Ministri Arben Ahmetaj, deklaratë mbi vendimet e sotme të Qeverisë për procesin e Rindërtimit

Deklarata për mediat e Ministrit të Rindërtimit dhe koordinator për hartimin e Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes, Arben Ahmetaj: 

Përshëndetje,

Sot në qeveri kaluam 4 vendime të rëndësishme për procesin e Rindërtimit, të cilat janë jo vetëm finalizim i një pune intensive të bërë gjatë 5 muajve të fundit për rindërtimin, por janë edhe arritje te qenësishme konkrete për qytetarët në zonat e dëmtuara, që na kalojnë tashmë në stadin tjetër të rindërtimit.

Së pari, sot fillojmë zyrtarisht zbatimin e programit të granteve të rikonstruksionit për bashkinë Shijak, të cilat janë pagesa direkte për familjet, banesat e të cilëve kanë pësuar dëmtime të shkallës DS1-DS2-DS3, pra dëmtime që nuk e çojnë në domosdoshmëri shembjeje objektin e  dëmtuar. Punimet e të cilave qytetarët mund t’i bëjnë vetë dhe qeveria i subvencionin 50% të faturës totale të dëmit, në varësi të shkallës.

Sikurse e mbani mend, gjatë muajit shkurt të gjithë familjet e dëmtuara nga tërmeti patën mundësinë të aplikojnë në platformën elektronike “Shtëpia Ime”. Përgjatë dy muajve të fundit, bashkitë kanë vijuar me një proces vlerësimi, shumë të detajuar dhe të kujdesshëm për çdo aplikim dhe aplikant dhe përzgjedhjen e përfituesve listat e të cilëve miratohen në finale nga Këshillat bashkiakë dhe bëhen publike, siç ndodhi me Bashkinë Shijak.

Bashkia Shijak është e para e cila e ka finalizuar këtë proces, ndërsa në ditët ne vijim ne presim që bashkia e Durrësit, bashkia e Tiranës, bashkia e Kavajës, bashkia e Kurbinit dhe gjithë bashkitë e tjera të përfundojnë procesin e  vlerësimit dhe të kalojnë listat në miratim në Këshillat përkatës bashkiakë.

Në Bashkinë Shijak, janë 1174 banesa individuale dhe 27 banesa kolektive (pallate) që përfitojnë përmes këtij vendimi nga grantet e rikonstruksionit. Qeveria ka miratuar sot alokimin e fondit prej  512,967,289 lekë, i cili i shtohet Bashkisë Shijak, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në formën e transfertës së pakushtëzuar, që do të thotë bashkia Shijak duke filluar nga maksimumi dita e premte në mëngjes mund të fillojë pagesat direkte dhe do të firmosë pagesat për 1174 banesat individuale dhe 27 banesat kolektive.

Qytetarët dhe familjet përfituese, do të përfitojnë masën e grantit, sipas aplikimit të bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë në llogaritë e tyre bankare.

Po në këtë kuadër, dëshiroj të shtoj se ne jemi në një diskutim edhe me donatorët për pjesëmarrje në programet e rindërtimit, por po i referohem specifikisht granteve sepse donatorët tashmë janë angazhuar në programet e rindërtimit të shkollave, në programet e rindërtimit të infrastrukturës komunitare, apo edhe në komplekset urbane siç është rasti i Durrësit, apo i qeverisë turke në Laç.

Siç e theksova ne presim finalizimin e listës së përfituesve edhe në Bashkinë e Kurbinit, ndërsa gjej rastin të inkurajoj bashkitë e tjera të shpejtojnë me procesin e vlerësimit, i cili në mënyrë operative nga bashkitë, do të shkojë në një vlerësim financiar në favor të qytetarëve, vetëm me grantet e rikonstruksionit, deri në 7 miliardë lekë apo rreth 70 milionë dollarë, të cilat do të jepen në vazhdimësi, hap pas hapi, me aprovimin e listave të përfituesve.

