Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

SHPALLJE

NJOFTIM PËR APLIKIM

PËR

PËRZGJEDHJEN E KANDIDATËVE PËR ANËTARË TË KËSHILLIT MBIKËQYRËS TË AGJENCISË SË AUDITIMIT TË PROGRAMEVE TË ASISTENCËS, AKREDITUAR NGA BASHKIMI EVROPIAN

Në mbështetje të ligjit nr.90/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, Akredituar nga Bashkimi Evropian në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të kreut II, të vendimit nr.561, datë 8.10.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave të hollësishme për veprimtarinë, emërimin, shkarkimin dhe shpërblimin e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, Akredituar nga Bashkimi Evropian”, shpallim njoftimin për aplikim për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, Akredituar nga Bashkimi Evropian, njëri prej të cilëve do të jetë kryetar.

Konkurrimi është i hapur për të gjithë të interesuarit dhe ju ftojmë të aplikoni.

Kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, Akredituar nga Bashkimi Evropian, janë, si më poshtë vijon:
Për t’u emëruar anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës, personat duhet të plotësojnë këto kërkesa:
a)të kenë shtetësi shqiptare;
b) të kenë përfunduar studimet e larta universitare të ciklit të dytë të studimeve, “Master i
shkencave”ose ekuivalente me të në shkencat ekonomike ose juridike;
c) të kenë të paktën 7 vjet përvojë pune në profesion ose të ketë jo më pak se 5 vjet përvojë
në fushën e auditimit;
ç) të jenë me integritet moral dhe profesional;
d) të mos jenë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra penale;
dh)të mos jenë larguar me masë disiplinore nga shërbimi civil;
e) të mos kenë konflikt interesash me detyrën, në përputhje me detyrimet e legjislacionit në
fuqi;
ë) të mos ketë për ta kushte të tjera ndaluese, të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.

Dokumentet që duhet të dorëzohen janë:
⦁ Kërkesë për aplikim;
⦁ Kopje e letërnjoftimit;
⦁ Curriculum Vitae në gjuhën shqipe;
⦁ Dokumente të diplomimit dhe të kualifikimeve profesionale të kërkuara;
⦁ Dokument që të provojë vjetërsinë në profesion;
⦁ Formular të plotësuar e të firmosur të vetëdeklarimit për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, në përputhje me ligjin nr.138/2015, të ndryshuar;
⦁ Vërtetim nga Gjykata se nuk është i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e veprave penale.

(Deklarimi i rremë, përveç përgjegjësisë penale sipas ligjit, sjell përjashtimin
nga çdo procedurë e mëtejshme.)

Afati i dorëzimit të aplikimit është deri më 27.12.2025, dhe të dorëzohet në adresën e Kryeministrisë. Kandidatët e kualifikuar do të njoftohen nëpërmjet e-mail-it.

Adresa:  Kryeministria
                 Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
                  Tiranë, Shqipëri 
Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm 
tel: 04 22 77 401

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.