Një fond i qeverisë për rilindjen urbane si asnjëherë më parë

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e projekteve fituese të zhvillimit të rajoneve, i vënë në dispozicion nga qeveria për të mbështetur 59 projekte zhvillimore në bashki dhe komuna të ndryshme në 12 qarqet e vendit:

Me siguri është një ditë për t’i thënë disa fjalë lidhur me këtë paketë të re dhe transformuese investimesh, e cila hapet sot, por nuk mbyllet sot.  Projektet që do të marrin udhë menjëherë janë projektet që dolën fituese nga thirrja e parë. Thirrja e dytë është e hapur dhe pjesa tjetër e paketës së investimeve do të plotësohet me përzgjedhjen e projekteve të tjera. Por, nga ky proces ka disa gjëra të rëndësishme për të nënvizuar;

Së pari, ne, edhe jo të befasuar, por gjithsesi shumë të çuditur kemi parë sesi ka funksionuar në vite një Fond i quajtur i Zhvillimit të Rajoneve, pa asnjë standard nga pikëpamja e projektimit, pa asnjë standard nga pikëpamja e përzgjedhjes dhe pa asnjë standard nga pikëpamja e implementimit.

Nga ana tjetër kemi parë sesi në të njëjtën kohë, kjo mungesë standardesh lidhet edhe me një mungesë të qartë kapacitetesh në nivelin vendor, por edhe më shumë se kaq, me një mungesë të përbashkët kapaciteti për të financuar zhvillim rajonal, siç e thotë emri i Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, në kushtet e një fragmentimi kaq dramatik të territorit dhe një copëzimi kaq asfiksues të administrimit vendor.

Kjo ka qenë një eksperiencë, e cila na ka mundësuar ta prekim nga fare afër, atë që është plaga e madhe dhe që gjeneron në vijimësi, një infeksion dobësues për gjithë organizmin e vendit, që është plaga e copëzimit territorial dhe e copëzimit të administrimit të territorit. Një plagë që ne synojmë ta kurojmë me efektshmëri përmes reformës administrativo-territoriale, që është pa më të voglin dyshim, terapia intensive, e domosdoshme sot, për të marrë në vijim, pastaj, produkte krejtësisht të tjera për nga cilësia dhe për të dhënë në vijim, fonde që kthehen në cilësi e re jete për njerëzit.

Nga ana tjetër, ne jemi çuditur sesi Fondi i Zhvillimit të Rajoneve është parë tërësisht i shkëputur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Dy struktura, të cilat në thelb bëjnë të njëjtën gjë, por në mënyrën e organizimit kanë jetuar krejtësisht të ndara nga njëra-tjetra, pa asnjë mekanizëm koordinimi. Mungesa e këtij mekanizmi koordinimi ka bërë që po të shikosh grafikun e investimeve në vite, të jetë tërësisht i zhbalancuar dhe të jetë tërësisht i pakuptueshëm në logjikën e vet. Po ashtu, ka bërë që për shkak se investimet kanë qenë jashtëzakonisht të copëzuara, jashtëzakonisht të çoroditura dhe jashtëzakonisht të lidhura me interesa, le të themi politike, për mos thënë më shumë se kaq, të mos kemi investime që pastaj të gjenerojnë një zinxhir vlerash që shkon në rritje.

E, për këtë arsye besoj, jemi sot të qetë që po vendosim hallkën e parë të një zinxhiri vlerash që do shkojë në rritje, duke kthyer sytë aty ku duhet të fillojë zhvillimi i rajoneve dhe aty ku duhet të nisë një zinxhir investimesh, për të gjeneruar gjithë atë masë vlerash që presim nga një investim, tek qendrat e gravitetit të jetës ekonomike, të jetës sociale dhe padyshim, edhe tek qendrat e gravitetit që lidhen me prioritetet tona, tërësore, të zhvillimit.

Është e pabesueshme të mendosh, p.sh, që një nga qendrat e gravitetit të zhvillimit të këtij vendi, jo prej 10, as prej 100, por prej 2 mijë vjetësh është Berati, është një qytet për të cilin gjithë flasim, është një qytet të cilin gjithë e dimë që është një pasuri e madhe dhe ndërkohë, ne jo vetëm që nuk fitojmë gjë nga kjo pasuri, prej kaq shumë vitesh, por, përkundrazi, për shumë vite e kemi lënë këtë pasuri në mëshirën e fatit. Parafytyrojeni që investimi fundit i qeverisë shqiptare në qytetin Beratit është bërë në vitet ’70-të. Lëreni se çfarë ka investuar vetë Bashkia e Beratit, me të ardhurat e veta. Me ato të ardhura modeste që ka pasur dhe ato mundësi shumë të kufizuara që ka pasur në gjithë këto 20 e kusur vite. Investim i drejtpërdrejtë i qeverisë shqiptare në qytetin Beratit, i fundit është në vitet ’70-të.

