Mirënjohje dhe nderim për Divën shqiptare të Operës Botërore

Kryeministri Rama nderon me medalje, sopranon Ermonela Jaho:

“E fuqishme dhe e brishtë, një heroinë që rikthehet dhe tingulli i saj, i mbështjellë me pëlhurën prej fijesh të holla nate, sikur përfshin dhe përkul kohën.”

Unë nuk gjeta fjalë më të goditura se këto të gazetës The Independent, për ta nisur këtë fjalë mirëseardhjeje dhe nderimi, kaq të merituar, për Ermonela Jahon, të cilën kemi fatin ta kemi sot, këtu mes nesh.

Diva e skenave të botës së sotme operistike është një shqiptare.

Një zë që i bën të përpëliten pendat më të rënda të kritikës muzikore, në gazeta e revista me peshë të përbotshme.

Një trup që i bën të vibrojnë muret e skenës, imagjinatës së gjithkujt që i qëndron përballë, kur lëviz dhe këndon në ekranin e gjallë të skenës.

Një shqiptare, që kur kthehet e qëndron këtu, kështu ulur mes nesh, në skenën e vrarë të Shqipërisë, oborrit të fëmijërisë së saj, të bën të ndjehesh shumë më në vështirësi se zakonisht, për të gjetur fjalë që nuk velin me teprinë e sheqerit të tyre.

Para pak ditësh mu desh t’i përgjigjesha Kancelares Angela Merkel, kur më pyeti si ndërroi rruga ime nga arti në politikë dhe si ishte për një artist të bënte politikanin. Tregova sesi arti për mua ishte shprehja e një përpjekjeje të brendshme, e cila në kushtet e lirisë, në rrethana të pazakonshme të jetës, nisi të mishërojë një aksion i përditshëm politik.

Por mendoj se, nëse e ftuara e nderit sot do më bënte të njëjtën pyetje që më bëri Kancelarja e Gjermanisë, do të kisha më pak kurajë dhe besim tek përgjigjja që do t’i jepja. Sepse ka artistë dhe artistë. Dhe zonja që është sot, këtu, mes shumë artistësh, në fakt, është një artiste me “A”, të madhe.

Për mua vetë të jem me të është një kënaqësi krejt e veçantë dhe një nder krejt i posaçëm. Por s’mundet që duke folur dhe si artist sot, të mos marr masë menjëherë ndaj çdo keqkuptimi të mundshëm, duke thënë se kurrsesi nuk e fus veten në një kategori me Ermonelën. Do të ishte njësoj sikur të ishte sot, këtu, Michael Jordani dhe duke folur edhe si basketbollist, dikush të mendonte se po e fusja veten në një kategori me të.

Unë e dashuroj artin. Nuk e fsheh as që jam krenar për çka kam mundur të bëj hera-herës si artist, siç jam krenar për udhën e bërë në politikë, edhe falë artit dhe mjeteve artistike.

Por, sinqerisht, arsyeja pse jemi mbledhur këtu, për të celebruar artin e kulturën, është një artiste e kategorisë më superiore. Por sidoqoftë besoj se lidhja ime shumë e fortë me artin më jep mundësinë e pazakonshme si politikan, për të besuar fort në fuqinë e kulturës për ta përmirësuar jetën e një vendi dhe imazhin e vendit në sytë e të tjerëve.

Politikanët kanë një punë me fort rëndësi për të bërë. Ambasadorët kanë po ashtu një punë me fort rëndësi për të bërë. Por mos harrojmë asnjëherë, ambasadorët tanë nuk janë vetëm ata që nëpër botë paraqiten me kostumin e diplomatit shqiptar. Çdokush që punon dhe jeton jashtë vendit tonë është një ambasador i vendit të vet, për të mirë dhe për të keq. Për shembull, nuk ka ambasadorë më të këqij sesa ata që duke shkelur ligjin nëpër botë kanë kontribuar për namin e keq të shqiptarit dhe në krijimin e një imazhi që ne po punojmë dhe do të punojmë shumë fort që ta ndryshojmë. Nuk ka po ashtu ambasadorë më të mirë sesa shqiptarët që duke studiuar e punuar, bëjnë karrierë e emër të nderuar nëpër botë kontribuojnë që Shqipëria të shihet në një dritë tjetër. Në atë dritë që zëri i Ermonela Jahos e përçon si një rreze të artë, kudo ku përmes roleve të saj ajo bën të flitet edhe për vendlindjen e saj, Shqipërinë.

