Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në vijim të agjendës në Kosovë, Kryeministri Rama ishte i pranishëm në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala, akademik e ish-ambasador i Kosovës, që ka shkruar mbi gjykimin në Hagë kundër udhëheqjes së UÇK-së.

Në takimin, ku merrnin pjesë personalitete të larta të jetës politike dhe akademike të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, etj, Kryeministri Rama iu adresua të pranishmëve me një fjalë.

 

* * *

 

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve dhe mirë se ju gjeta! Ftesën për të marrë pjesë në prezantimin e këtij libri e mora nga profesor Ahmeti përpara sesa të merrnim lajmin e zymtë nga tribunali në Hagë, mbi kërkesën absurde të prokuroreve për të dënuar 45 vjet çdo njërin prej 4 udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe për hir të vërtetës, e pata të vështirë që të mund të shkruaj një fjalë nga fillimin në fund sepse përballë një situate të tillë fjalët nuk janë aspak të lehta për t’u gjetur, ndërkohë që ndër disa mendime që besoj mund të vlejnë të ndahen me ju këtu, i pari ishte mendimi se kush është sot në të njëjtën godinë pothuajse, që vuan dënim pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare.

Sot të dënuar nga ajo gjykatë ose më saktë nga drejtësia ndërkombëtare janë Radovan Karadzic, i cili u dënua me burgim të përjetshëm për një epokë të tërë terrori dhe spastrimi.

Ratko Mladić, i cili u dënua po ashtu me burgim të përjetshëm si fytyra e makinerisë së shfarosjes dhe autori i damkosur botërisht i masakrës së 8 000 njerëzve të pafajshëm në Srebrenicë.

Një farë Stanislav Galić, i cili u dënua po ashtu me burgim të përjetshëm për terrorin e snajperëve që shënjestruan fëmijë dhe gra si të ishte një safari njerëzor.

Një farë Milan Lukic, i dënuar në përjetësi për krime që lënë pa fjalë edhe fjalorin e më të keqes.

Dikush që lidhte njerëz të gjallë edhe i  hidhte në lum duke kundruar me kënaqësi se si përpëliteshin dhe mbyteshin.

Dhe tre autorë të tjerë përdhunimesh, vrasjes, krimesh nga më makabret.

Tani, sipas kërkesës së Prokurorisë së tribunalit në Hagë, këtyre të dënuarve do t’u shtohen edhe 4 të tjerë në anën tjetër të barrikadës. Ndërkohë që Prokuroria nuk pati kapacitetin të provojë asgjë të ngjashme, sepse nuk ka asgjë të ngjashme në aktivitetin e katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nuk ka asnjë lidhje aktiviteti i tyre dhe i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me terrorin mbi popullsinë civile, me spastrimin etnik, me varret masive të njerëzve të pafajshëm, me shënjestrimin e fëmijëve dhe të grave nga snajperët e vendosur aty, me këtë qëllim apo me përdhunime, me vrasje, me mbytje njerëzish në lumë, asgjë.

Ata katër burra nuk u armatosën për të ndërtuar një politikë shfarosjeje, por u armatosën kundër një politike shfarosjeje.

Ata nuk u armatosën për të imponuar sundimin e tyre në një territor të huaj, por u armatosëm për të hequr qafe sundimin e të huajve në tokën e tyre.

Dhe faktikisht ata vetë me dorën e tyre e votuan në Parlamentin e Kosovës një gjykatë, e cila në letër është një gjykatë e Kosovës, nuk është një gjykatë për të vendosur në bankën e të akuzuarve Kosovën.

Dhe faktikisht, sot jemi në kushtet kur ka marrë formë thuajse përfundimtare, pasi fjalën e fundit e ka, sigurisht, gjykata. Një plan shumë afatgjatë, jetësimi i të cilit ka nisur me raportin famëkeq të Dick Martin që mos gjettë kurrë prehje aty ku është, për trafikim të organeve nga udhëheqja e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës dhe ai plan është shtyrë përpara nga përfaqësuesi dhe Vladimir Putinit në Këshillin e Europës.

Më tutje është ngritur mbi një rezolutë të Këshillit të Europës, të cilën sot e gjithë ditën për turpin e vet, Këshilli i Europës nuk gjen kurajon ta rishikojë, pasi asnjë lloj trafiku organesh nuk është provuar në asnjë formë dhe pastaj ai plan ka vazhduar më tej me një gjykatë, një proces që ka marrë jetë në ditën kur presidenti i Republikës së Kosovës ishte nisur për në Uashington dhe është kthyer nga rruga e një takimi, ku do të hidhej një hap tjetër për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nën kujdesin e presidentit të kohës dhe të sotëm njëkohësisht, të Shteteve të Bashkuara presidentin Trump, pasi qartësisht forca të tjera nuk e dëshironin që të ndodhte ajo gjë dhe qysh nga ai moment, presidenti i Kosovës është marrë peng.

Tani mund të jetë sekret shtetëror këtu në Kosovë, por nuk është sekret shtetëror për mua që edhe Presidentja e Kosovës është kërcënuar dhe këtë gjë nuk e dini sepse nuk është thënë asnjëherë, por po e them sot.

Është kërcënuar sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të Presidentit të Kosovës se medemek do kërkonin dhe aty provat e krimeve kundër njerëzimit, gjë që natyrisht do ta vendoste Kosovën në sytë e botës si një shtet, ku deri në zyrën e Presidentit gjenden prova për krime kundër njerëzimit. Dhe kërcënimi i presidentes ka zgjatur dy vjet. Por për nderin e saj dhe për nderin e Kosovës ajo e ka ndaluar një gjë të tillë.

