Postuar më: 17. Korrik 2018

Negociatat për anëtarësim me BE, nis faza përgatitore e procesit

Kryeministri Edi Rama dhe Komisioneri europian për Zgjerimin, Johannes Hahn, takim me anëtarët e qeverisë dhe drejtues të administratës publike për nisjen e fazës  përgatitore të procesit të negociatave: 

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita të gjithëve!

Ju uroj mirëseardhjen dhe pikë së pari falënderoj Komisionerin Hahn për vizitën e tij të radhës, por që sot është një vizitë e posaçme, me pjesëmarrjen në këtë mbledhje të qeverisë dhe të të gjithë atyre që do të jenë pjesë e procesit madhor për të ardhmen e vendit, duke nisur me fazën e vlerësimit të legjislacionit vendas, me synim përafrimin me të drejtën europiane, për t’i kthyer këto 12 muaj që na ndajnë nga çelja formale e negociatave, në një periudhë pune intensive dhe për të bërë të mundur kësisoj, që me nisjen formale të procesit, Shqipëria të ketë një avantazh të rëndësishëm kohor.

Vendimi i Këshillit Europian i qershorit shënon një moment shumë të rëndësishëm, që konsolidon përfundimisht perspektivën europiane të Shqipërisë dhe përcakton pakthyeshmërinë e rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke i hapur rrugë shtratit, për të filluar negociatat mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian vitin e ardhshëm.

Besoj se vendimi i marrë në një moment tejet kompleks për Bashkimin Europian dhe në një proces jashtëzakonisht intensiv, ku, siç dihet tanimë nga të gjithë, për arsye të dinamikave të brendshme të disa vendeve u desh një përpjekje e pazakonshme e të gjithëve. Duke filluar nga Komisioneri, të cilin e kam falënderuar edhe më parë publikisht, por jo në prani të tij dhe e falënderoj sot, edhe në prani të tij, ashtu sikundër edhe të gjithë ekipin e tij, sëbashku me shefen e diplomacisë europiane, Federica Mogherinin, Presidentin e Komisionit Europian, pasi jo vetëm me dhënien e rekomandimit pozitiv pa kushte për Shqipërinë, por edhe me këmbënguljen deri në sekondën e fundit që Shqipërisë t’i njihej merita e shkruar dhe e çmuar në rekomandim bënë të mundur arritjen e një zgjidhjeje shumë pozitive. Zgjidhje, e cila e çliron procesin dhe duke përcaktuar një afat të qartë, e bën përgjegjësinë tonë në raport më këtë proces, jo vetëm të plotë, siç ka qenë më parë, por edhe të përcaktuar dhe të ndarë sipas të gjithë aspekteve të procesit në shpatullat, në radhë të parë, të të gjithë atyre që janë këtu të pranishëm, ministra, zëvendësministra, drejtues të administratës publike, sekretarë të përgjithshëm të ministrive.

Nisja e kësaj faze përgatitore dhe puna me një plan të qartë, në ndërveprim me Komisionin Europian nuk do të jetë aspak e lehtë. Ajo përbën një hap të rëndësishëm, por dhe të vështirë dhe kërkon një angazhim solemn, të përditshëm, nga të gjitha strukturat përkatëse të shtetit, si dhe një ritëm të lartë në funksion të arritjes së të gjithë objektivave të kësaj faze. Prej sot dhe deri në pranverën e vitit që vjen, ne jemi të detyruar ta përdorim me efikasitet maksimal kohën dhe të garantojmë një nivel të lartë koordinimi dhe ndërveprimi, jo vetëm për të thelluar reformat në fushat me rëndësi jetësore, jo vetëm për të vijuar të gjitha proceset e nisura dhe për të arritur të tjera rezultate, që nuk janë kërkesa të Brukselit, por janë detyrime ndaj vendit dhe për të ardhmen e vendit tonë, por edhe për të fuqizuar progresivisht dhe riorganizuar deri në qelizat fundore të gjitha njësitë koordinuese të procesit të negocimit për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Ne i kemi lexuar me vëmendje dhe analizuar rresht për rresht, qoftë rekomandimin e Komisionit, qoftë edhe konkluzionet e Këshillit Europian dhe besoj jemi shumë të qartë për detyrat që këto konkluzione përcaktojnë. Ashtu sikundër jemi shumë të vetëdijshëm, se, përderisa arritëm të marrim një rekomandim pozitiv pa kushte, si rezultat i punës së bërë, asgjë nuk na pengon që edhe punën e madhe që kemi përpara në këta 12 muaj ta bëjmë me cilësi të lartë dhe ta bëjmë pa asnjë të sharë, kur i themi ne në shqip.

