Prishtinë, konferenca e përbashkët Rama-Kurti

Konferenca e përbashkët për mediat në Prishtinë e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit të Republikë së Kosovës, Albin Kurti:

 

Kryeministri Albin Kurti: Të nderuar gazetarë, zonja dhe zotërinj, unë sot jam shumë i nderuar dhe i gëzuar me vizitën e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Zotit Edi Rama dhe kabinetin e ri në fillim të mandatit të ri, për çfarë e uroj edhe njëherë, duke i dëshiruar shumë suksese e të arritura.

Mandatet e dy qeverive tona, të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë i kemi marrë në një kohë me plot sfida. Përballja me pandeminë COVID19, me variantin eksploziv DELTA, rimëkëmbje ekonomike dhe zhvillim i institucioneve demokratike janë disa prej sfidave tona, për tejkalimin e të cilave do të angazhohemi së bashku. Kosova dhe qytetarët e saj i gëzohen tejmase progresit në Shqipëri dhe zhvillimit të gjithëmbarshëm të shqiptarëve kudo. Ndërkaq, për realizimin e tyre, qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë mbetemi në gatishmëri të plotë.

Përtej sfidave, dy qeveritë tona kanë mundësi e potencial për të realizuar projektet që tash e një kohë të gjatë priten nga qytetarët e dy vendeve. Ne duhet të rrisim bashkëpunimin për më shumë drejtësi, barazi, zhvillim e mirëqenie për shqiptarët në të dyja anët e kufirit dhe në gjithë rajonin. Ndërlidhja mes  dy vendeve për heqjen e barrierave që shkaktojnë vështirësi e pengesa mes nesh është  e domosdoshme për qytetarët dhe ekonomitë tona. Do punojmë së bashku që tregu të jetë sa më unik në mënyrë që qytetarët, shërbimet, kapitali dhe mallrat të lëvizin sa më lirshëm. Nëse ka vende ku kjo duhet të bëhet sa më shpejt, kjo është Kosova dhe Shqipëria, sepse jo vetëm e njohim mirë njëra-tjetrën, por se kemi besimin e plotë tek njëra-tjetra.

Biseduam për të gjitha fushat e qeverisjes sonë të mirë dhe në veçanti u zotuam që e shohim tejet të rëndësishëm koordinimin dhe sinkronizimin gjithandej. Në takimin e sotëm biseduam edhe për avancimin e marrëveshjeve ekzistuese ndërmjet dy qeverive tona. Nga viti 2014 deri më tani janë mbajtur 6 mbledhje të përbashkëta mes dy qeverive, ku janë nënshkruar rreth 150 marrëveshje, memorandume dhe protokolle.

Biseduam edhe për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, për çfarë u vendos që të fillojnë përgatitjet nga të dy kabinetet tona, me synimin që mbledhja e përbashkët të jetë në gjysmën e dytë të muajit nëntor.

Njëkohësisht u dakorduam që ta kemi edhe një Sekretariat Koordinues për marrëdhëniet tona bilaterale, e cila do të udhëhiqet nga Zoti Gentian Sala, i cili ka dy pasaporta, të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës.

Mirëserdhe Kryeministër Edi Rama dhe tash po ua kaloj juve fjalën.

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve!

I nderuar Kryeministër, i dashur Albin, më vjen fort mirë të vizitoj Prishtinën menjëherë pas përfundimit të sesionit të 76 të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ku çështja e njohjes përfundimtare të Kosovës ishte një nga përparësitë e vizitës sonë në New York dhe mbetet e tillë. Po ashtu, një nga përparësitë e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të jetë pikërisht nxitja e njohjes nga të gjithë e realitetit të pakthyeshëm të Kosovës, si përmbyllje e natyrshme, edhe formalisht, e kapitullit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Nuk ka asnjë diskutim që në radhë të parë dhe mbi të gjitha është Serbia që duhet ta njohë këtë realitet të pakthyeshëm dhe është vërtetë për të ardhur keq që në vend të përparimit konkret të dialogut drejt njohjes reciproke dhe çlirimit përfundimtar nga e shkuara, sot jemi dëshmitarë të manovrave teatrale ushtarake të Serbisë në kufirin me shtetin sovran të Kosovës.

