Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot, një takim të zgjeruar në “Shtëpinë e Biznesit” me furnizuesit e naftës, me qëllim përballimin e përbashkët të impaktit të krizës aktuale globale dhe mbrojtjen sa më të madhe të konsumatorëve nga rritja e çmimeve.
Në takimin, ku morën pjesë Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Enea Karakaçi, si dhe Ministri i Financave Petrit Malaj, Kryeministri Rama theksoi se situata e rënduar nga lufta e SHBA dhe Izraelit kundër regjimit kriminal të Teheranit ka sjellë si një nga pasojat edhe problematikën e rritjes së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, me pasoja të mundshme edhe mbi tregun në Shqipëri.
Kryeministri nënvizoi se qëllimi i qeverisë nuk është ndërhyrja shtrënguese në treg, por garantimi i një balance të drejtë mes interesave të biznesit dhe mbrojtjes së qytetarëve në një periudhë sfiduese ekonomike.
* * *
Kryeministri Edi Rama: E pamë të arsyeshme ta organizojmë këtë bashkëbisedim në kushtet kur situata e rënduar nga lufta e SHBA dhe Izraelit kundër regjimit kriminal të Teheranit ka sjellë si një nga pasojat edhe problematikën e rritjes së çmimit të naftës.
Ne e kemi marrë qysh në fillim hapat e nevojshëm për të ringritur menjëherë urën e komunikimit me ju, në kushtet e një krize të re me pasoja të mundshme edhe mbi tregun në Shqipëri, duke pasur parasysh praktikat e mëparshme dhe sidomos periudhat, kur për shkak të krizave ndërkombëtare, kujtoj këtu krizën e shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës, për shembull, na është dashur që të marrim një rol në gjithë procesin e trajtimit të mallit për të cilit jemi mbledhur që është nafta.
Tani aktualisht unë kam marrë në mënyrë të vazhdueshme informacion nga ministrat që janë këtu të pranishëm dhe përpara se tua kaloj fjalën atyre sipas radhës, dëshiroj të shpreh në njëfarë mënyre konsideratën pozitive për qasjen tuaj, e cila ka qenë në këtë fazë një qasje e përgjegjshme, pasi nëse në tërësi në treg përmes bursave është konstatuar një rritje deri në 40% e çmimit, gjë që shkakton një presion të madh mbi zinxhirët e furnizimit në Shqipëri, çmimi është rritur, por në mënyrë shumë më të moderuar sesa rritja që është parë për shkak të rritjes së çmimit bursë në disa vende të tjera.
Gjithsesi sfida është e hapur. Nuk di të thotë askush se kur do të mbyllet ajo betejë, që mban faktikisht lidhur pas vetes edhe çmimin e naftës. Nuk di të thotë askush si do shkojë çmimi në bursë, në rast se do ketë rritje të mëtejshme, në rast se do stabilizohet në një pikë të caktuar, por është e sigurt që ne duhet të bëjmë atë që ne mund të bëjmë dhe atë që na takon, duke filluar nga rezerva. Sipas informacioneve të marra konsiderohet që ju keni një rezervë të arsyeshme, e cila fizikisht është aty për 30 ditë, ndërkohë që në kontratat tuaja figuron e garantuar për rreth 100 ditë dhe kjo është pozitive. Megjithatë mbetet për t’u monitoruar ditë pas dite, situata.
Nga ana tjetër, ne kemi në konsultim publik ligjin për rezervën shtetërore, e cila do duhet të shtrihet fizikisht në 100 ditë, në tre muaj më saktë dhe me dy fjalë dua t’ju them, që ne jemi në punë për të finalizuar edhe një nismë që kemi ndërmarrë për të futur në treg si distributor garant dhe distributor shumice një faktor shtetëror, gjë që ne besojmë do ta bëjë më të lehtë dhe për ju të gjithë punën pasi do i garantojë sasitë e nevojshme, duke pasur mbështetjen shtetërore dhe nga ana tjetër do të lehtësojë të gjitha marrëdhëniet me të tretët që për ju kalon nëpërmjet brokerave ndërkohë që ne do të synojmë të kemi një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me kompanitë.