Nevojitet që secili nga elementët e konkluzioneve të Këshillit të zbërthehet në masa të ndërmjetme. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi, plotësimi i këtyre masave do të monitorohet nga Këshilli i Ministrave, si dhe do t’i raportohet periodikisht Komisionit Europian. Ashtu sikundër e kemi diskutuar në vijimësi edhe më përfaqësuesit e lartë të Komisionit, lipset një rritje cilësore e punës tonë planifikuese dhe e përsëris, e koordinimit mes institucioneve, me qëllim që pozicioni ynë të konsolidohet në raport me Bashkimin Europian dhe me Këshillin Europian si organizmi fundor i vulosjes së vendimit për çeljen formale të negociatave.

Jemi po ashtu, besoj, të gjithë të përgjegjshëm, se forcimi i kapaciteteve institucionale për koordinimin, për raportimin dhe për zbatimin e masave që lidhen me procesin e negocimit është një tjetër provë që ne duhet ta japim, si provë e fuqisë tonë për modernizimin e shtetit, transformimin e administratës publike shqiptare dhe funksionimin me parametra të pëlqyeshëm të të gjitha strukturave dhe njësive të administratës sonë.

Dëshiroj të theksoj 3 aspekte në lidhje me këtë proces përgatitor, që do të na shoqërojë deri në pranverën e vitit të ardhshëm:

Aspekti i parë, është shumë e rëndësishme që procesi i negociatave për anëtarësim të vazhdojë dhe të ngrihet mbi procesin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Për të pasqyruar këtë sinergji, kreu i delegacionit shtetëror për ndërveprimin më të ngushtë dhe në vijim, për procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian do të jetë ministri për Europën dhe Punët e Jashtme.

Paralelisht me këtë, për të siguruar koordinimin teknik të procesit dhe harmonizimin e të gjithë punës përgatitore për hapjen formale të negociatave, qeveria do të ketë si koordinator teknik zëvendësministrin për Europën dhe Punët e Jashtme. Puna e koordinatorit teknik do të bazohet dhe patjetër do të varet në shkallë të madhe nga dy procese paralele; Së pari, njësia ekzistuese koordinimit të procesit të integrimit europian në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme do të fuqizohet, për t’u shndërruar në Sekretariatin e ardhshëm, që do të sigurojë në kohë dhe cilësi ndërveprimin institucional dhe monitorimin e procesit.

Së dyti, fuqizimi i strukturave koordinuese dhe përgjegjëse në ministritë e linjës e veçanërisht në dy ministritë kyçe, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme, që mbajnë edhe barrën më të madhe të këtij procesi përgatitor për kapitujt 23, 24, kapituj që përkojnë dhe me fushat prioritare të reformave tona të brendshme në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës, përbën një domosdoshmëri imediate. Bazuar në nevojën për këtë fuqizim progresiv të strukturave koordinuese të procesit të negociatave, ne kemi krijuar tashmë listën prioritare të akteve ligjore e nënligjore, që do të përcillen për miratim në Këshillin e Ministrave në gjysmën e parë të shtatorit.

Aspekti i dytë është që paralelisht me forcimin kapaciteteve të brendshme, përmirësimi i komunikimit me Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë, vendet anëtare dhe Komisionin Europian, nëpërmjet misionit tonë në Bruksel, merr një peshë shumë më të madhe. Prej këtij momenti dhe deri në pranverën e ardhshme, ne do t’i marrim të gjitha masat e nevojshme administrative dhe financiare që misioni ynë në Bruksel të zgjerohet dhe të përfshijë edhe përfaqësues të institucioneve të tjera të linjës, në respekt të kuadrit ligjor ekzistues. Rëndësi në këtë kontekst merr edhe ndërveprimi i shtuar me delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri, në funksion jo vetëm të dialogut politik, por edhe të prioritizimit të asistencës teknike dhe punës së institucioneve të linjës për zbatimin e masave që rrjedhin nga konkluzionet e Këshillit Europian të qershorit të shkuar.