Ato manovra nuk mbrojnë në fakt, qytetarët serbë në veriun e Kosovës, sikundër pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar, madje dhe nga disa fantazma gjeneralësh të ushtrisë së mundur në fushën e luftës më shumë se 20 vite më parë, që sikur kanë dalë nga varri me pretendimin se po mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serbë në Kosovë.

Në fakt, qytetarët serbë në Kosovë jetojnë të pakërcënuar nga askush, madje, fjala vjen, u paguhen dhe faturat e energjisë elektrike nga qeveria e këtij shteti këtu si askujt e askund, jo vetëm në Ballkan, por edhe në botë.

Fatkeqësisht, ato manovra risjellin në skenë hijen e të shkuarës dhe nxisin nacionalizmin vandal të zjarrvënësve të institucioneve publike, që janë aty institucione për t’u shërbyer pikërisht atyre qytetarëve serbë, të cilët nuk janë viktima të ndonjë represioni shtetëror apo persekutimi me sfond etnik, por janë pengje të stanjacionit në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.

Aplikimi i reciprocitetit të targave të përkohshme është jo vetëm një normë elementare e të drejtës legjitime të shtetit të Kosovës, por është edhe një marrëveshje e arritur me kohë mes të dyjave qeverive respektive.

Dua ta them edhe këtu, sot, qëndrimin e Republikës së Shqipërisë, të cilin e gjykoj të qartë, të drejtë dhe që mbetet i pandryshuar qysh nga çasti i parë që u shfaq ky konflikt:

E drejta këtu është me Kosovën dhe pikë! Nuk është me Serbinë.

Serbia nuk ka asnjë të drejtë që t’i kthejë targat e automjeteve të përdorimit të përditshëm në një përditshmëri konfliktuale ku mizën po e bën buall, a thua se qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ndonjë luftë, ku, në fakt, thjesht po kërkon zbatimin e një marrëveshje reciprokisht të dakordësuar.

Nga ana tjetër dua ta përsëris miqësisht edhe këtu, me këtë rast, qëndrimin tonë se tanimë që problemi është shtruar dhe askush nga miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës nuk e diskuton domosdoshmërinë e konsolidimit të regjimit të reciprocitetit në përdorimin e targave të përkohshme, duhet bërë kujdes që çuarja e njësive speciale në atë zonë, nga nevoja për t’u siguruar se nuk cenohet siguria dhe rendi publik në momentin e shtrimit të problemit, të mos kthehet në një problem mes vetë Kosovës dhe miqve e partnerëve ndërkombëtarë.

Qeveria shqiptare e ndan plotësisht bindjen se tani problemi duhet të zgjidhet me dialog dhe unë besoj fort që janë të gjitha mundësitë që kjo të ndodhë, duke e shmangur ngritjen e konfliktit në këtë pikë, ku demonstrimi i uniformave ushtarake duhet t’ia lënë vendin demonstrimit të forcës së arsyes dhe argumenteve në rrafshin diplomatik.

Natyrisht, edhe këtu duhet të jemi shumë të qartë, i takon qeverisë dhe Kryeministrit të Kosovës të vendosin si do ta  trajtojnë më tej në aspektin strategjik këtë situatë kaq delikate, por ajo që unë mund të them është që kjo është një mundësi e mirë për ta treguar edhe njëherë gatishmërinë për dialog të barabartë dhe për ta çuar dialogun në një nivel të ri, edhe me mbështetjen të miqve dhe partnerëve strategjikë të Kosovës, që edhe ata po kërkojnë me insistim që të zëvendësohen forcat ushtarake me fuqitë diplomatike.

Sot, së bashku, ne kemi shtruar për diskutim tema të rëndësishme për fillimin e bashkëpunimit mes dy qeverive. Që do të thotë thellim bashkëpunimi dhe rritje e konvergjencës mes dy shteteve. Mund t’ju them se jemi vërtetë të motivuar, plotësisht të angazhuar bashkërisht, gjë që ishte shumë e qartë dhe në takimin që sapo përfunduam, që këto marrëdhënie të shkojnë në një nivel tjetër dhe që gjithë ato marrëveshje si shprehje e vullnetit të mirë të zbatohen, ashtu sikundër të tjera çështje të interesit reciprok të shtrohen për zgjidhje e të zgjidhen.

