Nënshkruhet kontrata me konsorciumin për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës

Qeveria shqiptare nënshkroi sot kontratën koncesionare me konsorciumit fitues për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Me nënshkrimin e saj hapet rruga për ndërtimin e një prej veprave më madhore të Aviacionit Civil Shqiptar dhe i vlerësuar të kthehet në një motor të ri të turizmit dhe ekonomisë shqiptare.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, në strategjinë për zhvillimin e Aviacionit Civil Shqiptar është një nga veprat më të mëdha. “Është dizajnuar për të akomoduar të gjitha fluturimet kudo në botë dhe sidomos në veçorinë e fluturimeve transopeanike që deri më sot nuk janë kryer në vendin tonë, për shkak të pistë jo të përshtatshme në aeroportin e Rinasit. Do të jetë aeroport i kategorisë 4E, një nga kategoritë më të lartë në republikën e Shqipërisë, duke plotësuar të gjitha kushtet europiane dhe ndërkombëtare të Aviacionit Civil”.

Behgjet Pacolli, në emër të konsorciumit deklaroi se ky është një investim madhor dhe një nga më të rëndësishmit  për të se “ndodh në një zonë e qytet historik siç është Vlora”.  

Përshëndetja e Kryeministrit Edi Rama:

 

“Ky për mua është një moment shumë më i rëndësishëm se vaksina, sepse realisht më jep mundësinë të buzëqesh pas një përpjekjeje shumë të gjatë. Një përpjekje aq të gjatë, me pengesa aq të shumta, saqë Belinda e di shumë mirë, në një moment të caktuar, unë fillova t’i them, nuk ka mundësi, ka një mallkim. Dikush e ka mallkuar këtë projekt, sepse sapo zgjidhnim një problem, lindte një tjetër.

Ka qenë një histori për t’u bërë libër, historia e rrugës sonë për të ardhur deri këtu, qysh në krye të herës, kur ne filluam një negociatë me konsorciunim që ndërtoi aeroportin e ri të Stambollit. Natyrisht ishte një konsorcium fantastik, me kapacitete të jashtëzakonshme, me një fuqi financiare absolutisht të padiskutueshme, por në fund, baca Behgjet e di, kush bën biznes nuk do me dit shumë sa i madh është volumi i biznesit, por do me dit për pjesën e vet të fitimit. Dhe ne konkluduam që oferta e bërë nga konsorciumi për shtetin shqiptar nuk ishte e përshtatshme. U detyruam t’i mbyllnim pa sukses ato negociata.

Më pas përgatitëm gjithë procesin për të dalë me një garë të hapur ndërkombëtare. E vërteta është që patëm shumë interesim nga një sërë kompanish që ndërtojnë e operojnë aeroporte në botë. Që nga Europa deri Argjentinë, duke kaluar edhe përmes Lindjes së Mesme. Ishim shumë të bindur që do të kishim një garë me shumë operatorë dhe do të kishim një zgjedhje shumë të kënaqshme, por tamam kur gara ishte në proces, ra virusi. Virus, i cili mbylli botën dhe sot e gjithë ditën është e qartë që industria më e goditur ndër të gjitha të gjitha industritë e bombarduara nga ky armik i padukshëm është industria aeroportuale. Në atë moment, të interesuarit na çuan kërkesa për ta pezulluar garën dhe gara u pezullua për t’u rihapur pas verës së shkuar. Gjatë kësaj periudhe ndodhi edhe bllokimi i të gjitha financimeve për kompanitë në industrinë aeroportuale, sepse të gjitha mbështetjet financiare që u dhanë nga qeveritë për to, ishin mbështetje që ne këtu i kemi quajtur pagat e luftës për mbijetesën e sektorit. Kështu kompanitë nuk mund të angazhoheshin në investime të reja, gjë që na la realisht, përsëri, jashtë procesit.

E mesa duket, gjerat ndodhin gjithmonë për një arsye. Unë nuk jam Hegelian, po në këtë rast dua të them që Hegeli ka pasur të drejtë kur thotë, “rastësia është shpata me të cilën domosdoshmëria çan rrugën.”

