndihmat specifike në marrëdhëniet dypalëshe.

Portofoli do të jetë i hapur. Ne do dëgjojmë shumë, do përgatitemi për të dëgjuar shumë e duhet të bëjmë çmos që të purifikojmë sa të mundemi kanalet e komunikimit nga toksinat dhe nga kontaminimi, sepse do të ketë shumë mbetje toksike të mendjeve të zymta që do të rrjedhin nëpër kanalet e komunikimit, për të vazhduar çoroditjen dhe shkatërrimin e nervave të këtij mileti. Çfarë nuk do dëgjojmë!

Për fat të keq, opozita që është alternative e qeverisë, – kemi dy opozita, por opozita që pretendon të qeverisë vendin, – jo vetëm që nuk ka pranuar ende të ulet në tryezë për të diskutuar gjërat. Ne jemi gati të diskutojmë të gjitha idetë tona, t’i ballafaqojmë me idetë e tyre e në rast se idetë e tyre janë më të mirat se tonat, do të marrim idetë e tyre pa diskutim, se nuk është më një situatë ku do grindemi kush e ka idenë më të bukur e do këmbëngulim tek ideja jonë. Kjo është një situatë ku të bëhet më e mira për njerëzit.

Por deri tani jemi njohur me 3 pika që do të qenkëshin zgjidhja dhe është realisht një komponent i gjithë ekranit të madh të ngjarjes, ku fillon dita duke qarë, vazhdon duke qeshur, kthehet duke u pezmatuar, pastaj duke buzëqeshur, pastaj duke u gajasur e prapë duke qarë dhe këto tre pikat janë absolutisht një ushqim për buzëqeshjen. Nuk dua të them gajasjen, pasi nuk dua të ndjehen keq kolegët e opozitës, por të thuash, pika e parë, të mblidhen 500 inxhinierë, pse 500 për shembull e jo 600 apo 450?

Pika e dytë; Të bëhet urgjent identifikimi i dëmeve. Po bëhet. Kjo ka qenë gjëja e parë. Kemi ngritur në këmbë gjithë dynjanë dhe është bërë Durrësi sikur është lagja përpara godinës së Kombeve të Bashkuara, ku sheh të gjitha llojet e racave dhe dëgjon të gjitha llojet e gjuhëve. Kalon nga një rrugë tek tjetra dhe në një rrugë flitet gjermanisht, në tjetrën flitet frëngjisht, në rrugën më tutje flitet turqisht dhe në një tjetër greqisht.

Pastaj pika e tretë është kiamet; Të mos financohen oligarkët. Dhe vazhdon loja, të mos financohen oligarkët, të ndalojë financimi i oligarkëve, 150 milionë që do marrin oligarkët, t’i marrë populli. Po çfarë janë këto para? E nuk po diskutojmë këtu kalkulimin, por çfarë janë këto para që na u dashka t’i spostojmë nga këtu, aty?

Domethënë, të ndalojmë kontrollin shëndetësor bazë falas, që e paguajmë ne, por nga i cili përfitojnë qytetarët dhe që këtë vit ka shkuar gati në gjysmë milioni njerëz që e kanë marrë kontrollin dhe që ka ndihmuar në parandalimin e shumë sëmundjeve, ka informuar shumë njerëz që duhet të marrin masa për shëndetin e tyre.

Apo shërbimet e hemodializës. Të ndalojmë gjithë atë sistem shërbimesh për ata që kanë nevojë për hemodializën e që më në fund u ranë kockat rehat se deri dje duhet të vinin të gjithë në Tiranë, bashkë me një të afërm, me taksi e me çdo mjet?

Të ndalojmë financimin e shërbimit për instrumentet mjekësor, të shkojmë të marrim gërshërë nëpër rrobaqepësi e të bëjmë operacione, tek fasonët, makina qepëse për të qepur barqet e atyre që duhet të operojnë mëlçinë e t’ju themi njerëzve, na falni, por kemi ca njerëz të pastrehë, kështu që juve barkun do t’ju hapim me gërshërë e do t’jua qepim me makinë qepëse.

Të ndalojmë gjithë punën e laboratorëve të analizave, të mos bëjmë analiza mjekësore se do bëjmë shtëpi dhe miliona analiza mjekësore do bëhen me mjekë që të shohin në sy dhe ta kuptojnë si e ke hallin, ose maksimumi të prekin me dorë e të fusin në një sistem për të hedhur fall, shiko se më duket se e ke diku poshtë problemin, më del një çupë këtu me kokë poshtë, shiko mos je shtatzënë.

Të ndalojmë kantierin e rrugës së Arbrit e të mos bëjmë më punë atje.

Domethënë të ndalojmë të gjithë shërbimet dhe të ndalojmë infrastrukturën që do të na ndihmojë që të rrisim ekonominë, pse?

