Në lidhje me lajmin e publikuar në media, sipas të cilit një pacient i trajtuar më parë në Spitalin Rajonal Durrës ka ndërruar jetë dhe është lënë në mëshirë të fatit nga autoritetet, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale sqaron opinionin publik se ky informacion nuk është i vërtetë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale saktëson se pacienti nuk është nxjerrë apo braktisur në rrugë nga Spitali Rajonal Durrës, siç pretendohet në publikim. Dalja e tij nga spitali është kryer pas përfundimit të trajtimit, me dokumentacionin përkatës mjekësor dhe pas koordinimit me strukturat sociale, policore dhe familjare.
Pacienti ishte trajtuar më parë në QSUT, ku kishte kryer një ndërhyrje kirurgjikale për vendosjen e një proteze vaskulare. Pas komunikimit ndërmjet mjekëve, ai u shtrua në Spitalin Rajonal Durrës, ku qëndroi dhe u trajtua për më shumë se një muaj, duke marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor në përputhje me gjendjen e tij shëndetësore.
Pas stabilizimit të parametrave klinikë dhe përfundimit të trajtimit spitalor, pacientit iu përgatit epikriza dhe iu komunikua dalja nga spitali. Duke qenë se ai deklaroi se nuk kishte një vend ku të qëndronte, strukturat e spitalit njoftuan shërbimin social dhe organet e Policisë së Shtetit, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të sigurt sociale dhe familjare.
Pas komunikimeve të kryera nga strukturat përkatëse, një familjar deklaroi se do ta merrte pranë banesës së tij. Pacienti u transportua me autoambulancë deri në destinacion, i shoqëruar nga punonjës të Policisë së Shtetit, dhe iu dorëzua familjarit.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale sqaron se pacienti është paraqitur sërish mbrëmjen e djeshme në Shërbimin e Urgjencës të Spitalit Rajonal Durrës, ku vijon të qëndrojë nën kujdesin dhe vlerësimin e personelit mjekësor.