Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Sot u inaugurua në Qafë Thanë sistemi i integruar kufitar “One Stop Shop”, një pikë e përbashkët e kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që synon të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe qarkullimin e mallrave, duke shënuar njëkohësisht një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Pikën kufitare e vizitoi sot edhe  Kryeministri Rama, i cili u takua aty me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut  Hristijan Mickoski.

Në konferencën për shtyp që pasoi inspektimin e përbashkët,  Kryeministri Rama e cilësoi këtë zhvillim një hap konkret me rëndësi të veçantë për miliona qytetarë që përshkojnë këtë kufi, ndrësa theksoi se perspektiva është ajo e lëvizjes pa kontrolle mes dy vendeve, si pjesë e rrugëtimit të tyre të përbashkët drejt Bashkimit Europian.

 

* * *

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski: Për mua është një nder i veçantë që sot këtu së bashku me mua është dhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë, miku im i dashur Edi Rama dhe në këtë eveniment të rëndësishëm dëshiroj t’ju uroj bashkëqytetarëve tanë dhe shqiptarëve të gjithë kudo që janë këtë festë shumë të rëndësishme siç është 22 nëntori Festa e Alfabetit.

Disa fjalë në lidhje me këtë eveniment. Është një kënaqësi e veçantë për ne që po fillojmë një bashkëpunim të tillë nëpërmjet vendosjes të një pike të vetme të kontrollit, One Stop Shop që do të mundësojë një transport më të lehtë dhe një ndërlidhje më të lehtë midis të dyja vendeve dhe po e përurojmë këtë pikë kufitare. Gjithashtu do t’i përforcojmë edhe lidhjet dhe në të gjitha pikat e tjera të kufirit dhe siç është thënë edhe në hyrje, kjo është një vlerë e shtuar për të dyja vendet dhe kur mendoj për të dyja vendet, mendoj për bashkëpunim në fushën e turizmit përreth liqenit të Ohrit, për komunën e Ohrit dhe të Strugës, por dhe për komunat e tjera që gravitojnë përgjatë liqenit, por gjithashtu edhe për detin në Shqipëri.

Dhe në fund dëshiroj t’i falenderoj ministrin e Punëve të Brendshme, doganierët dhe gjithë ata që kontribuuan që të kemi një përurim sot këtu dhe gjithashtu një falënderim të veçantë për mikun tim kryeministrin Edi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama: I nderuar kryeministër Mickoski,

I dashur Hristijan, të dashur miq edhe të pranishëm,

Sot jemi në një moment jashtëzakonisht pozitiv në marrëdhëniet tona sepse hedhim një hap konkret me këtë transformim që ka një rëndësi të jashtëzakonshme për miliona njerëz që kalojnë këtë kufij. Ne kemi një shprehje në shqip, nuk e di a e keni edhe ju në maqedonisht, “Beso dhe kontrollo”. Deri tani në këtë doganë ishim “kontrollo, kontrollo”. Tani jemi “beso, kontrollo” dhe hapi tjetër është “beso, beso” që të mos kemi më asnjë kontroll këtu, në rrugëtimin tonë të përbashkët për t’u bërë pjesë e Europës, pa kontrolle në kufijtë mes nesh.

Dua ta përforcoj atë që tha më parë miku im Hristijan, kryeministri juaj, që jemi në një proces bashkëpunimi ku kemi shumë gjëra që duhet t’i bëjmë së bashku dhe pa diskutim njëra ndër këto është që të punojmë për ta çuar përpara projektin madhor tanimë jo vetëm të rëndësishëm për ne, as vetëm të rëndësishëm për Bashkimin Europian, por të rëndësishëm edhe për NATO-n, Korridorin VIII.

Në mbyllje dua të t’i bashkohem kryeministrit Mickoski në falenderimin për të gjithë ata që punuan për këtë ditë dhe për të realizuar më në fund këtë transformim që siç thashë do t’i vlejë shumë njerëzve, miliona njerëzve që kalojnë në këtë doganë dhe njëkohësisht do të vazhdojmë edhe me pikat e tjera për të pasur të njëjtin sistem.

