Modernizim i spitaleve, rritje e pagave për mjekët dhe infermierët

Materniteti i ri i Beratit, një ndërtesë e rilindur nga themelet, do të mirëpresë bebet që do të vijnë në jetë, në kushte e standarde të njëjta me vendet  e zhvilluara europiane.

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet për maternitetin e ri, i cili përmbyll rilindjen e kompleksit spitalor të Beratit, ku gjatë viteve të fundit është investuar më shumë se në dekadat e mëparshme së bashku.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se infrastruktura e maternitetit të ri ofron standardet më larta në trajtimin e nënave dhe bebeve të porsalindura. “Materniteti i Beratit një premtim i mbajtur i qeverisë shqiptare. Investim i qeverisë shqiptare me vlerë 216 milionë lekë. Kapaciteti i këtij materniteti rritet nga 40 shtretër në 84 shtretër, me standarde nga më të mirat. Përveç kësaj kemi parashikuar rikualifikimin e të gjithë spitalit, nga pikëpamja e izolimit të fasadave, pasi ishin tejet të amortizuara. Në 7 vite kemi përfunduar dhe vijojmë të punojmë në 7 maternitete. Kemi përfunduar maternitetin e Korçës dhe të Sarandës, ndërkohë që jemi duke punuar në strukturat e materniteteve të Lezhës, Beratit, Kukësit, tek “Mbreteresha Geraldinë”. Plani ynë është rijetëzimi i materniteteve në të gjithë Shqipërinë. Kjo jo vetëm që përmirëson shërbimin, por  ndikon edhe në indikatorët kombëtarë,” – u shpreh ministrja Manastirliu.

Në takimin me mjekët e pranishëm, Kryeministri Rama vlerësoi transformimin që po ndodh në të gjithë kompleksin spitalor, si një nevojë e munguar prej dekadash. Ai gjithashtu bëri të ditur se do të përmbushet zotimi i qeverisë për një rritje rrogash prej 40 % për mjekët, infermierët, i kombinuar me rritjen e pagave për  mësuesit, në të gjithë Shqipërinë.  “Më në fund po mbyllet edhe kjo plagë e madhe që kishte Berati. Ajo që është arsye për të na falur kohën që na është dashur, është se janë projekte shumë cilësore dhe kalohet në standarde europiane në të gjitha ndërhyrjet. Por ajo që është qershia mbi tortë në të gjitha ndërhyrjet është ndërhyrja që do të bëjmë me këtë buxhet tek pagat; për pagat e mjekeve, infermierëve, personelit mjekësor. Do të bëjmë një ndërhyrje të fortë dhe rritje të konsiderueshme. Akoma nuk po flasim me shifrën finale, por besoj se do të arrijmë në 40% që po e konkludojmë këto ditë se duam ta bëjmë të kombinuar bashkë me pagat e mësuesve, duke plotësuar një zotim të marrë që do të kemi një rritje 40% në këtë 4-vjeçar që po mbyllim. Duam të shkojmë atje, pra, kemi bërë një rritje të konsiderueshme në proces. Ndërkohë që përsa i përket mjekëve dhe infermierëve, aq më tepër në kushtet aktuale kur është një sfidë edhe më komplekse, por edhe për të garantuar që cilido mjek, apo cilado infermiere që do të ushtrojë profesionin këtu, të mos jetë inferiore në diferencë nga pagat që mund të marrë në Gjermani apo Itali, sepse aty vërtetë mund ta ketë pagën më të lartë, por sidoqoftë paguan taksa, ka më shumë shpenzime qiraje etj.. E duke ruajtur bonusin, veçanërisht për ata që lëvizin nga qendra e tyre, por duke financuar në mënyrë dinjitoze ata që janë aty ku janë, pasi jeni këtu banoni këtu, punoni këtu. Nuk ka pse diferenca mes pagës së këtushme dhe pagës së bonusit të jetë kaq e lartë. Ndërkohë që do të mbetet diferenca, por ata që punojnë aty ku banojnë do të kenë një pagë shumë më të mirë, edhe për infermiere dhe për mjekë. E aty s’besoj që jemi më në vrap me kohën. Sigurisht, e  mira s’ka fund, por të paktën vendosim një pagë që është super dinjitoze dhe pa dallim nga të tjerët në rajon, së paku. Por llogaria që bëjmë duke patur parasysh edhe taksën që është goxha më e ulët se në vendet e tjera, është që çfarë i çoni fëmijëve dhe familjeve në shtëpi, ta meritojë gjithë mundin e jashtëzakonshëm që ju bëni.”