Mesa duket paska qenë e thënë që gjerat të rrotullohen në një mënyrë të atillë që një shqiptar, special natyrisht, shpëtoi ne të gjithë nga ky ankth dhe t’i japë Vlorës aeroportin e shumëdëshiruar. Nuk ka pasur për mua kënaqësi më të madhe në këtë proces, që s’ka qenë fare i mbushur me thënë të drejtën me kënaqësi, por vetëm me nervozizëm dhe zhgënjime, kur Belinda më ka telefonuar dhe më ka thënë që baca Behgjet ka hyrë në garë. E për hir të vërtetës ka qenë një tjetër arsye për ta dashur, për ta respektuar, për ta admiruar bacën Behgjet, sepse ne jemi shumë miq. Por absolutisht nuk zgjodhi rrugën e një telefonate me mua apo me Belindën, apo me këdo qoftë, sepse ai këtu është në shtëpinë e vet, për të thënë që unë dua të merrem me këtë punë, por hyri në garë pa i thënë askujt asgjë.

E fitoi garën me një konsorcium që i ka të gjitha kapacitetet dhe akoma më e rëndësishme për t’u thënë këtu pa lejen e tij, është çka më tha Belinda nga raporti i Komisionit, që në të gjitha garat ndërkombëtare të bëra në Shqipëri, gjatë gjithë periudhave, është konsorciumi që nuk ka paraqitur garanci financiare më atë shprehjen që themi ne, “ja u kemi lekët”. Por ka paraqitur të gjithë financimin në bllok. Gjë që është një garanci absolute për faktin që aeroporti qysh sot është 100% i financuar dhe nuk është në një kontratë që do ta çojë kompaninë nëpër banka për të treguar kontratën, për të thënë, ja unë…

Më vjen shumë mirë dhe kjo është personale, por mendoj që ja vlen ta ndaj me gjithë shqiptarët, sepse baca Behgjet e ka pasur një ëndërr të tijën, një obsesion, një fiksim, për të bërë në Shqipëri një vepër që do të kishte emrin e tij e do të ishte gjurma e tij. Nuk ka ardhur kurrë tek unë dhe s’ka vajtur as te të tjerët për të kërkuar leje ndërtimi për pallate, për vilat e veta, apo për të kërkuar të hyjë nëpër procedura të tjera për të fituar lekë në Shqipëri. Mund ta kishte bërë. Me siguri do të kishte ndërtuar në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë, edhe më mirë se shumë të tjerë. Po kurrë, asnjëherë!

E vetmja gjë që me bacën Behgjet kemi biseduar dhe me atë mënyrën e tij që i mban gjerat brenda dhe meazallah se i nxjerr, ka qenë, “si nuk mu dha mundësia të bëj diçka që të mbetet për Shqipërinë”. E pati tentuar dikur të transformonte hotel Dajtin e shkatërruar në një pikë referimi për krejt perspektivën e turizmit dhe e pat bërë në kohën, kur këtu as nuk mund të mendoje që Shqipëria do të bëhej kaq shpejt një vend atraktiv turistik, në kohën kur në Tiranë nuk kishte një vend ku të bëje një fotografi sepse nuk kishte sfonde. Në kohën kur këtu ishte errësirë e plotë dhe me siguri, nëse do të ishte pritur më mirë dhe jo me këmbët e para nga autoritetet e kohës e nëse do ta kishte kthyer hotel Dajtin, ashtu siç e kishte projektuar, do kishte qenë një dallëndyshe e parë që shumë më herët do kishte lajmëruar pranverën për turizmin në Shqipëri.

