Mirëdita të gjithëve!
Është kënaqësi që jemi këtu sot jo për të kërkuar vota, por për të bërë realitet gjërat që u zotuam dhe për të cilat u votuam.
Ndryshe nga Fatosi që më falënderoi mua, unë dua t’ju falënderoj ju dhe të falënderoj të gjithë qytetaret dhe qytetarët e Lushnjës që duke na votuar, duke i besuar Aleancës për Shqipërinë Europiane, koalicionit të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, i dhanë vetes mundësinë që të na vënë në provë dhe njëkohësisht që të vijmë këtu, sot, për të folur për punët konkrete dhe për të çuar përpara punët konkrete.
Jemi zotuar që do të bëjmë për Lushnjen ç’nuk është bërë për 20 vjet dhe do ta bëjmë! Qoftë edhe ky hap i parë, që është vetëm fillimi, është një investim i konsiderueshëm që Lushnja nuk e merrte prej shumë vitesh, të marra sëbashku, nga qeveria në Tiranë, sepse shikohej si tokë e armikut. Por jo vetëm se shikohej si tokë e armikut, por edhe sepse për vite të tëra, qeveria në Tiranë i braktisi qytetet dhe për vite të tëra, qytetet e Shqipërisë vuajtën një rrënim të vazhdueshëm dhe humbën atë që qytetari ka gjënë më kryesore, fuqinë thithëse dhe tërheqëse, si dhe gravitetin për jetën sociale e kulturore të tyre.
Pikërisht, për të kthyer këtë gravitet, ne e kemi filluar programin e Rilindjes së qyteteve nga sheshet. Për t’i transformuar sheshet e trashëguara nga një kohë tjetër, në sheshe të qytetarëve, në hapësira publike ku ka për të gjithë një vend. Ka për fëmijët, ka për të moshuarit, ka për familjarët, ka për të rejat dhe të rinjtë. Sot janë praktikisht 18 mijë m2 të një hapësire publike, që ju e keni parasysh se në c’derexhe ishte, që kanë hyrë në rrugën e një transformimi europian. Ky shesh do të bëhet një nga sheshet më të bukur të Shqipërisë dhe do të jetë një nga pikat më tërheqëse të takimit për qytetarët. Për qytetarët e një bashkie që vetëm pas më pak se një vit do të jetë shumë më e madhe. Sepse me reformën e re të territorit dhe të organizimit të territorit, Bashkia e Lushnjes ashtu si bashkitë e tjera të Shqipërisë zgjerohet, merr më shumë frymëmarrje, përfshin më shumë potenciale dhe do të ketë kushte shumë më favorshme për t’u zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme, nga pikëpamja ekonomike dhe nga pikëpamja sociale.
Ky shesh që është vepër e një grupi arkitektësh të rinj dhe të talentuar është fillimi i një efekti zinxhir transformimi urban, ekonomik dhe social. Sot, normalisht, këtu duhet të ishin edhe deputetët e tjerë të Lushnjes, qoftë Erion Brace, qoftë Arben Çuko, por të dy janë në Komisionin e Ekonomisë ku diskutohet rishikimi i buxhetit të qeverisë.
Për herë të parë pas 5 viteve, Qeveria shqiptare rishikon buxhetin në rritje, jo në ulje. E rishikojmë buxhetin tani, sepse kemi kaluar pozitivisht parashikimin. Jo siç ka ndodhur 5 vjet rresht, që buxheti rishikohej, sepse parashikimet kishin qenë të ekzagjeruara dhe duheshin shkurtuar fondet.
Tani, me rishikimin e buxhetit që do të votohet në Parlament, ne do të financojmë plotësisht 51 projekte, duke bërë të mundur që të vazhdojë me ritme shumë të larta puna e zvarritur për shkak të mungesës së fondeve, në rrugën që lidh Lushnjën me Beratin. Transformimi i rrugës që lidh Lushnjën me Beratin do të jetë një vlerë e shtuar edhe për ju, edhe për qytetin tuaj, sepse ne e dimë të gjithë që Berati është një pasuri e madhe kulturore dhe turistike. Prurjet, që pavarësisht situatës së tmerrshme të rrugës kanë ardhur duke u rritur në Berat, me transformimin e rrugës dhe me transformimet që po ndodhin edhe në qytetin e Beratit do të shkojnë duke u shtuar. Nga kjo, sigurisht do të përfitojë Lushnja. Por që të përfitojë Lushnja, duhet që Lushnja vetë të ketë diçka për të ofruar. Ky shesh do të jetë një nga pikat tërheqëse të atyre që do të nisen për të vizituar Beratin. E, me siguri, do të shtohet jo vetëm vlera e hapësirës publike, por do të shtohet vlera e gjithë mjediseve tregtare rreth e rrotull, do të shtohet vlera e mjediseve tregtare, vlera e apartamenteve. E kështu me radhë, do të hyjmë në një proces zinxhir përmirësimesh.
