Një objektiv drejt realizimit, vendosja e pagës minimale 30 mijë lekë

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e tre programeve të reja të nxitjes së punësimit në mbështetje të atyre që janë prekur në vendin e tyre të punës (formal ose joformal) nga pandemia:

Është vërtetë një moment i rëndësishëm kur, në mënyrë proaktive, qeveria i qaset problemit të krijuar rishtas si rezultat i goditjes së rëndë nga COVID-i. Goditje që e kemi përballuar me dinjitet dhe që shifrat flasin qartë për këtë, por goditje që nuk është neutralizuar plotësisht dhe këto programe të nxitjes së punësimit i vijnë në ndihmë  atyre, të cilët kanë nevojë sot të rinitegriohen në tregun e punës.

Përtej të gjitha atyre që fliten në ajër dhe përtej faktit që jemi shumë të vetëdijshëm që nuk është vetëm dhënia e një vendi pune, por edhe cilësia e vendit të punës dhe cilësia e pagesës në atë vend pune, jemi përpara një pasqyre absolutisht domethënëse të raporteve mes këtyre viteve të qeverisjes sonë dhe të trashëgimisë shumë të rëndë të viteve të mëparshme.

Faktikisht është shumë e qartë, e zeza mbi të bardhë, që rritja ekonomike është shoqëruar me rritje të punësimit. Nuk ishte para 70 vjetësh , ishte vetëm para 6-7 vjetësh, kur të vetmet zyra punësimi në Shqipëri ishin zyra partie; Koha kur vetëm lidhja me partinë të bënte mjek, të bënte infermier, të bënte mësues, të bënte roje dhe pastrues; Koha kur zyra e punës në ministrinë e Punës lëshonte vetëm lëmosha në një kthinë të vendosur pranë Ministrisë së Punës. Ndërkohë që rrjeti i zyrave të punës në të gjithë Shqipërinë ishte një rrjet qesharak dhe skandaloz ku në të shumtën e herës, godinat ndaheshin me bingo, apo ndaheshin me Pub-e e me bare, të dhëna me qera nga vetë drejtorët e zyrave.

Sot, ne kemi 44 mijë punëdhënës të regjistruar në sistem, që do të thotë 44 mijë bashkëpunëtorë të gjithë rrjetit të zyrave të punës, të cilët përdorin zyrat e punës, për të mundur të kenë një ndërmjetësues, për të marrë njerëzit në punë.

Nga ana tjetër vijmë tek pjesa që paralelisht ka ardhur duke u zgjeruar, ndërkohë që ishte inekzistente, pjesa e arsimit profesional. Një përbuzje e rëndë dhe një braktisje e pajustifikueshme e shkollave profesionale. Ndërkohë që sot kemi mijëra dhe mijëra që janë formuar dhe vazhdojnë të formohen në shkollat profesionale me një akses më të shpejtë në tregun e punës si pasojë e pasjes së një zanati. Më tutje, kushtëzimi i ndihmës ekonomike me marrjen e kurseve të formimit profesional, subvencionimi i punëdhënëseve për punësimin e grave e të rinjve, personave me aftësi ndryshe, programi i posaçëm për studentët ekselentë. Flasim për të rinjtë, flasim për mundësinë për të rinjtë, por sot kemi një numër të konsiderueshëm të studentëve ekselentë që kanë hyrë në administratë vetëm me notat e tyre, pa asnjë mik, pa asnjë lidhje paritë, pa asnjë favorizim dhe pa asnjë filtër tjetër, përveç notave të tyre.

Në momentin tonë më të mirë, me 11.2% regjistruam nivelin më të ulët, – jo sipas nesh, por sipas Bankës Botërore, – të papunësisë në rajon.

Ndërkohë sot kemi nevojë të adresojmë goditjen nga COVID-i.

E dimë të gjithë dhe është fakt tanimë që dy paketat e konsiderueshme, për t’ju garantuar punëdhënësve një lehtësi dhe punëmarrësve mosndërprerjen e të ardhurave plotësisht nga pezullimi i aktivitetit, kanë funksionuar;

Paga e luftës ka funksionuar;

Rritja e pagesës së papunësisë dhe ndihmës ekonomike, e kryer për arsye të COVID-it, është një objektiv tanimë për t’u stabilizuar më tutje si e tillë, në mënyrë të vazhdueshme. Faktikisht është fjala për dyfishim të ndihmës ekonomike. Ndërkohë, hapja graduale e vendit ka bërë që nga qershori, 20 mijë prej 33 mijë personave që humbën vendet e punës gjatë karantinimit të punësohen.

Pas tejkalimit të emergjencës fillestare, tani jemi në kohën që duhet të kujdesemi për ata që ende nuk janë ripunësuar. Me rishikimin e buxhetit në korrik u rrit fond në dispozicion të Programit të Punësimit. Fondi i Nxitjes së Punësimi po ashtu u rrit në nivelin historik më të lartë të dhjetëvjeçarit të fundit. Këto programe targetojnë pikërisht punëkërkuesit që kanë humbur vendin e punës gjatë periudhës mars- qershor.