Aspekti i tretë lidhet me rëndësinë themeltare që procesi teknik dhe procesi politik të ndërveprojnë në mënyrë sa më elastike me njëri-tjetrin. Për këtë arsye, të gjitha institucionet e linjës, por dhe institucionet e tjera jashtë ekzekutivit, si Kuvendi i Shqipërisë në radhë të parë, apo dhe institucionet e pavarura, duhet të ndërgjegjësohen për natyrën dhe hapat e procesit, por edhe për detyrat që i dalin secilit.

Këtë platformë diskutimi për çështjet e integrimit europian, të cilën e iniciojmë sot, në prani të Komisionerit Hahn, do ta përpunojmë në mënyrë periodike, me synim ngritjen dhe adresimin në nivel kolegjial të problematikave që dalin rrugës në këtë proces në momentin që ato shfaqen dhe nga drejtuesi më i lartë politik i secilit sektor të përfshirë.

Ne jemi shumë besimplotë që këtë proces përgatitor do ta kryejmë brenda kësaj kornize. Dua të theksoj se kryerja brenda kësaj kornize kohore e këtij procesi përgatitor nuk është aspak diçka e lehtë dhe afatet kohore do të jenë vetiu strikte dhe të shkurtra.

Ndërkohë, më lejoni që ta shtoj, fryma në vendet anëtare përsa i përket zgjerimit të Unionit me vendet reja nuk është se do bëhet më e mirë, të paktën në muajt në vijim, duke pasur parasysh edhe zgjedhjet e reja në Parlamentin Europian. Por kjo nuk do të thotë aspak se ne duhet të mbetemi peng i kësaj fryme, pasi, siç e tregoi qartësisht Këshilli Europian, pavarësisht një ere të fortë brendapërbrenda vetë Këshillit, qoftë Shqipëria, qoftë Maqedonia ia dolën me sukses që ta kapërcejnë dallgën e madhe të momentit dhe sido që të vijë, varet nga ne dhe vetëm nga ne, vazhdimi dhe thellimi i reformave transformuese që kemi ndërmarrë në drejtim të forcimit të shtetit ligjor, të rritjes së kapaciteteve dhe të funksionimit të administratës tonë shtetërore.

I gjithë ky proces dhe kjo fazë e re e kësaj rruge aspak të lehtë nuk do të ishte e mundur të shikohej me optimizmin që ne sot e shikojmë, nëse nuk do të kishim në krah Komisionin Europian dhe të gjithë njerëzit e përfshirë në emër të Komisionit në këtë proces, me eksperiencën e tyre të jashtëzakonshme, me dijen e tyre të thellë dhe më lejoni ta them, duke i falënderuar të gjithë, – janë këtu një pjesë të pranishëm, por ka dhe të tjerë që s’janë të pranishëm, – me një përkushtim shumë pozitiv për Shqipërinë. Ky është një element që ne që e ndjekim procesin nga brenda kemi mundur ta konstatojmë në më shumë se një rast dhe është një element që realisht na lehtëson e na motivon për ta bërë këtë punë me cilësinë më të lartë.

Ashtu sikundër, ia kam shprehur edhe Komisionarit, ka qenë një lehtësim dhe një motivim i veçantë fakti që në atë betejën 72-orëshe të vigjiljes së Këshillit Europian, Shqipëria ka pasur shumë miq. Miq që janë shfaqur të vërtetë e të vendosur e këtu nuk flas në mënyrë diplomatike, apo thjesht se duhet thënë një fjalë pozitive për ata që na mbështetën, por flas duke u bazuar tek fakti që, duke filluar nga ministrat e Jashtëm të vende fqinje, dy vende me rëndësi strategjike për Shqipërinë, ministri i Jashtëm i Italisë dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, duke vazhduar me ministrat e Jashtëm të një numri shumë të madh të vendeve anëtare, kanë luftuar për të drejtën tonë dhe që të na njihet merita jonë, njësoj siç do kishim luftuar ne për veten tonë. Pa llogaritur edhe faktin që në nivelin më të lartë, kur çështja do të trajtohej nga Këshilli, plot 25 vende janë bërë bllok, me vendosmëri, në krah të Shqipërisë dhe qoftë Franca, qoftë Holanda, pavarësisht vështirësive të tyre të brendshme, të shprehura qartë edhe në takimet që kemi pasur me Presidentin, me Kryeministrin dhe me ministrat e Jashtëm, u hapën dhe ofruan një zgjidhje pozitive kompromisi. Gjë që ne e vlerësojmë shumë.