Faleminderit të gjithë përfaqësuesve të ministrive të Brendshme edhe të Doganave tona që bashkëpunuan për këtë arritje.

 

-. Një pyetje për kryeministrin Mickoski. Duke qenë se ne po na bëhet nderi, po e marrim ne shqiptarët të parën fjalën.  Kryeministër Mickoski, thatë se e keni një mik të ngushtë Edi Ramën, por ndërkohë në Pustec përpara pak kohësh nuk u respektua himni shqiptar. Pati edhe një reagim zyrtar nga ana e kryeministrit Rama, kur u shpreh me fjalët me sa kujtoj “parodi, nacionalizëm, folklorizëm ballkanik. A është momenti për t’i kërkuar falje popullit shqiptar pasi siç e tha edhe vetë kryeministri Rama, kryebashkiaku i Pustecit kishte kërkuar organizatorëve që të luajë himnin shqiptar në fillim, por kjo nuk ishte e respektuar.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski: Faleminderit për pyetjen. Dua t’ju them se në Pustec dhe në rrethinat e Pustecit jeton një pakicë maqedonase, të cilët janë qytetarë lojalë të shtetit të Shqipërisë. Ata janë njerëz të qetë, nikoqirë, e respektojnë shtetin ku kanë lindur, e respektojnë shtetin ku kanë krijuar familje, por gjithashtu ata dëshirojnë të kultivojnë edhe kulturën e tyre. Maqedonia është një shtet shumëetnik, shumëkulturor, një shtet që i respekton të gjitha etnikumet dhe një shtet që i kultivon të gjitha festat dhe kulturat e bashkëqytetarëve të vet dhe sot po festojmë edhe një festë shumë të rëndësishme siç është 22 nëntori.

Në lidhje me intonimin e himnit të Shqipërisë, siç duket nuk e keni ndjekur deri në fund evenimentin dhe pas përfundimit të këtij evenimenti do t’ua dërgoj videon ku tregohet se si intonohet himni i Shqipërisë në atë eveniment. Por sot jemi këtu për një eveniment tjetër për të treguar se marrëdhëniet midis dy vendeve janë shumë të relaksuara në këtë ditë dhe në këtë eveniment të sotëm.

 

– Pyetja është për kryeministrin Mickoski: A mund të na informoni deri ku është ndërtimi i autostradave në vend?

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski: Dy e gjysmë vitet e fundit është intensifikuar puna për ndërtimin e këtyre autostradave, që janë një element shumë i rëndësishëm i Korridorit VIII, siç e përmendi dhe kryeministri Rama, po ndërtohet aksi rrugor Tetovë-Gostivar, Gostivar- Bujkoçani, Bujkoçani-Kërçovë dhe kjo ndërlidhje do ta ndërlidhë të gjithë autostradën nga Shkupi deri në Ohër nëpërmjet lidhjes Kërçovë-Ohër. Tek vendi Trebenishte, këtu kemi një pikë, e cila deri tani nuk po punohet sepse ajo është e mbrojtur nga UNESCO dhe duhet të gjejmë një rrugëzgjidhje tjetër. Dhe unë jam optimist se i gjithë aksi rrugor do të ndërtohet e do të vendoset në përdorim deri në vitin 2029, ndërsa aksi rrugor Kërçovë-Ohër do të vendoset në përdorim në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2027.