Financimi i pagës me shumën 100% të pagës minimale për gjysmën e kohëzgjatjes është një masë pozitive. Financimi i kontributeve shoqërore dhe shëndetësore po ashtu është një masë pozitive. Programi 12 mujor për ata që kanë qenë të punësuar, por nuk rezultojnë si të tillë në regjistrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, mbulon kostot e financimit të sigurimit të detyrueshëm në masën 100%. Përveç rritjes së punësimit, kjo skemë garanton dhe një reduktim të ndjeshëm të punës në të zezë, që është shumë e rëndësishme.

Thjesht na duhet si qeveri, na duhet si rrjet i zyrave të punës, na duhet si rrjet i shkollave profesionale që ta intensifikojmë informimin për këtë. Aplikimet për këto programe bëhen përmes e-albania, me transparencë, me shpejtësi, me efikasitet, me kosto zero për të interesuarit. E-albania do të bëjë pjesën e vetë për të informuar të gjithë.

Lajmi i mirë është që Shqipëria ka humbur më pak vende pune për frymë  nga vendet e tjera të rajonit. Riintegrimi është bërë më shpejt, sepse faktikisht ne u mbyllëm më shpejt, por dhe u hapëm më shpejt.

Sot jemi duke definuar dhe atë masë, që ka qenë një nga objektivat tona e që po vijnë drejt realizmit, që është vendosja e pagës minimale  30 mijë lekë [të reja], për të mos pasur më asnjë pagë nën 30 mijë lekë.

Këtu kam parasysh të gjithë ata të punësuar në sektorin e manifakturës, gra në të shumtën e herës, që tanimë duhet të konsiderohen pa diskutim si pjesë e këtij procesi rritjeje të pagave dhe në sektorin privat, duke filluar nga paga minimale.

Studimi për rishikim të sistemit të taksimit progresiv po vazhdon. Besoj edhe aty do kemi konkluzione pozitive.

Përfitoj nga rasti, duke u nisur edhe nga njerëz që nuk kanë dëshirë, për arsyen e tyre, të pranojnë të mirën, të pranojnë progresin, që këto masa, duke filluar nga ligji i korrikut, ku ne e bëmë realitet zerimin e taksave, të tatim-fitimit dhe të TVSH-së, si asnjë vend në rajon për biznesin e vogël deri në masën 100 milionë lekë xhiro dhe zerimin e tatim-fitimit si asnjë vend në rajon për biznesin e vogël në masën deri në 140 milionë, nuk ka të bëjë me fushatën elektorale dhe nuk është se ne u kujtuam sot, por janë të gjitha fryte që merren në kohë, pas një pune të gjatë. Sepse janë masa që nuk mund të bëheshin kurrë, as nuk mund të mendoheshin 4 vite më parë, apo lëre pastaj 7 vite më parë, kur ne u përballëm me gjithë atë gropë të zezë në llogaritë e shtetit dhe me gjithë atë mal të madh borxhesh për kompanitë.

Kështu që pikërisht se kemi bërë reforma, pikërisht se kemi ecur me shumë vendosmëri dhe durim, pikërisht se kemi pasur edhe goditje pas goditjesh si askush tjetër, tërmeti, pandemia dhe i kemi përballuar me dinjitet, jemi sot në kushtet kur mund të vazhdojmë të realizojmë objektivat. Besoj javën e ardhshme do jemi gati ta publikojmë rritjen masive të rrogave për mjekët dhe kur unë përmenda mësuesit, pashë reagime të tilla që keni premtuar për mësuesit që do rritet 40%, ku e keni 40% e të tjera.

Llogaritë janë shumë të thjeshta e ne do të bëjmë llogaritë kur të publikojmë rritjen e pagave për mjekët, mësuesit, – edhe mësuesit i kemi në fokus shumë më fort, – e do të shohim që edhe ky është një zotim i mbajtur.

Edhe një herë, të fokusohemi tek informimi për këto programe, të fokusohemi tek nxitja, unë i kërkoj të gjitha zyrave të punës që të informojnë dhe të nxisin. Këto janë të gjitha programe që nuk ju zgjidhin problemin e  një page menjëherë si në një vend pune, por ju lehtësojnë shumë rrugën për ta kapur vendin e punës me një dije të mjaftueshme që të mund të rekrutohen nga kompanitë, të cilat janë të hapura, kanë plot vende pune të lira, por të cilat kanë nevojë për krah pune, sado pak të kualifikuar. Kjo i ndihmon pikërisht këtij sadopak kualifikimi dhe jam i bindur që shumë shpejt do shikojmë rezultatet.

Faleminderit!