Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nënshkruan marrëveshjen për programin e mbështetjes dhe përgatitjes profesionale të studentëve. Ky program do të mundësojë zhvillimin e praktikave të paguara të punës për studentët e këtij universiteti, duke ofruar mundësinë që ata të përfshihen në projekte konkrete, të njohin nga afër proceset e zhvillimit të infrastrukturës dhe të zhvillojnë aftësi të nevojshme për tregun e punës.

Ky program synon të përmirësojë mundësitë për studentët dhe të krijojë një lidhje më të fortë mes arsimit dhe nevojave të tregut të punës, duke përfshirë gjithashtu një fokus të veçantë në rritjen e pjesëmarrjes së vajzave në fushat inxhinierike.

Në fjalimin e tij, Kryeministri theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes qeverisë dhe universiteteve për të siguruar mundësi konkrete për studentët, duke u ofruar atyre mundësinë për t’u integruar në tregun e punës që nga faza e studimeve.

***

Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve!

Shumë faleminderit për praninë tuaj në këtë aktivitet i cili përbën një moment të rëndësishëm në rrugën e thellimit të bashkëpunimit mes qeverisë dhe universitetit dhe pa përsëritur shumëçka që u tha këtu dua të sjell në vëmendje faktin se qysh kur ne e shpallëm Paktin për Universitetin procesi i ndërveprimit me Universitetin sipas fushave ka njohur zhvillime të vazhdueshme dhe eksperienca na ka mësuar që në këto bashkëpunime me fakultete të ndryshme ka shumë për të mësuar, por njëkohësisht ka gjithmonë më shumë për të bërë.

Programi i sotëm është shprehje e këtij fakti, por njëkohësisht përtej këtij programi i cili do të mundësojë rekrutimin për një praktikë të veçantë për një numër studentesh të këtij universiteti, ne duam që të shkojmë edhe më tutje dhe duam të artikulojmë edhe më shumë programe të posaçme të kësaj natyre për t’i dhënë mundësi të gjithë atyre që studiojnë në universitet që të fillojnë të materializojnë një perspektivë të se nesërmes pa mbaruar ende studimet dhe që të përfshihen në praktika pune të cilat iu  hapin atyre këtë perspektive dhe iu sigurojnë një informacion të domosdoshëm lidhur me si mund të bëhen pjese e përhershme e trupave të ndryshme që operojnë në funksion të interesave të shtetit shqiptar. E nga ana tjetër, për të krijuar ura të reja, kanale të reja bashkëpunimi në mënyrë që investimet dhe mbështetja e drejtpërdrejtë e qeverisë për universitetin të shkojë pikërisht në funksion të përfitimit të ndërsjellë. Të përfitimit të ndërsjellë ku ajo çfarë universiteti përfiton të materializohet në jetën konkrete të studenteve dhe ajo çka shteti investon të materializohet në impaktin që këta studentë kanë në rritjen e cilësisë së punës së strukturave përkatëse shtetërore.

Praktikat e punës tanimë janë bërë rutinë dhe çdo vit ne kemi një numër të konsiderueshme studentësh të cilët kanë mundësinë të shfrytëzojnë këto praktika pune për të realizuar pikërisht këtë tranzicion midis aulave të universitetit dhe frontit të punës në jetën e përditshme, ndërkohë që siç e tha rektori para meje, ndërkombëtarizimi është një proces që ka filluar të na japë rezultatet e para, por që kërkon që bashkërisht qeveria dhe trupa drejtuese e universiteteve të shtyjnë më shumë në mënyrë që shumë nga koha e humbur të mund të rifitohet.

Ne po bëjmë shumë përpjekje për të sjellë realitete të reja akademike nga jashtë, brenda në Shqipëri dhe duam njëkohësisht të mbështesim çdo përpjekje që bëjnë universitetet për tu hapur ndaj botës dhe për t’iu krijuar studentëve të tyre këtu në Shqipëri që të marrin drejtpërdrejtë si të ishin jashtë, atë çka bota jashtë në të gjithë rrjetin e universiteteve të veta ofron.

