Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Postuar më: 20. Korrik 2018

Programi “100 FSHATRAT”, një model i Rilindjes Rurale

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me kryetarët e bashkive për Programin “100 Fshatrat”:

Mirëdita të gjithëve!

Mirë se erdhët!

Ky takim është në vazhdën e procesit të organizimit të Programit “100 Fshatrat”. Në themel të këtij programi është domosdoshmëria për të koordinuar të gjitha forcat dhe ndërhyrjet zhvillimore në funksion të krijimit të një modeli shembullor të zhvillimit rural. Programi ka në qendër të gravitetit të tij turizmin, duke marrë parasysh faktin se në të gjitha territoret e vendit janë identifikuar pikërisht një numër i caktuar fshatrash, për të promovuar sa më shumë dhe sa më konkretisht idenë e një lufte të qëndrueshme me varfërinë, me papunësinë, me izolimin për shkak të distancave dhe të pamundësinë për t’u përfshirë në aktivitetin e zhvillimit intensiv bujqësor dhe blegtoral. Qëllimi është i qartë, që përmes harmonizimit të të gjitha fondeve, harmonizimit të të gjitha forcave institucionale, por dhe forcave në terren, të krijohen rrugë të reja zhvillimi për familjet që jetojnë në Shqipërinë rurale.

Përmirësimi i infrastrukturës është një aspekt themelor i programit, por do të ishte gabim që programi të konceptohej, apo të perceptohej thjesht si zhvillim infrastrukture, sepse kemi parë që për 20 e kusur vite me radhë janë bërë investime në rrugë rurale, por nuk është se kanë ndryshuar në mënyrë përmbajtjesore trajtën dhe ecurinë e zhvillimit rural, apo trajtën dhe ecurinë e ekonomisë së familjes që jeton dhe fshat. Këtu kam parasysh jo ato zona të fshatit që tanimë janë në një rrugë të mbarë zhvillimi bujqësor dhe që jetojnë me prodhime bujqësore për tregun e brendshëm, apo për eksportin, por kam parasysh zona dhe pika të tëra ku kjo është e pamundur, apo është tejet e vështirë, por ku kemi ndërkohë shembuj konkretë, të qartë e të prekshëm, të zhvillimeve individuale, që tregojnë se përmes agroturizmit është e mundur plotësisht të dilet na qerthulli i mbijetesës dhe të kalohet në një stad tjetër.

Pra, përmirësimi i infrastrukturës është një element kyç, por po ashtu është një element kyç harmonizimi i përpjekjeve midis pushtetit vendor dhe qeverisë, në rastin konkret, Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Ministrisë së Bujqësisë, për të promovuar zhvillimin ekonomik me instrumentet që na mundëson programi i mbështetjes për fshatin dhe me skemat që janë qartësisht të fokusuara te agroturizmi, qoftë skemat kombëtare, qoftë skemat e Bashkimit Europian.

Një aspekti rëndësishëm i këtij programi është po ashtu ndërlidhja e potencialeve turistike dhe agroturistike me nxjerrjen në pah dhe vlerësimin e trashëgimisë kulturore e trashëgimisë historike dhe të bukurive natyrore, duke i bërë ato të aksesueshme për turistët.

Ne kemi bërë disa hapa të rëndësishëm organizativë, qoftë në drejtim të organizmit të brendshëm, ku 4 ministri janë drejtpërdrejtë të përfshira në këtë program, me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si ministria lider e programit, ku kemi një koordinator kombëtar për programin. Kemi të përfshirë drejtpërdrejtë në program, qoftë Fondin Shqiptar të Zhvillimit, qoftë Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, qoftë Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, kemi përfshirë edhe donatorët, sëbashku me të gjitha përfaqësitë e huaja në Shqipëri që janë angazhuar të japin kontribute të drejtpërdrejta, duke bërë një ndarje të punës mes tyre dhe nesh dhe ku e fundit, por jo nga rëndësia, kemi nisur edhe një sërë kontaktesh me sipërmarrjen vendase dhe me bankat për të krijuar një sinergji sa më të plotë mes të gjithë forcave që mund të angazhohen në këtë proces.