Ashtu sikundër vlerësojmë shumë faktin që pas kësaj, marrëdhëniet tona me Komisionin, nuk diskutohet me vendet që na kanë mbështetur, por edhe me Francën dhe Holandën, në funksion të qershorit të ardhshëm, janë forcuar dhe janë intensifikuar. Qoftë me Presidentin e Francës, qoftë me Kryeministrin e Holandës, edhe në takimet që kemi pasur së fundi në Bruksel, unë kam parë një vullnet shumë pozitiv për të asistuar nga afër procesin, për të vënë në dispozicion të procesit eksperiencën dhe mbështetjen e tyre, me dëshirën e madhe pozitive që Shqipëria t’ia dalë dhe në fund të fundit, me bindjen e krijuar reciprokisht nga të gjithë vendet se qershori i ardhshëm do të jetë qershori i formalizmit të negociatave.

Unë dua t’i shpreh Komisionarit dhe gjithë ekipit që e shoqëron, mirënjohjen për gjithçka kanë bërë dhe besimin se në këtë kornizë të ngushtë kohore për gjithë këtë volum të madh pune që duhet të bëjmë, ne do t’ia dalim falë edhe mbështetjes dhe edhe frymës kritike të Komisionit në raport me çdo hap që ka ky proces.

Rezultatet edhe të vettingut po flasin çdo ditë për drejtësinë e rrugës së reformës në drejtësi, pavarësisht se nuk ka asnjëherë asgjë perfekte dhe të papërmirësueshme. Pastrimi i sistemit të drejtësisë është një proces i pakthyeshëm dhe përjashtimi nga pallati i drejtësisë, një pas një, i shumë figurave që deri dje mbanin peng drejtësinë dhe ishin superpushteti i këtij vendi, është një provë domethënëse e vullnetit, por edhe drejtësisë së gjithë asaj pune të konceptuar bashkërisht, me Misionin e Drejtësisë së Bashkimit Europian, me Misionin e Drejtësisë së SHBA, me Komisionin. Sot, ne mund ta shikojmë të ardhmen e sistemit të drejtësisë me shumë më tepër optimizëm, pavarësisht se rruga deri në funksionimin e plotë të sistemit të drejtësisë është ende e gjatë.

Shumë faleminderit edhe një herë dhe fjala është për ju, i dashur Komisioner, i bindur që boshllëqet e fjalimit tim, ju do t’i plotësoni, se u bë tani një kohë e gjatë që flasim e riflasim për sfidat e Shqipërisë.

Faleminderit!

Komisioneri Johannes Hahn: Faleminderit shumë Kryeministër!

Të nderuar ministra, zonja e zotërinj,

së pari, faleminderit shumë për fjalët miqësore dhe sidomos kur bëhet fjalë për ekipin tim, jo vetëm për ata që janë të pranishëm, por dhe për ata që janë në Bruksel, të cilët kanë qenë mjaft të angazhuar me ekipin këtu në Tiranë, sepse ka shumë herë më tepër njerëz që janë ulur në tryezë e meqë ra fjala, nuk jam ulur ndonjëherë në ndonjë tryezë më fantastike se kjo. Shpresoj që të jetë një model edhe për të tjerët. Është vërtetë një krijim mjaft i mirë, kjo tryezë, me këtë dizajno. Faleminderit shumë që na dhatë mundësinë të mësojmë diçka të re, por së pari e mbi të gjitha, duhet parë si një mundësi për të diskutuar zhvillimet më të fundit të marrëdhënieve midis BE-së dhe Shqipërisë dhe natyrisht, edhe Kryeministri iu referua disa detyrave e disa sfidave me të cilat përballemi.

Gjithashtu është e rëndësishme që të ndajmë edhe nga pikëvështrimi ynë se cilat janë hapat përpara nesh. Siç u tha nga Kryeministri, tashmë Këshilli i fundit i Çështjeve të Përgjithshme, në qershor vendosuri një objektiv të rëndësishëm për Shqipërinë, që u miratua gjithashtu disa ditë më pas nga Këshilli e ndërkohë paraqiti shtegun që çon drejt hapjes së negociatave për anëtarësim, por jo vetëm.