Përfytyroni Gjirokastrën. Flasim për një vlerë tjetër të madhe kombëtare, por dhe për një pasuri që duhet të na gjenerojë pasuri dhe që nuk duhet të na tretet para syve, siç është tretur në gjithë këto vite. Investim i fundit i qeverisë shqiptare në Gjirokastër është në vitet ’80-të. Në fillim të viteve ’80-të, madje, për të qenë i saktë. Pa llogaritur pastaj, atë pjesën e investimit për monumentin e Enver Hoxhës. Por, po flasim për investime që i kanë ardhur qytetit në ndihmë. Gjithçka çfarë është bërë, është bërë vetëm nga bashkia. Kushtet e Beratit e të Gjirokastrës, të këtyre dy vlerave të njohura jo shqiptarisht, por botërisht si vlera të trashëgimisë kulturore botërore, sot janë aktakuza më e madhe për politikën tërësisht qorre të investimeve dhe dritëshkurtësinë, me të cilën qeveritë kanë parë burimet tona të zhvillimit. Të investosh në Berat e të investosh në Gjirokastër nuk është të investosh në dy qytete, por është të investosh në dy burime ekonomike zhvillimi, që që të gjenerojnë zhvillim jo thjesht për vete, por për gjithë rajonin rreth e rrotull.

Për këtë arsye, ne do të investojmë aq sa nuk është investuar në 20 vjet, të mbledhura sëbashku, qoftë në Gjirokastër, qoftë në Berat. Dhe do të fillojmë të rindërtojmë qytetin e vjetër, duke rindërtuar 30 rrugë kalldrëmi brenda në qytet, që praktikisht po zhduken dhe padyshim, duke u dhënë mundësi zanateve tradicionale të mos vdesin pas kësaj agonie të gjatë.

Ashtu sikundër do të investojmë për të zgjeruar frymëmarrjen e Gjirokastrës dhe të Beratit.

U fokusova tek këto të dyja se e nisa nga shumë vjet më parë. Por po kaloj tek Bulqiza. Një qytet, cili për vite të tëra është bërë sinonimi i vdekjes dhe i skllavërisë. Një qytet ku lindin fëmijë, një qytet ku martohen njerëz të dashuruar, një qytet që gratë që kanë burrat në punë nuk e dinë nëse do t’i ritakojnë në darkë. Një qytet ku për 20 e kusur vite nuk është bërë asnjë investim dhe ku ne do të investojmë për t’i dhënë mundësi gjithë atij komuniteti, por edhe gjithë rrethinave, që të kuptojnë se nuk janë aty për të pritur vdekjen, por janë aty edhe për të jetuar dhe janë aty edhe për të ëndërruar se çdo ditë do të jetë edhe më e mirë.

Ne do të investojmë qoftë në Berat, qoftë në Gjirokastër, qoftë në Bulqizë, qoftë në gjithë këtë pjesë të parë të paketës sonë, tek shtylla kurrizore e qendrave të rajoneve, e qendrave të rretheve, e qendrave të jetës urbane.

Nga Bulqiza po kaloj në Lezhë. Qyteti i historisë, qyteti i Besëlidhjes, qyteti i Skënderbeut. Unë nuk e di se kur, por ndoshta asnjëherë nuk do kemi më mundësi që të kemi një pikë referimi që t’i afrohet Skënderbeut, ndërkohë që në qytetin e Lezhës, investimi i fundit i qeverisë është përsëri para viteve ’90-të. Ndërkohë që për të shkuar tek memoriali i heroit tonë kombëtar, duhet të kalosh në një rrugë, në një shteg, ku nuk shkel mbi asnjë metër katror asfalt, gurë apo bar, të vendosur apo të mbjellë mbas vitit ’90-të. Dhe më keq akoma se kaq, përpara se të shkosh tek vendi ku i bëhet nderimi Skënderbeut, duhet të merresh vesh me delet se kush duhet të kalojë, sepse rruga nuk merret vesh ku mbaron për njeriun dhe ku fillon për bagëtitë.

