Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama nderoi me Yllin për Mirënjohjen Publike, Profesor Hubert Hasenauer, rektorin e  Universitetit të mirënjohur Boku në Austri për kontributin dhe përkushtimin e tij mbresëlënës në transformimin e UBT (Universitetit Bujqësor të Tiranës) sipas modelit të Boku të Vjenës, në rrugën e njehsimit të diplomave mes tyre.

“Sot ju jeni një tjetër xhevahir në vargun e gjatë të gjerdanit të miqësisë dhe të lidhjes së Shqipërisë me Austrinë apo një tjetër xhevahir në kurorën e kësaj miqësie. Falë kontributit tuaj i dashur Profesor Universitetit Bujqësor i ka rilindur, jo thjeshtë shpresa, por i ka rilindur ambicia, i ka rilindur dëshira dhe pasioni, por mbi të gjitha i ka rilindur besimi.” –u shpreh ndër të tjera Kryeministri Rama në ceremoninë e posaçme të organizuar me këtë rast.

 

* * *

Ky duhet të jetë rasti i parë kur dikush shkon të marrë një medalje dhe nga fjala e rastit, merr dy.

I dashur profesor Hasenauer, i nderuar miku im dhe mik dhe koleg i të pranishmëve, unë besoj që kjo e sotmja nuk është thjeshtë një ceremoni nderimi për një individ që e meriton plotësisht këtë nderim, por është edhe një moment simbolik që rinxjerr në pah lidhjen mes dy traditash të vjetra dhe jo të vogla, austriake dhe shqiptare. Në një spirale të përbashkët vlerash, dija , përkushtimi, dashuria për tokën  e vetë njeriut. Nuk do të mjaftonte dot hapësira e një fjale të tillë, për të përshkruar të gjithë këtë rrugëtim sa të shkurtër aq edhe kuptimplotë që na lidhi së bashku, por unë pata dëshirë sot, i dashur Hubert, i nderuar profesor, t’ju them se ju i bashkoheni një konstelacioni yjesh që, nga Austria kanë xixëlluar mbi qiellin e Shqipërisë. Është një kostelacion i rrallë, ku ndriçojnë figura që i kanë dhënë vendit tonë kulturë, gjuhë, identitet dhe dritë dhe sot Hubert Hasenauer, është i fundmi i një zinxhirit ë gjatë që shtrihet në shekuj dhe që zanafillën e ka në Vjenën, ku u dëgjua për herë të parë tingulli i shqipes, ku në shekullin e XIX,  Gustav Mayer deshifroi ligjësitë e shqipes dhe shkroi se kjo gjuhë më shumë se çdo gjuhë tjetër në Ballkan, është dëshmi e qëndrueshmërisë së një populli, apo ku Norbert Jokl-in i cili mori edhe pagëzimin si babai i albanologjisë moderne, shprehte besimin se shqipja është kura e gjallë midis Lindjes dhe Perëndimit. Ai u rrëmbye nga gestapo  dhe humbi në errësirën e Holokaustit, por librat e tij mbeten si pika drite për këdo që do të ndërmarrë udhën në labirinthin e mistereve dhe pasurive të gjuhës shqipe në bibliotekat e Vjenës dhe ato të Tiranës; apo aristokrati aventurier Franz von Nopcsa, i cili kaloi me kalë në malet shqiptare dhe shkroi se këtu në këto gryka mësohet më shumë për shpirtin e Evropës se në çdo sallon të Vjenës’’. Apo Maximilian Lambertz që  ndihmoi Komisinë letrare të Shkodrës në realizimin e shqipes dhe e la pas për të gjithë ne, një fjalë që sot e gjithë ditën çdo shqiptar që e lexon, e rrëqeth.

‘’Historia e plotë e njerëzimit- tha ai, – do të shkruhet atëherë kur shqiptarët do të marrin pjesë në shkrimin e saj’’.

Ishin njerëz që e deshën Shqipërinë me shpirt dhe për fatin e mirë të këtij kombi dhe të këtij vendi, ata ishin shumë.

Në fillim të shekullit XX, Theodor Ippen, konsulli dhe diplomati austriak mori pjesë në themelimin e institucioneve të para moderne shqiptare dhe ai shkroi se  ‘’kush e kupton tokën shqiptare, kupton vetë përmbajtjen e fjalës dinjitet’’. Në ditarët e tij përmendet se para çdo takimi zyrtar, ai përsëriste një zakon që e kishte mësuar në Shkodër, së pari duhen përshëndetur sytë, pastaj përshëndeten duart.

