Mjedisi dhe pyjet, natyra në tërësi, do të jenë tashmë pjesë e një plani të ri strategjik për mbrojtjen e tyre, që shënon një fazë të re, në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, përmes modelit të administrimit unik dhe zhvillimit të qëndrueshëm, bazuar edhe në eksperiencat më të mira europiane.
Në Forumin e organizuar me këtë rast, “Për ty Natyrë”, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Rama, Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj, – me pjesëmarrjen e ekspertëve të mjedisit, drejtuesve të institucioneve, partnerëve ndërkombëtarë, studentëve e miqve të natyrës, u prezantua teknikisht platforma e zhvillimit të qëndrueshëm të natyrës, që synon forcimin e zonave të mbrojtura dhe zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve si pasuri kombëtare, duke e lidhur këtë vizion drejtpërdrejtë edhe me rrugëtimin drejt BE.
Kryeministri Rama tha se reformimi i modelit të menaxhimit të pyjeve dhe të natyrës në tërësi, do të fillojë nga reformimi i Agjencisë Kombëtare të Zonave të mbrojtura dhe i Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, duke i bërë bashkë dhe duke krijuar një sinergji mes të dyjave.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Është një moment shumë i mirë për të bërë një bilanc, duke kthyer kokën pas, ndërkohë që jemi të gjithë së bashku të fokusuar tek njëri nga aspektet më të vështira të procesit të negociatave që është aspekti i mjedisit, ku pa diskutim mënyra se si shihen, se si trajtohen dhe se si promovohen zonat e mbrojtura është një pjesë strategjikë e gjithë këtij kompleksi që lidhet me natyrën që na rrethon. Dhe duke kthyer kokën pas pa diskutim që ka shumë arsye për të qenë krenar për ku jemi sot, kam parasysh se na u desh një dekadë më parë të bëjmë dy ndërhyrje shumë radikale për të siguruar marrjen e një kthese të domosdoshme, në kushtet kur qoftë prerja e paligjshme e pyjeve, qoftë gjuetia e paligjshme ishin bërë plagë reale që zgjeroheshin mbi trupin e natyrës së Shqipërisë dhe sot mund të shikojmë me krenari rezultatet e dy moratoriumeve që asokohe krijuan debat dhe u panë me shumë dyshim, qoftë në aspektin e ripërtëritjes së pyjeve, qoftë në aspektin e ripërtëritjes së faunës në Shqipëri.
Nga ana tjetër, zonat e mbrojtura dhe në tërësi, territoret e natyrës në Shqipëri ishin nën agresionin e vazhdueshëm të ndërtimeve të paligjshme, ishin nën agresionin e vazhdueshëm të ndotjeve të gjithfarë llojeve dhe më vjen shumë mirë që sot, bilanci flet për një ulje të konsiderueshme të krimeve mjedisore, për një vënie në një kontroll të konsiderueshëm të territorit në aspektin e mbrojtjes së mjedisit nga agresioni i ndërtimeve pa leje dhe patjetër edhe për një kufizim të konsiderueshëm të ndotjes. Por, thënë këto asnjë prej këtyre elementeve nuk është ende i asgjësuar si problematik dhe tërësinë e këtyre elementeve, ajo çka përbën një pikë të domosdoshme për të siguruar një ecuri të suksesshme në këtë proces që lidhet me negociatat për anëtarësim, po që pikërisht pse lidhet me negociatat për anëtarësim, si të gjitha aspektet e tjera lidhet drejtpërdrejtë me të nesërmen tonë është një menaxhim shumë më i mirë dhe shumë më i sigurt i pyjeve.
E pikërisht, për këtë arsye me Ministrin e Mjedisit, me ekipin e Ministrisë së Mjedisit jemi angazhuar në një proces reformimi të modelit të menaxhimit të pyjeve dhe natyrës në tërësi. Një reformim, i cili do të duhet të fillojë nga një ristrukturim i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe i Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, duke i bërë bashkë dhe duke krijuar një sinergji mes të dyjave, për të pasur një agjenci, e cila të merret 360 gradë me zonat e mbrojtura dhe me pyjet, sepse eksperienca ka treguar që duam apo s’duam ne, janë dy komponentë të pazgjidhshëm nga njëri-tjetri dhe dy agjenci nuk e bëjnë më të lehtë, por e bëjnë më të ngatërruar procesin dhe nuk na ndihmojnë të ecim më shpejt në drejtim të një mirëmenaxhimi, të një cilësie që garanton standardet evropiane në këtë fushë, të cilat, siç e dini shumë mirë, janë shumë rigoroze dhe shumë ambicioze për Shqipërinë, në kushtet ku ne jemi sot, përtej përparimit të jashtëzakonshëm që kemi bërë. Po ashtu, kjo lidhet edhe me domosdoshmërinë për ta standardizuar menaxhimin e pyjeve në gjithë territorin, sepse sot kemi një menaxhim të fragmentuar, kemi modele nëse mund t’i quajmë modele, të cilat nuk janë koherente me njëra-tjetrën.