Shqipëria është me fat që ka një ambasadore të tillë, të cilën si rrallë do na e kishte zili çdo vend me fuqi dhe nam shumë më të mirë sesa i yni. Ambasadore që na bën krenar dhe na jep besim dhe kurajë, për të bërë të pamundurën që edhe zëri i Shqipërisë të tingëllojë bukur, një ditë, në skenën e Europës, në rolin  modest të një vendi të vogël si i yni, por, sidoqoftë, të respektuar për zërin e vet. Për zërin sinqerisht shqiptar si të Ermonelës, kur thoshte në intervistën e saj në Top Channel se “boshllëkun në një axhendë të ngjeshur me skenat më të mëdha botërore ia mbushi Shqipëria, skena e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë.” Aty ku ishin rreshtuar në radhë, pa lënë hapësirën e një hapi, njëra pas tjetrës, Franca, Austria, Britania e Madhe, kishte një boshllëk; Shqipëria, të cilën e ftuara jonë e nderit e përfshiu në të njëjtën radhë, barabartë mes të barabartëve, duke i dhënë të njëjtin dinjitet, që ne të gjithë duam t’i japim Shqipërisë evropiane, në krah të pjesëtarëve të tjerë të familjes së Evropës.

“Arti nuk ka atdhe, por artistët kanë”, thotë një shprehje e njohur. Unë vetë, sot jam shumë i lumtur dhe krenar që Ermonela Jaho, një artiste që i takon sot, gjithë botës, Atdhe ka Shqipërinë dhe është sot, këtu me ne, si për të na dhënë kurajë dhe besim që edhe Shqipëria do të jetë një ditë krah për krah Francës, Austrisë, Britanisë së Madhe, njësoj siç është në axhendën e këngëtares sonë të madhe.

Faleminderit që jeni këtu sot.

 

***

 

Kryeministri Edi Rama i dhuroi sot një medalje sopranos shqiptare, zërit operistik që dominon sot skenat botërore, Ermonela Jahos.

Për të nderuar sopranon u organizua në Kryeministri, një ceremoni krejt e veçantë, që bëri bashkë artistë shqiptarë dhe miq të artistes. Teksa i dhuroi sopranos medaljen, Kryeministri Rama u shpreh:

“Në përpjekje për të bërë atë që mund të bëjmë e që mund të bëj për të shprehur gjithë kënaqësinë, krenarinë dhe respektin, nuk gjeta gjë më të madhe sesa medaljen ekskluzive që Kryeministri ia jep vetëm kryetarëve të shteteve dhe kryeministrave të shteteve të tjera.”

Ne shqiptarët “bëjmë mrekulli” kur bëhemi bashkë, ishte mesazhi i Ermonela Jahos, ndërsa falënderoi Kryeministrin për vlerësimin.

“Është një surprizë që nuk gjej dot fjalët për ta përshkruar. Faleminderit zoti Kryeministër! Ndjehem shumë  e nderuar dhe dua të them vetëm dy fjalë. Nuk ka emocion më të madh e një kënaqësi të jashtëzakonshme, kur ndjehesh e rrethuar me dashuri dhe vlerësim. Mendoj që vlerësimi për njëri-tjetrin është çelësi kryesor i suksesit të çdo lloj ndërmarrjeje. Këtë gjë e kam provuar me ardhjen time, me rolin e Madam Butterfly në Teatrin e Operës e Baletit. Gjithmonë kemi menduar dhe flas në emër të shumë artistëve me të cilët kam folur jashtë Shqipërisë, se e kemi shumë të vështirë të vlerësojmë e të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, por në momentin që gjejmë çelësin e zemrës, respektojmë, vlerësojmë e bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, ne shqiptarët bëjmë mrekulli. Ajo mrekulli, siç ndodhi kur bashkuam të gjithë zemrat, të gjithë artistët, me operën Madam Butterfly dhe qe ai rezultat që njerëzit donin të vinin jo për të parë këngëtaren, por të ndjerë diçka të vërtetë, diçka të sinqertë që vinte nga ky bashkim zemrash që bëmë ne, gjithë artistët shqiptarë. Ju falënderoj shumë dhe ky është hapi i parë i detyrës që duhet të bëjë një artist për vendin e tij,” – u shpreh sopranoja