Një revolucion, klasa inteligjente në shkollën dixhitale

Është vërtet një moment shumë i rëndësishëm për shkollën tonë, sepse bëhet fjalë për një fazë të re dhe një transformim radikal në qasjen ndaj shkollës, por edhe në marrëdhënien mes mësuesve nxënësve dhe prindërve, si dhe në raportin e të tre këtyre komponentëve themelorë me dijen, që duhet të garantojë shkolla për fëmijët dhe nxënësit.

Është një fazë e parë e një transformimi që kujtoj se kur ne e propozuam në kuadrin e ideve të reja për shkollën, pati shumë njerëz që e panë me shumë skepticizëm, pati të tjerë që nuk ngurruan të shprehin cinizmin e zakonshëm në këto raste. Por ja ku jemi sot, përpara një fakti të kryer, që puna ka filluar konkretisht, që 60 shkolla do të përfshihen në këtë program tërësisht revolucionarizues për shkollën, që afro 47 mijë nxënës dhe mbi 2 mijë mësues do të jenë pjesa e parë e këtij projekti gjithëpërfshirës për nxënësin dhe mësuesin dhe që praktikisht, në tre vjet, të gjitha gjimnazet e vendit tonë do të kalojnë nga faza ku gjenden sot, në këtë fazë të re ku sot u prezantuam me të gjitha risitë dhe sfidat.

Sigurisht që, nuk është e lehtë dhe këtu ka një problem kryesor, besoj unë, që për herë të parë nuk janë nxënësit halli, por janë mësuesit. Sepse, nxënësit e kanë shumë më të thjeshtë që ta thithin të gjithë botën e teknologjisë së re, ndërkohë që mësuesit e kanë më të vështirë dhe trajnimi i mësuesve në këtë proces është një sfidë e madhe, ashtu sikundër dhe vënia e mësuesve në dispozicion të këtij procesi me dije të plota është një sfidë e madhe.

Këtu vijmë tej pjesa tjetër, që me të drejtë ministrja nënvizoi, problemi i teknologjisë nuk është sa investojmë në kompjuterë, sa investojmë në infrastrukturë, por sa këto investime janë të lidhura me dijen dhe me aftësinë për ta përdorur këtë infrastrukturë. Faktikisht, është për të ardhur keq që investime në teknologji janë bërë, por kanë rezultuar me një impakt zero, madje me një impakt negativ për shkak të gropave që kanë lënë në financat e Ministrisë së Arsimit dhe në financat e shtetit, për shkak se nuk janë shoqëruar me trajnime dhe me aftësimin e domosdoshëm të atyre që do t’i përdorin këto mjete në funksion të dijes.

Unë besoj që, ky është një transformim radikal që do të sjellë shumë të mira, por ajo që unë shoh si të mirën e madhe dhe kryesoren është se do të krijojë një lidhje të re dhe shumë transparente mes asaj që ndodh në marrëdhëniet mes një nxënësi dhe një mësuesi, në marrëdhëniet mes një klase dhe mësuesve dhe në marrëdhëniet mes një shkolle dhe shkollave të tjera e me radhë, në marrëdhëniet me institucionit dhe me prindërit, padyshim. Në këtë mënyrë, kjo teknologji na jep mundësi që të kemi përballë një pasqyrë shumë transparente të të gjithë kompleksitetit të lidhjeve dhe të ndërlidhjeve në gjithë sistemin e dijes, na jep mundësinë që të kemi një pamje të qartë të nivelit të përgjithshëm, të kemi një pamje të qartë të ecurisë individuale të nxënësve, të kemi një pamje të qartë të zotësisë dhe të aftësisë së mësuesve për të përcjellë dijen dhe të kemi një pamje të qartë edhe të mënyrës sesi prindërit janë të përfshirë në këtë proces.