Kryeministri e tha, sot kemi dakordësuar dhe për vendosjen e një personi kyç si koordinator i kësaj përpjekjeje të përbashkët, i cili do jetë i lidhur drejtpërdrejtë me zyrat tona respektive, i cili ka edhe dy pasaporta, detaj ky simbolikisht i rëndësishëm, i cili gëzon besimin e plotë të të dyve ne. Jam i bindur që do jetë një linjë, për të mos lejuar që burokracia të bëjë atë që është mësuar të bëjë gjithmonë, që angazhimet e vullnetit të mirë t’i kthejë në procese të pambarimta.

Unë bashkë me delegacionin qeveritar të Shqipërisë jemi sot këtu dhe kjo është vizita e parë zyrtare jashtë shtetit, pas krijimit të qeverisë së re, pikërisht që të konfirmojmë vullnetin e plotë dhe të shprehim dëshirën maksimale që marrëdhëniet mes dy qeverive tona të jenë mishërimi i domosdoshmërisë për t’i lidhur gjithnjë e më fort këto dy shtete shqiptare dhe për t’ua dhënë qytetarëve tanë, këtej e andej bjeshkëve, mundësinë që ta prekin në jetën e përditshme realizimin konkret të të gjithë këtyre angazhimeve, që në fund të fundit janë për ta.

Kryeministri foli për bilancin. Ramë dakord që në javën e fundit të nëntorit do mbajmë mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Durrës. Në ndërkohë do punojmë intensivisht për të bërë gjithë skanimin e marrëveshjeve dhe për të vendosur pikat mbi “i” për të gjitha vendimmarrjet e mbledhjes së dy qeverive.

Po ashtu diskutuam edhe diçka që besoj ia vlen të thuhet edhe këtu. Dekada ku sapo kemi hyrë i gjen shqiptarët në rajon më të fortë dhe me një mundësi më të madhe se asnjëherë tjetër për të shpalosur potencialin e tyre. Shqipëria është në një pozicion që nuk e ka pasur asnjëherë më parë. Sapo ka kryer me sukses misionin e drejtimit të OSBE-së, bëhet anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, diçka e paimagjinueshme vetëm pak vite më parë; pozicioni i ri dhe thelbësor i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, jo vetëm si një faktor zhvillimi e stabiliteti, por edhe si promotor të këtij zhvillimi dhe stabiliteti; po ashtu dhe roli thelbësor i shqiptarëve në Malin e Zi, janë të gjitha arsye që ne të ndjehemi të angazhuar dhe të motivuar për ta shpalosur deri në fund këtë potencial.

Jemi absolutisht të vetëdijshëm për vështirësitë e procesit të integrimit në Bashkimin Europian. Shqipëria duhet të zhvillojë Konferencën e parë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian për negociatat. Kosova duhet të marrë miratimin nga Këshilli Europian për liberalizimin e vizave. Të dyja kanë kohë që i kanë bërë detyrat e shtëpisë për t’i marrë këto dy zhvillime pozitive, por a do ndodhin – si njëra, si tjetra – brenda këtij viti apo kur do ndodhë, kjo nuk varet as nga Shqipëria, as nga Kosova, por varet nga situata brenda BE-së, ku duhet të merren vesh në të njëjtën kohë 27 shtete që kanë lloj-lloj hallesh e afatesh të tyre të brendshme e që prej vitesh tanimë po e pengojnë BE-në të sillet si një forcë e vetme e të mbajë fjalën që jep.

Sa herë iu dha fjala Kosovës që me të mbaruar detyrat e shtëpisë për përmbushjen e të gjitha kushteve për marrjen e vizave do jepeshin më në fund vendimet e duhura dhe do liberalizoheshin vizat?!

Madje iu shtua edhe një thelë mbi bisht me atë demarkacionin e famshëm me Malin e Zi, që nuk kishte lidhje me vizat. U bë dhe demarkacioni dhe urdhëro ku jemi sot.