BE dhe shtetet anëtare kanë theksuar në mënyrë të qartë angazhimin e tyre të fortë ndaj politikës së zgjerimit, si një politikë kryesore e suksesshme e Unionit tonë. Unë gjithnjë e them këtë fjali, pra, ne ose do të eksportojmë si Union stabilitet, apo do të importojmë instabilitet dhe mendoj se ky është përshkrimi më i mirë në një fjali ë shkurtër për atë çfarë është arsyeja, por nuk është vetëm kjo. Kur bëhet fjala për Ballkanin Perëndimor, unë gjithnjë e them që do të ishte kompletimi i diçkaje që, sipas asaj që di unë, ka filluar që në 1989, që në rënien e Perdes së Hekurt e qysh kur Europa filloi të ribashkohej. Ky ribashkim, sipas meje, do të përfundohet vetëm atëherë kur vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë natyrisht Shqipërinë, do të anëtarësohen në BE.

Shtetet anëtare dhe kjo u përmend edhe një herë nga Kryeministri, kujtuan dhe më lini të citoj, zgjerimi vijon të përbëjë një investim strategjik për paqen, demokracinë, prosperitetin, sigurinë dhe stabilitetin në Europë.

Të nderuar kolegë, nëse do të mund ta thosha që në këtë këndvështrim jemi gati partnerë biznesi, kur bëhet fjalë për këtë lloj investimi dhe prania ime sot, në Tiranë, nënkupton veçanërisht përurimin e procesit analitik dhe ky është hapi i parë i procesit të negociatave që shtrihet përpara nesh. Mendova se do të ishte me dobi e me rëndësi që të sinjalizohej sa më shpejt të ishte e mundur, pas vendimit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, që të isha këtu në Tiranë e të ndanim këtë proces, për të mos humbur kohë, për të mos pritur deri në vjeshtë kur të vinte ftesa për këtë, por është shumë e rëndësishme gjithashtu edhe për qytetarët që ne të dëshmojmë angazhimin tonë të fortë, që jemi të zellshëm e nuk duam të humbasim asnjë ditë për këtë përpjekje, sepse vlerësimi analitik dhe këtu u drejtohem veçanërisht kolegëve nga administrata, jo vetëm ministrave, është një proces mjaft tërësor dhe i detajuar, që do t’i japë mundësi administratës të familjarizohet më tej me acqui-t e BE-së. Në të njëjtën kohë do t’i japi mundësi Komisionit të vlerësojë gatishmërinë e planet tuaja për harmonizimin e mëtejshëm me legjislacionin e BE-së.

Sëbashku po hyjmë në një fazë të re, e cila do të jetë mjaft kërkuese për të dyja palët. Në muajt në vijim, duke nisur mundësisht që prej shtatorit, do të zhvillohen takime në Bruksel, kapitull pas kapitulli, duke pasur një fokus të fortë tek kapitulli 23 dhe 24.

Shërbimet e mia po hartojnë një kalendar, të cilin do ta ndajmë me ju shumë shpejt, me qëllim që administrata juaj të bëjë të gjithë përgatitjet e nevojshme. Do të jetë thelbësore në periudhën që vjen, që të caktohen burime të mjaftueshëm në personel e buxhetore nga ana juaj, që të përballeni në mënyrën më efektive me këtë proces kaq teknik e të detajuar. Në fakt po shoh ministrin e Financave, megjithatë nuk është vetëm ai, por në çdo ministri të linjës do t’ju duhet një personel i mjaftueshëm, me përvojë, i cili do të negociojë me ne, sepse nuk është diçka që mund t’ia linim vetëm Ministrisë së Jashtme, apo Kryeministrisë. Është e nevojshme që të kihen njerëz me njohuri në të gjitha ministritë tuaja, sepse do të negocioni jo vetëm me ne. Ne do të jemi në tryezë gjithmonë, kur do të negocioni me drejtorinë e specializuar të Komisionit, ndaj është e rëndësishme që nga të dyja palët të kemi njerëz me përvojë në mënyrë që të kryejmë këtë procedurë kaq të rëndësishëm.