Sepse nuk kanë fantazi më shumë se kaq. Megjithatë unë i mirëkuptoj. Edhe ata kanë problemet e tyre nga tërmeti dhe me shumë përulësi i ftoj të vijnë në tryezë të diskutojmë idetë dhe t’i informojmë mbi idetë tona. Duke diskutuar me ne, të lehtësohen nga barra që duhet të bëjmë politikë, duhet të sulmojmë e ta shohim njëri-tjetrin si bashkëpunëtorë në këtë proces.

Mekanizmi i transparencës i gjithë përdorimit të fondeve është duke u përgatitur.

Ne do të fusim tek platforma bashkëqeverisjes, bashkë me këtë që kemi bërë e që do ta prezantojmë sot për të adresuar gjithë nevojat e qytetarëve, të fusim edhe pasqyrën e shpenzimeve. Kushdo që do të dijë çfarë po shpenzohet e ku po shpenzohet për emergjencën, mjafton të klikojë e të shohë atje çdo lek të shpenzuar. Ju lutem, kjo është e domosdoshme.

Këto që po them duhet të jenë në kantier në pranverë. Duhet të jemi në kantier në lagjen e re të Durrësit, duhet të jemi në kantier në Tiranë, pasi të kemi vendosur përfundimisht çfarë varianti do zgjedhim, atë të  një lagjeje të vetme, apo të dy lagjesh? Një lagje e vetme do të ishte deri diku pranë Kasharit, në hapësirën ku është edhe bërthama e një zone të re ekonomike, dy lagje do të ishin njëra në Kombinat, tjetra tek ish Uzina Traktorëve. Të dyja variantet janë në tavolinë për t’u diskutuar. Dhe lagjen e re në Laç. Të gjitha ato pallate atje duhen shembur dhe të me të rënë dakord se kur do bëhet kjo gjë, si do bëhet, ne do fillojmë shembjen. Mendoj që në Laç shembja mund të fillojë që tani, direkt, të gjitha pallatet. Ndihmoni njerëzit të marrin çfarë kanë brenda dhe pastrojeni komplet. Duhet bërë programi i strehimit të tyre gjatë kohës së ndërtimit.

Ndërkohë që në të dyja zonat që kemi identifikuar, qoftë në Durrës, qoftë në Tiranë, nuk kemi ndërtime fare. Kemi hapësira tokash shtetërore, ashtu sikundër dhe këto zona përkatëse matanë Kombinatit. Edhe ato pallatet në Kombinat duhen shembur. Të fillojë shembja. Pallatet e vjetra, ato të tmerrshmet që po terrorizojnë njerëzit dhe që i kanë dhënë këtij vendi shumë figura të njohura e që i kanë dhënë kësaj qeverie edhe Erion Braçen, duhen shembur.

Dje kemi firmosur marrëveshjen me Agjencinë Franceze të Zhvillimit. Sot, një marrëveshje me Agjencinë e Zhvillimit Austriak, me Ministrinë e Mbrojtjes, për një kontribut financiar nga Agjencia prej 600 mijë eurosh, që shkojnë në programin e emergjencës. Nga ana tjetër të vazhdojmë intensivisht punën, – Olta po përgatitet për të na u bashkuar në rrugën drejt Londrës, – për zgjidhjen e zonave rurale.

Përsa i përket zonave urbane, vizioni është shumë i qartë dhe rruga është e qartë. Përsa i përket zonave rurale duhet të bëjmë një ndarje dhe prandaj duhet një punë shumë kapilare. Kush janë personat, familjet që duan të ikin nga zonat rurale, t’i fusim në pjesën që do të stabilizohet me apartamente, por ama, nëse do të ikin, do të dorëzojnë tokën. Historia që po iki të marr një apartament dhe po mbaj këtej edhe këtë tjetrën, nuk do funksionojë. Duhet të kemi shumë kujdes nga lojërat e dyfishta për të cilat ne si popull kemi një talent të veçantë, me thënë të drejtën. Ndërsa ata që do të rrinë, të gjithë duhet të futen nëpër tenda dimërore normale. Këtë gjë e kemi diskutuar dje në tryezën me Presidentin. Të gjithë duam këtë gjë. Tendat të jenë tenda ku mund të jetohet për këtë periudhë.  Unë kam folur me Presidentin e Turqisë dhe shpresoj shumë që do të kemi një ndihmë konsistente me tenda, pasi janë vendi që kanë prodhuar më shumë tenda në historinë e njerëzimit. Nuk besoj se ka ndonjë vend tjetër në rruzullin tokësor që mund të konkurrojë me ta për prodhim tendash. Aktualisht kanë qenë shumë të gatshëm dhe aty besoj se do marrim një sasi. Ndërkohë që edhe vendet e tjera me shumë gatishmëri. Fola dhe deri nga Japonia do sjellin tenda për ata që janë të prekur nga tërmeti.