– Kryeministër Rama, juve prej pak kohësh keni thënë që bullgarët duhet të futen me patjetër në Kushtetutë dhe ju e dini që kjo është një çështje shumë e hidhur për shtetin tonë. Dhe në qoftë se ju futeni para nesh në Bashkimin Europian, a do të nënkuptonte kjo në qoftë se bullgarët nuk janë të futur në kushtetutë edhe ju do t’i vini veto Maqedonisë që të hyjë në EU? Dhe pyetja e dytë është për kryeministrin Mickoski. Meqënëse, kryeministër, ju thoni se keni marrëdhënie shumë të mira miqësore me kryeministrin Rama, si i përkufizoni dhe si i nënkuptoni këto deklarata të zotit Rama?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama: Së pari është shumë interesante, por edhe në një farë mënyre argëtuese që pavarësisht se jemi në anën tjetër të kufirit, pyetjet dhe ngacmimet dhe kapjet mbas fjalëve janë fiks njësoj. Kjo tregon që jemi shumë njësoj se sa ç’kujtojmë. Jemi këtu për një zhvillim shumë pozitiv për miliona njerëz që e shfrytëzojnë këtë pikë kufitare dhe deri tani pyetjet janë vetëm për të ngacmuar artificialisht plagë që nuk ekzistojnë.

Për sa i përket konkretisht pyetjes së gazetarit të Alsat-it, dua të them që unë kam qenë në mënyrë të vijueshme një zë, nganjëherë edhe i lartë në mbështetje të procesit të afrimit dhe të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian dhe asnjëherë nuk do ia lejoja vetes që t’i tregoja qeverisë apo popullit të Maqedonisë së Veriut se çfarë duhet të bëjë.

Ajo të cilës ju i referoheni është përgjigjja ndaj një pyetje të një gazetari në një televizion të Bullgarisë ku do shkoj për pak ditë në një vizitë, lidhur me pretendimin që ka Bullgaria në raport me Maqedoninë e Veriut bazuar në një marrëveshje të bërë mes të dy palëve dhe unë kam bërë një shpjegim më të gjatë sesa fjala pas të cilës janë kapur mediat këtu në Maqedoni, duke thënë se sa shumë sakrifica është dashur të bëjë Maqedonia e Veriut dhe ka arritur të ndryshojë edhe emrin dhe prapë nga ana tjetër, Bashkimi Europian nuk ka bërë atë që ka premtuar dhe kam shtuar që ata me të drejtë, pra, pala maqedonase, me të drejtë shqetësohet edhe dyshon se mund të ketë përsëri diçka tjetër në rast se hedh këtë hap për të përfshirë në Kushtetutë pakicën bullgare, por nga ana tjetër kam shtuar që kjo veto mund të hiqet duke plotësuar këtë kusht dhe normalisht unë e kam të vështirë të shikoj një rrugë tjetër, por është thjesht opinioni im. Nuk i jap askujt leksione dhe kurrën e kurrës Shqipëria nuk do bëhet pengesë në asnjë formë për të vonuar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.

Dhe në fund e kam për të dy gazetarët, që të dy u kapën mbas fjalës së thënë nga kryeministri që m’u drejtua mua si mik dhe nuk e di se ku qëndron kontradikta midis të qenit miq, sepse miqësia mes nesh është krejtësisht reciproke dhe momenteve të caktuara kur mund të kemi nuanca të ndryshme në mënyrën si flasim, por unë dua t’i them të gjithëve që mes meje dhe kryeministrit Mickoski nuk ka absolutisht asnjë lloj dallimi substancial që e pengon miqësinë tonë. Përkundrazi, miqësia jonë është një miqësi që me kalimin e kohës bëhet shumë e qartë sepse me sa unë kuptoj, jemi të dy njerëz që themi atë që mendojmë dhe mendojmë atë që themi.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski: Në lidhje me pyetjen që më parashtruat mua, kryeministri Rama e dha përgjigjen në tërësi sepse zakonisht deklaratat nxirren nga konteksti dhe nxirret vetëm një fjalë nga ai kontekst. Ato janë në pyetje të brendshme, ne jemi të vetëdijshëm për këtë dhe gjithmonë do të marrim parasysh vendime konstruktive për tejkalimin e tyre. Ky është një proces pozitiv dhe çdo gjë ndërtohet me besim dhe që të ndërtohet një besim, ai është një projekt. Një projekt i tillë është edhe projekti VIII që i ndërlidh të treja shtetet: Bullgarinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë dhe evenimenti i sotëm është pjesë e një projekti të tillë që të ndërlidhemi midis vendeve dhe pyetjet e brendshme t’i zgjidhim në mënyrë të brendshme, por unë jam shumë i sigurtë që të dyja vendet tona shumë shpejt do të ulen bashkë në tavolinë dhe do të jenë pjesë e Brukselit.