Në të njëjtën kohë, realizimi i këtij sheshi do të ishte i mangët, edhe qoftë si hap i parë, pa rrugën hyrëse. Ju vetë e dini se në çfarë gjendje të paimagjinueshme është rruga hyrëse e Lushnjës, që nuk ka lidhje fare me rrugën hyrëse në një qytet kryesor për Shqipërinë, por që ishte katandisur në një shteg të mbushur me gropa, me baltë dhe me ndërtime të shëmtuara e të paligjshme në dy anët e saj. Ndaj, që nga rreth rrotullimi i Plugut deri tek rruga e hyrjes dhe tek momenti kur rruga bashkohet me qytetin, ne kemi vendosur të investojmë për të sjellë një transformim shumë të rëndësishëm. Jam i bindur që të dy këto projekte, sëbashku, do të funksionojnë më së miri për të çuar pastaj më tutje, punën me projekte të tjera. Tani, falë rishikimit të buxhetit, po diskutojmë edhe për rrugën që lidh Lushnjën me Karbunarën, që ju e dini shumë mirë, është një tjetër rrugë skandaloze. Investimi në atë rrugë do të na japë përsëri një vlerë të shtuar, jo thjeshtë nga pikëpamja e komoditetit, por edhe nga pikëpamja ekonomike dhe pikëpamja sociale. E, duke shtuar edhe investimin e rrugës Lushnje – Karburnarë, nga këtu në Karbunarë, parafytyroni që në një 1 vit dhe vetëm me buxhetin e një viti kemi financuar për qytetin e Lushnjës më shumë sesa në 10 vjet të shkuara, të marra së bashku, nga Qeveria. Sigurisht që financimi është meritë e juaja. Ne nuk jemi si të tjerë që i binin gjoksit me paratë e taksapaguesve, a thua se i nxirrnin nga xhepi, apo i nxirrnin nga kursimet e shtëpisë dhe a thua se i bënin nder njerëzve, kur ndërtonin rrugë. Por ne krenohemi dhe do të krenohemi për diçka tjetër që mënyrën, sesi i mbledhim, mënyrën sesi i planifikojmë dhe mënyrën sesi i shpenzojmë këto para, e bëjmë në një formë krejt të re. Kjo është arsyeja pse ne duhet të krenohemi. Sepse sot, në Shqipëri nuk paguajnë taksat vetëm më të dobëtit, por paguajnë taksat të gjithë, pa përjashtim. Kush kapet në mungesë të plotësimit të këtij detyrimi shkon në burg. Sot, në Shqipëri nuk paguajnë më shumë ata që fitojnë më pak dhe më pak ata që fitojnë më shumë. E kundërta ka ndodhur. Falë votës tuaj në 23 qershor, kush fiton më pak, sot paguan më pak. Për këtë arsye infermierët, mësueset, nëpunësit, të gjithë ata që fitojnë më pak se 1.3 milionë në muaj çojnë në shtëpi më shumë lekë se sa çonin deri dje, sepse paguajnë më pak taksa nga të ardhurat e tyre. Ndërkohë, të tjerët paguajnë më shumë. Por, ama, me taksat e tyre, ne bëjmë projekte dhe financojmë rrugët e zhvillimit. Rrugët e zhvillimit që fillojnë nga qytetet dhe jo me kurriz kthyer qyteteve, për të hedhur asfalt elektoral nëpër fshatra. Por me sytë nga qyteti, për të filluar dhe realizuar integrimin e gjithë komuniteteve në kufijtë e bashkive të reja të Shqipërisë, që do të jenë bashki me shumë më tepër mundësi financiare, me shumë më tepër zhvillim ekonomik dhe social dhe me shumë më tepër shërbime cilësore për të gjithë ju.
Unë e di shumë mirë që as ky shesh, as ajo rrugë, ajo rruga tjetër, as rrugë të tjera nuk do të zgjidhin sa hap e mbyll sytë të gjithë problemet tuaja. Por, nga ana tjetër, unë jam besimplotë se duke bërë hapat e duhur dhe duke ecur në rrugën e duhur, ne do të shkojmë hap pas hapi drejt zgjidhjes së gjithë problemeve në mënyrën e duhur.