Dhe besoj që, jo vetëm mua, që kam pasur për shkak të detyrës , shumë duarshtrëngime, por dhe juve ju qëllon jo rrallë që ju japin dorën dhe sytë janë diku tjetër. Ai nuk është takim përshëndetës.

Po aq fisnik ishte Leo Freundlich, gazetari hebre që i dha zë Shqipërisë kur ajo ‘’u bukos’’ nga Evropa me një libër, ‘’ Albania’s Golgotha’’  i cili konsiderohet një akt moral që në një farë mënyre i shpëtoi nderin kontinentit.

Huberti nuk është i pari austriak që dekorohet në këto vise dhe pararendësit janë njerëz vërtetë të nderuar, emri i të cilëve ka mbetur me plot të drejtë në  historinë e këtij vendi, siç do të mbetet dhe emri i profesor Hasenauer.

Alfred Rappaport dhe August Kral, u dekoruan nga mbreti Zog me ‘’Urdhrin e Skënderbeut’’ dhe bashkërisht e quajtën Shqipërinë një komb të vogël me shpirt të madh.

Ajo që është mbresëlënëse dhe njëkohësisht prekëse për ne si shqiptarë, është se Austria nuk e pa kurrë Shqipërinë si periferi, por e pa si një dritë që nuk duhej lënë të fikej dhe, edhe në eksperiencën time personale , qysh në kontaktin e parë me Austrinë, qoftë si individ, qoftë si zyrtar, e kam ndjerë pikërisht këtë, që është filli i gjatë që lidh marrëdhënien mes Austrisë dhe Shqipërisë. Kurrë nuk kam ndjerë atë që ne shqiptarë e kemi  shumë të lehtë ta ndjejmë sepse e kemi shumë të stërvitur nuhatjen e dikujt që është parë gjithmonë nga lart-poshtë, të qenit përballë tjetrit i paragjykuar si dikush nga periferia dhe kjo është një frymë që vazhdon, vazhdon edhe në ditët tona me studiuesin Wilfried Fiedler që përmes këngëve çame ringjalli një pjesë të shpirtit tonë jugor, me Kurt Gostentschnigg që ka dokumentuar me shumë durim lidhjet e panumërta kulturore mes dy vendeve tona, me Basil Schader profesorin në Zyrih që thotë se shqipja është një poezi e gjallë në strukturën e një gjuhe, me Peter Paul Wiplinger poetin, eseistin dhe fotografin që i kushtoi Shqipërisë një varg që më pëlqeu shumë ta ri sjell këtu për të nderuar profesor Hasenauer. “Në malet shqiptare drita ka kujtesë”.

Dhe rrëfimi për lidhjen e gjatë dhe të thellë të Shqipërisë me Austrinë për të cilën unë jam i bindur që dhe vet i nderuari profesor nuk është plotësisht i vetëdijshëm ka figura që bashkuan jo vetëm dijen por dhe gjakun në përpjekjen tonë për të mbijetuar siç është gjenerali Basta, një shqiptaro austriak i cili la në fillim të shekullit XVII një traktat strategjie mbi nderin dhe disiplinën, apo siç është Karl Gega inxhinieri i hekurudhës së Semmering që tha se rrugët që lidhin njerëzit janë më të rëndësishme se ato që ndajnë territoret apo Aleksandër Moisiu, aktori shqiptar që është në panteonin e teatrit austriak i cili i mbushi skenat e Vjenës dhe të Berlinit me zërin e tij të papërsëritshëm për të cilin vetë Thomas Man shkroi se ky është zëri që e bën njeriun të dridhet përpara së vërtetës, por edhe në rrënjët e aristokracisë së re austriake ka pak gjak të mirë shqiptar, gjaku i familjeve Sina dhe Dumba nga Voskopoja, të cilët çuan në Vjenë art dhe filantropi dhe në tërësi ishin rreth 30  familje shqiptare që vetë perandoria i fisnikëroi për vlerat e tyre.

Dhe sot profesor këtij vargu yjesh në qiellin e historisë sonë të përbashkët i bashkoheni ju. Një njeri i qetë, një njeri i përpiktë dhe pikërisht pse shumë i qetë dhe i përpiktë, edhe shumë i trazuar në shkallët e universitetit kur dolët për të na pritur ne, që erdhëm pak si miq të paftuar për t’ju imponuar një krushqi të cilën unë jam i bindur ju nuk e kishit parë as në ëndrrën më të keqe. Një njeri që rrezaton dritën e një mësuesi dhe të një zotërie që beson në forcën e dijes dhe në forcën e mirësjelljes. Një njeri pa zhurmë, por unë jam i bindur që si rektor i universitetit dhe pse nuk e kam informacionin nga brenda dhe një drejtues i hekurt.