Paralelisht është shumë thelbësore që të vijojnë përpjekjet në programin e përparësive për reformat, duke ruajtur qëndrueshmërinë e progresit të arritur e duke intensifikuar përpjekjet.

Jam në fakt i sigurt që të gjithë jeni të vetëdijshëm që rruga që çoi drejt Këshillit të fundit të Çështjeve të Përgjithshme nuk ishte e lehtë. Fillimi i procesit të vlerësimit analitik nuk nënkupton se po shtypim butonin e nisjes nga e para, që do të thotë se po e nisim nga e para e që gjithçka që është bërë deri tani ka përfunduar. Nuk është aspak kështu. Të gjitha reformat që kanë nisur, duhet të vijojnë dhe natyrisht që shtetet anëtare do ta shohin me kujdes këtë gjë, por, pasi e kemi thënë këtë dhe Kryeministri ishte mjaft i drejtpërdrejtë dhe i hapur sa i takon mbështetjes dhe si të thuash, një hezitimi të vogël nga disa shtete anëtare, është e rëndësishme të theksohet se 25 shtete anëtare ishin fort në favor që negociatat të nisnin që dje.

Në thelb do doja t’ju thosha gjithashtu se edhe pse gjuha do të ishte e ndryshme, procedurat janë të njëjta dhe në një fare mënyre, ne i përputhim procedurat me gjuhën.

Siç e dini, në politikë shumë ka të bëjë me menaxhimin e pritshmërive dhe kjo është diçka, pra, procesi i vlerësimit analitik është diçka që duhet bërë me çdo vend që do të bëhet anëtar dhe e kemi bërë edhe me ata të mëparshmit. Në çdo rast, kjo fazë duhet të përmbushet dhe idealisht do të fillojmë pas një viti negociatat e me shpresë, ky është synimi ynë i përbashkët, mund të nisim kapitujt e parë nga fundi i vitit tjetër.

Ky do të jetë fokusi ynë dhe detyra që shtrihet përpara jush për muajt në vijim, është të vazhdoni të jepni rezultate në mënyrë që të tejkaloni çdo dyshim të mbetur se Shqipëria e meriton, apo të garantojmë që këto bisedime të fillojnë formalisht vitin tjetër.

Fusha kryesore e dimë të gjithë, natyrisht shteti i së drejtësi është diçka që shihet me shumë kujdes nga shtetet anëtare të BE-së, gjithashtu edhe nga Komisioni. Vettingu duhet të vijojë sëbashku me ristrukturimin e pritshëm institucional të gjyqësorit, si dhe krijimin e institucioneve të reja që parashikohen nga reforma kushtetuese e 2016-s. Në fakt, më lini të theksoj se falë suksesit të procesit të vettingut deri më tani, është e rëndësishme që vendimet për përfundimin e kësaj reforme duhet të shihen me kujdes, sidomos Parlamenti duhet të amendojë ligjin për Statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, në mënyrë që Shkolla e Magjistraturës të rritë numrin e studentëve të rekrutuar e trajnuar që prej fillimit të këtij viti. Është shumë e rëndësishëm që edhe anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor të emërohen. Është përgjegjësi e përbashkët e qeverisë dhe e opozitës që të zbatojë shpejt reformën në drejtësi dhe në një farë mënyre do të ishte e çuditshme, do të thosha, që si rezultat i një procesi të suksesshëm vettingu, ju të haseni me një situatë ku të mos keni gjyqtarë kompetentë. Kjo do të ishte vërtetë një disaster, si rezultat i këtij procesi mjaft të suksesshëm. Kështu që do dua t’i bëja thirrje të gjitha palëve politike, sepse ju duhet një shumicë e cilësuar në Parlament për të vendosur lidhur me këtë. Personalisht u habita, por edhe duhet ta kisha ditur që edhe për këtë, ju keni nevojë për shumicë të cilësuar, për të rritur numrin e studentëve në një institucion arsimor që duhet të ishte diçka shumë më e qartë. Megjithatë duhet të respektojmë caktimet ligjore.

Në pjesën operative, rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të vijojnë dhe mundësisht të intensifikohen. Ka gjithashtu edhe çështje të tjera të njohura, të cilat janë në radarin e shteteve tona anëtare, për të luftuar dukuri negative të kërkesave të pabazuara për azil të shtetasve shqiptar në zonën e Shengenit.