Është krijuar Akademia e 100 Fshatrave, një strukturë që do t’i vijë në ndihmë programit, por dhe bashkive, duke plotësuar boshllëqe që shumë bashki kanë në aspektin e kapaciteteve planifikuese dhe projektuese. Akademia ka në boshtin e vet kontributin e botës universitare, studentë dhe pedagogë të planifikimit urban, vendas dhe të huaj, por dhe Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Fakultetin Ekonomik, për të ndihmuar po ashtu me projekte të posaçme zhvillimore.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i projektit është dhe aspekti që ka të bëjë me rritjen e kapaciteteve njerëzore, me trajnimin, me vetëdijesimin, sidomos të më të rinjve, për mundësitë e rrugës së zhvillimit ekonomik të familjes nëpërmjet investimeve modeste dhe të mbështetura nga qeveria për agroturizmin. Për këtë arsye, edhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, jo vetëm si ministria që ka paratë, por dhe si ministri që mbulon të gjithë aspektet e punës dhe të punësimit është e përfshirë në këtë program.

Mbështetja juaj si kryetarë të bashkive është e domosdoshme, qoftë për të ndarë sëbashku me përfaqësuesit e qeverisë të gjitha planet ekzistuese, qoftë për të identifikuar sëbashku potencialet njerëzore në territor dhe qoftë për t’u organizuar sëbashku për një projekt brenda këtij programi, që ka të bëjë me sensibilizimin e emigrantëve, të atyre që janë larguar nga fshati dhe që me siguri do të jenë të interesuar të vlerësojnë mundësinë e investimit në fshatin e tyre, në shtëpinë e tyre, në shtëpinë e prindërve, pasi nuk ka diskutim që investime të tilla të kursimeve të emigrantëve do të ishin me një normë fitimi shumë më të pëlqyeshme, sesa norma e fitimit nga puna e përditshme në emigracion. Padiskutim nuk bëhet fjalë që ata të lënë punë atje dhe të vijnë këtu me sy mbyllur, por bëhet fjalë për t’i nxitur që të investojnë kursimet e tyre në funksion të këtij projekti, ku secili do të marrë përfitimin e vet.

Një element që vlen të theksohet, për të nënvizuar sesa larg janë akoma bashkitë nga procesi i transformimit në fshat, është qoftë fakti që në të gjithë procesin e aplikimeve për skemat e mbështetjes në bujqësi kontributi i bashkive ka qenë minimal, qoftë fakti që ne kemi qenë të detyruar ta rihapim thirrjen për projekte në agroturizëm si rezultat i mungesës së projekteve. Kemi vënë në dispozicion një shumë të konsiderueshme për buxhetin e shtetit, që do të jetë mbështetje e drejtpërdrejtë për ata që investojnë në agroturizëm, që nga 5 milionë deri në 100 milionë, flas me të vjetra, si bashkëfinancim. Këtu nuk bëhet fjalë për kredi. Këtu bëhet fjalë për grant, për para që jepen për projektin pa asnjë interes nga ana e qeverisë. Numri i projekteve që kemi marrë ka qenë 10 herë më i vogël se numri i bashkive që kemi. Kjo është e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme dhe tregon sa larg akoma janë bashkitë e reja nga vëmendja që duhet të kenë ndaj pjesës së fshatit. Është për të ardhur keq që i gjithë diskutimi i kryetarëve të bashkive, kur vjen puna tek fshati, është “rrugë-rrugë-rrugë”.

Rrugët janë të domosdoshme, por edhe mundësia për të investuar në rrugët rurale është e kufizuar, mund të investohet, aq sa mund të investohet. Ndërkohë që ka shumë elementë të tjerë që mund të shkojnë paralelisht dhe ka shumë raste konkrete që pavarësisht se rrugët mund të mos jenë në nivelin e duhur, investimet në agroturizëm sjellin sukses. Një rast konkret që kam parë me sytë e mi është në zonën e Këlcyrës, në një vend ku kurrë nuk do merrte njeriu rrugën për të shkuar për shkak të infrastrukturës, por ku është një bukuri përrallore dhe ku një familje e re ka ngritur një agrobiznes që është plot.