Kjo është pak a shumë pasqyra e përmbledhur që unë doja të bëja.
Dua ta mbyll duke ju kërkuar që të ruani këtë ekuilibër që keni ruajtur deri tani. Ne nuk kemi parë të arsyeshme dhe duke u nisur nga komunikimet e mëparshme me ju përmes ministrave që të hedhim hapim dhe të kalojmë në bord pasi në fund të ditës nëse dialogu funksionon siç ka funksionuar deri tani ne qëllimin nuk e kemi që t’ju shtrëngojmë juve në punën tuaj. Qëllimin e kemi që bashkërisht të merremi vesh që kriza në Lindjen e Mesme nuk mund të projektohet e tëra mbi supet e konsumatorëve. Ky është gjithë qëllimi ynë. Natyrisht, kjo do të thotë marzhe më të ulëta fitimi për ju, por më mirë marzhe më të ulëta sesa bordin në kurriz. Ky është përfundimi në të cilin ne kemi dalë.
Në ndërkohë po ja kaloj fjalën Ministres së Ekonomisë për të bërë një pasqyrë pak më të detajuar, duke pasur parasysh që ndryshe nga takimet e tjera këtë takim po e bëjmë edhe për të informuar publikun dhe këto janë gjëra që përgjithësisht ju i dini, por le t’i dinë dhe të tjerët që të kuptojnë që nëse ka një rritje të çmimit, rritja e çmimit është e moderuar krahasimisht me çfarë ndodh në bursë dhe është rezultat i kësaj qasjeje konstruktive që edhe ju keni pasur deri tani.
(Pas fjalës së Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit)
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit ministre! Dua të shtoj këtu një element duke iu referuar kërkesave që kanë ardhur nga burime të ndryshme, shoqata të ndryshme. Një kërkesë që më ka tërhequr vëmendjen, është kërkesa që e gjithë shtesa e të ardhurave në buxhet nga TVSH-ja mbi çmimin e rritur të karburantit të rikthehet drejtpërdrejt për qytetarët dhe bizneset në çmim fundor.
Dua ta rikujtoj që ka vetëm një kategori që do të marrë më shumë sa herë që të jepet mundësia, qoftë nga rritja ekonomike mbi parashikimin, qoftë edhe nga të ardhura të rritura si pasojë e situatave të kësaj natyre dhe kjo kategori është kategoria e pensionistëve, pikë.
Askush tjetër nuk duhet të kërkojë nga buxheti i shtetit, asgjë më shumë se çfarë i takon, pavarësisht dinamikave të reja që mund të ndodhin sepse nga njëra anë, në sektorin publik, pagat janë rritur në mënyrë të konsiderueshme dhe do vazhdojnë të rriten sipas parashikimeve të bëra. Nga ana tjetër, siç ju e dini më mirë se sa shumë kush tjetër, në sektorin privat, pagat janë rritur dhe rriten në mënyrë të vazhdueshme, dhe sidomos për ata që kanë kualifikime, nuk është më pyetja: – A vjen të punosh me këtë pagë, po në fakt është ndryshe tani. Është sa e do pagën që të vish të punosh? Këtu jemi në këtë fazë të zhvillimit të vendit dhe në këtë fazë të nevojës së kompanive për më shumë njerëz të kualifikuar.
Kështu që, përgjigja jonë për çdo kërkesë dhe për çdo orvatje dhe për çdo fantazi që çfarë vjen si rritje në buxhetin e shtetit, edhe përsa i përket komponentit të TVSH-së në çmimin e rritur të karburantit, është: – Po patjetër për qytetarët, po për një kategori vetëm të qytetarëve, për pensionistët. E para dhe e dyta, besoj që Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës do ta ri sqarojë edhe një herë strukturën e çmimit të naftës, pasi një kërkesë tjetër që përsëritet në pafundësi dhe që bëhet tamam si ato “hesapet pa hanxhiun”, është që të ulet taksa e qarkullimit, të ulet taksa e qarkullimit.