U keqtrajtua, u dëshpërua dhe e humbi, vërtetë e humbi, jo dëshirën, por motivin për të kërkuar që të bënte diçka. Gjërat erdhën në këtë mënyrë dhe besoj që është vendi i duhur, me njeriun e duhur, në kohën e duhur për të bërë diçka fantastike për Shqipërinë e për të bërë një gjë që të realizojë edhe ëndrrën e bacës Behgjet, që emri i tij të kujtohet gjithmonë, jo si emri i një biznesmeni, por si emri i një patrioti të madh që i ka pasur të gjitha mundësitë të kalojë jetën e vet me jahte e avionë, me sheikë e me pasanikë, të bredhë botën e të ngrohet në diell, kur këtu është dëborë, por që të gjitha i vuri në dispozicion të Kosovës, duke hyrë në një arenë balte. Duke u përfshirë në një hapësirë si ajo e politikës shqiptare që nuk është një hapësirë as dashamirëse e as bujare me ata që hyjnë në të me ideale, hyjnë me motivin për të lënë gjurmë.

E di shumë mirë që baca Behgjet e ka pasur një ëndërr të vjetër që të bënte diçka në Vlorë. Madje njëherë më ka thënë, – nuk e di a e mban mend ai, – që unë kurrë nuk e kisha ndërruar Kosovën nëse do kisha mundësi me lind përsëri, por me thënë të drejtën do isha menduar dy herë, a në Kosovë a në Vlorë me lind. Bacë, tani është e gjitha në dorën tënde.

Unë besoj që aeroporti i Vlorës është një motor i ri për ekonominë shqiptare.

Ne do të hapim katër porta na qielli, do t’i hapim me se s’bën, me këmbëngulje, me punë të madhe, me durim të madh, siç kemi pasur deri më tani me thënë të drejtën. Nëse mua personalisht më ka vlejtur gjithë kjo kohë, më ka vlejtur për të njohur  një dimension të vetes time që nuk e kisha ditur që e kisha, durimin, për të kalitur durimin.

Më tutje, mbase javën tjetër do të lançojmë garën për aeroportin e Sarandës. Tanimë që kontrata për Vlorën është mbyllur, investimi në Tiranë në aeroportin “Nënë Tereza” do të jetë një investim prej 99 milionë eurosh, sipas marrëveshjes së bërë me sipërmarrjen që tanimë e ka kthyer aeroportin e Tiranës në një aeroport shqiptar, të menaxhuar nga shqiptarët pas një periudhe goxha problematike nën menaxhimin e të huajve e aty do të ndërtohet terminali i ri, do të plotësohen të gjitha kushtet e munguara të pistës për fluturime transoqeanike.

Lajmi i bukur këtu sot është se pista e Vlorës dhe të gjitha kushtet e aeroportit të Vlorës janë të tilla që fluturimet New York – Shqipëri të mos jenë vetëm New York – Tiranë, Tiranë – New York, por edhe Vlorë – New York, New York – Vlorë. Unë e kam thënë dhe nuk i ndahem gjërave që them, pavarësisht se jo gjithmonë gjërat bëhen kur i dëshiron sepse ka edhe faktorë të tjerë objektivë që futen në mes, që “Fan Nolin”, ne do ta çojmë në Amerikë e shqiptarët do t’i sjellim nga Amerika direkt këtu në Shqipëri, pa qenë të detyruar të rrinë me orë të tëra nëpër aeroporte të tjera.

Por nuk është vetëm ky aspekti i rëndësishëm i fluturimeve transoqeanike, sepse Shqipëria do bëhet një vend ku numri i turistëve, numri i vizitorëve do të rritet eksponencialisht e nuk janë vetëm këto 4 porta nga qielli ku hyjnë dhe dy porta të vogla, aeroporti sportiv i Korçës dhe ai i Gjirokastrës që janë aeroporte të një niveli krejt tjetër, që sidoqoftë janë përsëri mundësi për të hyrë dhe katër portet e tjera nga deti, porti i ri turistik i Sarandës që ka nisur nga puna, ai i Durrësit që e prezantuam e që është tanimë në përgatitje për kantierin. Ai i Vlorës dhe ai i Shëngjinit që uroj dhe shpresoj që sëbashku me Belindën ta bëjmë të mundur që të fillojë brenda vitit 2023.