Megjithatë, as Shqipëria as Kosova nuk kanë asnjë rrugë tjetër, përveçse të vazhdojnë reformat, punën modernizuese, përpjekjet integruese në universin e vlerave dhe standardeve që karakterizojnë familjen e bashkuar europiane, jo sepse këtë na e imponon Brukseli, Parisi, Berlini, por sepse kjo është rruga e amanetit të rilindësve tanë dhe kjo është rruga e të ardhmes së fëmijëve tanë.

Edhe njëherë, shumë faleminderit Kryeministër, përveç të tjerave, edhe për ditën me diell që garantove për të na mikpritur në kushte optimale.

Kryeministri Albin Kurti: Faleminderit shumë Kryeministër Rama!

Tash mund t’ju përgjigjeshim disa pyetjeve tuaja.

– Kryeministër Rama, në konferencën e përbashkët që kishit me Kancelaren Merkel, teksa po flisnit për nismën “Open Ballkan”, një çështje mbeti pa u sqaruar, ajo ku ju thatë se Kosova rri ulur atje dhe bën konspiracione. Për çfarë konspiracionesh e kishit fjalën dhe a diskutuat për këto konspiracione sot? 

Kryeministri Edi Rama: Nuk më citoni si duhet dhe, edhe njëherë tjetër, meqë ma dhatë mundësinë, dua të them se kam pasur shumë mesazhe edhe të drejtpërdrejta, edhe përmes rrjeteve sociale këto ditë, për shkak të situatës së krijuar nga Kosova, ku pavarësisht larmisë së toneve dhe ngjyrimeve, thelbi ishte “po tani, a je i bindur që nuk bëhet Ballkani i Hapur me Serbinë”?

Përgjigja ime është që tani jam edhe më i bindur sesa isha, që Ballkani i Hapur është rruga jonë. E kur them rruga jonë, them rruga jonë e përbashkët, për të mirën tonë të përbashkët. Ka një dallim, sipas meje, mes nacionalizmit dhe patriotizmit. Nacionalizmi do të thotë të duash ta shohësh tjetrin keq, patriotizmi është të duash ta shohësh veten mirë. Natyrisht që kemi një mosdakordësi në këtë pikë me Albinin dhe është e rëndësishme që ta kuptojmë të gjithë që kjo është një mosdakordësi e natyrës politike dhe ne duhet ta trajtojmë si të tillë. Përsa juve mund të shikoni, por edhe për sa ju nuk shikoni, marrëdhëniet tona nuk ndikohen në shëndetin e tyre nga fakti se kemi një mosdakordësi të kësaj natyre. Ndërkohë që themeli i dakordësisë sonë është i një natyre tjetër, jo politike, por kombëtare, vëllazërore dhe është përtej çdo mosdakordësie të mundshme politike. Ai është themeli që përcakton karakterin strategjik të marrëdhënies sonë për bashkësinë e interesave dhe qëllimeve tona kombëtare dhe patjetërsueshmërinë  një ëndrre të përbashkët për të jetuar një ditë në një ditë në një hapësirë të pandarë, si shqiptarë dhe si europianë.

Ajo ditë do të vijë.

Është e pashmangshme dita kur në një Europë të bashkuar, shqiptarët, por edhe serbët, malazezët, maqedonasit, boshnjakët të jenë pjesë e pandashme. Siç është e pashmangshme edhe dita, kur Serbia do ta njohë Kosovën dhe kur kërkesa e pashmangshme e faljes nga Serbia për krimet e paharrueshme të luftës së Kosovës, jo vetëm do vijë, por do vulosë fundin e rrugës së vështirë drejt paqes.

Pyetja që kërkon përgjigje nuk është: “A do vijë ndonjëherë ajo ditë?” Por vetëm: “Kur do vijë dhe çfarë mund të bëjmë ne dhe si mund të bëjmë ne shqiptarët, bashkërisht, që ta afrojmë atë ditë?”