Vendosja e një sistemi kombëtar të monitorimit, biodiversitetit, si një mekanizëm që pastaj na garanton planifikim të bazuar në të dhëna të marra shkencërisht nga territori, është tjetër aspekt që ne besojmë se do ta garantojë kjo reformë që ka nisur të konceptohet, siç thashë, në Ministrinë e Mjedisit.
Jemi në një tjetër sfidë të madhe, që e kemi parë të tërë edhe e shohim, sidomos gjatë sezonit të verës, kur temperaturat rriten shumë që është problemi i madh, sfida e madhe e zjarreve dhe për këtë arsye nevoja që të ndërhyjmë me shumë më tepër kurajë, në aspektin e reformës dhe me shumë më tepër angazhim në aspektin e vëmendjes për sa i duket pyjeve është çdo vit edhe më e madhe dhe nga ana tjetër, nevoja për të rritur kapacitetet tona për pyllëzim, po ashtu është çdo vit e më e madhe, sepse siç e kemi parë askush, askund nuk i ka gjetur ndonjë ilaç zjarreve, që kur vijnë bëjnë dëme deri edhe kolosale. Por, nuk mund të qëndrojmë duke përsëritur të njëjtën gjë, sado që mund të ketë qenë rezultative në periudhat përparshme, kur në ndërkohë nevojitet që të bëjmë diçka tjetër, pikërisht sepse duhet t’i përgjigjemi sfidës, duke reaguar edhe duke investuar pa humbur kohë në atë pjesë që për shkak të zjarreve të kthehen në plagë.
Për këtë arsye po angazhojmë edhe burimet e reja financiare për të futur edhe teknologjinë, duke rritur kapacitetet mbjellëse përmes pyllëzimeve me dron që sjellin saktësi, sjellin efiçencë, janë të buxhetuara për vitin që po vjen dhe duke ndërtuar një bazë vitin që vjen, do të rrisim pastaj edhe financimet, do të rrisim edhe intensitetin e këtyre pyllëzimeve në vitet e mëtejshme.
Një tjetër domosdoshmëri që e ka sjellë kjo kohë është domosdoshmëria për të zgjeruar kapacitetin e fidanishteve publike. Duke bashkëpunuar me bashkitë, por edhe duke mbështetur pikërisht Agjencinë e re Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe pyjeve apo të pyjeve të zonave të mbrojtura, këtë nuk e di ekzaktësisht si do të quhet dhe si do jetë radha për të krijuar fondin e vet dhe për të pasur rrjetin e vet të fidanishteve.
Në këtë drejtim, kemi ndërhyrë dhe ligjërisht për të sjellë një risi që sapo ka hyrë në fuqi, lidhur me detyrimin e gjithë atyre që ndërtojnë në Shqipëri që sipas metrave katrorë që ndërtojnë të kontribuojnë për këtë fond të gjelbër.
Një tjetër element i domosdoshëm është fuqizimi me teknologji edhe në aspektin e prodhimit të fidanëve. Ka sot mundësi të reja në këtë drejtim dhe plani i Ministrisë së Mjedisit është që t’i shfrytëzojmë këto mundësi ashtu sikundër edhe mundësinë e pa matë të vënies në shfrytëzim të inteligjencës artificiale.
Një gjë tjetër që koha e ka treguar më së miri, por që ne duhet të përpiqemi që ta tregojmë edhe më mirë për njerëzit, për komunitetet, për shoqërinë, është fakti që zonat e mbrojtura nuk janë penguese domosdoshmërish të zhvillimit ekonomik dhe të rritjes së të ardhurave. Nëse ato menaxhohen me zgjuarsi dhe në mënyrë kreative, por po ashtu nëse ato edhe administrohen si duhen në aspektin e mbledhjes së të ardhurave, gjë që e kemi parë në sistemet e reja të biletimeve elektronike, të ardhurat nga zonat e mbrojtura mund të jenë të konsiderueshme dhe mund të funksionojnë më së miri si një burim i ri i atyre komuniteteve që jetojnë brenda atyre territoreve.
Dhe sot mua më vjen mirë shumë të them që ne kemi faktikisht mbi 1 milionë hektarë të përfshira në territorin e përgjithshëm të zonave të mbrojtura që janë mbi 20%, gati 22 % e mbarë territorit, por nuk mjafton ta thuash këtë në mënyrë të përgjithshme sepse ajo që duhet është pastaj është futja më thellë dhe në mënyrë më të detajuar brenda gjithë këtij territori që përmblidhet në mbi 1 milionë hektarë për të parë sesi në çdo pjesë të tij potencialet e zhvillimit ekonomik janë po aty, pa qenë nevoja për të ndërhyrë me zhvillime që shumë më tepër dëmtojnë sesa sjellin vërtetë zhvillim të qëndrueshëm në një afat më të gjatë.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për t’ju dhënë një ide i ka katërfishuar të ardhurat e veta vetëm në periudhën e 3-4 viteve të fundit, por nga ana tjetër po të shikosh nga vijnë këto të ardhura kuptohet shumë qartë që potenciali është shumë më i madh sepse kryesisht rreth 70% e këtyre të ardhurave të katërfishuara vijnë nga 3 pika që janë ‘Syri i kaltër”, Kune Vaini dhe mali i Dajtit dhe vijnë nga tre pika, jo thjeshtë për shkak të fluksit se fluksi aty ka qenë dhe më parë apo fluks ka dhe në zona të tjera, por sepse sistemi i menaxhimit elektronik të të ardhurave ka sjellë një hop cilësor, gjë që e bën thjeshtësisht të domosdoshme shtrirjen e këtij stisemi në të gjithë territorin.