Projektet e Lezhës janë projekte që përveçse do t’i kthejnë dinjitetin e nëpërkëmbur për vite me radhë, një qyteti me rëndësi të madhe për historinë tonë kombëtare, përveçse do të japin shenjën e parë se pse ne mendojmë që Lezha është një qytet turistik, sepse me fjalë e themi gjithmonë, por kur shkon ne Lezhë nuk kupton se çfarë ka turistike aty, për shkak se asgjë nuk është bërë për ta nxjerrë në evidencë, do të japim edhe një mesazh tjetër shumë të qartë për gjithë zonën e veriut, sesi në zonën e veriut, përmes këtyre projekteve transformuese, një tjetër parakusht i munguar i zhvillimit do të bëhet dimension real i jetës së njerëzve. E për këtë arsye, besojmë shumë, që me projektet, – e përmendi Zëvendëskryeministri, do  ta përmend edhe unë, – shumë cilësore të sjella nga kryetari i Bashkisë së Lezhës, ne do të jemi të gjithë, në fund të këtij viti besoj, të bindur se sa shumë vite kemi humbur në grinë e harresës dhe të braktisjes së asaj zone.

Meqë jemi tek Skënderbeu, unë nuk e di kur keni shkuar për herë të fundit drejt Kalasë së Krujës, por jam i bindur se kush ka shkuar, është ndjerë më në vështirësi se ata që erdhën nga larg për ta pushtuar Krujën, sepse rruga e Fushë Krujës drejt Krujës është një tmerr. Është një tmerr që tregon sesa seriozë kanë qenë në vite, ata që na kanë treguar histori, sa herë që është dashur në fakt të tregojnë se çfarë po bëjnë për të sotmen e vendit, ata që na kanë treguar Skënderbeun, sa herë që është dashur në fakt të na japin llogari pse grabisin paratë e Rrugës së Kombit.

Bashkimi i forcave me Fondin Shqiptar të Zhvillimit ka bërë që gjithë projektet të kalojnë në një filtër që i ka standardizuar ato. Nuk dua të bëj shumë komente, sepse nuk është përgjegjësia e shumë, e shumë, e shumë njësive të vogla vendore që nuk arrijnë dot të bëjnë një projekt, por, realisht, pjesa më e madhe e projekteve nuk ishin projekte. Ishin thjesht kërkesa, të pashoqëruara me asnjë lloj forme, që mund të quhet projekt. Ashtu sikundër edhe ndër projektet fituese është dashur ndihma e Fondit Shqiptar të Zhvillimit për të standardizuar preventivët.

Më lejoni që t’ju sjell këtu, në vëmendje, një paragraf të shkëputur nga një punim, i financuar nga Komisioni Europian për Europën e Bashkuar, që lidhet me zhvillimin rajonal dhe që konstaton se pa as më të voglin dyshim, graviteti i zhvillimit rajonal janë qytetet dhe qyteti i së ardhmes është pikërisht ajo hapësirë publike, e cila garanton se jeta përreth është një ekonomi lokale e qëndrueshme, një model i harmonizuar i zhvillimit të qëndrueshëm, një qeverisje që i adoptohet ndryshimeve të shpejta, një hapësirë ku zhvillohen disa sektorë, një hapësirë ku hapësira publike është tërheqëse për njerëzit, një përmasë thithëse kundër depopullimit rural, një instrument lufte kundër çdo lloj përjashtimi social, një cilësi e re jete përsa i përket banimit edhe jashtë banesës dhe padyshim, inovacion social dhe dinamizëm i qyteteve të vogla dhe mesatare.

Si ka mundësi që njerëzit, të cilët jetojnë në hapësirat që janë hapësira qendra, po marrim Gramshin, për gjithë rrethinat të kenë qenë për 20 e kusur vite të harruar tërësisht dhe një qytet si Gramshi të ketë qenë për 20 e kusur vite i detyruar që të jetojë vetëm rrënimin e vet, duke u mbajtur me aspirinat dhe me makijazhin krejt sipërfaqësor e krejt ditor të pushtetit të vet vendor.

