Paketa e shpëtimit të monumenteve, cilësi e re e hapësirave të trashëgimisë kulturore

Kalaja e Krujës vijon të mbetet një prej monumenteve historike më tërheqëse për turistët që vizitojnë Shqipërinë, si dhe ata vendas. Tërmeti i 26 nëntorit nuk e kurseu as këtë fortesë, në të cilën kanë nisur ndërhyrjet shpëtuese dhe restaurimi pas dëmtimeve të pësuara.

Paketa e shpëtimit të monumenteve të dëmtuara financohet nga Bashkimi Europian dhe donatorë të përveçëm dhe pritet të rrisë cilësinë e hapësirave të Trashëgimisë Kulturore, për t’i bërë ato më të vizitueshme dhe më të qëndrueshme edhe financiarisht.

Kryeministri Edi Rama ishte sot ne Krujë, ku vizitoi zonën përreth Kalasë dhe u ndal në Teqenë e Dollmës, një tjetër monument me vlera të veçanta historike dhe arkitekturore dhe që ishte një nga objektet më të rrezikuara prej tërmetit, për shkak të terrenit të vështirë shkëmbor mbi të cilin ajo ngrihet. Ministrja e Kulturës Elva Margariti bëri me dije se tashmë ka përfunduar procesi i palantimit të emergjencës.

“Në teqe kemi ecur me të gjithë pjesën e palantimit të emergjencës. Teqeja ishte një nga monumentet më të rrezikuara gjatë tërmetit. Projekti u hartua në kohë rekord. Faza e palantimit mbaron, është realizuar përmes fondit të Prince Klaus. Është një bashkëpunim shumë i mirë i institucioneve shtetërore me donatorët e huaj, të cilët u janë përgjigjur edhe pas Konferencës së Brukselit me ndihma konkrete. Këtu kemi patur një situatë tejet të agravuar sa i përket rënies së afreskeve. Terreni është i vështirë pasi mbështet në shkëmb.”

Ndërsa eksperti i Institutit të Trashëgimisë Kulturore për afresket, Gent Vokopola tha se menjëherë pas tërmetit, objekti historik ka marrë vëmendjen e specialistëve të fushës për ruajtjen e elementëve të tij. “Që ditën e parë pas tërmetit, më datë 27 kemi ardhur, i kemi grumbulluar afresket e rëna dhe i kemi në laborator. Ndërsa aktualisht kemi bërë konsolidimin e të gjithë pikturave sipër në kupolë.”

Më pas, Kryeministri Rama pa zonën përreth Kalasë, zonë e cila gjatë muajve të pandemisë i është nënshtruar pastrimit dhe sistemimit të saj. Ministrja Margariti tha se përmes politikave të Ministrisë së Kulturës dhe bashkëpunimit me Bashkinë e Krujës është rritur numri i turistëve të huaj dhe vendas, që vizitojnë Kalanë e Krujës, edhe pse në kohë të vështira për shkak të pandemisë. “Kemi bërë një marrëveshje me Bashkinë e Krujës. Ne si ministri kemi dhuruar një numër të madh biletash për hyrje në muze falas. Muzetë e Krujës janë nga muzetë më të vizituar nga turistët vendas dhe të huaj. Kjo ka patur një impakt shumë pozitiv, sepse kemi patur një numër të shtuar turistësh vendas, sidomos të rinj. Një ndër politikat tërheqëse ka qenë dhe ajo e të djelave falas. Tashmë 4 të dielat e muajit janë falas. Kjo ka sjellë një rritje të frekuentimit. Gjithashtu për vetë biznesin është kthyer në një benefit ekonomik. Mendojmë se Kruja, pas gjithë procesit të rindërtimit të fillojë të flasë me një tjetër vizion, atë të rijetëzimit. Kemi hartuar disa paketa projektesh, të cilat nuk ndalen vetëm në restaurimin e monumenteve, por duke identifikuar ato objekte, ato hapësira e ato lloj shërbimesh që do sjellin më shumë vizitorë.”

Kryeministri Rama theksoi se me projektet e rindërtimit që po realizohen në Krujë, si dhe me masat e qeverisë në ndihmë të biznesit të vogël, Kruja po shndërrohet nga dita në ditë, në një qytet me ekonomi të zhvilluar. “Këtë do ta fusim tek projektet që t’i japim një incentivë që të mos jetë thjeshtë nxitje nga pikëpamja e idesë, por të jetë edhe nxitje nga ana financiare. Plus kësaj do të gjejmë një zgjidhje që të gjithë shtëpitë që janë kthyer dhe kthehen në bujtina, struktura mikpritëse, në zona historike të kenë një legjislacion të veçantë fiskal, që t’u japim një dorë atyre. Ne e hoqëm Tatim-fitimin për biznesin e vogël komplet. Jemi vendi që s’ka tatim-fitimi për biznesin e vogël. Të njëjtën gjë kemi bërë për TVSH-në, që është një gjë e jashtëzakonshme nga pikëpamja e sforcos sonë, por dhe nga pikëpamja e hapsirës që ju jep këtyre bizneseve të vogla. Kështu që ka hapësirë për t’i ndihmuar edhe këta të zonave historike, që ta nxisin më shpejt procesin. Procesi ka filluar, unë e shoh kudo. Agroturizmi po zhvillohet, gjë që nuk e kishim para 5, 6 vitesh dhe e gjitha kjo është ekonomi. Por një nxitje më shumë duhet t’ja japim që të kapim një kohë më të shpejtë. Këtu duhet një bashkëpunim me bashkinë, për të të organizuar një plan të përbashkët të ndërveprimit në raport me njerëzit, se ministria vjen deri tek objektet, bashkia deri tek njerëzit. P.sh, kur ne kemi filluar transformimin ne Gjirokastër, ishin katër apo pesë bisnese dhe në gjendje të vështirë. Sot janë dhjetëra e dhjetëra dhe po vazhdojnë të hapen dhe kjo po e mbron Gjirokastrën nga pikëpamja fizike, por po bën edhe ekonomi. Me Krujën, me dy ndërhyrjet e mëdha, në Fushë-Krujë poshtë dhe në Krujë sipër, që do të bëjmë për sistemin e njerëzve nëpër shtëpi, plus shkollën kemi mundësi që t’i japim një shtysë tjetër. Po ashtu po bëhet edhe ujësjellësi. Të thonë çfarë të duan, ta thonë si të duan, ta thotë kush të dojë, por krahasuar me 5, 6 vjet përpara, Kruja është qytet tjetër. I njëjti nga larg, por kur vjen, e sheh që është qytet tjetër. Vendosja e ujit të pijshëm 24 orë, flas në aspektin e suportit për turizmin, do të jetë vlerë e shtuar,” – u shpreh Kryeministri.