Gjithashtu edhe për reformën zgjedhore dhe trajtimi i rekomandimeve të ODIHR-it përpara zgjedhjeve të ardhshme, që në fakt përputhen shumë me këtë hapësirë, pra, të qershorit.

Në fakt, agjenda është shumë e qartë, nuk ka të reja, apo surpriza për ju në këtë drejtim. Do të doja t’ju thosha që Komisioni do të vijojë të shoqërojë përpjekjet tuaja. Megjithatë, topi është qartësisht tashmë në fushën tuaj. Ju duhet të bëni përpjekje të vazhdueshme për të qenë në kontakt me shtetet anëtare dhe për të vërtetuar progresin për çështjet e ndryshme të ndjeshme. Më lejoni të them këtu, që ministri i Jashtëm është shumë aktiv, por gjithashtu edhe ministri i Brendshëm mund të bashkohet me ju, nëse nuk ka ndodhur tashmë, sepse mendoj që ju mund t’i referoheni një historiku mjaft të mirë, por me sa duket disa duhet të binden që ky është realitet dhe jo diçka vetëm në letër.

Më lejoni tashmë që ta përmbyll këtë panoramë me disa komente përfundimtare;

Ne presim që ju të forconi punën kolektive gjatë muajve në vijim e përtej tyre. Ky do të jetë një tipar thelbësor për sukses, kur të nisin negociatat. Në fakt ,pjesa më e vështirë e negociatave nuk është angazhimi aktual me Komisionin. Në fund, Komisioni është këtu të lehtësojë punën tuaj në raport me harmonizimin me Aquis, që është diçka që nuk mund të negociohet. Por çështja më delikate do të jetë të gjesh kohezion dhe të krijohen sinergji virtuoze midis ekipeve tuaja dhe fushave të ndryshme të politikave që kërkojnë reforma.

Në të njëjtën kohë, dialogu i vazhdueshëm me opozitën duhet të kërkohet, duke forcuar në të njëjtën kohë edhe përfshirjen e shoqërisë civile. Në këtë ju uroj një rrugëtim të suksesshëm dhe mbështetem tek i gjithë zotimi e angazhimi juaj për ta bërë Shqipërinë një histori suksesi të anëtarësimit në BE.

Me sa kuptoj po bie shi jashtë, por me shpresë do të jetë e natyrisht derdhje lotësh lumturie për atë çka ka arritur vendi. Ju uroj një rrugëtim të suksesshëm e gjithashtu, në momentin që mbeteni të dedikuar, mund të arrijmë shumë e ndoshta më shpejt, sesa njerëzit mund të presin.

Kryeministri Edi Rama: Ne mund të përafrojmë të gjithë legjislacionin dhe mund të bëhemi totalisht njësh me Bashkimin Europian, por fjalën “bereqet” në anglisht nuk e gjejmë dot. Kemi një shprehje në shqip që “shiu është bereqet”. Mbase fjalën bereqet e shtojmë në fjalorin e Bashkimit Europian, kur ne të jemi anëtar. Por është pozitive. Fakti që shiu filloi, sapo ne filluam këtë takim, është një shenjë e mirë. Komisioneri tha lot lumturie, ne i themi në mënyrë më pragmatike bereqet.

Dua të them vetëm dy gjëra pas fjalës së Komisinerit.

Së pari, është shumë e rëndësishme për të gjithë që të kuptojmë thelbin e këtij momenti, që ka të bëjë pikërisht me atë që Komisioneri e shpjegoi si harmonizim të gjuhës së konkluzioneve të Këshillit, ku nga njëra anë është lënë një periudhë kohore përpara çeljes formale të negociatave, por nga ana tjetër është mundësuar fillimi i kësaj faze përgatitore që ne e nisim sot dhe që tradicionalisht fillon pas çeljes formale të negociatave. Që do të thotë se ne nuk kemi 12 muaj për të pritur, por kemi 12 muaj për të punuar intensivisht dhe me çeljen formale të negociatave do të gjendemi në një pozicion të avancuar në raport me detyrat e pafundme që do të jenë më tutje.