E njëjta gjë mund të thuhet për Librazhdin. E njëjta gjë mund të thuhet për Selenicën, një tjetër territor i asgjëkundit, ku nuk ndodh asgjë prej 20 e kusur vitesh, nga pikëpamja e minimumit të jetës urbane. Por, përkundrazi, ku bie çdo ditë copë-copë, lëkura e fundit që i ka mbetur një qyteti si Selenica, që ashtu si Gramshi, ashtu si Librazhdi ka rëndësinë e vet. Në rast se i pari, për përmasën e zhvillimit rural në atë zonë përreth qytetit, i dyti, për pozicionin e vet tranzit, i treti, për faktin se një burim i madh zhvillimi i industrisë sonë është aty pranë dhe është e paimagjinueshme që ajo zonë të braktiset tërësisht, për shkak se mungon gjithçka në hapësirën e vet urbane.

E pra, besoj që ajo çka kemi bërë me këtë hap të parë është shumë domethënëse për atë që vjen më pas. Sepse ky është vetëm fillimi. Është vetëm fillimi për Elbasanin, që nuk mund të jetë qyteti i kufizuar tek bulevardi, që arriti më në fund ta rindërtojë me paratë e të ardhurave të veta Bashkia Elbasan, ndërkohë që rruga hyrëse dhe gjithë unaza e vogël e qytetit është njësoj si ajo e Fushë Krujës dhe duket sikur do të jetë e pamundur të arrish në fund të rrugës, pa kërkuar ndihmë për makinën që mund të të ngeci metër pas metri. Dhe për më tepër, qyteti ku do të presim ndeshjet e skuadrës sonë kombëtare nuk mund të ketë në bulevardin e vet kryesor, ndriçuesit e viteve  ’70-të, me llambat e viteve të fundit, kuptohet.

Si Elbasani, ashtu edhe Durrësi. Nuk mundet dot një qytet që është pjesë e metropolit të mbahet me shpenzimet minimale që mund të bëjë një bashki, në kushtet kur qoftë Elbasani, qoftë Durrësi nuk janë të vetvetes, por janë të të gjithë territorit rreth e rrotull dhe më shumë se kaq. Durrësi është edhe i Kosovës, kur vjen sezoni i verës. Është e papërfytyrueshme që në atë territor, ne të mos kemi asnjë hyrje, asnjë dalje, asnjë rrugë të denjë për aspiratat tona dhe për atë çka mund të ofrojmë ne, me mundësitë financiare që kemi, në gjithë zonën turistike të qytetit.

Për të shkuar më tutje pastaj, me radhë, edhe në jug, ku në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit kemi ndarë në një farë mase mes Fondit Rajonal dhe FSHZH-së edhe peshën e investimeve, që do të fillojnë me një investim shumë të madh, jo nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, por nga donatorët përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për vijën bregdetare të Vlorës.

Por, ndërkohë, me Fondin Shqiptar të Zhvillimit do të prekim Qeparoin, një nga 7 fshatrat xhevahire të bregdetit tonë, për të dhënë modelin e parë sesi mund të jetë një nga këto fshatra, pa bërë ndonjë shpikje dhe pa bërë ndonjë investim kolosal, por thjesht duke bërë një ndërhyrje të natyrës transformuese urbane, në gjithë tërësinë e vet. Do të prekim Dhërmiun, do të prekim Orikumin, përmes projekteve që ka propozuar kryetari i bashkisë. Në fakt, të gjithë këto janë propozime të bashkive, por kemi punuar ngushtësisht me skuadrën, e ngritur nga Zëvendëskryeministri, të arkitektëve, të urbanistëve, të inxhinierëve, për t’i dhënë një ndihmë gjithë njësive vendore që në pamundësi të brendshme nuk kanë arritur dot të bëjnë gjithçka dhe të përfundojnë projektet me standardet e nevojshme.

Është shumë me rëndësi, po ashtu, të theksohet se nga ndërhyrja e Fondit Shqiptar të Zhvillimit kemi kursyer 33% të preventivave të fillimit dhe kemi standardizuar po ashtu preventivat, duke bërë të mundur që të mbulojmë një numër më të madh projektesh. Jemi shumë të kënaqur që mbas 20 e kusur vitesh do të investojmë në Kavajë, do të investojmë edhe në Tepelenë. Në Tepelenë, që është një territori i braktisur që nga koha e Ali Pashës, që la pas kalanë dhe qysh atëherë, absolutisht, përveç ngrehinave të Realizmit Socialist nuk ka ndodhur asgjë. Ne do të ndërhyjmë për të rivitalizuar përsëri zemrën e qytetit, që është rivitalizim jo vetëm i zemrës së qytetit, por edhe i zemrës së gjithë krahinës, sepse gjithë krahina zbret aty, për të qarë hallet me fantazmën e Ali Pashës.