Taksa e qarkullimit e vendosur në strukturën e çmimit të karburantit për gjithë ata që e dëgjojnë këtë dhe nuk janë plotësisht të informuar, nuk është problemi se ulet këtu, problemi është se po iku nga këtu, do shkojë diku tjetër, aty ku e kanë vendet, të cilat nuk e kanë në strukturën e çmimit dhe nëse ajo shkon diku tjetër, do të shkojë drejtpërdrejt tek përdoruesi i automjetit në formën e taksës për automjetin dhe nga kalkulimi që ne kemi bërë rezultati është shumë i thjeshtë. Dhe unë nuk besoj se ka përdorues automjeti sot që do të preferonte që në vend se ta paguante në strukturën e çmimit për aq karburant sa harxhon, se mund të mos harxhojë karburant sot fare dhe nuk paguan, në vend se paguaj aty, të paguaj katërfishin e asaj që paguan sot për makinën dhe jo vetëm kaq, po sipas kategorive të ndryshme të makinave, të paguaj në ndonjë rast edhe dhjetëfishin.
Unë nuk besoj se do të kishte një përdorues të vetëm makine që di, paksa aritmetik që do të thoshte, “unë jam ok me këtë”. Ndërkohë që, filozofia e taksës në strukturën e çmimit është ajo që tha ministrja, ndotësit më të mëdhenj duhet të paguajnë më shumë.
Në atë strukturë të çmimit nuk janë pensionistët, se nuk janë ata që marrin rrugët me makinë dhe ndotin, por janë ata që kanë mundësi ta bëjnë këtë gjë, kështu që, kjo besoj që është krejt normale. Këto janë ato që doja të shtoja unë në lidhje me kërkesat dhe para se sa të flasë edhe Ministri i Financës, doja t’i kaloja fjalën Ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës.
***
Kryeministri Edi Rama: Një tjetër sqarim për ata që na ndjekin, sepse konstatoj që jo të gjithë janë të informuar që Shqipëria nuk prodhon naftë të përdorshme për pikat fundore dhe kjo do të thotë që nuk e kemi këtë pasuri natyrore të zbuluar dhe të përdorshme, pasi nafta që ne nxjerrim është naftë e rëndë, e cila në rast se do të futej në përpunim, do të kërkonte një rafineri dhe kosto shumë të mëdha për një përpunim që ta çonte deri në pikën fundore dhe megjithatë, siç ka treguar dhe historia në të shkuarën, nuk arrihet që të jetë një produkt që të përmbushë parametrat e nevojshëm për shkak të përmbajtjes që ka. Ajo është një naftë që përdoret për industrinë, një naftë bituminoze që përdoret për asfalt dhe kështu me radhë. Kjo është shumë e rëndësishme sepse shumë herë njerëzit lëshohen në këto përfytyrimet që “ne kemi naftën tonë, pse këtu duhet të rritet çmimi, naftën ne na i ka dhënë Zoti”, ndërkohë që është e vërtetë që ne kemi dhe rezerva nafte premium, por deri më sot, siç tregoi dhe rasti i Shpiragut, pavarësisht se nafta së bashku me gazin u zbuluan, gjeologjia shumë specifike e atij formacioni atje, e pamundësoi nxjerrjen me një kosto të arsyeshme për ta hedhur në prodhim për tregun.
Ne nuk kemi reshtur se kërkuari zgjidhje të tjera, duke patur parasysh se teknologjia ndryshon çdo ditë, po për momentin situata është kjo dhe prandaj, ne jemi të varur si shumë vende të tjera, se s’jemi vetëm ne, të varur nga bursa, të varur nga konjukturat ndërkombëtare dhe të prekshëm edhe nga një krizë që është në një territor shumë larg nesh, sepse impaktohet tregu global i naftës, ku praktikisht të gjithë ju keni aksesin dhe me të cilin ju punoni.
