Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Të nderuar Ushtarë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë,

Të nderuar Gjeneralë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë,

Të nderuar Zotërinj Atashe të Mbrojtjes,

E nderuar Zonja Ministre,

Mbase ndokush mund të jetë habitur që unë e bëra në radhë të kundërt përshëndetjen protokollare, e cila duhej të fillonte me Ministren dhe si rregull nuk duhet të ishin përmendur ushtarët.

Në këtë mjedis, ku më shumë se askund, zbatimi i përpiktë i rregullit është pjesë themelore e punës dhe disiplina kushti i parë për realizimin e objektivit të saj më madhor, mbrojtjes së jetës së qytetarëve dhe të Atdheut të përbashkët, nuk kisha dëshirë aspak të thyeja rregullin, qoftë dhe atë më elementarin, rregullin protokollar. Por në vizitën e parë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm si Kryeministër i vendit, dua të nderoj mbi të gjitha punën, përpjekjen dhe sakrificën e ushtarëve tanë e bashkë me të, pa dyshim e pandashmërisht, edhe punën dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë së gjithkujt që në zinxhirin e Komandës së Forcave të Armatosura ka dhënë dhe jep më të mirën prej vetes, për Shqipërinë në NATO.

Forcat e Armatosura janë ura e pazëvendësueshme që lidh pazgjidhshmërisht vendin tonë me NATO-n. Përmes kësaj ure, Shqipëria ka bashkuar fatin e të ardhmes, armët e të sotmes dhe gjakun e gjeneratës më të re me aleancën e vendeve që e ndërtojnë jetën e tyre të përditshme mbi vlerat e paçmueshme të paqes, lirisë dhe demokracisë.

Unë e ndjej për detyrë të lartë që nga ky shesh të nënvizoj se liria, paqja e siguria që Shqipëria ka sot, si një vend i NATO-s, nuk janë as të dhëna njëherë e përgjithmonë dhe as të mira natyrore si dielli, uji apo ajri. Ato qëndrojnë sot në themelin e rrugës të çdo vendi të NATO-s, falë një shërbimi dinjitoz të ushtarakëve, të cilët me përkushtim dhe disiplinë i shërbejnë paqes dhe lirisë, jo vetëm brenda vendit, por edhe në fronte betejash larg atdheut të tyre.

Populli shqiptar ju të gjithëve ju ka borxh mirënjohjen. Ndërsa Qeveria e Shqipërisë i ka borxh secilit prej jush vëmendjen dhe mbështetjen e vet më të plotë, në emër të Shqipërisë dhe të çdo shqiptari.

Përzgjedhja e shefit të ri të shtabit, të cilin kam nderin ta përshëndes sot përpara jush është bërë me vëmendjen më të madhe, për t’ju dhënë mbështetjen më të plotë, duke ju garantuar përmes figurës së tij, profesionalizëm dhe integritet të lartë në drejtimin tuaj.

Unë kam bindjen se Gjeneral Jeronim Bazo, me vlerat e mira, edukimin e lartë, eksperiencën e gjatë dhe përkushtimin e spikatur që ka karakterizuar karrierën e tij, pa as edhe një hije, do të jetë në lartësinë e posaçme të detyrës së re. Një bashkëpunëtor vendimtar në transformimin e mëtejshëm të Forcave të Armatosura dhe një interpret i pagabueshëm i rolit madhor të këtyre forcave në frontin e përbashkët të betejës së NATO-s për një botë më të mirë dhe më të sigurt.

Qeveria jonë i jep rëndësi të posaçme partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara. Mishërimi i këtij partneriteti në frontin e NATO-s, nga llogoret e Irakut dhe të Afganistanit, tek përpjekja për të çarmatosur pa luftë regjimin vrastar në Siri, është jo vetëm detyrim i patjetërsueshëm, por dhe burim krenarie për ne shqiptarët. Sepse ne nuk do ta harrojmë kurrë dhe për asnjë arsye, se falë këtij partneriteti dhe kryekreje, falë Shteteve të Bashkuara, si miku dhe aleati më i madh i shqiptarëve, sot shqiptarët janë më mirë se kurrë ndonjëherë më parë, kudo që ata banojnë në rajonin tonë. Por po ashtu Qeveria jonë i jep rëndësi të posaçme edhe çuarjes përpara me shpejtësi dhe me efikasitet të reformës së gjithanshme të FA-ve, duke përfshirë në këtë reformë, ristrukturimin organizativ, në përputhje me rekomandimet e dokumentit të rishikimit strategjik të mbrojtjes, sistemin e edukimit, arsimimit dhe trajnimit të FA-ve; rritja e efikasitetit dhe të kapaciteteve operacionale në përballimin e emergjencave civile; realizmin cilësor të detyrimeve tona, në kuadër të mbrojtjes kolektive, të mishëruara në paketën e objektivave të kapaciteteve.