Po ashtu, projekti i bashkisë së Kavajës ka marrë përgjigjen pozitive, për një rindërtim të plotë të të gjithë sheshit dhe të rrugëve të hyrjes në shesh, me standarde krejt të tjera dhe krejt të merituar për një komunitet që për vite të tëra nuk ka arritur dot të shikojë asgjë, deri kur në vitin 2011 e dini mirë historinë, sesi Kavaja pastaj ra në duart që po e nxjerrin nga errësira dhe nga pluhuri i llahtarshëm i gjithë atyre viteve harresë dhe talljeje demokratike.

Me Fondin Shqiptar të Zhvillimit kemi shkuar përpara për projektin integrues të territoreve të shqiptarëve dhe të lëvizjes sa më të lehtë të shqiptarëve, aty ku banojnë, qoftë në zonën kufitare të Malit të Zi, qoftë në pjesën e Kosovës dhe në bashkëpunim me bashkinë apo komunën siç i thonë, të Gjakovës kemi filluar punën për një projekt tjetër të integruar të ekoturizmit. Ndërkohë që do t’i japim fund kalvarit të pafund dhe që është një kalvar, në fakt, që ka filluar apo që ka qenë gjithë jetën, rrugës deri lart, që përshkon gjithë Malësinë e Madhe drejt Thethit. Ashtu sikundër do të bëjmë në bashkëpunim me Qeverinë e Malit të Zi, edhe lidhjen përfundimtare të rrugëve që e bëjnë të integruar të gjithë zonën, për të zbritur pastaj më poshtë, në zonën e Velipojës ku do të ndërhyjmë ne, me Fondin e Zhvillimit të Rajoneve.

Ashtu sikundër do të bëjmë një ndërhyrje shumë të rëndësishme në Kukës, e cila ka një vlerë të konsiderueshme financiare, por ka edhe një vlerë të konsiderueshme njerëzore dhe jo politike, për të përfshirë në këtë proces transformimi, komunitete të tëra që jetojnë në kushtet e një braktisjeje totale dhe ku ndodhi dhe një nga aksidentet më të tmerrshëm të periudhave të fundit, në atë zonë që lidh përfundimisht pjesën e poshtme me Shishtavecin lart.

Si përfundim, unë do të doja shumë, ashtu sikundër kemi ecur deri tani, me këtë frymë dhe me këtë kërkesë të rritur për projekte dhe për zhvillime, që sjellin një përmasë të re në sytë e qytetarëve, kudo ku ata jetojnë dhe që praktikisht nuk janë projekte të qendrave, janë projekte të gjithë periferisë së vendit, ashtu edhe të realizojmë me cilësinë më të lartë këto projekte. T’i realizojmë me cilësinë më të lartë dhe të mos lejojmë që një qindarkë e vetme të mos realizohet brenda vitit, në masën e parashikuar të investimit. Kemi bërë një hap shumë kurajoz përpara, kemi marrë një angazhim shumë të fortë, për t’i dhënë fund traditës së projekteve që nisin me 1/100 e fondit dhe pastaj ngelen rrugëve. Për t’i dhënë fund traditës së borxheve, ku shteti i ka zhytur kompanitë. Nuk ka më mundësi që të tenderohen me 1/100 e fondeve projektet. Minimumi është 70%. Ky 70% duhet të realizohet i gjithi brenda vitit. Ashtu sikundër, nga ana tjetër nuk ka asnjë mundësi më që të lejohet që paratë që nuk realizohen, të mbeten të parealizuara në fund të vitit. Ne kemi qoftë në nivelin e Qeverisë kombëtare, qoftë në nivelin e qeverisjes vendore, një skenar alternativ për çdo zë dhe në çdo zë. Ne do të bëjmë spostime të fondeve, në rast se do të shikojmë mosecurinë e duhur në investime.

Ministria e Ekonomisë ka përgatitur kalendarin e investimeve dhe mekanizmin e investimeve. Çdo ministri do të monitorojë investimet e veta, në mënyrë intensive. Kush nuk do të arrijë t’i qëndrojë gjithë grafikut të parashikuar në kalendar, cilado kompani, në cilëndo zë do t’i ndërpriten financimet. Do të jemi shumë strikt me zbatimin e kontratave dhe me standardet. Gjë që e kërkoj me insistim nga ju, sepse për të kaluar nga këto projekte në realitetin e njerëzve duhen standarde dhe duhet një monitorim i rreptë. Nuk mundet dot të tolerohet dhe nuk mundet dot që të bjerë cilësia, nga vizioni tek realizmi.