Edhe dy fjalë nga ministri i Financave përsa i përket aspektit që lidh drejtpërdrejt Ministrinë e Financave dhe strukturat tona të të ardhurave, përpara se sa pastaj patjetër, secili prej jush që dëshiron të marrë fjalën, nëse ka diçka për të shtuar, për të korrigjuar apo për të informuar, me vlerë për këtë tryezë dhe ata që na ndjekin.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Edhe një element tjetër që e kemi diskutuar vijimësisht me ministrin dhe që është i rëndësishëm për këtë bisedë për perspektivën e afërt, mbase jeni të informuar, mbase nuk jeni të gjithë të informuar që prej disa kohësh ne kemi krijuar një kompani të re publike, në ortakëri me Emiratet e Bashkuara, me kompaninë e tyre të të njëjtit objektiv e cila quhet ALBTrace. ALBTrace është praktikisht kompania publike që do të bëjë gjurmimin e të gjitha produkteve të akcizës me teknologji dhe së shpejti ALBTrace do hyjë në treg me dy produktet e veta të para, që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me gjurmimin dhe me ndjekjen e naftës.
Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që gjurmimi i gjithë sasive të naftës që hyjnë në tregun shqiptar do të garantohet me një teknologji të fjalës së fundit që praktikisht do ta çojë në një nivel tjetër atë që ishte gjurmimi me “bojërat e mia” se faktikisht nga të gjitha analizat e bëra përpara sesa ne të hidhnim këtë hap tjetër, rezultoi që ai ngjyruesi që përdorej për naftën ishte nganjëherë më kollaj për t’u kthyer në ujë sesa bojërat që unë përdor për zhargavinat e mia që po të shikoni, duart i kam me shenja akoma.
Kështu që, ky produkt i ri është absolutisht i pakapshëm nga asnjë sy tjetër, përveçse nga syri magjik i prodhuesit. Ndërsa ndjekja do të thotë që do të mbyllim epokën e shoqërimit të naftës që hyn në Shqipëri me objektivin për të qenë transit dhe do ta ndjekim nga shumë larg pa shqetësuar as shoferët tuaj që kur nisen për të kaluar kufirin në Kosovë apo Maqedoninë e Veriut apo Mal të Zi apo kudo qoftë ku kalojnë kufirin, kanë nga mbrapa doganier që bashkëndotin ambientin, duke shfrytëzuar dhe karburant të blerë nga buxheti i shtetit. Ndjekja do të bëhet me teknologji që përsëri nuk e sheh fare dot asnjë sy, sado i interesuar që të jetë dhe nga hyrja në port, deri tek dalja në kufi të gjitha mjetet do të jenë në ekran në një vend që do të hyjnë vetëm njerëz që do të kenë certifikatë sigurie.
Besoj që, këto të dyja do t’ju lehtësojnë dhe juve shumë punën sepse do të shpëtoni nga konkurrentët e pandershëm që sigurisht nuk janë mes jush, por janë fantazma dhe do na lehtësojnë të gjithëve për sa iu përket nivelit të evazionit fiskal që në këtë sektor gojët e liga thonë që është shumë i madh. Unë mendoj që edhe i vogël po të jetë është shumë i rëndësishëm për pensionistët.
Kështu që, edhe për këtë ne kemi marrë atë vendimin tonë, që për t’i qëndruar shumë korrekt dhe shumë strikt zotimit që kemi marrë ndaj pensionistëve çfarë do të nxjerrim nga lufta kundër evazionit në këtë fushë do ta çojmë dhe atë në radhë të parë në drejtim të pensionisteve, pastaj nëse është aq shumë sa thonë gojët e liga do ketë dhe për ata që s’kanë dalë në pension akoma.
Shumë faleminderit nga ana ime.
