Mbyllet edhe për Beratin, Kuçovën e Urën Vajgurore gangrena e plehrave

Mbetjet urbane janë ndotësit kryesorë të mjedisit në Qarkun e Beratit, si pasojë e mosmenaxhimit ndër vite të vendgrumbullimit të tyre nga zonat e banuara. Tashmë ky problem i rëndë mjedisor po merr zgjidhjen përfundimtare, falë projektit të realizuar në bashkëpunim me qeverinë zvicerane për sheshdepozitimin e mbetjeve urbane.

Kryeministri Edi Rama ishte sot, në terrenin ku po zbatohet projekti, i cili po e transformon nga themelet këtë zonë të gangrenizuar, vatër helmesh e sëmundjesh. Kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo, tha se investimi madhor do të zgjidhë përfundimisht edhe problemin e ndotjeve të lumit. “Investimi që po bëhet me mbështetjen e qeverisë zvicerane, që është një projekt rajonal, ku përfshihen Berati, Ura Vajgurore, Kuçova, zgjidh përfundimisht edhe ndalimin e ndotjes në lumë,” – u shpreh ai.

Kryeministri Rama, pa projektin e ekspozuar në terren për të cilin drejtuesi i punimeve shpjegoi se “janë dy faza të menaxhimit të mbetjeve. Aktualisht jemi duke punuar në fazën e parë, e cila ka për punim kryesor menaxhimin e mbetjeve të grumbulluara prej vitesh dhe kapsulimin e tyre. Një fazë tjetër është që për një periudhë 5-vjeçare këto mbetje do të menaxhohen nga njësitë vendore.”

Po ashtu Ministri Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u shpreh se shtrirja e projekteve të tilla edhe në zona të tjera do të zgjidhë problemin e grumbullimit të mbetjeve në shtretërit e lumenjve, të cilat më pas derdhen në det. “E gjithë ajo që kërkohet është që nëpërmjet këtij investimi që duhet bërë në shumë zona, është largimi i mbetjeve urbane nga shtretërit e lumenjve, pasi sa herë që kemi reshje shiu, shtrati i lumenjve i ka marrë mbetjet dhe i ka çuar deri në det. Ky investim i plotë do ta pengojë këtë fenomen.”

Kryeministri Rama u shpreh se falë programit të Rilindjes Mjedisore po bëhet një transformim rrënjësor dhe po vihet në rrugën e zgjidhjes përfundimtare një situatë alarmante e skandaloze në menaxhimin e mbetjeve urbane. “Sot jemi në kushtet e një transformimi rrënjësor, pasi 6-7 vite më parë, e gjithë situata e mbetjeve ishte jashtë kontrollit në të gjithë territorin. Sot, ne e kemi situatën plotësisht të transformuar në Tiranë, ku falë partneritetit publik privat, Sharra është kthyer dhe do të vazhdojë të marrë formën, gjithmonë e më të plotë, të një parku. Durrësi, gangrena e Porto Romanos po mbyllet dhe së shpejti do të kemi zgjidhen përfundimtare për pikën e përpunimit që me gjasë do të jetë Sharra, por kjo mbetet për t’u gjykuar e së shpejti kemi konkluzionet e grupit të punës. Fierin e kemi përfundimisht të zgjidhur. Elbasanin e kemi të zgjidhur. Vlora është në proces investimi dhe edhe në Vlorë është një problem i zgjidhur. Korça me të gjithë bashkitë rrotull është një problem i zgjidhur. Kemi Bushatin që ka qenë, por aty situata ishte e bllokuar. Me Beratin mbyllet një qerthull skandaloz, ku ndotja merrte dhënë për shkak të plehrave që i merrte lumi. Besoj se po mbyllet një plagë prej dekadash e dekadash. Sigurisht kërkon kohën e vet, kërkon durimin e vet. Durimi është malli më i vështirë për t’u gjetur në këtë treg. Të paktën, neve nuk na mungon.”

Kryeministri theksoi ndër të tjera se zbatimi i projekteve të tilla po bën edhe transformimin e platformave të ndotjes, në platforma të gjelbra dhe parqe për komunitetin. “E mira e madhe e këtyre projekteve është që jo vetëm mbyllin shtigjet e ndotjes, por krijojnë edhe mjedis cilësor aty ku punohen, pikërisht për shkak se bëhet transformimi i platformave të ndotjes në platforma të gjelbra dhe parqe. Është e rëndësishme të shpjegohet që investimi në këto platforma është një e mirë, jo një e keqe për atë komunitet që ndodhet pranë tyre. Ndërkohë që, në kushtet ku ndodhen, janë një burim helmesh dhe sëmundjesh që ndikon në shëndetin prej dekadash dhe dekadash.”

Sa i përket bashkëpunimit me qeverinë zvicerane, Kryeministri u shpreh se: “Fakti që qeveria zvicerane ka shoqëruar institucionet në këtë projekt është shumë domethënës, pasi investimet e qeverisë zvicerane janë investime për standarde. Nuk janë thjesht para. Janë dije, janë siguri, janë garanci. Shumë faleminderit për këtë që keni bërë! Është një bashkëpunim që ka nisur prej shumë vitesh, por puna nuk fillon kur hyjnë fadromat dhe bëhet e dukshme. Puna fillon kur hartohet projekti, kur ndërtohet skema e financimit kur përcaktohet kontraktori që bën punën dhe sot jemi jo shumë larg përfundimit të kësaj faze. Le të themi vitin tjetër fillon me një situatë krejt tjetër.”

Ambasadori zviceran u shpreh se investimi në fjalë është shembulli më i mirë i bashkëpunimit mes dy vendeve për ecjen drejt menaxhimit me standarde europiane.

Me qeverinë zvicerane do të konkretizohen edhe disa projekte të tjera në fushën e kulturës, për të stimuluar ripërtëritjen e zonave muzeale. “Në Berat, – u shpreh Kryeministri, – kemi tre zona të tilla dhe ne do të vendosim një shumë financiare mbështetjeje për banorët e shtëpive, që të kthehen në bujtina. Tendenca e kthimit në bujtina është bërë shumë e fortë tani, por jo të gjithë e kanë mundësinë financiare. Ne do të mbështesim sipas disa kritereve me Bashkinë e Beratit, Bashkinë e Gjirokastrës dhe Bashkinë e Krujës si fillim zonat e definuara muzeale, aty ku janë monumentet e kulturës, familjet që nuk i kanë të gjitha mundësitë për të bërë rimëkëmbjen dhe për të kthyer shtëpitë në bujtinë.”