E qartë për problemet e trashëguara dhe e ndërgjegjshme për vështirësitë e momentit që kalon vendi, Qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet për të krijuar kushtet e domosdoshme që FA-të të kryejnë me sukses të plotë këtë proces të thellë reformimi. Nëpërmjet një programi të gjerë dhe të thellë, ne do të rishikojmë disa nga dokumentet strategjikë kryesorë të vendit dhe të FA-ve, si dhe do të modernizojmë bazën ligjore të Forcave të Armatosura. Qëllimi i gjithë këtij procesi, i kësaj reforme tërësore në vazhdim, do të jetë ngritja e FA-ve në nivelin e pritshmërive të popullit shqiptar dhe aleancës së NATO-s.

Shqipëria, jo vetëm që ka nevojë, por ajo mund dhe do ta ketë një Forcë tërësisht moderne të armatosur, brenda së cilës shfaqjet e korrupsionit në nivelin e lartë të drejtimit apo të dobësive të tjera të vërejtura deri më sot, t’i takojnë të shkuarës.

Aq sa do të përpiqemi për të plotësuar detyrimet tona të larta, përballë aleatëve tanë, ne do të përpiqemi për të rritur në një nivel të ri dobinë shoqërore të FA-ve.

Qeveria do të mundësojë që Forcat e Armatosura të ngrihen në një nivel më të lartë profesionalizmi dhe gatishmërie, për të mundur të marrin përsipër një gamë më të gjerë detyrimesh, në shërbim të qytetarëve të këtij vendi, si në raste emergjencash apo fatkeqësish, ashtu dhe në shërbime të tjera të nevojshme për të mirën publike.

Ndërsa flas për detyrimet dhe punën e viteve në vijim, nuk mund të lë pa përshëndetur, arritjet e deritanishme të Forcave të Armatosura, në bashkëpunim me qeveritë paraardhëse. Duke gjetur rastin që përveç operacionit ISAF të drejtuar nga NATO, në Afganistan, të nënvizoj edhe pjesëmarrjen në operacionet e drejtuar nga KFOR në Kosovë apo në operacionet ALTEA të drejtuara nga BE, në Bosnje dhe Hercegovinë.

Të nderuar ushtarakë!

Vendi ynë po hyn vendosmërisht në rrugën e një ripërtëritjeje të gjithanshme, e cila padyshim nuk është aspak e lehtë, por ne do të mbajmë çdo peshë, do t’i përgjigjemi çdo vështirësie dhe do të mbështetemi tek çdo mik dhe partner që kjo të realizohet.
Fatmirësisht, nuk jemi vetëm, por jemi në një familje vlerash dhe kapacitetesh të mëdha, si familja euro-atlantike. Qenia jonë, pjesë e kësaj familjeje, na e bën më të lehtë barrën e madhe të ndryshimit të domosdoshëm që duhet dhe do të sjellim të gjithë së bashku.

Forcat e Armatosura do të jenë, pa dyshim, një nga bastionet e suksesit të modernizmit të gjithanshëm të Shqipërisë, i cili falë tyre do të jetë vijimësisht një proces pjesëmarrjeje aktive në çdo përpjekje të familjes euro-atlantike për një botë më të mirë dhe më të sigurt.

Profesioni juaj është profesion i nderit. Nëse për shumë grupe të tjera profesionesh, nderi është virtyt i lartë dhe i kërkuar, për ushtarakët ai është pjesë e përshkrimit të punës. Nëse mjeshtëri të caktuara e kanë nderin, një nga ato që kërkohen, për ushtarakët, nderi është vetë profesioni. Është ai kriter dhe ajo forcë që motivon ushtarakët për të shërbyer me sakrifica që nuk njohin asnjë kufi dhe që shpeshherë habisin të gjithë të tjerët për kapërcimin e kufijve.