Një profesor që erdhi në Shqipëri jo për të folur për reformë, as për të dhënë mend, por për të mbjellë një frymë të re, me shumë delikatesë, me shumë respekt dhe me shumë durim pa i mbyllur hundët e kultivuara në mjediset e sqimës austriake përpara shumëçkaje që mund ta bezdiste në realitetin tonë, por duke e përqafuar atë realitet dhe duke u sjell me truallin e Universitetit Bujqësor si me një truall shpirtëror ku ai po na jep një dorë për të mbjell një pemë të re për këtë shekull të ri dhe falë kontributin tuaj i dashur profesor universitetit bujqësor i ka rilindur jo thjesht shpresa por i ka rilindur ambicia, i ka rilindur dëshira dhe pasioni dhe mbi të gjitha i ka rilindur besimi. Besimi që mbështetet tek një trup akademike e cila individualisht i ka të gjitha vlerat e nevojshme, por kolektivisht e kishte jashtëzakonisht të vështirë që të mblidhej dhe të ndihej e bashkuar për një qëllim, me një ambicie dhe më një besim.

Ju sot profesor nuk jeni thjeshtë kurrsesi një akademik apo një njeri i ditur që është ndalur këtu për të thënë ato që di, por ju jeni një pjesë e jona. Do thoni ju po si ka mundësi prapë pa ju pyetur ne ju deklarojmë pjese të tonën siç pa ju pyetur ju erdhëm atje në shkallët e universitetit. Tani për ne ka dalë nami që jemi pak të dhunshëm, por aty ku ne e meritojmë të quhemi të tillë është që ne kur të duam profesor të duam pa kushte dhe të duam dhe me pahir biles po deshe ti. Kështu që nuk ke ku lëviz fare. Sot ju jeni një tjetër xhevahir në vargun e gjatë të gjerdanit të miqësisë dhe të lidhjes së Shqipërisë me Austrinë apo të një tjetër xhevahir në kurorën e kësaj miqësie dhe pa asnjë diskutim nesër ju do të përmendeni së bashku me Meyer, Joklin, me Ippen, me Karl Gegen, me Aleksandër Moisiun në këtë komunitet shpirtrash që i ndihën kësaj miqësie dhe kësaj lidhjeje që ju po kontribuoni drejtpërdrejtë për ta bërë më të fortë.

Dhe mbi të gjitha ajo që i bashkon të gjithë ata austriakë të cilët e kanë emrin e shkuar në faqet e historisë së këtij vendi dhe që e bashkon dhe profesorin me ta është një fakt shumë i thjeshtë. Asnjëri prej tyre nuk iu qas Shqipërisë për të marrë por i qëndroi besnik Shqipërisë për ti dhënë dhe për këtë Shqipëria u është mirënjohëse dhe për këtë i dashur Hubert personalisht së bashku me rektorin, së bashku me kryetarin e kryetarin e Akademisë së Shkencave, së bashku me ministren e Arsimit apo me ministrin e Bujqësisë këtu të pranishëm, së bashku me të gjithë ekipin drejtues të Universitetit Bujqësor dhe së bashku me të gjithë komunitetin që ka nderin t’iu njoh dhe të punojë me ju, iu jemi thellësisht dhe përgjithmonë mirënjohës.

Tani unë do të dëshiroja që ju të vinit pranë meje për të marrë “Yllin e Mirënjohjes”, çka iu fut në një tjetër grup shumë të vogël njerëzisht, miqsh, aleatësh të cilët ne i kemi nderuar me ketë yll dhe patjetër të përgatiteni për propozimin e profesor Skënderit dhe siç thotë një fjalë “ku ka dy, ka tre”, ose “s’ka dy, pa tre”. Edhe një gjë tjetër që duhet të përgatitesh i dashur Hubert që do të vijë pa të marrë leje, pasaporta shqiptare, se ti nuk do ikësh nga kjo botë si austriak, po do ikësh si austriak dhe shqiptar.

Ju lutemi që ta na thoni pak fjalë dhe kjo është certifikata që vërteton për doganat austriake që ky send i vyer nuk është kontrabandë, por është origjinal, është i juaji dhe meritohet plotësisht prej jush.

Faleminderit shumë!

 

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.