Baca Behgjet qesh me të madhe kur dëgjon këta injorantët, por injorantët insistojnë se Shqipëria nuk ka nevojë për aeroporte, Shqipëria nuk ka nevojë për porte, Shqipëria ka nevojë për bukë. Ndërkohë që, e para, shqiptarët nuk kanë vuajtur për bukë që nga koha e Skënderbeut, për bukë në kuptimin e urisë. Kurrë! Për arsye të vetë mënyrës se si është formësuar bashkësia shqiptare. Përtej kësaj, aeroportet dhe portet – përveç porteve turistike do kemi dhe dy porte të reja tregtarë të Durrësit e të Vlorës, – janë fabrikat më të mëdha të bukës për një vend, në kuptimin metaforik të fjalës dhe në këtë rast nuk flitet për bukë në kuptimin e ngushtë, por flitet për bukën e madhe të ekonomisë.

Kroacia ka 4 milionë banorë dhe është një nga plot shembujt që mund të sillen këtu. Ka 9 aeroporte. Është fuqia e 7-të turistike e botës. Një vend i vogël, i cili megjithëse është një vend i bekuar dhe shumë i bukur, nuk e ka kurrsesi të plotë, siç e kemi ne dhuratën që na ka bërë Zoti, sepse Zoti, Shqipërinë duket sikur e ka bërë ditën e diel kur e ka pasur pushim. E ka qëndisur. Në një hapësirë kaq të vogël, ne kemi jo vetëm turizmin bregdetar të Kroacisë, por kemi kapacitete të jashtëzakonshëm për turizmin malor, kapacitete të jashtëzakonshëm për agroturizmin dhe të gjitha këto porta do të bëjnë të mundur që ekonomia shqiptare, në vitet e ardhshme të punojë me shumë më tepër kuaj fuqi e do bëjnë të mundur që njerëzit këtu të kenë mundësi, jo vetëm për t’u punësuar, por mundësi punësimi cilësor sepse në aeroportin e Vlorës do duhen njerëz që të njohin shumë zanate në hangarin e mirëmbajtjes së avionëve që është një industri tjetër dhe është komplet e re për Shqipërinë. Do duhen njerëz të trajnuar dhe me një krah shumë të kualifikuar pune.

Vajza e djem që do të përfshihen në këtë proces. Prandaj paralelisht me këtë ne kemi folur dhe me bacën Behgjet, ne do të investohemi si shtet për të ndërtuar në Vlorë, Akademinë e Aviacionit që do të prodhojë ekspertët shqiptarë dhe deri tek pilotët shqiptar. I kemi ndërtuar programet sëbashku me partnerët dhe ne do të kemi akademi aviacioni, që do të thotë që jemi sot në një moment kur realisht Shqipëria është si ajo shprehja, meqë jemi edhe në muajin e Ramazanit, pas vuajtjes vjen lehtësimi. Sepse përtej pandemisë na është hapur një horizont i gjerë e tani na duhet vetëm të këmbëngulim me forcën e karakterit e të punojmë e të punojmë.

Jam shumë i lumtur sot, bacë, që të shoh këtu përballë, jo thjesht me kënaqësinë e të qenurit përballë teje si gjithmonë, por të shoh këtu përball si investitor dhe ndërtues në atdheun tënd dhe jam i bindur që ti do ta bësh këtë aeroport shumë më të bukur se sa është 3D-ja që kemi përgatitur ne sëbashku me arkitektët.

Jam i bindur që realisht kur të zbresin në këtë aeroport, vlonjatët do të ndihen edhe më krenarë edhe pse krenaria e tyre është kaq e madhe sa është problem nganjëherë ti e di, por shqiptaret do ndihen dhe më krenar, të huajt do ndihen që në momentin e parë të mrekulluar me këtë vend, të cilit Zoti i ka dhënë të gjitha dhe vetëm dora e robit nuk e ka lënë të ngrejë kokë, por sot është koha që sëbashku ne ta bëjmë Shqipërinë që mos ta ulë më kurrë kokën, por përkundrazi, ta ngrejë lartë e më lartë.

Shumë faleminderit baë!

Zoti qoftë me ty! Natyrisht, Zoti me Shqipërinë është, kjo nuk diskutohet!”