Vendimi i dytë ka të bëjë me shpalljen e zonës së re për zhvillim në Bashkinë Durrës, përkatësisht në zonën e Parkut arkeologjik, dhe caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit për këtë zonë, si njësi zbatuese.

Është vendim i rëndësishëm, edhe në kuadrin e ndihmës që Komisioni Europian i jep Shqipërisë me 115 milionë euro e avancuara në Konferencën e Donatorëve, nga të cilat 15 milionë euro janë në rindërtimin e 22 shkollave, 50 milionë të tjera do të shkojnë në listën e dytë që miratohet së shpejti të shkollave dhe 50 milionë të tjerë do të jenë brenda dy muajsh në proces negociimi me institucionin përkatës, në gjithë zonën e dëmtuar, në ato pika ku kemi objekte të trashëgimisë kulturore. Që do të thotë, në kuadër të rindërtimit, KE angazhon 65 milionë euro në shkolla dhe 50 milionë euro në objektet e trashëgimisë kulturore.

Në zonën e re të propozuar për zhvillim, ndodhen disa prej monumenteve më të rëndësishme kombëtare, si Amfiteatri i Durrësit, Kalaja, Termat Antik si dhe një sërë monumentesh të kategorisë së parë dhe të dytë.

Vendimi i tretë, është miratimi në parim i marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, për bashkëpunimin në fushën e ndërtimit të banesave pas fatkeqësisë, konkretisht në Laç.

Në muajin Shkurt ne nënshkruam Memorandumin e Mirëkuptimit mes dy palëve, që i hapi rrugën negocimit të marrëveshjes, e cila në ditët në vijim do të nënshkruhet edhe formalisht e zyrtarisht, së bashku me Ministrin Turk për Mjedisin dhe Urbanizimin z. Murat Kurum.

Projekti i qeverisë turke është prezantuar publikisht. Dua t’ju bëj me dije se i kemi kaluar të gjitha fazat që nga projekti deri tek planifikimi dhe shpronësimi qoftë me mjete monetare, qoftë me shkëmbim për banorët që preken,  një zonë ku do të ndërtohen 500 banesa dhe patjetër  do të kthehet në një model të ri të zhvillimit urban dhe ekonomik për Kurbinin dhe për vendin.

Vendimi i fundit, ka të bëjë me Përdorimin e fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e vitit 2020, për financimin e hartimit të projektit për miratimin e lejeve të ndërtimit, përfshirë kostot për shërbime të rilevimeve topografike, vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe të shërbimeve gjeologjike që i takojnë nëntokës e punimeve në themel, për ndërtimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat), në zonat e shpallura për zhvillim të detyruar, në bashkitë Durrës, Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Shijak dhe Vorë.

Jemi pra duke kaluar tashmë në projektimin e detajuar të gjithë infrastrukturës shoqëruese në të gjithë zonën e dëmtuar.

Duke e mbyllur, edhe pse në kushtet e një pandemie globale që ka shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme të punës normale dhe vonesa të një sërë proceseve në çdo vend të botës, ne kemi avancuar me ritme thuajse normale sa i takon procesit të rindërtimit, siç jemi angazhuar që në krye të herës, për t’i rikthyer sa më shpejt qytetarët në shtëpitë e reja, që pa asnjë dyshim do të jenë më të mira dhe më të sigurta se ato që humbën ose u dëmtuan; Për t’i mundësuar fëmijëve të nisin vitin e ri shkollor në shkolla e kopshte të rindërtuara apo të rikonstruktuara, e për të hapur kantiere ndërtimi në çdo zonë të re zhvillimore, që jo vetëm do t’i japin një fytyrë të re qyteteve e bashkive që u tronditën nga tërmeti, por do të krijojnë një dimension të ri zhvillimi dhe jetese komunitare.

E ritheksoj, Bashkia e Shijakut është e para ku qytetarët e dëmtuar përfitojnë nga programi i granteve të rikonstruksionit, me 512 milionë lekë dhe shpërndarja e fondit për qytetarët do të fillojë që ditën e premte.

Faleminderit!