Kaq për pjesën e infrastrukturës fizike vendore. Ndërkohë që vazhdojmë shqyrtojmë dhe presim projekte për pjesën e dytë të paketës. Kjo vlen për ju që jeni të pranishëm. Kjo vlen për ata që nuk janë të pranishëm, por që nuk kanë mundur të kalojnë asnjë projekt në pjesën e parë të paketës. Ne jemi të hapur për të gjithë, por jemi absolutisht të prerë në zbatimin e kësaj filozofie të re dhe në kërkesën për standarde në projektim.

Pjesa tjetër dhe kjo është një risi e madhe, ka të bëjë me inovacionin, ka të bëjë me infrastrukturën shkollore që për ne nuk është vetëm tulla e llaç, por është edhe infrastruktura dixhitale.

Infrastruktura dixhitale shumë e përfolur në vitet e Shqipërisë së moshës së internetit, por që nuk funksionon asgjëkund dhe që për fat të keq i ka ngrënë këtij shteti, shumë para. I ka ngrënë këtij shteti, shumë para dhe rrezikon të vazhdojë t’i hajë shumë para, në tërësi, në rast se ne nuk do të jemi shumë rigorozë në koordinimin e të gjitha burimeve të financimit, se nuk janë vetëm burime të financimit të shtetit, por janë edhe burime të financimit nga donatorë, por kjo është temë tjetër, nuk ka të bëjë me temën, sot.

Me temën sot ka të bëjë se ne i kemi dhënë përgjigje pozitive Ministrisë së Arsimit, për një projekt që është Platforma Dixhitale e Arsimit të Gjeneratës tjetër. Me çka do të kishim mundur të rikonstruktonim 5 shkolla apo të ndërtonim 5 shkolla, do të ndërtojmë gjithë infrastrukturën dixhitale për gjithë shkollat e Shqipërisë dhe do të bëjmë që fëmijët e këtij vendi, qofshin në mes të Tiranës, qofshin në majë të maleve të jenë të gjithë brenda kësaj platforme dhe të kenë të gjithë të njëjtin standard dhe të njëjtën cilësi shërbimi, përmes kësaj platforme.

Është baza që na jep mundësinë që po këtë vit të fillojmë edhe me projektin pilot, për kalimin nga librat dhe çantat me libra tek arsimi vetëm me një tabletë. Do ta fillojmë me 60 shkolla, sepse është një proces që kërkon punë dhe është një proces ku duhen të trajnohen edhe mësuesit, sepse për nxënësit është edhe më e thjeshtë, këtë e tregon eksperienca edhe e vendeve të tjera. Për mësuesit është më e vështirë dhe është një proces ku duhet të përgatisim të gjithë kurikulat shkollore, për t’i kthyer në formatin dixhital dhe për t’i dhënë fund, brenda një periudhe që është e afërt, arsimit në Shqipëri me libra.

Por, nga ana tjetër është një platformë që do të bashkojë mësuesit, nxënësit, gjithë shkollën, komunitetin e prindërve dhe Qeverinë. Është një platformë që do përmbajë regjistrin elektronik dhe me ndërtimin e kësaj platforme këtë vit, vitin e ardhshëm do të fillojë pastaj aktivizimi i instrumenteve dhe çdo prind në Shqipëri apo jashtë shtetit, ku të jetë, që e ka fëmijën në shkollë në Shqipëri do ta marrë vesh në kohë reale, nëse fëmija është në mësim, apo po mungon nga mësimi, do t’i vijë në telefon; do ta marrë në kohë reale, notën që mori fëmija. E di që do t’i ngelet hatri, të paktën me ne, fëmijëve, duke dëgjuar këtë, sepse nuk do mund më të gënjejnë. Por kështu e ka jeta dhe inovacioni është një gjë e madhe, që sjell me vete edhe problemet e veta, që lidhen me aspektet të privatësisë dhe që lidhen edhe me këtë elementin e anashkalimit të dhënies llogari për prindërit. Nga ana tjetër është po kaq e rëndësishme që regjistri elektronik do të bëjë të mundur edhe mbajtjen e vazhdueshme në kontakt të prindërve, për gjithë ecurinë e fëmijës, në të gjitha dimensionet.