E dyta, është shumë e rëndësishme po ashtu, që nga ana ime të nënvizoj se ne jemi shumë të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e një procesi sa më ta harmonizuar politikisht. E di që në kontekstin e sotëm të Shqipërisë dhe të eksitimit politik mund të tingëllojë paksa si shumë optimiste, por me bindje them se në këtë proces është e domosdoshme që ne të krijojmë një tryezë tjetër, një tryezë të përbashkët, një tryezë pune të të gjitha palëve që mund të vazhdojnë dyluftimin jashtë kësaj tryeze, por duhet lënë një orë dhe një kohë për këtë tryezë, sepse, fjala vjen, nëse i referohemi atyre pikave orientuese që ka në konkluzionet e Këshillit, na duhet që të konkludojmë një reformë zgjedhore të nevojshme, të arsyeshme, të bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Rekomandimet janë shumë të qarta. Nuk kanë vend për ekuivoke apo për keqkuptime, që ne i krijojmë edhe aty ku s’ka vend, por në këtë rast, procesi është i shoqëruar edhe nga Komisioni, edhe nga të tjerë aktorë dhe është një mundësi e mirë, që në tryezën e reformës zgjedhore, bashkërisht me opozitën, ne të japim një rezultat në një kohë të shpejtë, pasi dhe në pikëpamje të legjislacionit tonë, që reforma zgjedhore të jetë aplikueshme në zgjedhjet e ardhshme, që janë pas një viti, duhet që legjislacioni të adoptohet të paktën deri në 6 muaj përpara. 

Kështu që kjo është një mundësi, ashtu sikundër është një mundësi e mirë edhe ajo çka Komisioneri tha lidhur me domosdoshmërinë për të zhbllokuar procesin për studentët e Magjistraturës. Nuk është një instrument për të bërë politikë bllokuese. Politika bllokuese nuk të çon larg, por na dëmton të gjithëve sëbashku. Megjithatë, këto janë tema që ne jemi duke u përgatitur për t’i trajtuar me opozitën. Shumë shpejt do të paraqesim një platformë propozimesh për bashkëpunim me opozitën. Do të kërkojmë angazhimin e opozitës, pa kërkuar dhe pa pretenduar për asnjë çast që opozita të lërë mënjanë betejën e saj politike, ashtu siç ajo e mendon në të drejtën e saj, por duke pretenduar që në këtë proces, Shqipëria të jetë e para dhe pastaj, interesat e partive dhe dinamikat e betejës politike të vijnë më pas.

Besoj që nuk e teproj nëse edhe njëherë i falënderoj miqtë që kanë ardhur nga Shkupi, ku edhe aty ka nisur sot i njëjti proces dhe jemi shumë të kënaqur që kemi dhe ne, atë kontributin tonë në mundësimin e nisjes së atij procesi në Shkup dhe do të jemi vazhdimisht të vetëdijshëm edhe për aspekte të tjera, që kanë të bëjnë me klimën politike, jo vetëm në vend, por edhe në rajon. Jemi në një proces negociatash që janë në një fazë shumë të avancuar me Greqinë. Sot jemi në fazën kur akuzohemi si tradhtarë edhe ne këtu, edhe ata atje. Pra, të dy palët po tradhtojnë atdheun e tyre, që do të thotë se, në fakt, e vërteta është se të dy palët po bëjnë më të mirën dhe nëse të dy palët akuzohen se po dorëzojnë atdheun e tyre te pala tjetër, do të thotë që askush s’po dorëzon asgjë tek tjetri në të vërtetë. Por kjo është diçka që do të dalë qartë në përfundim të negociatave që janë një tjetër hap i rëndësishëm pjekurie në raport me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, pasi Bashkimi Europian, jo për ne, por për të gjitha vendet që janë në këtë proces e ka bërë shumë të qartë që konflikte midis vendeve për arsye kufijsh e për arsye delimitimesh detare nuk do të barten brenda Bashkimit Europian, por do të zgjidhen përpara se vendet të anëtarësohen në Bashkimin Europian. Kjo besoj është një shtysë shumë pozitive, edhe pse ne, qoftë procesin e integrimit, qoftë procesin me Greqinë, nuk e bëjmë se na e kërkon Brukseli, por e bëjmë sepse janë pjesë e detyrave tona, për të garantuar një Shqipëri më të mirë për ata që vijnë pas nesh.

Shumë faleminderit!