Nëse familje që jetojnë në këto realitete, e kanë absolutisht të pamundur të imagjinojnë që të bëjnë prodhime bujqësore që t’i nxjerrin në treg, lëre më pastaj t’i nxjerrin në eksport, ose janë prodhime thjesht për mbijetesë dhe marrin trastën në krahë e dalin në anë të rrugës kombëtare për të shitur disa kilogram produkte, ajo që ndodh është se nuk ka nevojë fare të lëvizin nga vendi, se janë të tjerët që vijnë te ata, nëse aty ku ata janë ka një strukturë atraktive agroturizmi.

Pjesa e shërbimeve shëndetësore dhe e shërbimit të arsimit është pjesë  e programit, si përsa i përket qendrave shëndetësore, ashtu edhe përsa i përket ambulancave ekzistuese dhe ambulancave të reja. Është bërë një inventar në këto 100 fshatra dhe është plotësisht e mundur që të kompletohen në këtë aspekt. Ashtu sikundër edhe sa i përket aksesit në shkollë të fëmijëve.

Ideja është që jo thjesht të përmirësojmë 100 fshatra dhe as që gjithçka që ne do bëjmë të jetë për 100 fshatrat, se ka mijëra fshatra të tjerë në Shqipëri, por të krijojmë edhe për veten tonë modele funksionale që të tregojnë rrugën se si ky zhvillim do të përhapet rrathë-rrathë. Nëse ne kemi modele të prekshme suksesi ekonomik dhe financiar të familjeve që jetojnë në fshat, falë mbështetjes së këtij programi, të jeni të sigurt që njerëzit nuk do të na presin më ne, por do të jenë vetë të nxitur për të vazhduar atë rrugë.

Ashtu sikundër, në vjeshtën e këtij viti, ne hapim programin e mbështetjes financiare të Bashkimit Europian dhe 11 milionë euro janë vetëm për të mbështetur familje apo individë në fshat, që duan të investohen në agroturizëm. Dhe janë jo kredi, por para në dorë për të cilat duhet një aplikim i besueshëm, duhet një projekt i besueshëm. Por ai që është rreziku ynë është që neve paratë të na ngelen pa u disbursuar për shkak se nuk kemi aplikime të besueshme dhe për shkak se nuk kemi projekte të besueshme. Për këtë arsye, bashkëpunimi juaj me qeverinë e me të gjithë këta aktorë që janë përfshirë në këtë kornizë është i domosdoshëm, se është e mirëkuptueshme që ju nuk i keni të gjitha burimet njerëzore të afta për të bërë këtë proces nga fillimi në fund, por për këtë arsye është edhe ky program, për t’ju ndihmuar dhe në këtë drejtim.

Është e domosdoshme edhe ajo që duhet të bëjmë sëbashku për mbetjet urbane në zonën e fshatit. Është një problem i madh dhe një problem që ka marrë disa zgjidhje në njolla të caktuara të hartës së Shqipërisë, por që ka shumë, shumë ende njolla të zeza që duhen adresuar dhe duhen pastruar nga harta.

Ju të gjithë do keni një adresë të vetme, për të mos u sorollatur me shumë adresa dhe për të mos humbur në një kaos komunikimesh dhe informacioni, që do jetë adresa e Zyrës së Koordinatores Kombëtare dhe pastaj, të gjitha strukturat që thashë, që nga Ministria e Bujqësisë, që është ministria lider në këtë program, tek ministritë e tjera dhe në mënyrë të posaçme te Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural dhe Agjencia e Planifikimit të Territorit janë në dispozicion.

Do të doja shumë që Akademia me grupet e veta të gjente të gjithë mbështetjen dhe përkrahjen tuaj në proces, pasi janë grupe që do të vijnë tek ju, do të punojnë me ju për të bërë planifikimet e nevojshme dhe projektet e nevojshme. Ju nuk keni asnjë barrë financiare nga kjo pikëpamje, por keni thjesht barrën e përfshirjes dhe të mbështetjes së drejtpërdrejtë, për të përçuar vizionin, idetë dhe mbi të gjitha, të gjithë informacionet e nevojshme për njerëz që kanë dijenitë mbi planifikimin dhe zhvillimin urban dhe menaxhimin e territorit, por nuk kanë njohjen e drejtpërdrejtë të një fshati, apo të një fshati tjetër.