Ashtu sikundër, me platformën e re do të bëhet i mundur mësimi në distancë. Me platformën e re do të bëhet i mundur mësimi për shumë fëmijë që nuk do të jenë më të detyruar të ecim me 2 orë e 3 orë, mes borës e në shi dhe siç kanë treguar rastet e vendeve shumë më të varfra sesa tonat, kuptohet jo në Europë dhe e zonave shumë më të izoluara sesa zonat e izoluara të Shqipërisë, kjo platformë është platformë integrimi real të të gjithë fëmijëve dhe të gjithë nxënësve, në një shkollë virtuale që është e njëjta si në kryeqytet, si në malin më të lartë.

Prandaj, ne do ta mbështesim dhe do ta financojmë plotësisht këtë projekt, për t’i dhënë mundësi vetes dhe njerëzve që vitin e ardhshëm  të shtrihemi në gjithë Shqipërinë dhe brenda 4 viteve, ne të kemi një sistem krejt të ri të arsimimit të fëmijëve dhe nxënësve dhe të marrëdhënieve të shkollës me prindërit dhe të Qeverisë me shkollën dhe me prindërit.

Duke e mbyllur dhe këtë pjesë të dytë, aty ku e nisa dhe aty ku e la miku im dhe Kryeministri i parë i ndryshimit, Bashkim Fino, tek reforma territoriale-administrative.

Mjafton kjo eksperiencë, për të kuptuar sa e rëndësishme është kjo reformë dhe për të kuptuar se sa shumë do të transformojë kjo reformë, jetën e njerëzve në çdo zonë të vendit dhe sa shumë do t’i lidhë kjo reformë, njerëzit që jetojnë në komuna që nuk gjenerojnë asnjë të ardhur dhe që nuk japin dot asnjë shërbim, me bashkitë e të nesërmes që siç filluam sot, me këto projekte, nesër do të jemi në gjendje të sjellin projekte që realisht janë projekte të një zhvillimi të qëndrueshëm dhe të integruar rajonal, duke garantuar nga ana tjetër, që nesër dhe kur them nesër, duke filluar nga administrata e ardhshme vendore, ne të kemi mundësi, të kemi një qasje të re ndaj mjedisit, të kemi mundësi të pastrojmë Shqipërinë nga plehrat. Gjë që nuk mund ta bëjmë dot sot, për hir të së vërtetës, me gjysmën e njësive vendore, që nuk gjenerojnë asnjë të ardhur dhe ku varfëria është e tillë që njerëzit nuk paguajnë dot, asgjë, përsa i përket mbledhjes dhe përpunimit të mbeturinave.

Po ashtu për ujin. Ne do të fillojmë javën e ardhshme, ndoshta, të flasim publikisht për reformën e madhe të ujit që do ta diskutojmë sot, pasi prej muajsh, një grup ndërministror ka punuar për të hedhur bazat. Por mjafton t’ju them që jemi sot në kushte jashtëzakonisht skandaloze dhe kemi një të dhënë skandaloze, të pakrahasueshme me askënd në botë. Ne kemi 6 herë më shumë punonjës në sistemin e ujit, sesa mesatarja e Bashkimit Europian dhe kemi 6 herë më pak ujë se në çdo vend të Bashkimit Europain, duke qenë vendi i dytë më i pasur me ujë në Europë. Kjo vjen nga fragmentimi total i njësive dhe nga fragmentimi total i sistemit të administrimit të ujit.

E njëjta gjë për transportin. Ne mund t’i lejojmë vetes, pa as më të voglin dyshim, në kushtet që është sot Shqipëria të ketë furgona 8+1 që bëjnë shërbim brenda një rajoni, brenda një rrethi, brenda një bashkie të madhe të së nesërmes. Por, ne nuk mund t’i lejojmë vetes që furgonat 8+1 të bëjnë shërbim ndërqytetës, siç e bëjnë në Bangladesh, apo siç e bëjnë në Afganistan, se ne nuk jemi as Bangladesh, as Afganistan, me gjithë respektin për popujt afganë dhe të Bangladeshit, por jemi në mes të Europës dhe nuk mundet dot të shkojmë në Europë, me këto sisteme.

Reforma administrativo-territoriale është një reformë për të europianizuar Shqipërinë, për të krijuar kushtet që Shqipëria europiane të jetë realitet europian, realitet i Bashkimit Europian.