Për të ndërtuar dhe mbajtur një ushtri të mbështetur tek nderi, duhen plotësuar të paktën dy kushte. Së pari, vetë ushtria duhet ta vendosë kodin e nderit në flamurin e saj. Ajo duhet të bëjë çdo përpjekje për të rekrutuar ata qytetarë të këtij vendi që nderin e kanë të shenjtë dhe më tej, ajo duhet të sigurojë kushtet që nderi të mbetet norma më e lartë që rregullon jetën e ushtarakëve në Forcat e Armatosura. Së dyti, duhet që vetë shoqëria ta çmojë lart e më lart ushtrinë e saj përmes nderimit të lartë ndaj pjesëtarëve të Forcave të Armatosura.

Qeveria e Shqipërisë do të bëjë të gjithë përpjekjet që t’i trajtojë me nderin e merituar Forcat e Armatosura. Ushtria jonë do të ketë me patjetër uniformat që meriton, trajtimin dinjitoz financiar, pajisjet dhe sistemet e nevojshme për të përmbushur me sukses gjithherë, misionin e saj të lartë. Ne do të bëjmë çdo përpjekje që trajtimi i ndershëm dhe i barabartë i ushtarakëve, shanset e njëjta për arsimim dhe trajnim, mundësitë e njëjta për një karrierë të ndershme dhe të bazuar tek merita të shndërrohen në një realitet të prekshëm për çdo pjesëtar të FA-ve.

Emërimi i Shefit të ri të Shtabit, bazuar pikërisht në këto vlera dhe parime, është shenja e parë që ne i japim gjithë pjesëtarëve të FA-ve për vullnetin e palëkundur që hierarkia në Forcat e Armatosura të vendoset nga merita dhe vetëm merita e çdo pjesëtari të këtyre forcave.

Forcat e Armatosura të vendit tonë, nuk përfaqësojnë vetëm organizmin ushtarak që përbëhet nga ushtarakët aktivë të këtij vendi. Një armatë shumë e madhe, edhe më e madhe, ushtarakësh të liruar në rezervë dhe veteranësh, identifikohen natyrshëm me FA-të. Kjo bashkësi e nderuar patriotësh dhe profesionistësh meriton shumë më tepër vëmendje dhe nderim nga shteti dhe shoqëria, jo vetëm për hir të asaj që ata kanë dhënë për këtë vend, por edhe për hir të asaj që ata mund dhe duhen të japin përsëri dhe në vazhdim për vendin.

Profesionalizmi, gatishmëria dhe patriotizmi i tyre përbëjnë një potencial të jashtëzakonshëm, i cili mund, duhet dhe ne do të bëjmë çmos ta vëmë në shërbim të vendit dhe të shoqërisë.

Qeveria do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të institucionalizuar dhe për të krijuar mekanizmat e domosdoshëm ligjorë dhe organizativë që do të mundësojnë kontributin më të madh të ushtarakëve të liruar dhe të veteranëve, në dobi të Forcave të Armatosura të vendit.

E nderuara Zonja Ministre!

Të nderuar Gjeneralë!

Të nderuar Atashe të Mbrojtjes!

Të nderuar ushtarë dhe anëtarë të FA-ve të Shqipërisë!

Le të punojmë së bashku në krijimin e një sinergjie të re për Forcat e Armatosura, mbrojtjen dhe sigurinë e vendit, si dhe kontributin tonë në sigurinë rajonale dhe më gjerë, të bindur se suksesi është në duart e secilit prej nesh. Që sot, dhe këtu, më shumë se në çdo vend duhet ta ndjejë dhe ta përçojë prej këtu përkushtimin e pakufishëm ndaj Shqipërisë.

Më lejoni që në fund t’ju përshëndes përulësisht me nderimin tim më të madh dhe të bashkohem me fjalinë përmbyllëse të Shefit të ri të Shtabit.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Zoti i bekoftë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë!

 

* Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Shkollën e Bashkuar.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.