Cilido prej jush që do të marrë fjalën. Shoh një zotëri që ka një grafik aty që është alarmante se shoh sa është rritur çmimi në ditët e fundit dhe për këto që thamë dhe për çfarë do tjetër meqë jemi këtu që ka të bëjë me sektorin çfarë shqetësimesh mund të keni bujrum, ne jemi këtu, jo vetëm për të folur, por edhe për t’ju dëgjuar.
***
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë!
E para, ligji për të cilin foli ministri është në konsultim publik, kështu që ju mund ta gjeni lehtësisht, por edhe mund t’ia çojmë, është publikuar. Merrni, studioheni për aq kohë sa ju duhet tekstin dhe pastaj patjetër ju jeni kryesorët në këtë proces dhe impaktoheni nga ky ligj. Organizohet menjëherë një tryezë me ministrat këtu të pranishëm dhe është shumë e vlefshme për ne që të na jepni opinionet tuaja, sepse kollaj ta shkruash në ligj, sado që ta kesh studiuar, por mund të ketë element në ligj që juve mund të na ndihmoni që t’i adresojmë më mirë lidhur me depozitat, lidhur me kohën e shfrytëzimit të tyre, lidhur me disponimin që kanë aktualisht depozitat, sa % e tyre është e zënë si mesatare. Të gjitha këto na vlejnë shumë që ligji të mos na krijojë probleme në implementim, as ne, as mos krijojë probleme për ju.
Se e fole për kreditet që ju dhashë unë, po unë personalisht hyj tek ata që mendojnë që në Shqipëri nuk ka oligarkë, sepse fjala oligark ka një kuptim të caktuar dhe kush e përdor këtë fjalë nuk është çliruar akoma nga kthetrat e propagandës komuniste, vetëm thjesht ka ndryshuar fjalën për ta sjellë veten në kohë nga “kulak”, e ka bërë “oligark”, se i duket vetja më modern kur e thotë, po oligark në Shqipëri nuk ka. Se po të kishte oligark në Shqipëri, nuk do paguanin më shumë ata që fitojnë më shumë, si fillim. Po të kish oligark në Shqipëri, nuk do kishte gjithë këto iniciativa nga ana jonë në gjithë këto vite për të ngushtuar rrethin e fitimit abuziv të atyre që kanë më shumë dhe po të kishte oligark në Shqipëri, nuk do të kishte sot, nuk e di se sa herë më tepër subjekte, të cilat kanë akses në fonde publike, falë konkurrencës apo kanë akses në të drejtat që shteti jep në bazë të ligjit për gjithë ata që duan të bëjnë sipërmarrje sepse oligarkët, si definicion, janë forcë që i ngushton rrugët e konkurrencës dhe që ia ngushton qeverisë rripin, nëse qeveria do të zgjerojë fuqinë e interesit publik në raport me interesin privat, kjo nuk rezulton në Shqipëri. Pavarësisht gjithë problematikave që mund të ketë sektori juaj, siç ka çdo sektor, unë nuk konsideroj që ju meritoni të gjitha të zezat që thuhen për ju, ashtu sikundër konsideroj që ajo që po ndodh sot, tani që flasim, vjen si rezultat edhe i qasjes tuaj konstruktive dhe i mirëkuptimit të krijuar në këto kushte.
Kështu që kreditet janë plotësisht të merituara, s’e kam fare problem të jap kreditë çdo sipërmarrës në Shqipëri kam shumë respekt për çdo sipërmarrës në Shqipëri, sepse kush shikon tek një sipërmarrës oligarkun dhe kush angazhon pastaj gjithë ushtritë e llumit nëpër rrjetet sociale kundër njërit e kundër tjetrit, harron që mbas çdo sipërmarrësi ka familje që ushqehen me punën e tyre dhe puna në sektorin privat krijohet pikërisht nga sipërmarrësi, nuk krijohet nga Zoti apo nga shteti.