Sot jemi këtu, mund të themi fjalë sa të duam mes veti, mund të përdorim të gjithë qoshet e pasura të fjalorit tw gjuhës shqipe për të nxjerrë dufin legjitim ndaj një prokurorie idiotësh, por çështja është që ata nuk janë thjesht idiotë. Ata janë instrumente të një gjykate, e cila është edhe më politike fatkeqësisht sesa gjykatat e Serbisë në raport me Kosovën.

Me ligjet e kohës, nëse i referohemi ligjeve të kohës kur ka ndodhur lufta dhe nëse Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk do ta fitonte luftën dhe populli i Kosovës nuk do çlirohej në gjykatat e asaj Serbie, dënimet e kërkuara nga prokurorët do ishin të pamundura sepse me ligjet e asaj Serbie, 45 vjet, – që do të thotë faktikisht varrosje për së gjalli e njerëzve, – nuk ka.

Drejtësia ndërkombëtare e financuar nga shtetet demokratike që për turpin e tyre vazhdojnë ta ndjekin me indiferencën më të madhe gjithë këtë katastrofë për Europën dhe për botën demokratike përveçse për katër njerëz krejtësisht të pafajshëm, faktikisht bën që ne sot të ngremë një pikëpyetje për veten tonë se çfarë mund dhe duhet të bëjmë.

Nuk e kam përgjigje për këtë. Por jam i sigurt që duhet të bëjmë diçka ende më shumë për këtë sepse është një katastrofë për vet drejtësinë ndërkombëtare, për vet Europën, për perëndimin demokratik të cilin Kosova e testoi dhe fatmirësisht perëndimi, duke e njohur Kosovën kaloi testin e humanizmit të vet, por nëse sot perëndimi nuk e kalon këtë test dhe merr përsipër varrosjen për së gjalli të katër njerëzve të pafajshëm, duke faktikisht lënduar si s’ka më keq popullin dhe republikën e Kosovës atëherë ky mbetet një problem shumë i madh.

Nuk di të them më shumë fjalë, por di që kjo është pengmarrje për arsye politike, jo të perëndimit si i tërë, por të atyre forcave që kanë dashur të barazojnë dy gjëra që nuk barazohen dot. Dhunën etnike të një makinerie lufte tërësisht fashiste dhe luftën çlirimtare të një ushtrie që emrin e ka pasur ushtri, por në fakt ka qenë një mobilizim popullor, ku ata të cilët janë trajtuar atje në gjyq si komandatw të një force të rregullt kanë qenë udhëheqësit shpirtëror, moral dhe politik të këtij mobilizimi. E mbi të gjitha ka diçka tjetër që është ende më e rënde se nëqoftëse Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi duhet të varrosen për së gjalli për luftën dhe për çfarë ka ndodhur gjatë luftës në Kosove, atëherë duhet të vazhdojnë arrestimet. Duhet të arrestohen Bill Clinton, duhet të arrestohet Javier Solana, duhet të arrestohen Tony Blair nuk diskutohet, kryeministrat e tjerë të vendeve që i dhanë dritën jeshile bombardimeve dhe faktikisht duhet të ndodhë ekzaktësisht ajo që ka predikuar Slobodan Milosevic, që dhe ai bashkë me atë tjetrin, zviceranin, mos gjettë kurrë prehje aty ku është.

Të dy bashkë atje. Dhe kjo është e paimagjinueshme, por përsëri unë flas e flas e më duket se çdo fjalë që them është pa kuptim, pa peshë, pa lidhje sepse ajo që po ndodh është shumë, shumë e rëndë dhe për atë  që po ndodh natyrisht duhet të flasim natyrisht, natyrisht duhet të shkruajmë libra, natyrisht duhet të tregojmë, por mbi të gjitha duhet të gjejmë mënyrën të veprojmë.

E përsëris, nuk e kam përgjigjen sesi, por besoj që bashkërisht të dyja shtetet tona mund ta gjejnë një përgjigje se si. Që në fund fare të mos i themi vetes si nuk provuam të bëjmë dhe këtë dhe këtë, por t’i provojmë të gjitha, natyrisht brenda normave, të cilave i jemi nënshtruar me vullnetin e lirë dhe të plotë si pjesë e bashkësisë demokratike, si pjesë e bashkësisë euroatlantike dhe kështu me radhë.

Profesor, faleminderit dhe një herë për ftesën. Ishte vërtete kënaqësi që të isha këtu. Do të kisha dashur që të ishim së bashku në këtë promovim pa pasur mbi shpatulla këtë barrën e madhe të atyre 45 vjetëve për secilin prej 4 pengjeve të drejtësisë ndërkombëtare, por siç e ka treguar dhe historia e Kosovës dhe historia e çlirimit të Kosovës dhe historia e shtetndërtimit të Kosovës, ka sfida të cilat i zgjedhim, ka sfida të cilat na zgjedhin.

Ajo që na takon është që të mos i lëmë pa i fituar të parat dhe të mos i shmangemi të dytave, duke bërë gjithçka që kemi në dorë për t’i fituar. Unë besoj që nëse shpresa siç thonë, vdes e fundit, shpresa lidhur me kërkimin e drejtësisë dhe mbi të gjitha lidhur me besimin tek rruga e arsyes e atyre qe do të japin gjykim përfundimtar, nuk do vdesë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet lënë që të vdesë.

Shumë faleminderit të gjithëve!

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.