Në përpjekjen për të gjetur përgjigjen e duhur, ne mund të kemi edhe arsyetime të ndryshme, por këto arsyetime nuk janë dhe nuk duhet të jenë kurrsesi një arsye për të vënë në pikëpyetje dashurinë për atdheun e përbashkët e as vëllazërinë e respektin për njëri-tjetrin. Këtu nuk e kam për mua dhe Albinin, sepse po flas shumë hapur, nuk e kemi këtë problem, por e kam për të gjithë ata që i lexojnë marrëdhëniet mes shqiptarësh me syzet e paragjykimeve për pikëpamjet.

Unë jam këtu, sot, shumë i nderuar dhe shumë mirënjohës për mikpritjen e Kryeministrit dhe mikut tim, Albin Kurti, pikërisht sepse dashurinë për Shqipërinë nuk e kam ndarë nga dashuria për Kosovën dhe patriotizmin nuk e kam kuptuar kurrë, as si mllef, as si dasi, por si bashkim dhe si përpjekje të përbashkët për të bërë më të mirën për brezat e ardhshëm. Kaq e thjesht është.

-Një pyetje për ju Zoti Kryeministër [Edi Rama]. Nëse keni pasur ndonjë diskutim me Presidentin Vuçiç lidhur me gjithçka që po ndodh në veri të Kosovës, me pak fjalë, një lloj ndërmjetësimi nga ana juaj, një lloj përpjekjeje për ndërmjetësim.

Pyetja radhës për Zotin Kurti. Cili është hapi tjetër që merr Kosova pas gjithë situatës së tensionuar në veri, në kushtet kur kemi një ultimatum nga Serbia për ndërhyrje nga NATO brenda 24 orëve?

Kryeministri Edi Rama: Nuk kam pasur një bisedë me Presidentin Vuçiç apo siç shpeshherë miqtë e mi kosovarë në rrjetet kosovare thonë “me vëllain tim Vuqiq”, sepse këtu nuk ka asgjë për të ndërmjetësuar. Këtu jemi në kushtet kur e drejta është me Kosovën dhe kaq. Kjo është shumë e qartë. Ne jemi absolutisht në krah të Kosovës, siç është i gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe e thashë, leximi i çuarjes së njësive speciale si një arsye për të bërë teatër me helikopterë e me aeroplanë në Serbi, është leximi më i gabuar. Parafytyroni për një moment e le ta parafytyrojë edhe vllau jem atje, sikur të kishte (larg qoftë) ndodhur diçka, në kushtet kur po sprovohej qëndrueshmëria e shtetit.

Natyrisht që i takon Kryeministrit, këtu në krah, të qeverisë së Kosovës të marrë vendimet e duhura, që kjo të shërbejë për ta çuar përpara dialogun dhe të mos ngrijë konfliktin. E kam thënë dhe publikisht dhe po e përsëris që nuk duhet ta harrojmë çfarë ndodhi me tarifën 100%. Unë e kam mbështetur si një klithmë të drejtë për të shtruar një problem të drejtë; mosrespektimi nga Serbia të një numri të caktuar pikash marrëveshjeve përkatëse, por ajo tarifë u kthye në litar në këmbët e Kosovës, për shkak se kaloi nga një akt për të shtruar problemin në një problem më të madh se vetë problemi. Kjo gjë duhet shmangur dhe unë jam i bindur që Albini dhe të gjithë kolegët këtu e kanë të gjithë largpamësinë dhe pjekurinë për ta shmangur një gjë të tillë. Këtu nuk ka çfarë të ndërmjetësohet fare, kjo është shumë e thjeshtë. Dua ta përsëris, ato djegiet atje të institucioneve nuk i provokojnë forcat legjitime të rendit dhe sigurisë së Kosovës. Ato djegiet atje i provokojnë ato fluturimet akrobatike të avionëve dhe helikopterëve dhe marrja peng e qytetarëve serbë të Kosovës në kushtet e një dialogu që nuk ecën ashtu siç duhet.

Kështu që shumë e thjeshtë. Ne  mbështesim dialogun 100% dhe unë jam i bindur që dialogu është e vetmja rrugë. Por çfarë do ambasadori rus, mund të ma thoni, çfarë do ambasadori rus?