Prandaj bashkohem me atë që tha kryetari ynë i reformës territoriale, Bashkimi, që ne pa as më të voglin dyshim duam që këtë reformë ta bëjmë bashkë me opozitën. Për këtë arsye kemi kaq kohë që e presim opozitën, por nuk po e presim duarkryq. Ndërkohë po punojnë intensivisht, edhe me komunitetet, falë mbështetjes së jashtëzakonshme që kemi marrë nga partnerët dhe nga donatorët. Por ne jemi votuar në 23 qershor që të udhëheqim dhe populli shqiptar na ka hequr çdo alibi të mundshme për 4 vite më pas, sepse na ka dhënë shumicën e cilësuar me të cilën ne mund, duhet e do të bëjmë reformën territoriale. Do të bëjmë edhe reforma të tjera që kërkojnë shumicë të cilësuar, për të cilat vazhdojmë të presim me durim, por nuk do të presim pa fund, siç është reforma në drejtësi.

Ne do të shkojmë përpara dhe do të realizojmë kontratën që shqiptarët kanë nënshkruar me ne dhe nuk do të shkojmë në zgjedhjet e ardhshme politike dhe parlamentare, me asnjë alibi dhe për të kërkuar asnjë rishikim të kontratës. Kontrata është ajo dhe ne në zgjedhjet e ardhshme do të përgjigjemi një për një, për çdo pikë të kontratës. Reforma territoriale-administrative do na japë mundësinë që ne ta realizojmë kontratën jo si përmbajtje politike, por si përmbajtje kombëtare dhe t’i japim Shqipërisë, mundësinë të jetë një vend normal, të jetë një vend serioz dhe që të mos jetë një vend qesharak, me gjysmën e njësive që nuk prodhojnë asnjë të ardhur. Të mos jetë një vend qesharak që, ndërkohë që Zoti ia ka falur të gjitha bukuritë që i duhen, të gjitha pasuritë që i duhen, është vendi që lëngon mes plehrave, që nuk ka sistem transporti të integruar dhe që nuk arrin dot të furnizohet normalisht me ujë, për shkak se i krijon vetes një luks tërësisht qesharak dhe tërësisht të pafalshëm, që të mbajë e të financojë qindra e qindra e qindra njësi vendore që janë në fakt, trupa që nuk janë për asgjë tjetër, përveçse për të mbajtur veten e tyre gjallë. Ndërkohë që, komunitete të tëra nuk arrijnë të marrin asnjë shërbim dhe nuk shohin me sy asnjë investim.

Shumë faleminderit dhe gjithë atyre që nga kjo mbledhje e parë, -se kemi edhe një tjetër për pjesën e dytë të paketës, – dolën me projekte fituese, të bëjnë realitet atë që kanë sjellë në letër dhe nga kënaqësia e këtyre pamjeve, të kalojmë në kënaqësinë e gjithë komuniteteve për të parë të realizohen këto projekte, që do të jenë  transformuese jo për vendet ku do të realizohen, por për gjithë komunitetet aty dhe rreth tyre.

Faleminderit!

 

***

Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në prezantimin e paketës së parë të investimeve në bashki e komuna të vendit. Projektet, që synojnë harmonizimin e zhvillimit të rajoneve, vijnë si propozime të drejtuesve të njësive të qeverisjes vendore, të asistuar teknikisht nga grupi i punës së udhëhequr nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi.

Investimet financohen nga Qeveria shqiptare dhe donatorët, përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve dhe vijnë si përmbushje e angazhimit programor të Qeverisë për një zhvillim të integruar e harmonik të rajoneve të vendit. Projektet synojnë një transformim rrënjësor urban, stimulimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social të komuniteteve, përmes injektimit të drejtpërdrejtë të fondeve nëpërmjet investimeve, por edhe duke stimuluar burimet njerëzore e financiare në çdo rajon të vendit.

Fondi i Zhvillimit të Rajoneve është riformatuar nga Qeveria për të shërbyer si instrumenti kryesor për zhvillimin e integruar të rajoneve. Në paketën e parë, për 2014 janë miratuar e financuar 59 projekte të zhvillimit urban në bashki dhe komuna të ndryshme në 12 qarqet e vendit. Kjo është nisma më e madhe që mbështet projekte komunitare, që kanë të bëjnë me rehabilitimin e qendrave të qyteteve, rrugëve hyrëse, parqeve, shesheve kryesore, shkollave, këndeve sportive, zonave turistike e zonave informale.

Një tjetër element i paketës së projekteve për 2014 është dhe ai për dixhitalizimin e sistemit arsimor.