Përsa i përket energjisë dhe shfrytëzimit të karburantit për industrinë, në radhë të parë duhet ta dini që në portofolin e përgjithshëm ata që përdorin karburant në industrinë tonë janë një numër shumë i vogël në krahasim me ata që përdorin energji. Dhe Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë e di shumë më mirë sesa unë se ka drejtuar për një kohë jo të shkurtër OSHEE-në, por fakti që ka një rritje shumë domethënëse të vetë prodhuesve të energjisë dhe kryesisht vetë prodhuesit janë subjekte industriale dhe janë sipërmarrje që shfrytëzojnë tashmë energjinë diellore për një pjesë të madhe të aktivitetit të tyre, e ka ulur edhe më shumë shfrytëzimin e karburantit për industri. Gjithsesi, ajo që ju thatë nuk është pa asnjë vlerë. Përkundrazi, sepse sidoqoftë janë disa.
Për këtë arsye, Ministria e Ekonomisë po bën një klasifikim në këtë drejtim, për të kuptuar impaktet dhe për të kuptuar se çfarë mund të bëjmë konkretisht në atë drejtim që ju thatë.
Ndërkohë që, tek pjesa e faktorit shtetëror, unë besoj që edhe ajo përsëri, edhe pse nuk është subjekt i pikërisht ligjit që po diskutojmë, por është subjekt i një akti të ri, ne përsëri do të diskutojmë bashkërisht. Nuk kemi qëllim të krijojmë një monopol absolutisht, nuk do të detyrojmë askënd që të blejë nga ky faktor shtetëror, por nëse faktori shtetëror e ofron më lirë, dikush thotë: “Jo, unë do ta blej më shtrenjtë”. Okej, po tregu ka ato të veta, kështu nuk besoj se do të ketë mundësi t’i mbijetojë konkurrencës në rast se do të qëndrojë lart dhe faktori shtetëror, qëllimi i faktorit shtetëror është vetëm të ekuilibrojë tregun në funksion të konsumatorëve.
Nuk është që të godasë ju, nuk është që të krijojë një monopol dhe të zotërojë tregun vetë. Faktori shtetëror nuk do të jetë një faktor që do të bëjë shpërndarje pakicë, do të jetë një faktor që do të mbështesë sovranitetin e vendit në të përditshmen e vet, kur vjen puna tek ky mall kaq jetik për ekonominë, edhe për jetën e përditshme. Thjesht kaq edhe sigurisht do të mbrojë konsumatorët nga çdo abuzim.
Do të jetë, besojmë ne, një faktor që duhet të jetë i mirëseardhur për të gjithë ata ndër ju që duan të kenë, duan të kenë garanci afatgjatë, duan të kenë çmim të arsyeshëm.
Patjetër që juve jeni në tregun ndërkombëtar, e kam shumë të qartë këtë gjë, por tjetër është kur kapaciteti financiar për të lidhur kontrata është i kufizuar, tjetër është kur mbrapa një marrëdhënie është një garanci sovrane, është komplet gjë tjetër dhe ajo që mund të bëjë faktori shtetëror është që të garantojë kontrata në një afat shumë më të gjatë dhe të bëjë blerje në një afat shumë më të gjatë dhe duke pasur kapacitetin të ketë fleksibilitet, mund të sjellë në treg një ekuilibër të ri dhe të domosdoshëm dhe sigurisht që pastaj pjesa tjetër ju takon ju.
Shumë faleminderit për takimin edhe jemi në kontakt për ligjin, që është në dëgjesë.
Sapo të jeni gati ju, thjesht kërkoni nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë të organizoni tryezën për faktorin shtetëror.
Sapo të jemi gati ne, do t’ju ftojmë dhe do t’jua prezantojmë ju, përpara se sa ta shikoni të botuar apo ta merrni vesh nga televizori, sepse ju jeni aktorët e këtij tregu dhe ne këtë gjë e bëjmë edhe për ju.
Shumë faleminderit!