E imagjinoni të shkojë ambasadori amerikan në kufi dhe të shikonte se çfarë bëjnë njësitë speciale. Natyrisht që ky është një teatër, por është një teatër i rrezikshëm sepse është në fakt, shkrepësja që ndez institucionet, ato godinat e regjistrimit të makinave, fatkeqësisht.

Kryeministri Albin Kurti: Sot në mëngjes, unë kam pritur në takim gjeneralin e Përgjithshëm të KFOR-it Gjeneral Federici dhe bashkë me Ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet ndërkombëtare në Kosovë dhe përfaqësitë e tyre diplomatike, por edhe mekanizmat e tyre të sigurisë.

Njësia speciale  e Kosovës nuk është në Bërnjak dhe në Jarinje në mënyrë që të kënaqemi dhe t’i gëzohemi kësaj situate. Ata janë aty në detyrë dhe detyra e tyre është të mbrojnë pikat kufitare dhe policët kufitarë. Ne kemi mjaftueshëm indikacione që po të mos ishte njësia speciale e policisë së Kosovës në Bërnjakë dhe në Jarinje, policët tanë kufitarë dhe godinat aty do të ishin të rrezikuara seriozisht.

Bllokimi i rrugëve magjistrale që shpien në Jarinjë dhe në Bërnjak, nuk është bërë vetëm me barrikada prej mauneve dhe prej njerëzve , por edhe me buldozer. Ata buldozerët nuk janë për të bllokuar rrugë se sa janë për të sulmuar nëse policët kufitarë do të ishin të vetmuar.

Ka kaluar shifra prej 10 mijë automjeteve që kanë ardhur nga Serbia dhe i kanë marrë targat e përkohshme të Republikës së Kosovës. Në asnjë pikë kufitare, asnjë incident. Ku ka polici të Kosovës nuk ka incidente, nuk ka dhunë. U dogj qendra e regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok. U tentua të bëhej njësoj dhe në Zveçan , por fatmirësisht aty dy bomba dore nuk shpërthyen. Dhuna ka adresë tjetër, kurrsesi institucionet e Republikës së Kosovës dhe personelin e saj. Policia e Kosovës është tejet profesionale dhe korrekte, shumë kurajoze dhe unë i jam mirënjohës për punën dhe angazhimin që kanë bërë.

Ne kemi bërë një ofertë ku kemi thënë që nuk ja vlen të kemi targa të përkohshme dhe Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë, po i heqim ato të dyja palët.

Dhe besoni, pakrahasimisht më shumë kanë arsye shqiptarët që t’u pengojë targa e Serbisë që i ka katër S (cirilik) aty dhe që keni mundur ta gjeni në shumë shtëpi të rrënuara gjatë luftës dhe madje edhe të bërë me thikë në gjokset e shqiptarëve, sesa do të duhej tua vriste sytë harta e Kosovës serbëve në Serbi. Por ne kemi thënë po i heqim targat e përkohshme , ata le të vijnë lirisht ne po shkojmë lirisht dhe qarkullimi i lirë, liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave shërbimeve dhe kapitalit të jetë sa më e lehtë, sa më e kollajshme dhe pa asnjë vonesë. Pra po e ritheksoj njësia speciale e policisë së Kosovës nuk ndodhet aty për të demonstruar një forcë, por për të mbrojtur pikat kufitare dhe policët tanë kufitarë.

Ky është qëllimi vetëm i njësisë speciale, e cila sot i ka mbushur një jave që ndodhet në kufirin me Serbinë. E keni vënë re gjatë këtyre ditëve që unë nuk jam shfaqur me ministrin e mbrojtjes -nuk është çështje e Ministrisë së Mbrojtjes, – vetëm me Ministrin e Punëve të Brendshme. Serbia fatkeqësisht e sjell në kufi me Kosovën, Ministrin e Mbrojtjes.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është i vetmi që me mua si ministër angazhohet politikisht në këtë çështje. E për ne është çështje e sundimit të ligjit, është çështje e zbatimit të vendimit qeveritar, është çështje e paqes, sigurisë dhe stabilitetit që nuk e diskriminon asnjeri. Nuk është kundër serbëve të Kosovës dhe nuk ka serb të Kosovës që i është ankuar qeverisë së Republikës së Kosovës për njësinë speciale. Në fakt, ata që kanë bllokuar rrugët kanë bllokuar edhe veten, kanë bllokuar edhe qytetarët serb sepse shumë qytetarë serbë prej andej shkojnë në Serbi dhe tani vetë këto barrikada ja u bëjnë të mundur një gjë të tillë. Ne jemi këtu për t’u shërbyer të gjithëve, pa privilegjuar askënd, diskriminuar askënd, jemi për tua garantuar të drejtat qytetarëve, pa dallim përkatësie kombëtare.