Ju falënderoj shumë për praninë tuaj këtu dhe ju siguroj se ky është vetëm fillimi!
Jam i bindur se do të kthehem përsëri në Lushnje për kantiere të reja, për punë të tjera të mira.
Ju jeni me fat, se keni këtu një grup njerëzish që janë seriozisht të angazhuar, qofshin në njësitë vendore, qofshin në Parlamentin e Shqipërisë. Në Parlament ku jemi dy parti, por jemi një forcë e vetme që punon në një drejtim të vetëm, për një qëllim të vetëm; Të justifikojë çdo votë të 23 qershorit dhe që t’u shërbejë të gjithë shqiptarëve pa dallim, na votuan apo nuk na votuan, për të pasur më shumë cilësi jetë dhe për të pasur më shumë arsye që të ndjehen mirë në shtëpinë e tyre.
***
Lushnja ishte sot, ndalesa e radhës e Kryeministrit Edi Rama, për të startuar edhe këtu, programin e qeverisë për rikonceptimin urban të qyteteve. Brenda shtatë muajve, në sajë të investimit me rreth 237 milionë lekë, rruga hyrëse, si dhe sheshi qendror i Lushnjës do ju ofrohen qytetarëve të saj me modelime urbane që përmbushin të gjitha standardet bashkëkohore.
Me një investim prej 129 805 000 lekë, parashikohet rikualifikimi urban i qendrës, që do të harmonizojë zonën këmbësore, me njësitë tregtare dhe të biznesit, të rikonceptuara në funksion të rigjallërimit të sheshit, sipërfaqet e gjelbra dhe unifikimin e fasadave. Me përfundimin e projektit, 18 000 m2 sipërfaqe e sheshit qendror dhe 1060 metra rrugë, aktualisht në gjendje të amortizuar, do t’i shërbejnë më mirë nevojave të qytetarëve.
Edhe projekti i dytë, rruga hyrëse e Lushnjes, investim 107 574 000 lekë, parashikon zgjerimin e rrugës dhe plotësimin e saj me tërësinë e elementëve rrugorë, me ndriçim dhe rikonceptim urban i hapësirave përreth.
Në këtë vizitë, Kryeministri shoqërohej nga Ministrja e Turizmit dhe Zhvillimit Urban, Englantina Gjermeni dhe Kryetari i Bashkisë Lushnje, Fatos Tushe.
Ministrja Gjermeni vlerësoi punën e bashkisë për hartimin e një projekti konkurrues. Për Gjermenin, projektet e nisura janë përmbushje e një dëshire të gjithhershme e qytetarëve të Lushnjes dhe një zotim i Qeverisë.
“Premtimet që kemi në programin qeverisës të koalicionit vërtet po bëhen realitet. Kam kënaqësi të veçantë gjithashtu të them që këto projekte, që kanë filluar që ta kthejnë Lushnjen në një kantier ndërtimi. Shumë shpejt do të realizohen dhe fotot që keni këtu janë realiteti që do të keni shumë shpejtë në Lushnje,” –theksoi ministrja Gjermeni.
Gjatë inspektimit të rrugës hyrëse, Kryetari i bashkisë Tushe ngritur shqetësimin e ekzistencës së ndërtimeve ngjitur me trasenë e hekurudhës, të pajisura me dokumentacionin e pronësisë vetëm në datën 13 shtator 2013.
“Rruga do jetë në të dy anët me 3 m trotuare, dy korsi lëvizjeje nga 7m secila dhe trafikndarës 2m. Sigurisht që, këtu ka edhe ndërtime që ndodhen ngjitur me pjesën e trasesë së hekurudhës, që patjetër kërkohet ndërhyrja, për shkak edhe të ligjit që nuk lejon 25 m nga traseja. Është e paimagjinueshme që ngjitur me trasenë e hekurudhës të hipotekohen objekte të tilla,”– ishte shqetësimi i ngritur nga Tushe.
I informuar nga Tushe se këto objekte të hipotekuara tre ditë përpara se të votohej Qeveria, në 13 shtator 2013, Kryeministri Rama tha se duhet bërë pastrimi i plotë gjithë ndërtimeve të paligjshme.
“Këtu duhet bërë pastrim i plotë. Të gjithë këto ndërtime të ngritura mbi kanale, të ngritura ngjitur me shinat, duhet të prishen, sepse është komplet e patolerueshme, e paligjshme, skandaloze,” përfundoi Kryeministri i cili e përshkoi gjithë rrugën hyrëse të qytetit në dy krahët e së cilës ndërkohë ishin shembur të gjitha ndërtimet pa leje.