Po ashtu më vjen shumë mirë që Pakti për Universitetin funksionon edhe në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës dhe faktikisht ky universitet po fuqizohet me dy struktura të reja moderne të cilat do garantojnë hapësirë dhe kushte optimale për studentet, që nga inxhinieria deri te gjeologjia. Dhe patjetër që ne nuk do mjaftohemi me kaq se përtej kësaj infrastrukture të re dhe të domosdoshme është po kaq e domosdoshme që ne të mbështesim universitetin për tu fuqizuar me laboratorët e nevojshëm, për tu fuqizuar me teknologjinë e nevojshme në mënyrë që ndryshimi epokal që po ndodh kudo në botë ta përfshijë fuqimisht dhe universitetin.

Dhe në fund dua ta mbyll pikërisht me këtë ndryshim dhe me domosdoshmërinë që në çdo universitet ne të krijojmë sa më parë hapësirat për t’i dhënë mundësi pedagogëve, për t’i dhënë mundësi studentëve që të aktivizojnë talentet dhe dijet, por dhe kuriozitetin e tyre intelektual për inteligjencën artificiale. Është absolutisht e domosdoshme, por është absolutisht e mundur e mbi të gjitha ajo çka e bën ekzaltuese inteligjencën artificiale është se ka pak rëndësi se në cilën pikë të globit ndodhesh dhe ka pak rendësi se në cilin  rresht të klasifikimit të vendeve ndodhet vendi ku ti jeton, pasi përmes inteligjencës artificiale mund të bëhen kapërcime epokale të cilat përndryshe do ishin tërësisht të pamundura pavarësisht talenteve, pavarësisht ambicieve, pavarësisht vullnetit.

Kështu që në funksion të kësaj që thashë ne do përgatitemi që edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm dhe në buxhetet e viteve të ardhshme të kemi një komponent që të mbështesim të gjitha sprovat që do ia vlejnë që të mbështeten në këtë drejtim dhe për këtë arsye përfitoj nga rasti që t’iu bëj thirrje pedagogëve, t’iu bëj thirrje studenteve që të angazhohen sa më shumë për të punuar së bashku në funksion të rritjes së komponentit të inteligjencës artificiale në të gjithë hapësirat e universiteteve tona.

Ju falënderoj shumë dhe uroj shumë që për studentet që do të përfshihen në këtë program që synon rritjen numrit të vajzave në një fushë ku në fakt, ne nuk është se kemi një problem të pabarazisë gjinore, por programi është një program i tillë dhe nuk kemi po ashtu asnjë arsye që ta refuzojmë për sa kohë programi hyn një kuadër më të gjerë ndërveprimi me një institucion të rëndësishëm ndërkombëtar, unë përsëris atë që tha edhe ministrja, thirrjen që djemtë të mos dekurajohen nga mbështetja për vajzat, që burrat të mos e humbasin durimin nga mbështetja për gratë, tanimë edhe koha po e provon, që mbështetja për gratë dhe vajzat është investimi më i duhur dhe më i frytshëm dhe unë shpresoj që të jetën një investim, që qoftë dhe për inat, t’i motivojë edhe më shumë burrat sepse përgjithësisht janë më të rehatuar nga pikëpamja e procesit të të menduarit se sa ç’janë gratë dhe vajzat.

Kështu që ne na duhen sa më shumë njerëz të motivuar dhe të parehatuar me veten, por në kërkim të vazhdueshëm të sprovave dhe në sfidë të vazhdueshme me veten dhe në këtë aspekt si përfaqësues i gjinisë më të dobët, më vjen keq, por duhet edhe bashkëvuajtësit burra dhe djem, ta pranojnë që gratë janë më përpara se ne. Nuk kemi çfarë bëjmë tjetër, përveçse me shumë dinjitet, të dorëzohemi para këtij fakti e të përpiqemi të rikuperojmë sa të mundemi, të bindur që nuk do t’i kalojmë dot asnjëherë, por të paktën të arrijmë të jemi në lartësinë e të qenit bashkudhëtarë të tyre dhe t’u rrimë në krahë më sa më shumë dinjitet.

Shumë faleminderit!

 

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.