-Zoti kryeministër [Albin Kurti] çfarë biseduat konkretisht me komandantin e KFOR-it dhe cilat do të jenë veprimet pasi ka raportime në media  se KFORI do të ndërhyjë sot në veri të Kosovës, pas edhe një ultimatumi që i ka dhënë Vuçiç, Stoltenbergut. Gjithashtu a mund të na sqaroni deklaratën se jeni dakordësuar me Sekretarin e NATO-s  për qetësimin e situatës në veri.

-Për Kryeministrin Rama. Tani do të doja t’ju quaja vëllain e madh të Kosovës, a e kuptoni tash vëllain e vogël, pas kërcënimeve të Serbisë, pse refuzon të jetë pjesë e  Ballkanit të Hapur?

Kryeministri Albin Kurti: Ne diskutuam me Gjeneralin Federici, Komandantin e Përgjithshëm të KFOR-it për situatën e sigurisë, meqenëse ne i kemi policit tanë atje dhe ata e bëjnë vlerësimin e situatës. Pra vendimet që ne i marrim nuk janë të pastra politike. Madje përmbajtja e tyre është shumë profesionale, e sigurisë. Unë si kryeministër i Kosovës dhe ministri i brendshëm nuk marrim vendime pa vlerësimet që na vijnë nga policia e Kosovës mbi rrethanat që ata ndodhen atje. Ne shkëmbejmë informacione me KFOR-in sepse jemi më shumë të pranishëm sesa edhe vet KFOR.

Unë nuk kam ndonjë informacion të tillë për ndërhyrje të KFOR-it . Kam biseduar dje edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Stoltemberg dhe me Zv/presidentin e Komisionit Europian dhe përfaqësuesin për politikë të jashtme dhe të sigurisë zotin Borrel.

Jemi të hapur për bisedime. Qysh kur i kanë kërkuar bisedimet të hënën e 20 shtatorit, ne kemi qenë të gatshëm të udhëtojmë në Bruksel. Bisedimet janë refuzuar nga Beogradi dhe tani jemi të gatshëm në çdo moment që organizohet takimi, ne do të shkojmë në Bruksel. Ndërkaq, Komandanti i përgjithshëm i KFOR, po ashtu është në kontakt edhe me kryetarët e komunave në veri të Ibrit dhe është i interesuar dhe ai që situata të deeskalojë përkundër disa nxitjeve që vijnë nga fqinji ynë verior dhe në këtë mënyrë të kthehemi në paqe dhe në siguri të plotë. Komunikimin, kontaktet, bashkëpunimin e kemi jo të përditshëm, por nganjëherë edhe në çdo orë, prandaj i ftoj të gjithë qytetarët për qetësi për durim sepse institucionet janë duke e kryer punën pa asnjë defekt, pa asnjë dështim.

Kryeministri  Edi Rama: Meqë u drejtuat, vëllai i madh, vëllai i vogël, mua më ka qëlluar që të jem vëllai i madh në shtëpi dhe si vëllai i madh kam mësuar rrugës që me vëllain e vogël ka gjithmonë një problem. Kur vëllai i vogël ka një hall thotë “ti vëllai i madh duhet të  më mbështesësh”, ndërsa kur i thua vëllait të vogël, më dëgjo dhe mua, nuk të dëgjon. Ky është problemi vëlla i madh, vëlla i vogël. Tani të vijmë tek çështja.