Kështu që, ky është një projekt teknologjik, por që pa as më të voglin dyshim do të ketë një impakt shumë të madh në lidhjet njerëzore mes të gjithë atyre që e bëjnë të jetojë sistemin e arsimit dhe përmes këtyre lidhjeve njerëzore, në përcjelljen në kohë reale të një informacioni jashtëzakonisht voluminoz, që përndryshe do të duhej shumë kohë për ta nxjerrë dhe për ta përpunuar.

Në prezantimin e shkëlqyer që u bë u pa qartë pikërisht kjo gjë, që sistemi krijon kushtet për mbledhjen dhe përpunimin e një mase informacioni të jashtëzakonshëm, që do të ketë ndikim të drejtpërdrejt jo vetëm tek mënyra sesi do të përmirësohet mësimdhënia, si do të përmirësohet procesi i marrjes së dijeve, por edhe mënyra sesi do të kuptojnë dhe do të veprojnë institucionet, drejtoritë arsimore, Ministria e Arsimit, vetë qeveria, pikërisht bazuar tek ky informacion shumë i madh që do të marrim.

Padyshim, ky projekt do të bëjë të mundur që të gjithë nxënësit e gjimnazeve të Shqipërisë të mos kenë më asnjë kufi ndarës mes zonash më të mirëqena dhe zonash më të varfra, mes qendrës dhe periferisë, sepse të gjithë do të jetë të barabartë përpara burimeve të dijes dhe mundësive për dije, duke u bërë kështu të gatshëm që të përballojnë pjesën tjetër të studimeve të tyre me një bagazh që faktikisht është ai që vendosin ata vetë përmes vullnetit të tyre, por jo që u imponohet nga kushtet e ndryshme në zona të ndryshme të vendit.

Besoj që, kemi arsye të jemi shumë krenarë që, sot, ne kemi nisur me këtë fazë të re, historike, të transformimit të arsimit në Shqipëri dhe jam i bindur që me përfundimin e këtij projekti në tre vitet e ardhshme, ne do të kemi mundësinë të themi se jemi në kushtet e një transformimi të pandodhur më parë, përmes të cilit pa asnjë dyshim do të kemi mundësi të shohim më tutje dhe të sjellim transformime që sot mbase as që mund t’i imagjinojmë.

Shumë faleminderit!

***

Ministria e Arsimit lançoi sot nisjen e projektit për dixhitalizimin e mësimdhënies. Në prezantimin e projektit, objektivat dhe shtrirjen e tij, ishte i pranishëm Kryeministrit Edi Rama, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, si dhe partnerë të qeverisë në këtë proces.

Objektivi është që të bëhet kalimi historik nga metoda tradicionale e mësimdhënies në klasën inteligjente. Integrimi i teknologjisë në arsim do të sjellë transformimin rrënjësor të procesit arsimor, modernizimin e tij dhe përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies.

Projekti, i pilotuar me sukses që prej muajit dhjetor 2013 në disa shkolla të vendit, në fazën e parë të implentimit do të shtrihet në 60 shkolla të mesme të përgjithshme, ku afro 47 mijë nxënës do të jenë përfitues. Çdo shkollë do të pajiset me 2 laboratorë dixhitalë që përfshijnë projektor interaktiv, tableta për nxënësit, tableta për sallën e mësuesve etj.

Fokusi i projektit është ndërveprimi nxënës, mësues, institucione dhe prindër, përmes përdorimit të sistemeve operative të menaxhimit. Përmbajtje dixhitale për gjuhët e huaja si edhe lëndët shkencore të ndërthurura nëpërmjet platformës E-learning; Ndërveprim nëpërmjet përdorimit të portalit online të edukimit; Regjistri i Klasës, me anë të të cilit prindërit do të ndjekin performancën e fëmijëve të tyre janë komponentë të projektit.

Projekti do të sjellë ndryshime rrënjësore edhe në administrimin e sistemit arsimor parauniversitar si përmirësimi i sistemit elektronik të lëshimit të Amzës, dosjet e personelit, administrimi e shkollës etj..

Ministrja Lindita Nikolla siguroi se Ministria e Arsimit është maksimalisht e angazhuar për suksesin e projektit.