Nuk dua të zgjatem më shumë. Dua vetëm të them që në këto vite që kemi përpara që përkojnë me momentin historik të përpjekjes për anëtarësim dhe në radhë të parë me synimin e shpallur për të mbyllur negociatat teknike me BE brenda vitit 2027, fokusi tek mjedisi, fokusi tek pyjet dhe mirë menaxhimi i tyre, fokusi tek zonat e mbrojtura, fokusi tek fuqizimi i një ekonomie të re të qëndrueshme të bazuar tek natyra do të jetë shumë herë më i madh sesa deri më sot. Edhe për shkak sepse, siç e thashë në fillim, sfida që lidhet me ato pjesë të negociatave që prekin mjedisin, është mbase më e vështira nga të gjitha sepse kërkesat janë maksimale, standardet janë maksimale dhe përtej përmirësimeve të jashtëzakonshme që ne kemi bërë në këtë aspekt, po të nisemi nga ku u nisëm, jemi ende shumë mbrapa, po të llogarisim se ku duam të mbërrijmë dhe ku duhet të mbërrijmë në një kohë shumë të shkurtër
Kështu që unë do t’i falënderoj të gjithë ata që kontribuojnë në këtë fushë. Dua të falënderoj të gjithë ata që janë këtu si miq, si partnerë, si mbështetës të ekipit të Ministrisë së Mjedisit jo për shkak të Ministrisë, por për shkak të pikërisht të një kauze të përbashkët dhe dua të besoj që ministri i Mjedisit dhe ekipi i tij do të gjejnë mënyra të reja për të hapur më shumë kanale komunikimi, për të ndërtuar më shumë ura me komunitetin e njerëzve që kanë një dedikim të veçantë për mjedisin.
Duke e mbyllur dua të them këtë që duke qenë në nevojën për të rritur ekonominë, duke qenë në nevojën për të krijuar punësim më cilësor, duke qenë në nevojën për të modernizuar infrastrukturën e kështu me radhë shpeshherë nevoja për të mbrojtur mjedisin krijon tension dhe shpeshherë njerëzit që avokojnë për mjedisin duken si elementë turbullues dhe në fakt janë element turbullues, por janë element turbullues të domosdoshëm. Dhe unë dua që të gjithë ta dinë që unë personalisht kam shumë respekt për ta dhe në tërësi përtej tensionit të pashmangshëm që krijohet pasi dikush e sheh nga këndi i vet, dikush tjetër e sheh nga një kënd tjetër të njëjtën gjë, është e padiskutimtë që presioni i grupit të interesit, apo i grupeve të interesit nëse doni, që lidhen me këtë kauzë është shumë i nevojshëm dhe shumë i shëndetshëm për shoqërinë dhe është shumë i dobishëm për qeverinë.
Këtë e them jo për të thënë disa fjalë ura në një rrethanë si kjo, por për të nënvizuar sesa e rëndësishme është që ky grup interesi të jetë aktiv dhe të jetë i zëshëm, përtej faktit që e thashë dhe e përsëris, që zëri i ngritur, zëri i ngritur i mjedisorëve krijon detyrimisht tension, por në fund të fundit krijimi i tensionit është dhe një nga arsyet pse ata jetojnë, apo jo?
Kështu që i falënderoj shumë të gjithë dhe uroj që më herët se vonë, të kemi mundësinë të ri takohemi për të bërë një bilanc tjetër, bilancin e hapave të parë në zbatimin e reformës që sapo përshkrova, për të ngritur në një nivel krejt tjetër, menaxhimin e pyjeve duke u bazuar tek praktikat më të mira europiane dhe fatmirësisht kemi miq dhe kemi partnerë që vijë nga vende ku menaxhimi i pyjeve nuk është menaxhim, është art. Dhe kam këtu parasysh qoftë miqtë që janë ulur mes nesh këtu, qoftë edhe të tjerë që sot mungojnë, por që asnjëherë nuk hezitojnë që të na ndihmojnë, se kjo është edhe një karakteristikë tjetër e ‘’dashnorëve të mjedisit’’, që po i kërkove ndihmë, janë menjëherë të gatshëm të të ndihmojnë edhe të ‘’të lidhin duart edhe këmbët”, me fije bari.
Shumë faleminderit!