Unë nuk pretendoj që unë jam vëllai i madh këtu, aq më pak vëllai i madh i Albinit që është më i ri, por nuk do ta pranonte kurrë që ta quante veten vëllai im i vogël. Ky është një debat i vjetër që ne kemi më njeri-tjetrin, jo për punë vëllazërie, por për punë debatesh filozofike, por edhe njëherë, unë jam edhe më i bindur sot dhe e them shumë sinqerisht që Ballkani i hapur është i vetmi drejtim strategjik që ne të mos ngecim në mënyrë ciklike në baltën e së shkuarës dhe që t’i marrim potencialit tonë maksimumin si shqiptarë, por edhe si rajon.

Riprodhimi i historisë është një industri ballkanike e mirënjohur, por do t’ia lëre vendin prodhimit të mirëqenies dhe saldimit të paqes. Natyrisht e gjitha kjo nuk mund të jetë e plotë pa njohjen përfundimtare të Kosovës, nuk diskutohet. E thashë më parë, por e them përsëri këtu në një mënyrë tjetër, në një hapësire ku zbatohen katër liritë e BE në një Ballkan të hapur, liria e lëvizjes së njerëzve, kapitaleve shërbimeve është një hapësire ku ka gjithmonë e më pak vend për këtë lloj tensionesh dhe këto lloj artificesh që vijnë nga e shkuara dhe natyrisht një klimë që c’tensionohet, duke bërë me fqinjët gjëra të mundura, është më e mundur të ketë sukses dhe dialogu sipas meje.

Ballkani i hapur nuk është asgjë përveçse marrja në zotërim e Procesit të Berlinit dhe përshpejtimi i tij, duke mos pritur që të na mbledhin një herë në vit nëpër kryeqytete të ndryshme dhe duke mos pritur që axhendat të na i bëjnë të tjerët, por duke çuar përpara zbatimin e këtyre nismave të nevojshme. Kështu që, padiskutim unë e kuptoj shumë mirë që Kosova e ka të nxehtë plagën dhe historia është shumë e afërt , por forca njëkohësisht duhet të jetë shumë e madhe për të parë më tutje, sepse Kosova e ka fituar luftën. Lufta ka mbaruar. Ato avionët dhe helikopterët që vijnë vërdallë atje janë për ushqim propagandistik brenda Serbisë, por Kosovës nuk kanë çfarë i bëjnë fare. Çështja është të mos humbasim kohë për të ardhmen, të mos humbasim kohë për paqen. Vëllain dhe fqinjin nuk i zgjedh.

Me vëllain të lidh gjaku, të lidh familja, të lidh e shkuara dhe e ardhmja. Me fqinjin të lidh fakti që e ke aty, sido që të jetë e ke aty. Gjyshja ime thoshte “nuk ka shtëpi të lumtur me fqinjë të pakënaqur”. Kështu që duhet t’i bëjmë të gjithë përpjekjet dhe përpjekjen për Ballkanin e hapur, nuk e zëvendëson, nuk e eklipson, nuk e tjetërson, përpjekjen për të fituar edhe betejën diplomatike për njohjen e Kosovës. Përkundrazi janë dy gjëra që ecin paralelisht.

Kryeministri Albin Kurti: Më lejoni të ndaj me ju edhe një njoftim të rëndësishëm. Gjatë takimit tonë rreth 1 orë e gjysmë, ku kryeministri Rama ka ardhur me pothuajse gjysmën e Këshillit të Ministrave dhe unë me pothuajse gjysmën e kabinetit qeverisës, më shumë kanë diskutuar ministrat tanë sesa ne të dy dhe gjithçka ka qenë me qasje zhvillimore. Për një orë e gjysmë nuk është përmendur as fjala Ballkan dhe as fjala Serbi, vetëm Kosovë dhe Shqipëri dhe mos të krijohet përshtypja se ne kur takohemi flasim vetëm për politikë ndërkombëtare. Kemi aq shumë për të bërë në aspektin e ekonomisë, financave, tregtisë, infrastrukturës dhe kështu me radhë, por natyrisht që ne përgjigjemi për shkak të korrektësisë dhe mirësjelljes çdo pyetje që ju bëni.

Kryeministri Edi Rama: Këtu ka një ngatërresë, se do thonë, “këta s’kanë folur fare me njëri-tjetrin, kanë folur ministrat se këta s’flasin me njëri-tjetrin”, por në fakt flasim shumë më tepër.