 

– Kam një pyetje për ju: ju shpesh herë dini të bëni shok dhe miq me kryeministrat. E keni shumë mik Ali Ahmetin, shpesh e bëni mik edhe zotëri Mickoski, por nuk shoh se i bëni mik shqiptarët. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, zotëri Edi Rama, ka shumë raste të montuara që ju kurrë nuk keni reaguar dhe asnjëherë nuk jeni interesuar për shqiptarët në vendin tonë. Kemi rastin Monstra, rastin Alfa, Almirin e Vogël dhe ju kurrë nuk e çelët gojën për këto. Dhe tani thoni se gazetarët kapen tek miqësia. Ju i keni miq kryeministrat, zotëri Edi Rama, po do i bëni miq shqiptarët tanë?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama: Dua të them disa gjëra që shpresoj t’i dëgjosh siç dëgjova unë me respekt.

Së pari, Maqedonia e Veriut është shtet sovran ku shqiptarët janë popullsi shtetformuese dhe kanë të gjitha rrugët dhe mundësitë që të përfaqësohen. Kështu që, unë nuk mendoj që i ndihmon marrëdhënies vëllazërore mes dy shteteve, asnjë ndërhyrje e kryeministrave përkatës në punët e brendshme të shtetit tjetër.

Çështjet, të cilat ju prekët janë çështje që trajtohen dhe duhet të trajtohen gjithmonë nga institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shqiptarët kanë mjaftueshëm parti politike, bile kanë edhe më shumë se ç’duhet, për t’i përfaqësuar dhe për t’i shpalosur të gjitha ngjyrat dhe të gjitha opinionet. Juve, as më keni parë mua, s’do më shikoni ndonjëherë që të bëj fushatë për asnjë parti politike këtu në Maqedoninë e Veriut dhe a s’keni parë ndonjëherë që politikanët shqiptarë këtu të vijnë gjatë fushatës dhe të bëjnë me mua deklarata e fotografi për fushatën këtu.

Ndërkohë që, patjetër ne kemi komunikim. Patjetër që, të gjithë përfaqësuesit e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut janë të mirëpritur në Tiranë. Patjetër që, ne jemi të gatshëm të bëjmë të gjitha diskutimet e nevojshme me ta, për mbarësinë e punës së përbashkët, por ka një kufi që as nuk do të shikoni ndonjëherë që mund ta kapërcej, që është kufiri që ndan atë që i takon institucioneve dhe shtetit sovran të Maqedonisë të Veriut dhe atë që i takon shqiptarëve si një bashkësi që kanë të gjithë të drejtën e tyre të komunikojnë dhe të ndërveprojnë me njëri-tjetrin pavarësisht kufijve.

Dhe unë nuk besoj që është ndonjë çudi që të kesh mik edhe Hristijan Mickoski dhe Ali Ahmetin. Përkundrazi, është diçka pozitive dhe unë kam edhe miq të tjerë që ti mund të mos i dish fare për shembull, por unë besoj që miqësitë në këto marrëdhënie janë vetëm vlerë e shtuar dhe nuk duhet të jenë problem për asnjeri dhe nuk mendoj që kam një zgjedhje për të bërë: ose mik me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut ose mik me shqiptarët.

Kjo më duket skandaloze si ide, jo më pastaj që të kthehet edhe në pyetje dhe fakti që ti e merr mikrofonin me zor, bërtet dhe ne të përgjigjemi me buzëqeshje dhe ty nuk po të marrin në krah të të çojnë në izolim, tregon që nuk jeton në një vend jodemokratik dhe jam i sigurt që ty nuk do të ndodhë asnjë gjë sepse ti problemin e ke në kokën tënde, nuk e ke me Republikën e Maqedonisë së Veriut.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.